Gadime, Nerodime, Oshlak; 21.5.2022

Dita e dytë e mësimit në terren. 21 maj. Ngjitja në majën e Oshlakut (2,212 m). Deri te destinacioni final, kemi shfrytëzuar rastin që me studentë të ndalemi mbi kodrën e shpellës së Gadimes, kodrën e Murturit. Identifikim, prova me acid, forma të relievit sipërfaqësor karstik, pamje të Kosovës, shpjegim. Pastaj, bifurkacioni, kjo dukuri e rrallë, që duhet çdo gjeograf ta vizitojë. Dhe në fund, destinacioni kryesor, Oshlaku. Pas një ngjitje prej 3 orësh, me një grup studentësh ia dolëm. Pamje madhështore, thuajse e gjithë territorit të Kosovës. Dukshmëria horizontale e madhe e lejonte një gjë të tillë. Për syrin e gjeografit profesional, dalloheshin edhe majat e Bjeshkëve të Nemuna, të Alpeve Shqiptare, Moknës, Kopaonikut, të Sharrit gjithsesi, vendbanimet e Sredskës, por edhe të Opojës. Ecja nëpër Oshlak është madhështore. Je në kulmin e malit. Në ujëndarës. Anon herë ka Egjeu, e herë ka Adriatiku. Oshlaku me gëlqerorë të mermerizuar është mjaft i thatë, por që ka burime në rrëzë të tij. Në fund, u ndalëm te burimi në afërsi te Livadhit të Mbretit. Shpjegim për burimin dhe për lumin, duke trajtuar aspektin hidrologjik e morfologjik. Blloqet e krepat, më pak poplat e zajet e bëjnë të veçantë një lumë malor. Kështu ishte dita. Shpjegim, shpjegim dhe vetëm shpjegim. Ndonjëherë, radhën ia linim ndonjë barsolete. Kështu e ka terreni! Me vete, sigurisht se morëm me qindra pamje e fotografi të bukura.

Rezultati final: Për 36 orë, unë i bëra 27 km ecje nëpër male.

Misioni: Njohja gjeografike e terrenit.

Motoja: “Pas ngjitjeve të vështira, vijnë pamjet e bukura”. Edhe këtë herë ishte kësisoj!

Deri në ekspeditën tjetër, shëndet!