Mitrovicë, Përroi i Keq, Istog, Radac; 4.6.2022

Me studentët e vitit II-të, i përmbyllëm ekspeditat në terren për këtë vit akademik.


Kësaj here, qëllimi i ekspeditës ishte njohja me strukturat tektonike, evolucionin gjeologjik të fushëgropës së Kosovës, Drenicës dhe pjesës veriore të Dukagjinit, matjen e elementeve të shtresave, identifikimin e shkëmbinjve, paleokupat vullkanike, burimet ujore, proceset e jashtme, rrjedhat ujore, qytetet, organizimi hapësinor etj.

Dt. 4.6.2022; Itinerari: Prishtinë-Mitrovicë-Përroi i Keq-Istog-Radac-Prishtinë.

Për të dytën herë, studentët e vitit II-të patën rastin që të bëjnë një itinerar gjithëditor nëpër Kosovë, ku vizituam disa pika për mësim terreni. Gjatë itinerarit Prishtinë-Mitrovicë, studentët u njoftuan me grabenin e Kosovës, qymyrin, termocentralet, evolucionin gjeologjik etj.

Në ndaljen e parë në Mitrovicë, përveç gjetjes së koordinatave në hartë, gjetjes së vendndodhjes, orientimit në natyrë, orientimit të hartës, studentët u njoftuan me paleokupën vullkanike të Zveçanit, qytetin e Mitrovicës, skajin verior të fushës së Kosovës, Kopaonikun, Rogoznën sistemet lumore të Ibrit e Sitnicës, evolucionin paleogjeografik të terrenit etj. Përveç shpjegimeve nga gjeologjia e gjeografia fizike, interpretimet urbane, hartografike të prof. Ferimit e pasuruan shpjegimin në terren. Gjeneza e vendbanimeve, roli i pasurive natyrore, organizimi administrativ ishin pikë e veçantë diskutimi.

Gjatë kalimit prej Mitrovicës për në Drenicë, nëpër Malin e Thatë studentët panë strukturat tektonike, e shkëmbinjtë në terren. Në shpatin e majtë të Përroit të Keq, studentët pasi bën identifikimin e shkëmbinjve, interpretuan strukturat tektonike dhe u njohën për së afërmi me gjeologjinë e terrenit. Ishte rasti të bënin disa matje praktike, për të bërë lidhjen ndërmjet mësimit teorik dhe atij praktik. Kështu e kanë Shkencat e Tokës.

Ekspedita vazhdoi në pjesën veriore të Dukagjinit, rrëzë malit Mokna, ku studentët panë rrafshin e zhvendosjes, amplitudën e zhvendosjes, organizimin e vendbanimeve etj.

Ndalja tjetër ishte Istogu. Gjatë rrjedhës së lumit të Istogut, studentët vrojtuan, interpretuan e identifikuan proluvionet e deluvionet, veçoritë e shtratit të lumit, ndërsa qëllimi ishte arritja tek gurra e Istogut.

Radha ishte për ta vizituar Drinin e Bardhë, këtë burim unik në Kosovë dhe më gjerë. Por, natyra e bën punën e vetë. Moti i ligë dinamik, veçoritë topografike të pikëtakimit të trefishtë: Mokna-Bjeshkët e Nemuna dhe Fusha e Dukagjinit ndikuan në paraqitjen e reshjeve intensive në këtë fund pranvera, e të cilat nuk na kursyen. Nejse, qëllimi u arrit, ndërsa këto reshje shiu do të mbahen në mend në kujtesën e studentëve.

Deri në ekspeditën tjetër, mirupafshim!