Promovimi i librit - UJËRAT DHE POPULLSIA
Ekspeditë në terren me studentë të vitit I-rë.
Këtë radhë qëllimi ishte që studentët të njihen me shkëmbinjtë, tektonikën, rolin e proceseve të jashtme, luginat, ujëndarësin, zhvendosjet tektonike, fosilet etj.
Dt. 28.5.2022; Itinerari: Prishtinë-Gadime-Nerodime-Prevallë-Prizren-Suharekë-Prishtinë
Studentët e vitit I-rë patën rastin që të bëjnë një itinerar gjithëditor nëpër Kosovë. Në kodrën e Murturit në Gadime, studentët identifikuan mermerët, teksturën dhe strukturën e shkëmbit, identifikimin me HCl, format e relievit karstik sipërfaqësor (lapiezat, hurdhat), luginën e tipit të mbivendosjes, orientimin, orientimin e hartës, gjetjen e vendndodhjes, tektonikën e fushëgropës së Kosovës, tokat, horizontet etj.
Në ndaljen e dytë u ndalëm në bifurkacionin e Nerodimes, dukurinë e rrallë hidrologjike për t’u njohur me karakterin hidrografik, mbrojtjen e trashëgimisë hidrografike, jazin e mullirit të Nikës, vlerat e trashëgimisë kulturore etj.
Rrugës për në Prevallë panë grykën e Brodit, sedimentet fluvioglaciale të Sharrit, luginën e Lepencit etj. Nga qafa e Prevallës, studentët kuptuan orientimin dhe orientimin e hartës, format e relievit akullnajor në Malet e Sharrit, rrjedhat ujore dhe veprimtarinë e tyre erozive, transportuese dhe akumulative. Në Prevallë kuptuan ujëndarësin topografik dhe drejtimin e rrjedhave sipërfaqësore kah Adriatiku dhe Egjeu. Rrugës për në Prizren, panë deluvionet dhe grykën e Prizrenit të krijuar nga Lumbardhi në gëlqerorë.
Në Prizren kuptuan jazin dhe mullirin. Histori në vete. Rrapi tek Marashi tregon për jetëgjatësinë e drunjve, ndikimin e klimës mesdhetare, ndërsa nga kalaja kishte pamje të mrekullueshme të fushëgropës së Dukagjinit dhe maleve përreth, qytetit dhe zgjerimit urban të tij, veçoritë e shtratit të Lumbardhit të Prizrenit etj.
Ndërsa në pikën e fundit, në Leshan të Suharekës panë shtresat liqenore, fosilet, zhvendosjet tektonike, mospërputhjet këndore etj.
Falënderoj prof. Ibrahimin dhe Ferimin për shoqërimin e studentëve dhe shpjegimet e dhëna.
Deri në ekspeditën tjetër, mirupafshim!