Njëherë e një kohë na ishte një djalë i vogël që quhej Gent. Genti jetonte së bashku me familjen e tij shumë të madhe. Familja e tij përbëhej nga mami, babi, gjyshja, gjyshi, daja Faton, tezja Kimet, tezja Emine dhe dy motrat e tij Jehona dhe Besa.
Genti nuk ishte një djalë i zakonshëm. Ai ishte nxënësi më i mirë në klasën e tij, kështu që mund të merrni me mend se Gentit i pëlqente të shkonte në shkollë dhe të lavdërohej nga të gjithë mësuesit për punën e tij të mirë. Në ditët që shkonte në shkollë ai zgjohej në mëngjes, pinte qumësht të nxehtë me të rriturit, bëhej gati për shkollë dhe ecte nëpër rrugët e Prishtinës plot gëzim.
Një ditë, Genti mori një lajm se shkollat do të mbylleshin për ca kohë, por ai nuk pajtohej aspak me këtë! Atij i kishte rastisur të shihte disa njerëz duke u rrahur në rrugë, poashtu kishte dëgjuar disa të shtëna arme përreth, por ajo thjeshtë ishte jeta në Kosovë. Genti ishte aq i mërzitur në shtëpi. Ai nuk mund të luante as me miqtë e tij të lagjes sepse prindërit nuk e lejonin të dilte jashtë shtëpisë. Ai ndihej si një zog i mbyllur brenda një shtëpie shumë të vogël. Ai nuk kishte çfarë të fliste për shkollën dhe nuk merrte lëvdatat e përditshme nga mësuesit e tij. Jeta nuk po tregohej e drejtë me të. Nga ana tjetër motrat e tij po kënaqeshin sepse ishin shumë të vogla për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Genti mund të shihte se familjarët e tij dukeshin të shqetësuar dhe nuk bënin zë, andaj ai bënte më të mirën për t'i bërë të gjithë për të qeshur
Pas disa muajsh, Genti mori lajmin më të mirë ndonjëherë. Ai mund të shkoj në shkollë! Vetëm se kësaj here shkollat nuk do të ishin si ato të zakonshme. Të gjithë nxënësit do të informoheshin për vendndodhjen e shkollës. Vendndodhja do të ndryshonte herë pas here, poashtu të gjithë nxënësit duhet të fshihen nga policët. Genti mendoi se kjo ishte shumë interesante andaj mezi priste të shkonte përsëri në shkollë dhe të takoj sërish me miqtë e tij.
Më në fund erdhi dita për të shkuar në shkollë dhe Genti u ngrit herët në mëngjes e piu pak qumësht të nxehtë me familjen e tij. Këtë herë nëna e tij porositi Gentin që të jetë shumë i kujdesshëm jashtë shtëpisë dhe ti mos trëgoj askujt vendndodhjen e shkollës sepse ishte sekret. Kur po bëhej gati për shkollë, ai mori vetëm një fletore dhe një laps me vete dhe duhej t'i fshihte poshtë rrobave, në mënyrë që askush të mos e dinte se do të shkonte në shkollë.
Kalojnë ca javë dhe në një mëngjes, teksa po shkonte në shkollë, Gentin e ndaluan dy policë. "Hej o djalë, ku po shkon?" e pyeti njëri polic. "Pse je kaq i buzëqeshur?" pyeti polici tjetër. Genti u shtang. Ai kurrë nuk kishte folur me policë. “Po i ndihmoj mamit,” - tha Genti, - “ajo më dërgoi të blej miell.”. Polici iu kthye: "Ani pra, ne po të shoqërojmë te dyqani." Genti nuk kishte para me vete, kështu që nuk mund të blinte miellin dhe të kthehej drejt e në shtëpi. Ai nuk mund të rrezikonte të zbulonte vendndodhjen e shkollës. Përkundër gjithë kësaj, ai vendosi të shkonte në dyqan. Policët flisnin në një gjuhë që Genti nuk e kuptonte, por ai e kishte një plan në mendje. Ai do të shkonte në dyqan dhe do t'i tregonte shitësit të dyqanit se çfarë kishte ndodhur, ndoshta mund të merrte miellin dhe t'ia sillte paratë më vonë. Dhe ky plan funksionoi! Policët pritën jashta dyqanit, kështu që Genti pati kohë të mjaftueshme për t'i shpjeguar situatën shitësit të dyqanit. Duke i treguar situatën, një vështrim i tmerruar kaploi fytyrën e shitësit të dyqanit dhe ai dukej sikur po dridhej nga frika. Shitësi i dyqanit e kapi Gentin dhe e skajoi pranë sektorit të miellit. “Bir, je shumë i zgjuar dhe shumë i guximshëm. Shumë mirë ke bërë që i sollët këtu. Unë do t'a jap miellin, nuk ka nevojë për para hiç. Më trego emrin e mësuesit edhe ku e ke shtëpinë. Shko menjëherë në shtëpi dhe tregoju prindërve se çka ndodhi. Mos u thuaj asgjë policëve, a po më kupton?” Genti ishte ende duke u munduar të kuptonte atë që po ndodhte, por ai e dinte se mund t'i besonte këtij xhaxhai shumë të sjellshëm, andaj pohoi me kokë dhe i tregoi emrin e mësuesit të tij. Genti doli nga dyqani me miell në dorë, i hodhi një vështrim të neveritshëm policëve dhe u tha “Ja, e mora miellin, a mund të shkoj në shtëpi tani?”. Policët shikuan njëri-tjetrin me zhgënjim dhe i thanë të shkonte.
