- Kur të jesh 90 vjeç, çfarë do kishte vlerë për ju atëherë?
- Si e kaloni shumicën e kohës?
- A shikoni shpesh film apo telenovela?
- Cili lloj arti ju pëlqen më shumë?
Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?" Thuaj: "Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton".
(Kuran, Araf:32)
Thuaj: "Sikur të ishte deti ngjyrë për t'i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti)"
(Kuran, Kehf: 109)
‘’ E, kush flet më bukur se ai që thërret te Perëndia, bënë vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë, jam musliman!”
(Kuran, Fussilet: 33)
‘’Na ty (o Muhammed!) do t’i tregojmë ngjarjet më të bukura përmes shpalljes së këtij Kur’ani; e ti, me të vërtetë, këto nuk i ke ditur më pare.’’
(Kuran, Jusuf: 3)
“Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë”
(Kuran, Kijame: 22-23)
“Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi, në mbrëmje kur i ktheni ato (nga kullosa) dhe në mëngjes kur i lëshoni (për në kullosë) …’’
(Kuran, Nahl: 6)
“Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t’u bartur mbi to dhe si stoli…”
(Kuran, Nahl: 8)
Muhammedi a.s. thotë: “Fakt është se Allahu është i bukur dhe e do të bukurën” (Muslimi)
Lutje profetike: “Të lus (o Allahu im) për kënaqësinë e shikimit tek Fytyra Jote fisnike dhe përmallimin për t’u takuar me Ty! (Ahmedi)
‘’Zemrat lodhen ashtu sikurse trupat, andaj rigjallëroni ato me dëfrim. Nëse to mbingarkohen, do të verbohen’’
- Ali ibn Ebi Talib
‘’Sa i përket rekreacionit tim, unë argëtohem me disa gjëra të cilat më japin energji dhe force të mjaftueshme për luftën time për të vërtetën’’
- Ebu Derda
‘’Në nivelin më të lartë, arti, së këndejmi riprodhon rendet kualitative të kozmosit. Zoti, pra, mund të kontemplohet në dy mënyrat: me anë të rendit të natyrës dhe më anë të harmonisë së strukturës së veprës artistike’’
- Dr. Metin Izeti
Arti, kultura, rekreacioni dhe argëtimi zënë vend të rëndësishëm në Islam. Ato janë pjesë e ndërtimit tonë natyral. Janë pjesë e qenies njerëzore që nga njeriu i parë Ademi a.s.. Prandaj historikisht arti, argëtimi, rekreacioni, kultura janë produkt i fesë Islame përmes profetëve dhe njerëzve që kanë pasur apo edhe atyre që kanë shpërfillur thirrjet e profetëve.
Por në anën tjetër arti dhe rekreacioni është tema më e keqkuptuar dhe keqinterpretuar në literaturën Islame por edhe nga publiku jo Islam.
14.1. Rekreacioni si pjesë e natyrshmërisë njerëzore!
Ndonëse nevoja e njeriut për argëtim është organike dhe natyrale, shpesh herë lexohet dhe ligjërohet sikur ato çfarë janë të mira janë të ndaluara që është në kundërshtim me logjikën kuranore!
Zoti thotë në Kuran:
Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?" Thuaj: "Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kiametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton".
(Kuran, Araf:32)
Kjo logjik e të menduarit për ta bërë çdo gjë të bukur si të ndaluar është prodhim jo Islam me qëllim i futur brenda literaturës së vonshme islame, që për impakt ka prezantimin e Islamit si fe dhe ide në kundërshtim me natyrën dhe rendin njerëzor.
Ky kapitull ka përmbledhur disa elemente rreth argëtimit, zbavitjes dhe artit në përgjithësi bazuar në traditën fetare Islame dhe trashëgiminë nga e kaluara e myslimanëve në përgjithësi!
Në një hadith, flitet për një nga shokët e Muhammedit a.s. Handhale ibnu Rebi, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai vetë tregon:”Ndodhesha tek i dërguari i Zotit a.s, i cili na foli për zjarrin. Pasi u ktheva në shtëpi, fillova të luaj me familje, qesha me fëmijët dhe u angazhova me punët e përditshme. Kjo më shqetësoi dhe menjëherë dola jashtë, ku takova Ebu Bekrin, të cilit i tregova shqetësimin tim. Ai më tha:”Edhe unë veprova njëlloj si ti.” Të dy u nisëm dhe takuam të dërguarin e Zotit a.s, të cilit i thashë:”O i dërguar i Zotit! Handhale është mynafik (hipokrit)!” Profeti a.s pyeti:”Çfarë?!” Unë i tregova çfarë kishte ngjarë dhe Ebu Bekri e pranoi dhe për veten.
