Mitrovicë, Llaushë, Radac, Mirushë; 2.6.2022

Ekspeditë tjetër në terren me studentë të vitit I-rë.

Kësaj here, qëllimi i ekspeditës ishte njohja me strukturat tektonike, matjen e elementeve të shtresave, shkëmbinjtë: vrojtimi, identifikimi, paleokupat vullkanike, burimet ujore, proceset e jashtme, grabeni, horsti, ujëndarësi, ujëvarat, rrjedhat ujore, qytetet, organizimi hapësinor etj.

Dt. 2.6.2022; Itinerari: Prishtinë-Mitrovicë-Radac-Mirushë-Prishtinë.

Për të dytën herë, studentët e vitit I-rë patën rastin që të bëjnë një itinerar gjithëditor nëpër Kosovë. Gjatë itinerarit Prishtinë-Mitrovicë, studentët u njoftuan me grabenin e Kosovës, qymyrin, termocentralet etj. Rrugës për në Mitrovicë shiheshin strukturat grabenore dhe horstike të tektonikës së Kosovës.

Në ndaljen e parë në Mitrovicë, përveç orientimit në natyrë, orientimit të hartës, studentët u njoftuan me paleokupën vullkanike të Zveçanit, qytetin e Mitrovicës, skajin verior të fushës së Kosovës, Kopaonikun, Rogoznën sistemet lumore etj. Përveç shpjegimeve nga gjeologjia e gjeografia fizike, interpretimet urbane, hartografike të prof. Ibrahimit dhe prof. Ferimit e pasuruan shpjegimin në terren. Gjeneza e vendbanimeve, roli i pasurive natyrore, organizimi administrativ ishin pikë e veçantë diskutimi. Faleminderit profesorë!

Gjatë kalimit prej Mitrovicës për në Drenicë, nëpër Malin e Thatë studentët panë strukturat tektonike, e shkëmbinjtë në terren. Në shpatin e majtë të Përroit të Keq, studentët pasi bën identifikimin e shkëmbinjve, interpretuan strukturat tektonike dhe u njohën për së afërmi me gjeologjinë e terrenit. Tani më u bë lidhja mes mësimit në klasë dhe atij në terren. Kështu e ka gjeologjia.

Ekspedita vazhdoi në pjesën veriore të Dukagjinit, rrëzë malit Mokna, ku studentët panë rrafshin e zhvendosjes, amplitudën e zhvendosjes, organizimin e vendbanimeve etj.

Radha ishte për ta vizituar Drinin e Bardhë, këtë burim unik në Kosovë dhe më gjerë. Formacioni diabaz-strallor është “përgjegjës” për daljen e këtij burimi karstik – gurrë. Akuiferi i madh nëntokësor ka rezerva të mëdha të ujit. Kjo gurrë, me shumë “autoritet”, buron rrëzë majës së Rusolisë, dhe me krenari ka krijuar ujëvarën pitoreske, e grykën e ngushtë. Uji i cemtë me temperaturë rreth 8°C te burimi, i jepte freski motit tropik të ditës së djeshme ku temperatura ishte rreth 31°C.

Nuk bënte të mos vizitoheshin Ujëvarat e Mirushës. Këto bukuri e natyrës së Kosovës janë të veçanta. Freskia e vegjetacionit, “gumëzhima” e ujit, gjallëria e zvarranikëve, e bëjnë të veçantë këtë ekosistem. Tektonika, zhvendosjet, veprimtaria gjeologjike fluviale, trashëgimia natyrore, ruajtja dhe mbrojtja e saj ishin bosht i diskutimit. Koha ishte për matje të elementeve të shtresave, përdorim të busullës gjeologjike etj.

Deri në ekspeditën tjetër, mirupafshim!