Çrregullimet e të nxënit mund ta bëjnë të vështirë për një fëmijë të lexojë, të shkruajë ose të bëjë aritmetikë të thjeshtë. Njihni simptomat dhe zbuloni se çfarë mund të bëni.
Mund të jetë e vështirë të kuptosh që një fëmijë ka një çrregullim të të mësuarit. Disa fëmijë kanë çrregullime të të mësuarit për një kohë të gjatë përpara se të diagnostikohen. Këta fëmijë mund të kalojnë një kohë shumë të vështirë në shkollë, me mungesë të plotë mirëkuptimi dhe mbështetjeje nga mësuesit dhe prindërit. Të ballafaquar me këtë moskuptim ata humbin vetëvlerësimin dhe dëshirën e tyre për të pasur sukses.
Kjo është arsyeja pse është mirë që prindërit të dinë simptomat e çrregullimeve të të mësuarit. Sa më shpejt t'i dalloni simptomat, aq më shpejt mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të ketë sukses.
Një çrregullim i të mësuarit është i pranishëm kur truri merr dhe punon me informacionin në një mënyrë që nuk është tipike. Kjo e pengon një person të mësojë një aftësi dhe ta përdorë atë siç duhet dhe siç bëjnë shumica absolute e fëmijëve të tjerë. Njerëzit me çrregullime të të mësuarit në përgjithësi kanë inteligjencë mesatare ose mbi mesatare. Pra, ka një hendek midis aftësive të tyre të pritura, bazuar në moshën dhe inteligjencën, dhe suksesit të tyre në shkollë.
Çrregullimet e zakonshme të të mësuarit ndikojnë në aftësinë e fëmijës për të:
Lexuar;
Shkruajtur;
Kryer aritmetikën (përllogaritjet) e thjeshtë;
Përdorur ose kuptuar gjuhën;
Kaluar kohë në shoqëri, dhe
Mësuar aftësi të tjera që nuk përfshijnë fjalë.
Leximi bazohet në të kuptuarit e të folurit. Çrregullimet e të nxënit me lexim shpesh bazohen në vështirësinë e fëmijës për të kuptuar një fjalë të folur si një përzierje tingujsh të ndryshëm. Kjo mund ta bëjë të vështirë të kuptosh se si një shkronjë ose shkronja e caktuar përfaqëson një tingull dhe se si shkronjat krijojnë një fjalë.
Problemet me kujtesën afatshkurtër, të quajtura gjithashtu memorie pune, mund të luajnë një rol.
Edhe kur aftësitë bazë të leximit zotërohen, fëmijët mund të kenë probleme me aftësitë e mëposhtme:
Leximi me një ritëm tipik;
Kuptimi i asaj që lexojnë;
Rikujtimi i saktë i asaj që kanë lexuar;
Nxjerrja e përfundimeve bazuar në leximin e tyre;
Drejtshkrimi.
Një nga llojet më të zakonshme të çrregullimeve të të mësuarit është një çrregullim i leximit i quajtur disleksia. Kjo ia bënë fëmijës të vështirë zgjidhjen e tingujve të ndryshëm të të folurit në fjalë dhe të mësuarit se si shkronjat lidhen me ata tinguj.
Të shkruarit kërkon aftësi komplekse që përfshijnë shikimin, lëvizjen dhe aftësinë për të përpunuar informacionin. Një çrregullim i të mësuarit në të shkruar, i quajtur gjithashtu disgrafi, mund të shkaktojë sa vijon:
Shkrim të ngadalsuar, që kërkon shumë punë;
Probleme me rikujtimin se si formohen shkronjat, riprodhohen format dhe të vizatohen vijat;
Shkrim dore që është i vështirë për t'u lexuar;
Probleme me paraqitjen e mendimeve në shkrim;
Tekst i shkruar që është i organizuar keq ose i vështirë për t'u kuptuar;
Probleme me drejtshkrimin, gramatikën dhe shenjat e pikësimit.