Profeti a.s tha:”Merre shtruar o Handhale! Një orë për Zotin dhe një orë për veten. Sikur zemrat ti kishit gjithë kohës ashtu siç i keni kur jeni me mua, do të zbrisnin melekët dhe do u shtrëngonin duart, e t’ju përshëndesnin rrugëve.”
Ali r.a. ka thënë: ‘’Zemrat lodhen ashtu sikurse trupat, andaj rigjallëroni ato me dëfrim. Nëse to mbingarkohen, do të verbohen’’
Ndërsa Ebu Derda r.a. (shok i Muhamedit a.s.) thtotë: ‘’Sa I përket rekreacionit tim, unë argëtohem me disa gjëra të cilat më japin energji dhe force të mjaftueshme për luftën time për të vërtetën’’
Në anën tjetër Imam Ibn Tejmije r.a. thotë: ‘’Të Dërguarit janë dërguar për ta theksuar dhe përsosur instinktin njerëzor e jo për ta ndryshuar apo modifikuar atë’’
Kjo dhe të tjera shpjegime fetare tregojnë për natyralitetin dhe gjithëpërfshirjen e fesë Islame.
14.2. Turizmi
Turizmi qëndron në mes rekreacionit dhe atyre që quhen vizita studimore. Gati çdo shoqëri ka paraparë së paku dy periudha të pushimit për punëtorët, pushim veror dhe dimëror. Sot në literaturën e shkencës së turizmit ka hyrë në përdorim dhe turizmi hallall i cili konsiderohet si potenciali më madh ekonomik i kësaj kohe!
Por përveç rekreacionit Kurani rekomandon turizmin dhe për të medituar dhe parë argumentet e krijimtarisë së Zotit, si dhe mbejtjet e civilizimeve të lashta.
“Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtetë se Allahu ka mundësi për çdo send”.
(KuranAnkebut,20)
“Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i gënjeshtarëve”
(Kuran, Enam,11).
‘’Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ishte përfundimi i kundërshtarëve”!
(Kuran, Neml,69).
14.3. Humori dhe të qeshurat
Profeti përshkruhej si nga njerëzit më me humor. Ai ishte që sillte atmosferë, gëzim e të qeshura në familjen e tij.
Çfarë shakaje që bënte, Muhammedi a.s. thoshte gjithmonë të vërtetën! Në vijim do përmendim një nga shakat e Profetit Muhammed a.s..
Një e moshuar, vajti tek Profeti a.s dhe i kërkoi të lutej për të që të hyjë në xhenet, por Profeti a.s i tha:”Jo, sepse plakat nuk hyjnë në xhenet.” Kur pa që kjo e moshuar u mërzit, Profeti a.s ia bëri të qartë se ajo do të hyjë në xhenet, por jo si plakë, por si një grua e re.
Xherir thotë:”Të dërguarin e Zotit nuk e kam parë asnjëherë të zymtë, or sa herë që takohesha me të më buzëqeshte.”
Në raport me humorin dhe shakatë duhet pasur në konsideratë këto elemente:
- Përmbajtje e humorit të mos jet gënjeshtër thjesht sa për t’i bërë njerëzit për të qeshur.
- Nuk duhet nënçmuar, tallur apo imituar personin tjetër, përveç nëse nëse ai e jep pëlqimin dhe lejen e tij për ta bërë ktë.
- Me i idenë për të bërë humor nuk bënë të rëndohet, sikletoset apo lëndohet ndokush.
- Çdo gjë e ka kohën e caktuar dhe humori dhe shakaja duhet të thuhet në momentin e përshtatshëm.
- Ashtu siç duhet ndjekur rruga e mesme në çdo fushë, ashtu dhe në humor nuk duhet tepruar.
14.4. Sporti
Disa nga sportet dhe aktivitetet fizike që janë përmendur, vepruar nga profeti Muhammed a.s. dhe që kanë qenë pjesë e kurrikulave mësimore të kohës së profetit janë edhe këto si vijim.
Fakti që kemi cekur këto nuk i bënë të ndaluara të tjerat. Në përgjithësi shumica e sporteve janë të lejuara dhe të rekomanduara përveç atyre për të cilat kanë folur shkollarët modern islam.
