PËRSHKRIM I SHKURTËR
Moduli është pjesë e programit mësimor për studentët e vitit të parë, të Ciklit të Dytë të Studimeve, Master Shkencor, në programin e studimit “Inxhinier Përpunim Druri”, duke patur parasysh se tendenca në rritje për mbrojtjen e mjedisit, ka bërë që në treg të preferohen produkte me impakt minimal negativ mbi mjedisin. Kjo ka detyruar kompanitë që të përmirësojnë performancën e tyre mjedisore duke përdorur metoda të reja menaxhimi. Një metodë e tillë është LCA (Life Cycle Analysis - Analiza e Ciklit të Jetës), tek e cila bazohen strategjitë vendim-marrëse për të patur produkte që ndotin sa më pak mjedisin dhe që kërkojnë sa më pak lëndë të parë dhe energji për t’u prodhuar. Ajo paraqet një mënyrë llogaritje të të gjitha efekteve mjedisore të një produkti, duke marrë parasysh të gjithë ciklin e përdorimit të tij. Në rastin e drurit, ajo merr parasysh çdo gjë që përfshihet gjatë rritjes dhe shfrytëzimit të pyjeve, përpunimit të lëndës drusore (prodhimi i produkteve), transportimit, impakti që jep ai në përdorimin përfundimtar deri në eliminimin e produktit.
23 orët e leksioneve formojnë shtyllën për seminaret (praktikat) dhe detyrën e kursit, të cilat duhet të zhvillojnë, përmes shëmbujve, njohuritë e marra nga leksionet dhe literatura e rekomanduar, me qëllim për të kuptuar problematikën mjedisore të prodhimit të produkteve të drurit.
Gjatë modulit, studenti do të njihet me problemet mjedisore që shoqërojnë produktet me bazë druri, impaktin dhe vlerësimin e tyre. Ai do të përftojë dhe zhvillojë aftësitë e gjykimit mbi problemet mjedisore që kanë të bëjnë me industrinë e përpunimit të drurit, probleme që lidhen me impaktin e prodhimit të produkteve të drurit mbi shëndetin human, mbi ekosistemet dhe përdorimin pyjeve. Informacioni që ai do të marrë do t’i shërbejnë për një vendimmarrje më të mirë në dizenjimin e produkteve, përzgjedhjen e materialeve dhe të proçeseve të përpunimit, dhe se çfarë do të bëjë me produktin në fund të jetës së tij, në mënyrë që të ketë sa më pak mbetje në mjedis, si dhe sa më pak përdorim materiali dhe energjie. Nga ana tjetër, përveç fokusimit mbi përmirësimin mjedisor, studenti do të njihet edhe me koston e ciklit të jetës, me qëllim që të jetë në gjendje të marrë vendime sa më reale në situata të ndryshme të dizenjimit të produkteve.
Gjatë modulit do të trajtohet edhe kuadri i standarteve ISO LCA si dhe aplikimi i softwar-ve në mbledhjen, modelimin dhe analizën e të dhënave që mundësojnë vlerësimin e impaktit.
Objektivi kryesor i modulit është zhvillimi i aftësive për të vlerësuar impaktin mjedisor, dhe jo vetëm, që shkakton (shoqëron) një produkt, proçes apo aktivitet prodhimi.
Në përfundim të modulit studenti duhet të jetë i aftë:
1. të shpjegojë qëllimin dhe principet e LCA-së, si dhe aplikimet e mundshme dhe kufizimet e saj;
2. të përshkruajë përmbajtjen dhe të shpjegojë qëllimin e etapave analitike të LCA-së;
3. të kryejë një LCA të plotë për një produkt druri, duke aplikuar edhe softëar-ët përkatës;
4. të hartojë një raport për LCA-në e kryer, sipas udhëzimeve dhe terminologjisë së përcaktuar në standardet respektive ISO.