Muzeu i Shkencave te Natyres "Sabiha Kasimati"

Muzeu i Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” (MSHN) është themeluar që në vitin 1948, si pjesë e ish Institutit të Shkencave. Me krijimin e Universitetit të Tiranës në vitin 1957, MSHN u shkëput nga ky institut dhe kaloi nën vartësinë e Fakultetit të Shkencave Natyrore (FSHN), si pjesë e Katedrës së Zoologjisë. Në vitin 2010, së bashku me Herbarin Kombëtar dhe Kopshtin Botanik, u bë pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës të Fakultetit të Shkencave Natyrore.

MSHN është qendër e rëndësishme shkencore e specializuar në fushën e vlerësimit të larmisë, monitorimit dhe inventarizimit të faunës shqiptare: Entomofaunës (Insektet), Herpetofaunës (Amfibët dhe Reptilët), Ornitofaunës (Shpendët), Mammalofaunës (Gjitarët), Makrobentofaunës (Molusqe, Krustace) etj.

Në MSHN ekspozohen mbi 3,000 ekzemplarë (eksponantë) dhe ka një fond shkencor me mbi 100 mijë ekzemplarë të faunës shqiptare.

Insektet, përfaqësojnë në ambientet e Muzeut, numrin më të madh të faunës së ekspozuar me 217 specie, si dhe me një fond të organizuar në mënyrë shkencore. Në këtë mënyrë, përveç llojeve të ekspozuara në eksponantë për publikun e gjerë, nxënës edhe studentë, është edhe një fond shkencor, i cili vjen në ndihmë për kërkues të ndryshëm vendas dhe të huaj, për studentë të studimeve Master dhe Doktoraturë, për të konsultuar kërkimet e tyre me llojet tashmë të grumbulluara ndër vite. Ky fond pasurohet çdo vit me koleksione të reja gjatë kërkimeve në terren, dhe temave master dhe doktoraturë që realizohen nga studentë të degës së Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Eksponantët përmbajnë lloje të Lepidopterëve, Odonatave, Hemipterëve, Coleopterëve, Neuropterëve, Orthopterëve, Hymenopterëve, etj. Eksponantët përfshijnë edhe një fond me flutura të mahnitëshme jo të vendit tonë, por të vendeve ekzotike, të cilat kanë qënë pjesë e ish-fondit të Kolegjit Jezuit të Shkodrës. Janë të ekspozuar edhe lloje dëmtues të kulturave bujqësore dhe drurëve frutorë, duke dhënë jo vetëm llojin, por edhe kulturën bujqësore. Fondi pasurohet përherë me lloje që nuk kanë qenë më parë të ekspozuara, dhe grumbullohen çdo vit, si psh. Charaxes jasius (dy bisht pashai), Sympetrum flavoleum (pilivesa krahëverdhë e shpejtë), Palpares libelluloides, etj.

Ndërkohë, pasurimi vazhdon edhe me lloje të cilat janë të reja për shkencën, duke u zbuluar përherë të parë në vendin tonë, si psh Peripodisma llofizii (karkaleci shqiptar malor), grumbulluar në Malin e Llofizit në fshatin Erind në Gjirokastër, i cili së fundmi është përfshirë edhe në Listën e kuqe (2016 Red List, NT), si një lloj i rrezikuar. Në vitin 2017 është identifikuar një nënlloj i ri future, kjo flutur që më parë ishte ekspozuar në Muzeun e Shkencave të Natyrës si Melanargia galathea, tashmë njihet për shkencën si Melanargia galathea vrenozina Aistleitner, 2017.

