Terapia e të folurit është trajtim që përmirëson aftësinë tuaj për të folur dhe për të përdorur aftësi të tjera gjuhësore. Kjo ju ndihmon të shprehni mendimet tuaja dhe të kuptoni se çfarë po ju thonë njerëzit e tjerë. Mund të përmirësojë gjithashtu aftësi si kujtesën dhe aftësin Tuaj për të zgjidhur problemet.
Ju do të punoni me një Logoped (terapist të të folurit) për të gjetur ushtrime dhe trajtime që adresojnë nevojat tuaja specifike. Disa njerëz kanë nevojë për ndihmë për të folur dhe komunikuar. Të tjerë kanë nevojë për terapi të të folurit për të përpunuar dhe kuptuar më mirë gjuhën.
Terapia e të folurit mund t'ju ndihmojë të përmirësoni:
Aftësitë e hershme gjuhësore (veçanërisht fëmijët që mësojnë të flasin dhe të komunikojnë);
Aftësin për të përdorur zërin tuaj;
Kuptimin e gjuhës (sa mirë i kuptoni fjalët dhe gjuhën);
Rrjedhshmërin (sa mirë dhe sa rehat mund ta përdorni gjuhën);
Qartësin dhe shprehjen (sa lehtë mund të komunikoni atë që dëshironi), etj.
Nëse ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor (mjeku familjar, pediatri apo logopedi) dyshon se ju ose fëmija juaj keni një çrregullim të të folurit, ai do të rekomandojë disa ekzaminime fillestare. Këto teste do të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut themelor të çdo problemi të komunikimit.
Për shembull, nëse fëmija juaj ka probleme me komunikimin, mjeku juaj mund ta udhëzojë fëmijën tuaj tek një audiolog për një test dëgjimi. Nëse fëmija juaj kalon testin e dëgjimit, ai mund të ketë nevojë të punojë me një logoped.
Çrregullimet e artikulimit
Çrregullimet e zërit
Çrregullimet e gjuhës dhe të folurit
Çrregullimet e leximit dhe shkrimit
Çrregullimet e gëlltitjes
Belbëzimi - problemet me rrjedhshmërin e të folurit
Autizimin dhe problemet përcjellëse
Vështirësi në mësimnxënie
Logopedi do të rekomandojë trajtimin e duhur bazuar në situatën tuaj specifike. Ka shumë qasje dhe kategori të ndryshme të terapisë së të folurit, dhe logopedi Juaj, bashkë me Ju do të gjejë atë që funksionon më mirë për Ju.
Terapia e të folurit mund të ndihmojë këdo me një çrregullim komunikimi. Një ofrues i kujdesit shëndetësor mund të sugjerojë gjithashtu terapi të të folurit nëse keni një dëmtim të dëgjimit ose gjendje shëndetësore që e bën të vështirë gëlltitjen. Ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor mund të rekomandojë terapi të të folurit për të ndihmuar me:
Afazi: Njerëzit me afazi mund të kenë vështirësi në lexim, shkrim, të folur dhe të kuptuar të gjuhës. Shpesh zhvillohet pasi një goditje ose lëndim dëmton zonën e trurit që përpunon gjuhën.
Apraksia: Njerëzit me apraksi e dinë se çfarë duan të thonë, por kanë vështirësi në formimin e fjalëve. Ata mund të kenë probleme me lexim, shkrim, gëlltitje dhe aftësi të tjera motorike.
Çrregullime të artikulimit: Njerëzit me çrregullime të artikulimit nuk mund të prodhojnë tinguj të caktuar fjalësh. Për shembull, ata mund të zëvendësojnë një tingull me një tjetër - si të thuash "tuqe" në vend të "kuqe" ose "thot" në vend të "sot".
Çrregullime njohëse të komunikimit: Mund të keni vështirësi në komunikim nëse zona e trurit që kontrollon aftësinë tuaj të të menduarit është dëmtuar. Njerëzit me çrregullime njohëse të komunikimit mund të kenë probleme me dëgjimin, të folurit, kujtesën dhe zgjidhjen e problemeve.
Disartri: Personat me disartri mund të kenë të folur të ngadaltë ose të paqartë. Ndodh kur muskujt që kontrollojnë të folurin tuaj dobësohen. Shkaktarët e zakonshëm përfshijnë goditjen në tru, sklerozën e shumëfishtë (MS), sklerozë anësore amiotrofike (ALS) ose çrregullime të tjera të sistemit nervor.
Çrregullime shprehëse: Njerëzit me çrregullime shprehëse mund të kenë vështirësi në nxjerrjen e fjalëve ose për të përcjellë mendimet e tyre. Çrregullimet shprehëse janë të lidhura me goditje në tru ose ngjarje të tjera neurologjike, vonesa në zhvillim dhe humbje dëgjimi.
Çrregullime të rrjedhshmërisë: Çrregullimet e rrjedhshmërisë prishin shpejtësinë, rrjedhën dhe ritmin e të folurit tuaj. Belbëzimi (fjalimi i ndërprerë ose i bllokuar) është një çrregullim i rrjedhshmërisë. Po kështu është llomotitja (fjalimi i bashkuar dhe i shpejtë).
