Në datën 18 tetor 2022, në mjediset e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, u mbajt takimi i çeljes së projektit “Shqipëria në shkrimet e udhëtimit të periudhës paskomuniste (1990 - )”, projekt PKKZH i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI). Projekti ka në vëmendje atë që njihet si letërsi e udhëtarit, e shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët nga udhëtarë apo vizitorë të ndryshëm të huaj pas viteve 1990, parë nga premisa e pamjaftueshmërisë, kryesisht metodologjike, për ta trajtuar këtë korpus letrar në një kontekst të larmishëm, aktiv e ndërkulturor që vë përballë kulturën/at e huaj/a me atë shqiptare. Projekti koordinohet nga Prof. as. Armela Panajoti dhe do të realizohet nga një grup kërkuesish të Departamentit të Gjuhëve të Huaja dhe të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë e do të përfshijë edhe doktorantë.
Agjendën e takimit e gjeni këtu.
Në datën 16.12.2022 u zhvillua takimi i radhës i projektit ALPT ku u diskutuan disa çështje si:
- Realizimi i disa prej aktiviteteve promovuese të projektit (çelja e faqes web, e faqeve në medie sociale, pasqyrimi i aktiviteteve);
- Kalendari i aktiviteteve, ecuria e aktiviteteve sipas kalendarit;
- Korpusi shkrimor që do ndërtohet, llojet e shkrimeve;
- Raportim për vizitat studimore të kryera;
- Teoritë letrare që do të përdoren;
- Hartimi i thirrjes së konferencës (tema, përshkrimi, gjuhët e konferencës, periudha etj.);
- Artikujt për të botuar në lidhje me këtë temë;
- Përfshirja e doktorantëve.
Në datën 30 qershor 2023, në kuadër të projektit “Shqipëria në shkrimet e udhëtimit të periudhës paskomuniste (1990-)”, të financuar nga AKKSHI (Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit), u organizua nga Departamenti i Gjuhëve të Huaja dhe ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Fakulteti i Shkencave Humane, konferenca me të njëjtin titull.
Në vëmendje të këtij aktiviteti, dhe projektit në tërësi, ishte korpusi shkrimor, fizik dhe online, i shkruar dhe botuar për Shqipërinë, në gjuhë të ndryshme, pas viteve 1990, në mënyrë më të posaçme, dilemat për qasjet metodologjike përmes të cilave ky korpus mund të studiohet.
Konferenca u përshëndet nga zv/rektori akademik Prof. as. Frosina Londo (Qyrdeti), dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. as. Armela Panajoti, njëkohësisht koordinatore e projektit, përgjegjësi i Departamentit të Gjuhëve të Huaja Prof. as. Veneranda Hajrulla, si dhe Dr. Ermir Xhindi, i cili, në emër të grupit kërkimor të projektit, bëri një pasqyrim të çështjeve hulumtuese të ngritura përmes këtij projekti, si dhe solli një panoramë të aktiviteteve të realizuara në këtë kuadër.
Folëse kryesore në këtë konferencë ishte Olimpia Gargano, Université Nice Côte d’Azur, albanologe shumë e njohur, e cila përmes një qasjeje krahasuese solli për të pranishmit imazhet e Shqipërisë në sytë e publikut/lexuesit të huaj para dhe pas viteve ’90.
E ftuar në konferencë ishte edhe Gillian Gloyer, autore e librit Albania: The Bradt Travel Guide, e cila përcolli përshtypjet dhe nxitjen e saj për të shkruar këtë libër.
Punimet e paraqitura në konferencë u botuan në vëllimin me të njëjtin titull.
Një falënderim i veçantë shkon për studentët e programit të studimit “Bachelor” në “Media, Komunikim e Trashëgimi Kulturore, me profilet ‘Gazetari’ e ‘Trashëgimi Kulturore’”, të cilët e angazhuan për përgatitjen e materialit për mbulimin e këtij aktiviteti në media.