PËRSHKRIM I SHKURTËR
Moduli është pjesë e programit mësimor për studentët e vitit të dytë, të Ciklit të Parë të Studimeve, Bachelor, në programin e studimit “Inxhinier Përpunim Druri”, duke patur parasysh se materialet gjysëm fabrikate prej druri janë produkte të rëndësishme, që përdoren si lëndë e parë nga industria e ndërtimit dhe ajo e prodhimit të mobiljeve.
Teknologjitë e aplikuara për prodhimin e rimesos, kompesatës, drurit të shtresuar, pllakave të zdrukthit dhe të fibrës, si edhe të paneleve me dru masiv, paraqesin kombinime komplekse të proçeseve mekanike, fizike dhe kimike, të cilat ndikojnë fuqishëm mbi vetitë dhe koston e produkteve, duke përcaktuar rrjedhimisht cilësinë dhe performancën e produkteve përfundimtare, të prodhuara nga materialet e sipërpërmendura.
30 orët e leksioneve formojnë shtyllën për 30 orët e seminareve (praktikave), laboratoret, projektin e kursit dhe për vizitën një ditore në fabrikë, të cilat duhet të zhvillojnë, përmes shëmbujve, njohuritë e marra nga leksionet dhe literatura e rekomanduar, me qëllim për të kuptuar natyrën e prodhimit të produkteve gjysëm fabrikate.
Gjatë modulit, studenti do të përftojë njohuritë themelore mbi prodhimin e materialeve gjysëm fabrikate prej druri dhe konceptet e projektimit të një linje prodhimi. Pjesët e veçanta të pajisjeve dhe makinerive do të analizohen dhe përshkruhen në kontekstin e sistemit të prodhimit, si edhe në marrëdhënie me makineritë e ndryshme, në respekt të karakteristikave operacionale, kapaciteteve të prodhimit, kërkesave për ruajtjen e lëndës së parë dhe ndikimeve mbi produktin.
Aktiviteti laboratorik do t’i familjarizojë studentët me vetitë e produkteve gjysëm fabrikate, duke i aftësuar ata për të gjykuar sa më drejt mbi përparësitë dhe mangësitë e këtyre produkteve ndaj drurit masiv.
Objektivi kryesor i modulit është që të përgatisë studentët për të menaxhuar detyra dhe përgjegjësi të ndryshme, gjatë aktivitetit të prodhimit të materialeve gjysëm fabrikate prej druri. Në përfundim të modulit studenti duhet të jetë i aftë:
1. të llogaritë nevojat për lëndën e parë drusore dhe kimikate;
2. të konceptojë operacionet dhe të organizojë aktivitetin në të gjithë sektorët e fabrikës;
3. të përdorë dhe të mirëmbajë pajisjet dhe makineritë;
4. të llogaritë dhe të regjistrojë parametrat e punimit të pajisjeve, në funksion të intensitetit të punës;
5. të përzgjedhë teknologjinë e përshtatshme, referuar natyrës dhe specifikimeve të produktit;
6. të hartojë skema teknologjike dhe të kuptojë vizatimet inxhinierike dhe teknologjike;
7. të kryejë teste laboratorike sipas standarteve EN;
8. të projektojë një linjë moderne prodhimi.