Klori është element kimik i cili së bashku me Jodin (I), Bromin (Br), Astasin (At) dhe Flourin (F) bëjnë pjesë në grupin e 17-të të sistemit periodik duke u identifikuar edhe si substanca (lat.) halogjene që do të thotë (sq.) kripëformues. Klori në nivelin e jashtëm energjetik ka 7 elektrone të cilat paraqesin edhe valencën e tij. Klori formon jone negative kur bashkohet me atomet e elementeve të tjera dhe arrinë konfiguracionin stabil sikurse të gazrave fisnike me elektrone në nivelin e jashtëm energjetik. Klori si element halogjen me metale formon konponime jonike, ndërsa me jometale formon konponime me lidhje kovalente. Klori në temperaturë të zakonshme gjindet si element dy atomik Cl2.
Historia
Klorin e zbuloi kimisti suedez Karl Vilhelm Shele (Karl Wilhem Scheele) më 1774 me ngrohjen e acidit klorhidrik (HCl) me dioksidin e manganit. Emri klor rrjedh nga fjala (grek.) kloros që do të thotë (sq.) ngjyrë e gjelbër.
Përhapja në natyrë
Klori është element halogjen (kripëformues) më i përhapuri në korën e Tokës. Meqënese klori është shumë aktiv ai nuk mund të gjindet në natyrë si substancë elementare por vetëm si komponim. Ai gjithashtu gjindet edhe në disa liqene të njelmëta duke ndihmuar në formimin e kripës së kuzhinës në reaksion me natriumin (Na), sipas reaksionit kimik Na + Cl → NaCl. Ai gjendet edhe në fromë të mineraleve të halit ose të kripës së gurit siç janë: NaCl, silvin, KCl, silvinit NaCl, KCl, karnalit, MgCl2 pastaj 6H2O etj.
Mënyrat e Përfitimit
Klori përfitohet në dy mënyra në laborator dhe në industri. Klori përfitohet edhe me oksidimin e acidit klorhidrik (HCl), me dioksidin e manganit (MnO2), permanganatin e kaliumit (KMnO4), me dikromat kaliumit (K2Cr2O7) etj. Në laborator klori përfitohet sipas reaksionit: 4HCl + MnO2 → MnCl2 + Cl2 + 2H2O Nga ana tjetër me elektrolizën e tretësirës së klorurit të natriumit, NaCl, ku përftohen tri produkte kryesore: hidrogjeni, H2 që reduktohet në katod (-), klori, Cl2 që oksidohet në anodë (+), ndërsa hidroksidi i natriumit NaOH mbetet në tretësirë. Klori në industri përfitohet sipas reaksionit kimik: 2NaCl + 2H20 → 2NaOH + Cl2 + H2
Vetitë fizike
Klori në kushte të zakonshme është substancë me ngjyrë të verdhë në të gjelbër ai është 2,5 herë më i rëndë sesa ajri, ka erë ngulfatëse dhe është shumë helmues. Tretet mirë në ujë dhe formon tretësirën ujore të klorit që quhet "ujë klori".
Vetitë kimike
Klori është element shumë reaktiv ai bashkëvepron me metale, gjysmëmetale, jometale. Klori me oksigjenin (O) formon disa lloje acidesh siç janë: (Cl2O, Cl2O3, Cl2O3, Cl2O5) me valencë ose numër oksidues +1, +3, +5, +7. Klori bashkëvepron drejtëpërdrejtë me metale dhe formon kloruret përkatëse si p.sh. kloruri i natriumit (KCl), kloruri i magnezit (MgCl2), kloruri i aluminit (AlCl3) etj. Klori bashkëvepron edhe me baza, por produktet e reaktantëve varen kryekëput nga kushtet në të cilat zhvillohet reaksioni qofshin ato natyrore apo artificiale. Në të ftohtë klori bashkëvepron me hidroksidin e natriumit (NaOH) duke përfituar hipokloritin e natriumit sipas reaksionit: 2NaOH + Cl2 → NaCl + NaOCl + H2O
Komponimet e klorit
Klori është element shumë reaktiv . Ai reagon në mënyrë të drejtpërdrejt me shumë metale dhe jometale . Klori formon numër të madh të komponimeve në të cilat ka numër oksidues prej -1 deri në +7.
Monoksidi i klorit
Monoksidi i klorit është gaz me ngjyrë të verdhë në të murrme . Është i qëndrueshëm vetëm në temperaturë të ulët . Në temperaturë të lartë ai zbërthehet me eksplodim . Në monoksidin e klorit klori ka numër oksidues +1.
Dioksidi i klorit
Dioksidi i klorit është gaz i paqëndrueshëm me ngjyrë të verdhë në të gjelbërt , me erë të pakëndshme , i cili lehtë zbërthehet në klor dhe në oksigjen . Nëse ftohet në temperatur më të ulët se 11°C , dioksidi i klorit lëngëzohet në lëng me ngjyrë të kuqe të mbyllët . Dioksidi i klorit përdoret për zbardhjen e letrës , celulozës , pëlhurave dhe për dezinfektimin e ujit .
Gazi klorhidrik
Gazi klorhidrik bën pjesë në komponimet më të rëndësishme të klorit . Në natyrë gjendet në gazrat e vullkaneve . Në laborator gazi klorhidrik përfitohet me veprimin e klorurit të natriumit me acid sulfurik të përqëndruar .
Acidi klorhidrik
Acidi klorhidrik është lëngë pa ngjyrë , me erë të mprehtë , i cili bën pjesë në acidet e forta . Në treg vjen si lëng me ngjyrë të verdhë , sepse përmban pastërti . Acidi klorhidrik i tret metalet , oksidet dhe hidroksidet e metaleve , duke formuar kripëra që njihen me emrin klorure . Acidi klorhidrik ndodhet në lëngun e lukthit të shtazëve dhe të njeriut në sasi 0.2 deri 0.4% . Te disa shtazë , p.sh. te qeni , kjo sasi mund të jetë shumë më e lartë rreth 3% .
Përdorimi
Klori gjen zbatim ne shumë fusha, Klori (Cl) gjithashtu përdoret edhe për dezinfektimin e ujit mirëpo vetëm kur bashkëvepron me oksigjenin (O) sepse i vetëm në ujë ka veti helmuese. Klori gjithashtu përdoret edhe në industri si në ate të tekstilit për zbardhjen e leshit, pastaj pë përfitimin e lëndëve plastike, të pesticideve, të letrës, të helmeve kimike, p.sh klori si helm për herë të parë u përdor në Luftën e Parë Botërore nga gjermanët kundër francezëve në pjesën e frontit Iperi më 22 prill 1915. Në këtë sulm u helmuan afër 15000 ushtarë francezë ku si pasojë vdiqën 5000 prej tyre.