Një çrregullim i të mësuarit në matematikë, i quajtur gjithashtu diskalkuli, mund të shkaktojë probleme me aftësitë e mëposhtme:
Të kuptuarit se si funksionojnë numrat dhe si lidhen me njëri-tjetrin;
Zgjidhja e problemeve aritmetikore;
Mësimi i rregullave bazë të matematikës;
Përdorimi i simboleve matematikore;
Kuptimi i problemeve të sqaruara me fjalë;
Organizimi dhe regjistrimi i informacionit gjatë zgjidhjes së një problemi matematikor.
Fëmijët me çrregullime të të folurit dhe gjuhës mund të kenë probleme me përdorimin dhe kuptimin e fjalëve të folura ose të shkruara. Ata mund të kenë probleme me:
Lexim dhe shkrim;
Kryerje të detyrave matematikore të shtruara me fjalë;
Ndjekje të udhëzimeve;
Përgjigjje në pyetje;
Një sërë çrregullimesh të të folurit dhe gjuhës mund të prekin fëmijët. Disa shembuj janë:
Belbëzimi - vështirësi për të thënë fjalë ose fjali në një mënyrë të rrjedhshme dhe pa probleme;
Gabime në artikulim - vështirësi në formimin e fjalëve ose tingujve të caktuar ;
Apraksia e fëmijërisë - vështirësi në lëvizjen e saktë të buzëve, nofullës dhe gjuhës për të folur.
Fëmijët me çrregullime të të folurit ose gjuhës shpesh mund të kuptojnë dhe të punojnë mirë me informacionin vizual. Ata gjithashtu mund të përdorin mirë shenja vizuale në situata sociale.
Fëmijët me çrregullime të të mësuarit joverbal shpesh kanë aftësi të mira gjuhësore bazë. Ata mund të shkëlqejnë edhe në memorizimin e fjalëve. Por këta fëmijë mund të kenë probleme me disa aftësi që nuk përfshijnë të folurin, si p.sh.
Perceptimi se ku janë objektet;
Kuptimi i koncepteve abstrakte;
Leximi i emocioneve të njerëzve përmes shprehjeve të fytyrës dhe shenjave të tjera;
Lëvizja e trupit, e quajtur edhe koordinim fizik. Ky lloj shqetësimi njihet si dispraksi;
Aftësi të shkëlqyera motorike, të tilla si të shkruarit. Ky problem mund të ndodhë së bashku me çrregullime të tjera të të mësuarit;
Përqendrim i vëmendjes, planifikimit dhe organizimit, siç shihet në çrregullimet e deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit (ADHD).
Kuptimi i detyrave të leximit ose shkrimit të nivelit më të lartë, që shpesh shfaqen në shkollën e mesëm të mëvonshëm.
Gjërat që mund të luajnë rol në çrregullimet e të nxënit përfshijnë:
Historia familjare dhe gjenet. Të kesh një të afërm gjaku, p.sh. një prind, me një çrregullim të të mësuarit rrit rrezikun që një fëmijë të ketë këtë çrregullim;
Rreziqet para lindjes dhe pak pas lindjes. Çrregullimet e të mësuarit kanë qenë të lidhura me rritjen e dobët në mitër dhe ekspozimin ndaj alkoolit ose drogës para lindjes. Çrregullimet e të mësuarit kanë qenë gjithashtu të lidhura me të lindurit para kohe dhe me një peshë shumë të ulët në lindje;
Trauma emocionale. Kjo mund të përfshijë një përvojë thellësisht stresuese ose abuzim emocional. Nëse njëra ndodh në fëmijërinë e hershme, mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe të rrisë rrezikun e çrregullimeve të të mësuarit;
Trauma fizike. Lëndimet e kokës ose sëmundjet e sistemit nervor mund të luajnë një rol në zhvillimin e çrregullimeve të të mësuarit.
Substancat helmuese. Ekspozimi ndaj niveleve të larta të toksinave, si plumbi, është lidhur me një rrezik më të madh të çrregullimeve të të mësuarit.
