Ndodhemi në qendër të Tiranës, pranë Shallvareve, i njohur si Kompleksi i Fushave të Tenisit (5 fusha).
Në këtë Kompleks Shoqata e Tenisit “Tirana” :
· Aktualisht në aktivitetin e saj të përditshëm, përfshin stërvitjen e ekipeve zinxhir të moshave 6 vjeç, 10 vjeç, 12 vjeç, 14 vjeç, 16 vjeç, 18 vjeç, ekipin e të rriturve dhe ekipin e veteranëve. Gjithashtu nuk harrojmë të përmendim edhe një herë, ekipin e personave me aftësi të kufizuara.
· Organizon te gjitha turnetë dhe kampjonatet midis shkollave. Gjatë nji viti shkollor organizohen 6 turne dhe kampionate.
· Stërvit lojtarë të ekipit kombëtar të tenisit i cili përgatitet për Kampionatin Botëror (Kupa Dejvis).
· Stërvit ekipin e tenisit për personat me aftësi të kufizuara.
· Organizon Turnetë e Amatorëve të Tenisit. Fillimisht organizohej çdo vit por sot ky turne organizohet tre herë në vit.
· Organizon Turneun e Veteranëve.
· Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Tenisit, duke filluar nga viti 1996, kanë organizuar mbi 50 seminare dhe seanca trajnimi për trajnerë dhe lojtarë të avancuar me pjesëmarjen e trajnerëve të Federatës Botërore të Tenisit dhe asaj Evropjane.
· Gjithashtu kompleksi u ofron gjithë qytetarëve të Tiranës mundësinë të aktivizohen në mënyrë amatore në lojën e tenisit.
Tenisi shqiptar, i suksesshëm 75 vjet më parë (!) me emrin e shquar Sali Nallbani, kampion i disa turneve ndërkombëtarë (viti 1937), nuk mund të mbetej në hije në dy dekadat e fundit. Dhe arësyeja kuptohet që do të ishte trashëgimia e familjes Nallbani, një familje e vjetër tiranase, me traditë në tenis. Ajo dikur (vitet 1930) do të sakrifikonte pasurinë e saj dhe do të vinte në dispozicion të tenisit truallin e saj privat për të krijuar kompleksin e njohur “Tenis Nallbani” me tre fusha tenisi. Aty do të dilte kampioni shqiptar i asaj kohe Sali Nallbani.
Pasioni i kësaj familjeje nuk do të shuhej as pas 60 vjetësh “pause-ndalese-zhdukje” të ushtrimit të këtij sporti! Këtë radhë do të ishte kampioni i ri, Fatos Nallbani, i cili do të vinte gurin e tij në themelet e ringjalljes së tenisit në Shqipëri. Dhe ai, me radhë do të tregonte se asgjë në këtë jetë nuk do të ishte e rastësishme për familjen Nallbani.
Fatos Nallbani themelon në vitin 2002 Shoqatën e Tenisit Tirana. Me përpjekjet e tij sigurohen investime të nevojshme për të marë Kompleksi i Tenisit pranë Shallvareve pamjen që ka sot. Tashmë në moshën 37 vjeçare, është trajner i kampionëve të sotëm të Shqipërisë, i Ekipit Kombëtar si dhe i ekipeve zinxhirë që stërviten në këtë Kompleks. Synimi i tij është rivendosja e dinjitetit të humbur të tenisit shqiptar në botë. Në krahë të tij ndodhen talenti dhe pasioni, dy forca që nuk e braktisin kurrë.