Piribreg (Sharr), Leshan (Suharekë), 10.6.2023

Itinerari i ditës së tretë të ekspeditave në natyrë u karakterizua me dallime të mëdha hipsometrike. Nga 615 m në Prishtinë, deri në 2.350 m në cirkun akullnajor të Piribregut në Sharr, e deri në 410 m lartësi te fosilet liqenit neogjenik, ky ishte disniveli që përjetuam me dt. 10 qershor, e që për qëllim kishte mësimin në terren me studentët e masterit në Gjeografi.

Nga cirku akullnajor e mikrorelievi i maleve të Sharrit, deri te sedimentet liqenore e fosilet e liqenit neogjenik të Dukagjinit, nga burimi ujor me temperaturë 3°C e temperaturë të ajrit rreth 10°C e “lundrimi” nëpër vranësira në Sharr, deri te temperaturat e ajrit me 24°C e rrebeshe shiut në fushën e Dukagjinit e duke vrojtuar fosilet, ishin disa nga aktivitetet e ditës së djeshme, ku studentët e masterit në Gjeografi përjetuan kontrastet e sipërpërmendura.

Brezovica ishte destinacioni i kombibusit, por jo i studentëve entuziastë për të analizuar çdo metër të shtegut deri te cirku akullnajor i Piribregut. Identifikim mineralesh e shkëmbinjsh, matje të elementeve të motit, analizë e burimeve ujore, rrjedhave lumore, makroformave të relievit të Sharrit e deri te mikrorelievi në blloqe shkëmbi, zbatim të teknikave të përcaktimit të mineraleve, përcaktim i madhësisë së kokrrizave në shtratin e lumit deri te cirku akullnajor e analiza e morenave. Me shumë rëndësi, orientimi i hartës, gjetja e vendndodhjes, përdorimi i GPS-it, kuptimi i koordinatave gjeografike e kilometrike janë elemente bazë për ta kuptuar lokacionin. Çekiçi i domosdoshëm, xhami zmadhues i nevojshëm, termometri i dobishëm, ndërsa ndonjë barsoletë e mirëseardhur për të realizuar dhe bërë më kuptimplotë këtë itinerar.

E përmbyllëm me analizën e shtresave të pliocenit duke analizuar përbërjen granulometrike, parimet e moshës relative e deri tek mbledhja e fosileve.

Me këtë përmbyllëm ekspeditat për këtë vit akademik!