PËRSHKRIM I SHKURTËR
Moduli është pjesë e programit mësimor për studentët e vitit të dytë, të Ciklit të Parë të Studimeve, Bachelor, në programin e studimit "Dizajni Mobiljeve dhe Interierit", duke patur parasysh se materialet që rezultojnë nga përpunimi parësor përdoren si lëndë e parë nga industria e ndërtimit dhe ajo e prodhimit të mobiljeve. Lënda e sharruar, kompesata, druri i shtresuar, pllakat e zdrukthit dhe të fibrës, si dhe panelet me dru masiv, karakterizohen nga veti fizike, mekanike, kimike dhe teknologjike, të cilat ndikojnë fuqishëm mbi cilësinë dhe performancën e mobiljeve dhe konstruksioneve të drurit.
30 orët e leksioneve formojnë shtyllën për 30 orët e seminareve (praktikave), laboratoreve, dhe për vizitën një ditore në fabrikë, të cilat duhet të zhvillojnë, përmes shëmbujve, njohuritë e marra nga leksionet dhe literatura e rekomanduar, me qëllim për të kuptuar natyrën e sjelljes së produkteve që rezultojnë nga përpunimi parësor i drurit.
Teknologjitë e prodhimit do të përshkruhen dhe analizohen në kontekstin e ndikimit mbi vetitë e materialit (produktit), kurse aktiviteti laboratorik do t’i familjarizojë studentët me performancën (vetitë) e tij. Në këtë mënyrë synohet aftësimi i studentëve për të gjykuar sa më drejt mbi përparësitë dhe mangësitë e këtyre produkteve referuar kushteve specifike të përdorimit, duke bërë të mundur një integrim sa më optimal të dizenjos me materialet dhe aksesorët në dispozicion.
Objektivi kryesor i modulit është që të përgatisë studentët për të menaxhuar përzgjedhjen e materialeve me bazë druri, gjatë proçesit të dizenjimit të mobiljeve, interierëve dhe konstruksioneve prej druri. Në përfundim të modulit studenti duhet të jetë i aftë:
1. të njohë gamën e materialeve me bazë druri që rezultojnë nga përpunimi parësor;
2. të njohë teknologjitë dhe operacionet e përpunimit parësor të drurit;
3. të konceptojë operacionet dhe parametrat teknologjik që përcaktojnë vetitë e materialeve me bazë druri;
4. të përzgjedhë materialet e përshtatshme, referuar natyrës dhe specifikimeve të produktit përfundimtar;
5. të llogarisë vëllimin e trupave dhe të lëndës së sharruar;
6. të konceptojë dhe të llogarisë koefiçentët specifik dhe bilançin e sharrimit;
7. të llogarisë prodhimtarinë e agregateve të sharrimit;
8. të kryejë teste laboratorike sipas standarteve EN.