Genti u kthye në shtëpi me miell në dorë dhe kur e pa nëna e tij ajo u habit. Genti nuk mungonte në shkollë edhe kur ishte i sëmurë, andaj kjo ishte shumë e pazakontë. Ajo nxitoi tek ai dhe Genti filloi ti tregonte menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Ajo mbeti gojëhapur dhe menjëherë vrapoi të fliste me babain e Gentit. Pas 10 minutave, babai i Gentit doli me vrap nga shtëpia. Gjatë tërë ditës ai nuk u kthye, ndërkohë Genti e priste në dritare. Nëna e tij nuk bënte zë nga stresi, anëtarët e tjerë të familjes ishin të zënë me punët e shtëpisë, babai i tij ishte jashtë dhe kështu Genti mbeti në hije gjithë ditën, kurse fjalët e shitësit të dyqanit i përsëriteshin në kokë. Genti u ndje mirë në ato momente nga lëvdatat, por disi ndihej i frikësuar.
Erdhi nata dhe më në fund babai i Gentit së bashku me mësuesin e Gentit dhe shitësin e dyqanit që Genti kishte takuar, hyrën brenda në shtëpi. “Oh jo, a kam bërë ndonjë gabim? Më vjen shumë keq!" bërtit Gentii. Të gjithë filluan të qeshnin. “Djali im, ti nuk e ke idenë se sa trim je. Ti ke shpëtuar krejt shkollën sot, a e din?” tha babai i tij. Me sa duket, ajo cka po zihej ishte se ata dy policët kishin kuptuar në cilën shtëpi ndodhej shkolla dhe po planifikonin ta bombardonin. Ata kanë pritur që fëmijët të kalonin aty pari dhe t'i ndjekin nga pas për te shkolla, e në fund u ndodhi të hasnin në Gentin. Për fat të mirë, ai i kishte arritur ti tregonte shitësit të dyqanit për ndodhinë, kështu që shitësi arriti të paralajmëronte mësuesit tamam në kohë dhe kështu të gjithë arritën të largoheshin nga shkolla shëndoshë e mirë.
Atë ditë Genti mësoi se atëdheu i tij po pushtohej dalëngadalë nga disa njerëz të këqijë dhe kjo ishte arsyeja pse shkolla u mbyll për muaj të tërë. Ai gjithashtu vendosi të bëhej mësues kur të rritet, në mënyrë që t'i mësojë fëmijët të jenë të zgjuar ashtu si ishte ai. Atë natë Genti ëndërroi për një Kosovë të lirë ku shkollat do t'i mirëprisnin të gjithë nxënësit, një Kosovë ku nuk duhet të fshehësh dëshirat dhe ku mund të jesh vetvetja. Genti beson se një ditë ëndërrat e tij do të realizohen.
Video e animuar nga shtëpi-shkolla për fëmijë:
Kjo video e animuar ka për qëllim të edukojë dhe të tregojë se çfarë janë "Shtëpi-Shkollat" për brezat e rinj. Videoja tregon historinë e përgjithshme rreth shtëpi-shkollat; si, pse, kur filluan, si i drejtonin klasat e tyre. Përveç historisë, ajo përfshin edhe reagimet e njerëzve, se si ata u përballën me situata të vështira dhe të rrezikshme për t'u arsimuar dhe edukuar studentët, duke përfshirë përvojat reale të mësuesve dhe studentëve. Kjo video tregon gjithashtu pamje vizuale për të treguar atmosferën e asaj kohe dhe duke përfshirë këshilla për të përhapur këtë histori arsimore dhe për të ditur se nga vjen edukimi i tyre, duke përdorur "animacion dhe gjuhë miqësore për fëmijët" për qëllime tematike të ndjeshme.