Fitnes
Muhammedi a.s. thotë:
"Besimtari i fuqishëm, është më i mirë dhe më i dashur tek Zoti, se besimtari i dobët."
Noti
Muhammedi a.s. thotë :
"U mësoni fëmijëve tuaj notin, gjuajtjen me shigjetë dhe kalërimin!"
Atletikë
Një herë, Profeti a.s doli jashtë qytetit me shokët e tij dhe bashkëshorten, Aishen. Në një moment, ai u kërkoi shokëve që të vazhdonin rrugën.
Kur ata u shkëputën një distancë të konsiderueshme, ai i tha Aishes:"A bëjmë gara kush vrapon më shpejt?"
Ajo iu përgjigj:"Po."
Tregon Aisheja:"Unë ia kalova Profetit a.s, pasi isha e lehtë dhe nuk kisha kile të tepërta."
Pas shtatë vitesh, Profeti a.s i kërkon sërish Aishes që të bëjnë gara vrapi dhe këtë herë, Profeti a.s ia kaloi. Pasi përfundoi gara, Profeti a.s i tha:"Tani jemi barazim."
14.5. Ide tjera për rekreacion
Disa ide për rekreacion me familje dhe shoqëri ose edhe vetë:
Shëtitja
Leximi
Natyrë –Haking, barbikju (grill)
Lojra
Zbavitja me anëtarët e shtëpisë
Shikim filmi
Shfaqje teatrale
Pjesëmarrje në aktivitete tjera kulturore
Shkrime
Shtoni ju idetë tuaja!
14.6. Letërsia
“Betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë”
(Kur’an, Kalem: 1)
Kurani përmban tekste të fuqishme letrare, përveç rrëfimeve të ngjarjeve të profetëve dhe të tjera dhe ndërtimi i tekstit kuranor tregon për një stil të lart lartë letrar. Mjafto t’i lexojmë dhe dëgjojmë disa nga kaptinat e fundit të Kuranit, dhe sheh se si elementet letrare janë të dukshme jo vetëm në përmbajtje por edhe në atë se si rimojnë.
Poezia, proza, epika dhe forma tjera të letërsisë kanë qenë pjesë e kulturës ditore të myslimanëve edhe para Islamit dhe gjatë periudhës profetike.
Vet profeti Muhammed a.s. thotë:
‘’Disa poezi përmbajnë urtësi. Disa fjalime elokuente e kanë forcën e magjisë’’
Vlen vetëm për krijimtarinë letrare që përcjell mesazh edukues, që i përmbahen etikës dhe nuk thyejnë parimet fetare.
Kurani dënon poetët e paskrupullt e mendjemëdhenj, veprimtaria e të cilëve është në kundërshtim me fjalët e tyre:
‘’E për sa u përket poetëve (që Muhammedi nuk është i tillë), ata i ndjekin të humburit (nga e vërteta). A nuk sheh se ata hidhen në çdo anë (sa lavdërojnë, sa përqeshin). Dhe ata janë që flasin atë çka nuk punojnë. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që e përmendën shumë All-llahun dhe që u mbrojtën pasi që atyre iu bë e padrejtë. E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se ç'përfundimi i shkojnë (ç'dënim të ashpër ose ç'vendi në xhehennem do t'i nënshtrohen).’’
(Kuran, Shuara 224-227)
Që në kohën e shokëve të Profetit shohim një kryevepër të tillë letrare si Nehxh ul-Belagha (“Kulmi i Elokuencës”) e ‘Ali ibn Ebi Talibit, që përfshin disa nga ligjëratat dhe thëniet e tija, të mbledhura në formën e tanishme në shekullin e katërt islam nga Sejjid Sherif er-Radi.
Në fakt letërsia ishte shumë e përhapur në komunitetin ku jetonte profeti Muhamed a.s. dhe shokët e tij. Ishin kundërshtarët e tij që thurnin vargje kundër profetit Muhammed a.s. të cilat i recitonin në hapësirat me publik të gjerë. Këto poezi e lëndonin profetin Muhamed a.s.. Ndërkohë që një nga poetët më të mëdhenj të asaj kohe Hasan bin Thabit kishte pranuar Islamin dhe ai do iu kundërpërgjigjej po me poezi atyre që shpifin ndaj profetit Muhammed a.s..
Ai ka pasur një vend të veçantë në jetën e profetit Muhammed a.s. sa që për ka thënë se Xhibrili do ta përkrah përderisa ai mbron Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Ndikuar nga letërsia e krijuar nga shoqëria islame ndërshekuj edhe në literaturën shqiptare do krijohet ajo që quhet ‘letërsia e bejtexhinjve’ që është nga periudhat më të arta të letërsisë shqipe.
