Arkitektura
Kisha është e tipit kryq i lire me kupolë. Pjesë të tjera të saje janë edhe narteksi dhe tamburi cilindrik. Ndoshta kjo kapelë ka shërbyer si model për ndërtimin e kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit. Megjithatë ajo përbëhet nga 3 hyrje të cilat i korrespondojnë drejtimeve të veriut, jugut dhe perëndimit. Në anën lindore ndodhet absida e kishës, e cila ndriçohet nga një dritare e vogël.
Mendohet se ky objekt i përkiste dikur një manastiri të vogël. Kjo tezë mbështetet në gjurmimet dhe studimet shumëvjeçare të Institutit te Monumenteve të Kulturës në Tirane. Sipas studjuesit Piro Thomo karakteristike e kishave në formë kryqi me kupolë është se ato ndeshen vetëm në manastire. Ndërsa nga mbikqyrja e vendit vihet re se muret e Narteksit dhe disa të tjera rreth Kishës janë në gjendje të rrënuar. Nga to ruhen deri më sot mbeturinat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare të cilat menjëherë të krijojnë idenë se ato i përkisnin dikur veçse konakëve të një manastiri.
Ndërtimi
Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik.
Midis gurëve janë vendosur me llaç edhe copëra tullash dhe tjegullash, duke e përzier teknikën e ndërtimit. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine diku rreth shekullit të XII. Në vitin 1971 kur Instituti i Monumenteve të kulturës e mori nën kujdesin e tije këtë objekt ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar. Nën drejtimin e Prof.Dr. Aleksander Meksit kisha u rindërtua përsëri në formën dhe trajtat fillestare të saj.
Në mungese të emrit
Është e çuditshme se kjo kishë sot nuk e ruan emrin e saj të dikurshëm. Sipas traditës kristiane çdo objekt kulti ka emrin e tije, i cili është marrë nga Panteoni i emrave të Apostujve, Maries, Shenjtorëve dhe Martirëve Kristianë. Këtë gjë e konstatoi studjuesi Austriak Karl Paç, i cili e vizitoi kishën në vitin 1902. Profesori Vjenez vuri re se ajo nuk ishte në gjendje të mirë dhe se kleri e kishte braktisur prej kohësh. Por me i çuditshem ishte fakti se vendasit e quanin kisha e Marmiroit ndosha kisha e bardhë "Lat. Marmoreus" (i mermerte), "i bardhë si mermeri", për shkak të ngjyrës së gurëve me të cilët është ndërtuar ajo. Rrethanat e origjinës së këtij emri janë të paqarta. Megjithatë duhet të themi se përreth këtij objekti ndeshim midis toponimeve të ndryshme edhe nga ato të grupit Latin si : Dukat (Lat. Duco) "ngre" "çoj", dmth i ngritur, vend i lartë, dhe Orikum, Ravene (Pllaja e Ravenes ne Karaburun) etj.
Një tjetër ide
Po ti "hedhësh një sy" manastireve ortodokse në shqipërinë Jug-Perëndimore vë re se pjesa mbizotëruese e tyre mban emrin e Marias, nënës së Jezusit. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj. Të ndodhur në këto kushte mund të hedhim hipotezën se edhe kisha e këtij manastiri ka mbajtur emrin e Maries ashtu si shumica e simotrave të saje përgjatë bregdetit nga Shkumbini në Himarë. Ndërkohë që në traditën kristiane Maria është mbrojtësja e bujqësisë, e cila ushtrohej pikërisht në këtë fushë ngjitur me të cilët u ndërtua dikur edhe ky manastir.
Material i marrë nga wikipedia: (http://sq.wikipedia.org/wiki/Kisha_e_Marmiroit)