PËRSHKRIM I SHKURTËR
Moduli është pjesë e programit mësimor për studentët e vitit të parë, të Cikleve të Dyta të Studimeve, Master Profesional, në programin e studimit "Konstruksione Druri" dhe Master Shkencor, në programin e studimit "Inxhinieri Përpunim Druri", duke patur parasysh se materialet inxhinierike me bazë druri janë produkte të rëndësishme që përdoren si lëndë e parë nga industria e ndërtimit.
Teknologjitë e aplikuara për prodhimin e GLULAM-it, CLT-së, SCL-së, trarëve ”I” dhe drurit të kombinuar me plastik, paraqesin kombinime komplekse të proçeseve mekanike, fizike dhe kimike, të cilat ndikojnë fuqishëm mbi vetitë dhe koston e produkteve, duke përcaktuar rrjedhimisht cilësinë dhe performancën e konstruksioneve përfundimtare, të prodhuara nga materialet e sipërpërmendura.
30 orët e leksioneve formojnë shtyllën për 30 orët e seminareve (praktikave), laboratoret, projektin e kursit dhe për vizitën një ditore në fabrikë, të cilat duhet të zhvillojnë, përmes shëmbujve, njohuritë e marra nga leksionet dhe literatura e rekomanduar, me qëllim për të kuptuar natyrën e prodhimit të materialeve inxhinierike me bazë druri.
Gjatë modulit, studenti do të përftojë njohuritë themelore mbi prodhimin e materialeve inxhinierike me bazë druri dhe konceptet e projektimit të një linje prodhimi. Pjesët e veçanta të pajisjeve dhe makinerive do të analizohen dhe përshkruhen në kontekstin e sistemit të prodhimit, si edhe në marrëdhënie me makineritë e ndryshme, në respekt të karakteristikave operacionale, kapaciteteve të prodhimit, kërkesave për ruajtjen e lëndës së parë dhe ndikimeve mbi produktin.
Aktiviteti laboratorik do t’i familjarizojë studentët me vetitë e materialeve në fjalë, duke i aftësuar ata për të gjykuar sa më drejt mbi përparësitë dhe mangësitë e këtyre produkteve ndaj drurit masiv.
Objektivi kryesor i modulit është që të përgatisë studentët për të menaxhuar detyra dhe përgjegjësi të ndryshme, gjatë aktivitetit të prodhimit të materialeve inxhinierike me bazë druri. Në përfundim të modulit studenti duhet të jetë i aftë:
1. të llogaritë nevojat për lëndën e parë drusore dhe kimikate;
2. të konceptojë operacionet dhe të organizojë aktivitetin në të gjithë sektorët e fabrikës;
3. të përdorë dhe të mirëmbajë pajisjet dhe makineritë;
4. të llogaritë dhe të regjistrojë parametrat e punimit të pajisjeve, në funksion të intensitetit të punës;
5. të përzgjedhë teknologjinë e përshtatshme, referuar natyrës dhe specifikimeve të produktit;
6. të hartojë skema teknologjike dhe të kuptojë vizatimet inxhinierike dhe teknologjike;
7. të kryejë teste laboratorike sipas standarteve EN;
8. të projektojë një linjë moderne prodhimi.