Ndonjëherë, të gjithë fëmijët kanë vështirësi në mësimin dhe përdorimin e aftësive akademike. Por kur simptomat zgjasin për të paktën gjashtë muaj dhe nuk përmirësohen me ndihmën e të rriturve, një fëmijë mund të ketë një çrregullim të të mësuarit.
Simptomat e një çrregullimi të të mësuarit tek një fëmijë mund të përfshijnë:
Pamundësia për të zotëruar aftësitë në lexim, drejtshkrim, shkrim ose matematikë, në ose afër niveleve të pritshme të moshës dhe klasës;
Vështirësi në kuptimin dhe ndjekjen e udhëzimeve;
Probleme me kujtimin e asaj që dikush sapo tha;
Mungesa e koordinimit gjatë ecjes, lojës dhe sportit apo kryerjes së veprimeve që përdorin muskuj të vegjël, si mbajtja e një lapsi;
Humbja e lehtë e detyrave të shtëpisë, librave shkollorë ose sendeve të tjera;
Probleme me kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe detyrave tjera në kohë.
Sjellja ose reagimet sfiduese, të zemëruara ose të tepruara emocionale në shkollë. Ose, shfaqja e ndonjë prej këtyre mënyrve/sjelljeve gjatë kryerjes së detyrave akademike si detyrat e shtëpisë ose leximi.
Trajtimi i hershëm është thelbësor, sepse problemi mund të rritet. Një fëmijë që nuk mëson të mbledhë numra në shkollën fillore, nuk do të jetë në gjendje të bëjë algjebër në shkollën e mesme. Fëmijët që kanë çrregullime të të nxënit gjithashtu mund të kenë:
Ankth për notat e tyre;
Depresion;
Vetëvlerësim të ulët;
Lodhje;
Mungesë motivimi;
Disa fëmijë mund të ndryshojnë sjellje për të larguar vëmendjen nga sfidat e tyre në shkollë.
Nëse dyshoni se fëmija juaj ka probleme në të mësuar, mund t'i kërkoni shkollës të kontrollojë për një çrregullim të të mësuarit. Ose mund të merrni një vlerësim privat jashtë sistemit shkollor. Mësuesi, prindërit ose kujdestari i fëmijës dhe ofruesi i kujdesit shëndetësor janë disa nga njerëzit që mund të kërkojnë një vlerësim. Fëmija juaj ka të ngjarë të ketë fillimisht një ekzaminim të përgjithshëm fizik që kontrollon shikimin, dëgjimin ose probleme të tjera mjekësore, që mund ta bëjnë të mësuarit më të vështirë. Shpesh, një fëmijë do të ketë një sërë provimesh të bëra nga një ekip profesionistësh, duke përfshirë një:
Mjek familjarë;
Psikolog;
Mësues i arsimit special apo pedagog social të specializuar;
Logoped;
Punonjës social ose infermiere;
Këta profesionistë punojnë së bashku për të vendosur nëse problemet e një fëmije plotësojnë përkufizimin e një çrregullimi të të mësuarit. Ata gjithashtu kuptojnë se cilat shërbime të arsimit special nevojiten nëse fëmija ka një çrregullim. Ekipi i bazon vendimet e tij në:
Rezultatet e testeve;
Komentet e mësuesit;
Të dhëna nga prindërit ose kujdestarët;
Një rishikim i mënyrës se si fëmija shkon në shkollë.
Ofruesi i kujdesit shëndetësor i një fëmije gjithashtu mund të bëjë teste për të kërkuar gjendje të shëndetit mendor si ankthi, depresioni dhe ADHD. Këto gjendje të shëndetit mendor mund të kontribuojnë në vonesa në aftësitë akademike.
Për shembull, disa fëmijë me ADHD luftojnë për të përfunduar detyrat e klasës dhe detyrat e shtëpisë. Por ADHD nuk mund të shkaktojë vështirësi në mësimin e aftësive akademike. Në vend të kësaj, mund t'i bëjë ata të kenë një kohë të vështirë për t'i zotëruar ato aftësi. Shumë fëmijë kanë ADHD së bashku me një çrregullim të të mësuarit.