Figura 1: Melanargia galathea vrenozina Aistleitner, 2017

Peshqit në Muzeun e Shkencave të Natyrës përfaqësohen nga 156 lloje që u përkasin familjeve të ndryshme. Lista tregon se 73 familje janë të plotësuara me ekzemplarë për 156 llojet iktike të pranishme në muze. Sikurse rezulton prej përfaqësimit me lloje, 45 familjeve ju takon vetëm nga një lloj. Këto familje janë pikërisht ato që paraqesin kryesisht interes faunistik. Vlen të përmenden familjet Lophiidae (lloji Lophius piscatorius), Zeidae (lloji Zeus faber), Triglidae (lloji Trigla lucerna) etj. Me nga dy lloje janë përfaqësuar 12 familje, ndërkohë që 7 familje përfaqësohen me nga tre lloje. Në këto dy grupe përfshihen lloje që kanë vlera faunistike por edhe lloje me vlera ekonomike. Mund të përmendim familjen Moronidae, përfaqësuesi më i rëndësishëm i së cilës levreku (Dicentrarchus labrax) është një ndër objektet kryesore të peshkimit dhe komponent i rëndësishëm i marikulturës. Tre familje përfaqësohen në muze me nga 4 lloje, tre të tjera me nga 6 lloje, ndërkohë që një familje përfaqësohet me 8 lloje dhe dy më të përfaqësuarat kanë nga 14 lloje. Familjet me numrin më të madh të llojeve që përfaqësohen në Muzeun e Shkencave janë edhe familjet më të pasura me lloje në iktiofaunën e Shqipërisë. Këto janë familja Sparidae (e kocës) që përfshin peshq detarë dhe familja Cyprinidae (e krapit) që përbëhet nga lloje të ujërave të ëmbla.

Figura 2: “Peshku Mbret” (Lampris guttatus), ekspozuar në mjediset e muzeut

Amfibët dhe reptilët, në Muzeun e Shkencave të Natyrës përfaqësohen me rreth 63% të të gjithë amfibëve dhe reptilëve që takohen në vendin tonë. Në koleksionin që gjendet në këtë muze kanë kontribuar kryesisht studiues vendas, por edhe të huaj. Vlen të përmendim kontributin e veçantë të Prof. Dr. Idriz Haxhiu, i cili me punën e palodhur ndër vite e ka pasuruar koleksionin e amfibëve dhe reptilëve.

Gjatë vizitës suaj në mjediset e muzeut, në pavionin e amfibëve dhe reptilëve, ndër llojet që do të hasni janë: Salamandra salamandra (e bukura e dheut) dhe Ichthyosaura alpestris (tritonin e alpeve) nga grupi i amfibëve me bisht (Rendi Caudata). Ndërsa, nga koleksioni i amfibëve pa bisht do të hasni: Bufotes viridis (Thihlopa e gjelbër); Rana temporaria (Bretkosa e maleve); Rana dalmatina (Bretkosa kërcimtare); Pelophylax kutmuelleri (Bretkosa e zakonshme).

Figura 3: Amfibët me bisht: a) Salamandra salamandra (E bukura e dheut); b) Ichthyosaura alpestris (tritonin e alpeve)

Figura 4: Amfibët pa bisht: a) Bombina variegata (Bretkosa barkverdhë); b) Bufo bufo (Thithlopa); c) Rana dalmatina (Bretkosa kërcimtare)

Në muzeun tonë do të gjeni të ekspozuar përfaqësues nga të gjitha grupet e reptilëve. Gjatë vizitës suaj në pavionin e amfibëve dhe reptilëve, ajo që do t’ju tërheqë menjëherë vëmendjen është breshka lëkurore e detit (Dermochelis coriacea), e cila konsiderohet si breshka më e madhe në botë (me një gjatësi deri në 1.8 m dhe peshë rreth 700 kg). Karakteristikë e kësaj breshke është se në ndryshim nga breshkat e tjera, të cilat kanë një guaskë të fortë që mbulon trupin e tyre, ajo ka kreshta lëkurore përgjatë gjithë kurrizit të saj (prandaj njihet edhe si breshka kurriz-lëkurore). Kjo breshkë është shumë e rrallë për ujërat tona, sepse është një lloj oqeanik dhe deri më sot në vendin tonë janë kapur vetëm tre individë (një në vitin 1963 në Shëngjin, i ekspozuar në muzeun tonë dhe dy të tjerë në Gjirin e Drinit kapur përkatësisht njëri në Gusht 2016 dhe tjetri pas një viti në Gusht 2017). Të ekspozuara do të gjeni edhe dy llojet e tjera të breshkave të detit që takohen në ujërat tona: breshkën kokëmadhe (Caretta caretta), e cila konsiderohet si lloji më i zakonshëm për ujërat tona dhe breshkën e gjelbër (Chelonia mydas), e cila është shumë më e rrallë sesa e para.

