Promovimi i librit - UJËRAT DHE POPULLSIA
Një ditë e mrekullueshme në mësim terreni me studentë gjeografë!
Ditën e Europës e shfrytëzuam për të studiuar e konkretizuar pjesën teorike të mësimit të gjeografisë fizike në terren, ku me shembuj konkret studentët panë dukuri, procese e fenomene nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.
Që nga nisja në Prishtinë e udhëtimi drejt qendrës veriore të fushëgropës së Kosovës – Mitrovicës, u informuan për gjeologjinë, hidrologjinë e morfologjinë e fushës së Kosovës, sigurisht pa lënë pa përmendur ndonjë veçori të vendbanimeve.
Nga Mitrovica, duke vrojtuar malet e fushat, paleokupat vullkanike, orientimin e leximin e hartës, përmbyllëm rajonin lindor, për të vazhduar në veri të Drenicës e të Dukagjinit, ku shfrytëzuam rastin të ndalemi te gurrat e Istogut e të Radacit, si dy burimet ujore më të fuqishme në Kosovë. Peizazh i mrekullueshëm pranveror i ndërlidhur me interpretime gjeologjike, hidrologjike, biogjeografike, studentët studenët kuptuan burimet karstike, veçoritë hidrologjike, temperaturën e ujit e të ajrit.
Ekspedita u mbyll te Ura e Fshajt, simbol i pjesës qendrore të Dukagjinit, ku Drini i Bardhë ka krijuar luginën e mbivendosjes te Gryka e Gradishës.
Pavarësisht ditës së gjatë e dhimbjes së këmbës, ekspeditat e tilla nuk i lejojmë që të humbasin. Përveç tjerash, kësaj radhe studentët panë përgatitjen kondicionale duke ecur në fusha e kodrina, ndërsa herën tjetër “i testojmë” në malet e Sharrit.