Kërkimi shkencor është konceptuar duke ju referuar tendencës bashkëkohore të tregut për materiale dhe produkte sa më cilësore dhe ekologjike. Lidhur me metodologjitë e aplikuara ose që mendohet të aplikohen është mbajtur parasysh fakti që të jenë me kosto sa më të ulët për t’u aplikuar nga industria, si dhe të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së proçesit mësimor dhe adaptimit të temave të reja kërkimore me teknika bashkëkohore për përpunimin e drurit.
Orientimet kryesore të kërkimit kanë të bëjnë me rritjen e koefiçentit të përdorimit të lëndës drusore, shfrytëzimin më optimal dhe ekonomik të kapaciteteve aktuale teknike dhe prodhuese të industrisë së përpunimit të drurit, si dhe konservimin dhe restaurimin e veprave të artit në dru.
Këto orientime janë të lidhura drejtpërsëdrejti me problematikën e menaxhimit dhe të ruajtjes së rezervave pyjore si në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor, të përmirësimit të klasifikimit të lëndës drusore që shërben si lëndë e parë, të përmirësimit të teknologjisë së përpunimit, si dhe të ruajtjes së pasurive kulturore.
Bazuar në aktivitetin individual dhe atë të bashkëpunimit me kolegë vendas ose të huaj, në kuadër të projekteve të ndryshme të bashkëpunimit, ndër vite janë konturuar specifikisht fushat e kërkimit në lidhje me:
- materialet inxhinierike me bazë druri;
- modifikimin e drurit;
- konservimin dhe restaurimin e veprave të artit në dru;
- ngjitjen e drurit dhe të materialeve veshës (rimeso, melaminë, PVC);
- analizën e ciklit të jetës së materialeve me bazë druri.