Çrregullime receptive: Njerëzit me çrregullime receptive kanë vështirësi të kuptojnë ose përpunojnë atë që thonë të tjerët. Ata mund të kenë një fjalor të kufizuar, vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve ose duken të painteresuar në biseda.
Çrregullimet e rezonancës: Çrregullimet e rezonancës janë gjendje shëndetësore që prekin zgavrat tuaja (gojën ose hundën). Ato mund të bllokojnë rrjedhën e ajrit dhe të ndryshojnë dridhjet që ju ndihmojnë të dëgjoni tingujt. Qiellza e çarë, bajamet e fryra dhe gjendje të tjera që ndikojnë në strukturën e gojës dhe hundës tuaj, mund të shkaktojnë çrregullime të rezonancës.
Kushdo që ka nevojë për ndihmë me aftësitë e të folurit ose gjuhës mund të përfitojë nga terapia e të folurit. Nuk ka moshë që është më e mira ose më e përshtatshme për të marrë ndihmë. Si terapia e të folurit pediatrik dhe terapia e të folurit për të rriturit mund të ndihmojnë këdo me një çrregullim komunikimi.
Studimet kanë zbuluar se fëmijët që kanë nevojë për terapinë e të folurit kanë më shumë sukses kur e fillojnë herët dhe praktikojnë në shtëpi me një të dashur.
Për fëmijët, terapia e të folurit zakonisht përfshin lojën, si renditja e aktiviteteve ose lojërat e tavolinës të bazuara në gjuhë.
Për të rriturit, terapia e të folurit zakonisht përqendrohet në përmirësimin ose rindërtimin e grupeve të veçanta të aftësive si forcimi i koordinimit midis trurit dhe gojës suaj.
Disa shembuj të aktiviteteve të terapisë së të folurit përfshijnë:
Ushtrime për gjuhën dhe gojën: Logopedi juaj do t'ju tregojë ushtrime dhe lëvizje që do të forcojnë gojën dhe gjuhën tuaj. Këto ushtrime ndihmojnë në stërvitjen e gjuhës tuaj për të lëvizur në modele të koordinuara.
Lëvizjet e fytyrës: Kontrolli i shprehjes në fytyrën tuaj mund të ndihmojë në përmirësimin e aftësive tuaja motorike. Terapisti juaj mund t'ju bëjë të buzëqeshni ose të shtrëngoni buzët dhe më pas të relaksoni fytyrën tuaj.
Leximi me zë të lartë: Nëse çrregullimi i të folurit ju pengon të lëvizni siç duhet gojën dhe gjuhën, leximi me zë të lartë mund të forcojë lidhjen midis trurit dhe gojës.
Po, terapia e të folurit është një trajtim i provuar dhe efektiv që ka ndihmuar miliona njerëz të përmirësojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe komunikuese.
Nuk ka një përkufizim të vetëm të suksesit për terapinë e të folurit. Flisni me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor ose Logopedin për vendosjen dhe arritjen e qëllimeve që i përshtaten nevojave tuaja unike.
Terapia e të folurit ofron një sërë përfitimesh, duke përfshirë:
Vetëvlerësimin e përmirësuar;
Rritjen e pavarësisë;
Aftësin e përmirësuar për të kuptuar dhe shprehur idetë, mendimet dhe ndjenjat;
Gatishmërin për shkollë për fëmijët e vegjël;
Cilësin e përmirësuar vokale;
Aftësitë e hershme gjuhësore;
Funksionin më të mirë të gëlltitjes;
Përmirësimin e cilësisë së jetës.
Nevojat e secilit janë unike. Disa çrregullime të të folurit përmirësohen me kalimin e moshës - të tjerat kërkojnë vite të tëra me terapi të të folurit. Nëse një gjendje e caktuar shëndetësore ka shkaktuar çrregullimin tuaj të të folurit, aftësitë tuaja të të folurit dhe gjuhës mund të përmirësohen ndërsa shëroheni nga problemi themelor.
Për sa kohë ju nevojitet terapia e të folurit varet nga:
Mosha juaj;
Lloji i çrregullimit të të folurit;
Se sa rëndë ndikon çrregullimi i të folurit në aftësitë tuaja të komunikimit;
Nevojë e mundshme që të shëroheni nga një gjendje shëndetësore themelore;
Shpeshtësia e ndjekjes së terapis së të folurit;
Vizitoni një ofrues të kujdesit shëndetësor sapo të ndjeni se diçka po ndikon në aftësinë tuaj për të folur, dëgjuar ose komunikuar me të tjerët. Vizitoni një ofrues nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë vështirësi me gjuhën ose të kuptuarit. Shenjat e zakonshme paralajmëruese që një fëmijë mund të ketë një çrregullim komunikimi përfshijnë:
Flet rrallë ose më pak se zakonisht;
Ka vështirësi në përdorimin e gjuhës ose fjalëve;
Ka probleme me të kuptuarit e fjalive të thjeshta;
Frustrohet lehtë kur lexon, dëgjon ose flet.