Periudha ndërmjet viteve 1980 dhe 1999 ishte një periudhë e ndërprerjes së arsimit për nxënësit shqiptarë në Kosovë. Në vitin 1989, Kosova humbi të gjithë autoritetin legjislativ e ekzekutiv si dhe atë vendor për çështje si arsimi. Tani, vendimet për kurrikulën dhe tekstet shkollore ndërmirreshin në Beograd. Referencat për kulturën shqiptare u hoqën në favor të sllavëve apo serbëve të cilët synonin të pakësonin ndjenjën e identitetit kombëtar të nxënësve shqiptarë. Në disa shkolla, veçanërisht në kryeqytet Prishtinë, nxënësit shqiptarë vazhduan të ndjeknin mësimet në ndërtesa të përdorura edhe nga nxënës serbë dhe prejardhje të tjera racore. Pavarësisht numrit të vogël të nxënësve serb, ata kishin çasje në secilën zyre, laborator, e paisje, si dhe në një klasë më të madhe. Edhe pse shumica e nxënësve ishin shqiptarë, atyre u lejohej të përdornin vetëm një klasë të vogël në ndërtesë. Gjer në vitin 1991, policia serbe në Kosovë rrethoi objektet arsimore, duke penguar anëtaret e stafit dhe nxënësit të hynin. Atyre nuk u lejohej më të përdornin ndërtesat publike për të mësuar, atyre u mungonin burimet e duhura, fletore e materiale të cilat i kishin më parë. Kështu, në vend të kësaj, njerëzit u ofruan shtëpitë e tyre nxënësve në mënyrë që ata të mund të mbaronin edukimin e tyre në gjuhën amtare pa përjashtuar historinë dhe kulturën e tyre. Deri në pranverën e vitit 1992, Kosova kishte krijuar një sistem të tërë paralel arsimor në të cilin 3200 shtëpi private, bodrume e garazhda u shndërruan në shtëpi-shkolla të përkohshme për më shumë se 100,000 nxënës.
Rreth viteve 1990-1991, familja Hertica kishte ndërtuar shtëpinë për të jetuar në të. Të gjitha dhomat ishin të mobiluara dhe familja ishte gati për t'u zhvendosur atje. Mirëpo, për shkak të situatës politike në Kosovë, pronari Mehmet Aliu Hertica mendoi se kthimi i shtëpisë së tyre të sapondërtuar në shkollë do të ishte shumë i dobishëm për mësimdhënësit dhe nxënësit. Gjatë kësaj kohe dy nga fëmijët e tij, Azemine dhe Fadili, ishin gjimnazistë dhe kishin njoftuar babain se mësimdhënësit e tyre nuk kishin ku të mbanin një takim për të ardhmen e shkollimit të tyre. Babai i tyre i sugjeroi që takimin ta mbanin në shtëpinë e tyre pasi kishte mjaft hapësirë për mësimdhënësit. Ata erdhën dhe e mbajtën takimin e tyre në dhomën e ndenjes dhe më pas pronari ja u tregoi shtëpinë dhe u tha atyre se kishte në plan ta kthente shtëpinë në shkollë. Edhe pse mësimdhënësit hezituan në fillim, ata ranë dakord se kjo ishte zgjedhja më e mirë për ta dhe nxënësit e tyre.
Azeminja dhe Fadili u ndjenë shumë të emocionuar për këtë vendim, sepse nuk e dinin se si do të shkonin mësimet dhe sa të sigurt do të ndiheshin të gjithë për të mbajtur mësimet në një shtëpi, por me vendosmërinë dhe dashurinë e babait të tyre për arsimin, ata ndihmuan për ta shndërruar shtëpinë në një shkollë funksionale. Para se të fillonin mësimet, nxënësit dërguan dokumentet e tyre tek familja dhe filloi procesi i regjistrimit. Doli lista me emrat e nxënësve dhe një javë më vonë, më 27 janar 1992, mësimet filluan për herë të parë të mbaheshin rregullisht. Stafi dhe studentët ishin shumë të emocionuar për të filluar këtë kapitull të jetës së tyre në një mjedis të ri, megjithatë, shumë prej tyre ishin shumë të frikësuar për të ndjekur shkollën-shtëpi, kështu që u desh pak kohë që klasat të mbusheshin menjë numër më të madh të nxënësve. Kur klasat filluan të pajisen me banka, karrige dhe dërrasa të zeza, shtëpia më në fund filloi të dukej si një shkollë, gjë që i mbushi nxënësit me shumë gëzim dhe u jepte edhe më shumë motivim për të studiuar fort. Mësimdhënësit përdorën dhomën e mësimdhënësve si një vend për të mbajtur takimet e tyre, për të diskutuar mbi kurrikulën dhe teknikat e mësimdhënies që do të përdornin, por ishte gjithashtu edhe një vend relaksi për ta pas mbajtjes së orëve.
Familja Hertica u kujdes që mësimet të zhvillohen rregullisht dhe që të plotësohej çdo nevojë. Fëmijët dhe nëna e tyre i siguronin personelit ushqim, pije dhe rroba të reja kur ishte e nevojshme. Edhe nëse një student ishte i sëmurë, pronari do e dërgonte te mjeku ose familja do përpiqej t'i ndihmonte në çfarëdo mënyre që mundeshin. Dy vitet e para pronari i ka paguar mësimdhënësit sepse jetonin në një gjendje shumë të keqe financiare. Mund të thuhet se familja Hertica u bë shumë e afërt me të gjithë dhe ata e konsideronin njëri-tjetrin si vëllezër e motra.
Fatkeqësisht, pas disa vitesh, situata në Kosovë u përkeqësua edhe më shumë. Pronari i mblodhi të gjithë dhe u tha se do të ishte më mirë që të gjithë të largoheshin nga shtëpia-shkollë sepse policia dhe ushtria serbe kishin filluar të bëheshin më të dhunshëm dhe ai kishte frikë se do të ndodhte diçka e tmerrshme nëse do të gjenin mësuesit dhe nxënësit në shtëpinë-shkollë. Edhe drejtori i shkollës u pajtua që mësimi të anulohej për shkak të rrezikshmërisë së lartë. Edhe pse ky ishte një vendim i vështirë për t'u marrë, ishte më se i nevojshëm. Shtëpia-shkollë u dogj më 9 prill 1999. Familja u dëshpërua që ky monument i rezistencës u dëmtua, por gjithsesi ishin krenar që nga kjo shtëpi-shkollë shumë breza mbaruan arsimin dhe vazhduan jetët e tyre me njohuritë që kishin marrë prej andej.
Referencat:
https://prishtinainsight.com/lessons-resistance-kosovos-parallel-education-system-1990s-mag/#:
Video fotografike rreth Shkollave të Shtëpisë:
Kjo video përfshin
"Hertica School-house" e cila u përdor në mënyrë aktive në vitin 1992 si një shkollë-shtëpi. Pjesa e parë e videos përfshin pjesën ekspozuese për shikuesit të cilët nuk patën rastin ta vizitojnë. Pjesa e dytë përfshin fotografitë e shtëpisë pasi u shkatërrua plotësisht, duke përfshirë dy mesazhe zanore nga një mësues dhe një student, të cilat ishin pjesë e udhëtimit në shtëpinë-shkollë. Videoja synon të jap mesazhin e rëndësishëm se “Shtëpitë-shkolla: janë pjesë e historisë sonë të arsimit, të cilën ne duhet ta kujtojmë dhe ta përhapim te brezat e tjerë për të treguar se nga vjen edukimi i tyre”.