Malet e Sharrit, Liq. Livadhit; 20.5.2022

Pas 2 vite pa mësim terreni për shkak të pandemisë, këtë herë bëmë vizitën e parë për 2022!

Sigurisht, na kishte munguar terreni për këto dy vite të fundit. Dy gjenerata nuk patën fatin të dalin në terren, ashtu siç e do zakoni e gjeografia fizike, por këtë vit ia dolëm, e organizuam mësimin praktik në terren dhe u kthyem shëndosh e mirë në shtëpi.

Dita e parë, 20 maj. Studentë të vitit të dytë patën fatin që të dalin në mësim terren nga Prishtina e deri te liqeni i Livadhit (2,205 m) në malet e Sharrit. Që nga nisja në Prishtinë e deri në Brezovicë shpjegimi ishte nga “distanca” duke shfrytëzuar autobusin si klasë virtuale. Por, nga Brezovica, e gjerë te liqeni i Livadhit, gjërat mund të “prekeshin”. Shkëmbinj, forma të relievit, klimë, hidrografi e vegjetacion, të gjitha përmblidheshin nga pamjet më të bukura të Sharrit. Ecje të lodhshme, por të domosdoshme. Këtë vit, duhet theksuar se bora në këto ditë të majit është më e pranishme, që e bënte shtegun më të vështirë. Krokusi i Sharrit gjithandej, ky sinjalizues i pranverës dhe i shkrirjes së borës. Kënaqësi të shohësh liqenin e të shpjegosh ligjëratën për liqenet. Jo rastësisht thuhet: klasa e gjeografisë fizike është terreni. Pamje të bukura të trevës së Siriniqit dhe veprimtarive kryesore ekonomike të popullsisë.

Misioni: Njohja gjeografike e terrenit.

Motoja: “Pas ngjitjeve të vështira, vijnë pamjet e bukura”. Edhe këtë herë ishte kësisoj!

Deri në ekspeditën tjetër, shëndet!