Qëllimi i këtij Leksioni është të paraqesë konceptin e modelimit E-R, i cili është model mjaft popullor dhe i nivelit mjaft të lartë. Ky model dhe versionet e tij janë përdorur shpesh për përshkrimin konceptual të aplikimeve në bazat e të dhënave.
Hapi i parë, gjatë proçesit të konceptimit të bazave të të dhënave, ka të bëjë me grumbullimin dhe analizën e kërkesave. Rezultati i kësaj faze përmblidhet në bashkësinë e kërkesave të përdoruesve, të cilat duhet të specifikohen sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë të plotë dhe të detajuar.
Pasi janë mbledhur dhe analizuar kërkesat kalohet në ndërtimin e modelit (skemës) konceptual.
Ky hap quhet paraqitja konceptuale e bazave të të dhënave. Skema konceptuale është një përshkrim konçiz i kërkesave të përdoruesve dhe përfshin një përshkrim të detajuar të tipit të të dhënave, relacioneve dhe kufizimeve. Meqenëse këto koncepte nuk përfshijnë detaje të implementimit, janë mjaft të thjeshtë për t’u kuptuar dhe realizohet në bashkëbisedim me persona jo teknikë. Skema konceptuale mund të përdoret edhe si garanci për të siguruar që kërkesat e përdoruesve nuk janë në kontradiktë me njëra - tjetrën.
Literatura bazë e këtij leksioni është libri: ‘Menaxhim e Baze të Dhënash’, kapitulli 2 : ‘ Modeli i të dhënave’, Faqe: 48-60