Si pjesë e letërsisë është dhe një gjini e veçantë letrare e në gjuhën shqipe krahas epikës, lirikës dhe dramatikes janë dhe Mevludi që të cilat janë krijime letrare artistike që i kushtohen jetës dhe detaje nga biografia e profetit Muhammed a.s. .
Një nga këto forma të Mevludeve që janë recituar në prani të Profetit Muhammed a.s. është edhe vargu vijues që Ibn Abbasi r.a. ka thënë:
Kur linde ti toka ndriçoi
e përtej horizonti drithëroi
Mes dritës dhe nurit ne,
Shtigje udhëzimi përshkojmë
[Usdul Gabeh fi Ma'rifet Es-Sahabeh]
14.7. Muzikë
Tema e muzikës dhe përdorimit të instrumenteve muzikore është tema më e keqkuptuar në literaturën Islame.
Ibn Abbasi transmeton se Aisheja ka martuar një të afërme të saj me një ensar, e në atë rast ka ardhur Pejgamberi a.s. dhe ka pyetur: “A e keni përgatitur vajzën?” thanë: -Po – u përgjigjën njerëzit “A dërguat me të dikë që di të këndojë?” Unë thashë: Jo. – “Ensarët janë popull që e do këngën, dhe ju është dashur të dërgoni ndonjë që këndon: “Ju erdhëm, ju erdhëm! Na përshëndetni ashtu si ju përshëndesim!”
Aisheja transmeton se në ditët e Mines, ka ardhur Ebu Bekri tek ajo dhe aty ka parë dy vajza që këndonin dhe i bienin defit në praninë e Pejgamberit a.s. që e kishte mbuluar kokën me shall. Kur ka dashur Ebu Bekri t’i dëbojë, Pejgamberi a.s. e ka zbuluar fytyrën dhe i ka thënë:
“Lëri o Ebu Bekër! Këto janë ditë feste!” (Në festën e Bajramit të Kurbanit).
Në librin El-Ihja’u, Imam Gazaliu i përmend hadithet e këndimit të dy vajzave, luajtjen e etiopianëve në Xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe inkurajimin e Pejgamberit duke u thënë:
“Vazhdoni, o Beni Erfide”; pyetjen e Pejgamberit drejtuar Aishesë se a dëshiron t’i shohë;
qëndrimin e të dyve bashkërisht derisa ajo ishte lodhur dhe lojën e Aishesë me vajzat tjera, dhe pastaj thotë: Të gjitha këto hadithe transmetohen në të dy sahihët dhe qartazi argumentojnë se kënga dhe loja nuk janë haram.
Nga këto hadithe mund të konkludojmë:
(Lejimi) i lojës; dhe duket qartazi tradita e etiopianëve për lojë e vallëzim.
Praktikimi i tyre në xhami.
Thënia e Pejgamberit a.s.: “Vazhdoni, o Beni Erfede”. Meqë këtu shohim se ka kërkesë për lojë, atëherë si mund të thuhet se është haram?
Pejgamberi a.s. ua ndaloi Ebu Bekrit dhe Umerit pengimin dhe dëbimin e lojtarëve e këngëtarëve, me arsyetim se ishte ditë feste, gjegjësisht ditë gëzimi dhe se kënga në raste të tilla është shprehje gëzimi.
Qëndrimi i gjatë i tij me Aishenë që të shohin e dëgjojnë argumenton moralin e mirë për kënaqjen e grave e fëmijëve me lojë. Kjo nënkupton se kështu është më mirë se vrazhdësia e asketizmit dhe largimi nga kjo botë.
Pyetja e Pejgamberit a.s. drejtuar Aishesë në fillim: “A dëshiron t’i shohish?”[4]
Lejimi i këngës dhe i defit…, e kështu me radhë, deri në fund të asaj që e përmend Gazaliu në kapitullin e këngës.
Transmetohet se shumë sahabë e tabi’inë (r.a.) dëgjonin këngë pa vërejtur ndonjë të keqe në to.
Transmetohet se shumë sahabë e tabi’inë (r.a.) dëgjonin këngë pa vërejtur ndonjë të keqe në to.