Nëse fëmija juaj ka një çrregullim të të nxënit, ofruesi ose shkolla e fëmijës suaj mund t'iu sugjerojnë:
Ndihmë shtesë. Një specialist leximi, mësues matematike ose një profesionist tjetër, i trajnuar mund t'i mësojë fëmijës tuaj mënyra për të kryer detyrat e shkollës, për të studiuar dhe për t'u organizuar;
Programi i edukimit të individualizuar (PEI). Ky plan i shkruar përcakton synimet e të mësuarit dhe përshkruan shërbimet e arsimit special për të cilat ka nevojë fëmija juaj. Shkollat publike zhvillojnë PEI për studentët, sfidat e të cilëve përmbushin udhëzimet e sistemit shkollor për një çrregullim të të nxënit. Në disa vende, PEI-të quhen plane arsimore individuale;
Ndryshimet në klasë. Këto njihen edhe si akomodime. Për shembull, disa nxënës me çrregullime të të nxënit kanë më shumë kohë për të përfunduar punën ose testet. Atyre mund t'u kërkohet të bëjnë më pak probleme matematikore në detyra. Dhe ata mund të ulen pranë mësuesve të tyre për të shtuar vëmendjen. Disa nxënës lejohen të përdorin pajisje. Këto mund të përfshijnë kalkulatorë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve matematikore dhe programe që e kthejnë tekstin në fjalim që mund të dëgjoni. Në perëndim shkollat gjithashtu mund të ofrojnë libra audio për t'i dëgjuar gjatë leximit së bashku me një kopje fizike;
Terapia. Llojet e ndryshme të terapisë mund të ndihmojnë. Terapia profesionale mund të përmirësojë problemet e të shkruarit. Një logoped mund të ndihmojë me aftësitë gjuhësore;
Barna. Ofruesi i kujdesit shëndetësor të fëmijës suaj mund të sugjerojë ilaçe për të trajtuar depresionin ose ankthin. Ilaçet për ADHD mund të ndihmojnë aftësinë e fëmijës për t'u fokusuar në shkollë;
Trajtime plotësuese dhe alternative. Nevojiten më shumë kërkime për të zbuluar nëse këto trajtime funksionojnë për çrregullimet e të mësuarit. Ato përfshijnë ndryshime në dietë, përdorimin e vitaminave, ushtrime për sytë dhe një trajtim që funksionon me valët e trurit të quajtur neurofeedback. Duke qenë këto në një fazë të hershme të testimit nuk preferohet që të fillohet me to pa një konsultim të gjerë me më shumë sesa një profesionistë nga ata që u përmendën më lartë.
Plani i trajtimit të fëmijës suaj ka të ngjarë të ndryshojë me kalimin e kohës. Gjithmonë mund t'i kërkoni shkollës më shumë shërbime të arsimit special ose ndryshime në klasë. Nëse fëmija juaj ka një PEI, rishikoni atë me shkollën të paktën çdo vit. Fëmija juaj mund të ketë nevojë për më pak trajtim ose më pak mjete mësimore me kalimin e kohës. Trajtimi i hershëm mund të zvogëlojë efektet e një çrregullimi të të mësuarit.
Ndërkohë, ndihmoni fëmijën tuaj të kuptojë në terma të thjeshtë nevojën për çdo shërbim tjetër dhe se si mund të ndihmojnë ato. Gjithashtu, përqendrohuni në pikat e forta të fëmijës suaj. Inkurajoni fëmijën tuaj të ndjekë interesa që rrisin besimin. Shumë fëmijë me çrregullime të të mësuarit vazhdojnë të bëjnë jetë të suksesshme si të rritur.
Së bashku, këto taktika mund të rrisin aftësitë e fëmijës suaj. Ata gjithashtu përdorin pikat e forta të fëmijës suaj dhe ndihmojnë në mësimin brenda dhe jashtë shkollës.