Çrregullimi i zërit ndodh kur cilësia, lartësia dhe fortësia e zërit ndryshojnë ose janë të papërshtatshme për moshën, gjininë, prejardhjen kulturore ose vendndodhjen gjeografike të një individi (Aronson & Bless, 2009; Boone et al., 2010; Lee et al., 2004). Një çrregullim zëri është i pranishëm kur një individ shpreh shqetësimin se ka një zë jonormal, që nuk i plotëson nevojat e përditshme - edhe nëse të tjerët nuk e perceptojnë atë si të ndryshëm ose devijant (American Speech-Language-Hearing Association [ASHA], 1993; Colton & Casper , 2011; Stemple et al., 2010; Verdolini & Ramig, 2001).
Për qëllimet e këtij dokumenti, çrregullimet e zërit kategorizohen si më poshtë:
Çrregullime organike - fiziologjike të zërit që vijnë nga ndryshimet në mekanizmat e frymëmarrjes, laringut ose të traktit vokal.
Strukturore - çrregullime organike të zërit që vijnë nga ndryshimet fizike në mekanizmin vokal, si p.sh ndryshime në indet e telave të zërit (p.sh., edemë ose nyje vokale) dhe/ose ndryshimet strukturore në laring për shkak të plakjes.
Neurogjenike - çrregullime organike të zërit që vijnë nga problemet me inervimin e sistemit nervor qendror ose periferik në laring, që ndikojnë në funksionimin e mekanizmit vokal, si p.sh. dridhje vokale, disfonia spazmatike, ose paraliza e telave të zërit.
Funksionale - çrregullime të zërit që vijnë nga përdorimi joefikas i mekanizmit vokal kur struktura fizike është normale, si p.sh.
lodhje vokale,
disfonia ose afonia e tensionit të muskujve,
diplofonia, ose
fonacioni ventrikular.
Cilësia e zërit mund të ndikohet gjithashtu kur stresorët psikologjikë çojnë në afoninë ose disfoninë e zakonshme, jopërshtatëse. Çrregullimet e zërit që rezultojnë referohen si çrregullime psikogjenike të zërit ose afonia/disfonia e konvertimit psikogjenik (Stemple et al., 2010). Këto çrregullime të zërit janë të rralla. Logopedët mund t'i referojnë individët e dyshuar për një çrregullim psikogjenik të zërit te profesionistë të tjerë të përshtatshëm (p.sh., psikolog dhe/ose psikiatër) për diagnozë dhe mund të bashkëpunojnë në trajtimin e mëvonshëm të sjelljes.
Marrëdhëniet plotësuese midis këtyre ndikimeve organike, funksionale dhe psikogjenike bëjnë të mundur që shumë çrregullime të zërit të jenë pasojë e më shumë se një faktori etiologjik (Stemple et al., 2014; Verdolini et al., 2006). Për shembull, nyjet e telave të zërit mund të rezultojnë nga keqpërdorimi i zërit në sjellje (etiologji funksionale). Megjithatë, keqpërdorimi i zërit rezulton në trauma të përsëritura në plikat vokale, të cilat më pas mund të çojnë në ndryshime strukturore (organike) në indin e telave të zërit.
Logopedët mund të përfshihen gjithashtu në vlerësimin dhe trajtimin e çrregullimeve që prekin mekanizmin e laringut (d.m.th., traktin aerodigjestiv) dhe që nuk klasifikohen si çrregullime të zërit, si në vijim:
Lëvizja paradoksale e plikave vokale (LPPV) - një gjendje në të cilën ka tërheqje të ndërprerë të plikave vokale, që ndërhyn në frymëmarrje. Kur dyshohet për këtë, mund të konsultohet logopedi, për të ndihmuar në identifikimin e funksionit jonormal të laringut dhe të frymëmarrjes dhe për të mësuar teknika të ndryshme (p.sh. ushtrime vokale, teknika relaksimi, teknika të frymëmarrjes me çlirim të shpejtë dhe menaxhim të duhur të frymëmarrjes) për të përmirësuar kontrollin e laringut dhe të frymëmarrjes (Mathers -Schmidt, 2001; Patel et al., 2015; Traister et al., 2016).
Obstruksioni i laringut i shkaktuar nga stërvitja (OLShS) - OLShS diagnostikohet më shpesh në adoleshencë dhe zakonisht është për shkak të obstruksionit në nivelin e laringut për shkak të mbylljes së papërshtatshme glotike ose aduksionit/kolapsit të strukturave supraglotike (Maat et al., 2011). OLShS mund të gjindet me emra të tjerë si pengimi supraglotik i rrugëve të frymëmarrjes gjatë stërvitjes (Murry & Milstein, 2016).
Për më shumë informacion, shihni faqen e Portalit të Praktikave të ASHA mbi Çrregullimet Aerodigjestive.