Hadithet që ndalojnë këngën janë të dobëta dhe të gjitha kritikohen nga kritikët dhe dijetarët e Hadithit. Kâdî Ebu Bekër ibn Arabiu thotë: “Hadithet që ndalojnë këngën nuk janë autentike!” Gjithashtu edhe Ibn Hazmi thotë:
“Çdo transmetim rreth kësaj çështjeje është i pavlefshëm dhe i trilluar.”
Shpeshherë kënga dhe muzika kombinohen me dëfrim, alkool e zbavitje të natës, dhe për këtë shkak shumë dijetarë i ndalojnë ose i urrejnë (mekruh). Disa prej tyre thonë: “Kënga përmban tregime boshe”, fjalë që përmenden në ajetin.
“Po, ka nga njerëzit që blejnë tregime boshe me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së All-llahut pa patur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet) e All-llahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.”
(Kuran, Llukmân, 6)
Ibn Hazmi thotë: “Ajeti potencon një gjë të shëmtuar, të cilën kush e punon, bëhet kafir, gjegjësish marrjen e ajeteve të Zotit si tallje. Në qoftë se ndokush e blen Kuranin për të devijuar nga rruga e Zotit dhe për ta marrë si tallje, atëherë ai është kafir, dhe pikërisht këtë e qorton Zoti i Madhëruar e jo atë që blen tregime boshe për relaksimin dhe qetësimin e shpirtit, por jo të devijojë nga rruga e Zotit.”
Sipas dijatrit Jusuf Kardavi ekzistojnë disa përkufizime që duhet të merren parasysh kur bëhet fjalë për çështjen e këndimit:
1. Tematika e këngës nuk duhet të kundërshtojë moralin islam dhe mësimet e Islamit. Këngët që glorifikojnë alkoolin ose ftojnë në konsumimin e tij, ndalohen të këndohen e të dëgjohen. Kështu ndodh edhe me gjërat tjera të ngjashme!
2. Ndoshta tematika përputhet me udhëzimin islam por mënyra e këndimit e shndërron prej hallallit në haram, p.sh. lëvizjet provokative që nxisin epshin, fitnen e emocionet.
3. Islami jo vetëm që kundërshton teprimin në çdo gjë, bile edhe në adhurim, por gjithashtu nuk pranon edhe teprimin në dëfrim dhe teprimin në kohë, e koha është jetë?! S’ka dyshim se teprimi në të lejuarat vjedh kohën e obligimeve. Në këtë kontekst thuhet: “Ç’do teprim humb diçka tjetër!’
4. Çdo individ është gjykatësi më i mirë i vetvetes. Në qoftë se kënga ka tipare që i provokojnë epshet, që shpiejnë në mëkat dhe ndikojnë që aspekti shtazarak të dominojë mbi aspektin shpirtëror, atëherë njeriu obligohet të largohet dhe të mbyll derën nëpër të cilën mund të depërtojë fitneja në zemër, fe e moral, dhe kështu të shpëtojë e të pushojë.
5.
Mendimi unanim është se ndalohet kënga që kombinohet me gjëra të ndaluara, p.sh. të këndohet në gazmendet me alkool, të ekzekutohet me striptiz.
Vëmendje: Duke qenë se kjo është nga temat më të diskutuar dhe më të keqinterpretuara, shumica e qëndrimeve për muzikën dhe argëtimin janë marrë nga libri i shkollarit botëror Jusuf Kardavi – ‘’Arti dhe Argëtimi në Jetën e Myslimanit’’
Disa elemente që duhet pasur në konsideratë në raport me argëtimin në përgjithësi janë kujdesi për:
-
Menaxhimin kohës
- Dhënie e përparësisë diturive dhe punës
- Humbja e kohëve të adhurimeve
- Të mos kenë elemente dhune
- Të mos përfshinë lakuriqësi
- Të mos ndikojë të humbisni shumë para
- Të mos ndikojnë në orientimin drejt shirk apo edhe mëkateve tjera
Nuk ekziston tekst fetar, i cili e ndalon gëzimin dhe argëtimin në ditët tjera përveç dy bajrameve, sepse Kurani ka shënuar gëzimin e besimtarëve për shkak të fitores së Romakëve ndaj Persianëve, pasi këta të parët kishin pësuar disfatë.
© COPYRIGHT
Ky material është vetëm për qëllime studimi të projektit Akademia 23. Nuk lejohet publikimi i plotë apo i pjesshëm në internet, televizion apo ndonjë formë tjetër, si dhe nuk lejohet të printohet (as i/të plot/a as i/të pjesshme) për asnjë lloj qëllimi.