Figura 5: Breshkat e detit: a) breshka kurriz-lëkurore (D. coriacea); breshka kokëmadhe (C. caretta); breshka e gjelbër (Ch. mydas)

Të gjitha llojet e breshkave të detit kanë një interes të veçantë ruajtjeje, sepse ato konsiderohen si lloje globalisht te rrezikuara, popullatat e të cilave kërcënohen nga shumë faktorë siç janë: aktiviteti i pakontrolluar i peshkimit; ndotja e ujërave detare; zhvillimi i pakontrolluar i infrastrukturës dhe turizmit në vëndet bregdetare (duke zvogëluar dhe njëkohësisht shkatërruar hapësirën riprodhuese të tyre, sepse ato i lëshojnë vezët në plazhet ranore); ndryshimet klimatike, etj.

Përveç llojeve të breshkave të detit, në muzeun tonë gjenden të ekspozuara edhe breshka e tokës (Testudo hermanni) si dhe dy llojet e breshkave të ujërave të ëmbla: breshkujëza me pika të verdha (Emys orbicularis) dhe breshkujëza qafëshiritore (Mauremys rivulata).

Nga grupi i hardhucave (Rendi Squamata - Nënrendi Sauria) do të gjeni të ekspozuara disa individë që u përkasin llojeve: Ablepharus kitaibelii (zhapi këmbvogël); Mediodactylus kotschyi (zhapi me kthetra); Algyroides nigropunctatus (zhapi me pllaka); Lacerta viridis (zhapi i jeshil); Lacerta trilineata (zhapi me tre vija ); Lacerta agilis (zhapi i ngathët); Podarcis muralis (hardhuca e mureve); Anguis graeca (kakzogëza); Pseudopus apodus (bullari).

Figura 6: Përfaqësues të hardhucave (Sauria): a) zhapiu me kthetra (M. kotschyi); b) zhapiu i jeshil (L. viridis); c) bullari (P. apodus)

Gjarprinjtë e ekspozuar në muze (Rendi Squamata - Nënrendi Ofidia) janë të shumtë dhe u përkasin llojeve të gjarprinjëve jo helmues (shigjetat, bollat, gjarpërinjtë e ujit), gjysëm helmues (biroja dhe gjarpri mace) si dhe atyre helmues (nepërkat). Kështu, gjatë vizitës suaj do të gjeni të ekspozuar këto lloje: Xerotyphlops vermicularis (gjarpri i verbër); Eryx jaculus (boa e rërës); Platyceps najadum (shigjeta e hollë); Hierophis gemonensis (shigjeta e shkurtër); Dolichophis caspius (shigjeta e gjatë); Elaphe quatuorlineata (bolla me katër vija); Zamenis longissimus (bolla e shtëpisë); Zamenis longissimus (bolla laramane); dy llojet e gjarprinjëve të ujit (Natrix natrix dhe Natrix tessellata); Malpolon insignitus (biroja); Telescopus fallax (gjarpri mace ose laraman); Coronella austriaca (gjarpri i zi); Vipera ammodytes (nepërka me bri), e cila konsiderohet si lloji me helmin më të fortë nga të gjitha nepërkat e tjera që takohen në vendin tonë; si dhe dy llojet e nepërkave të malit (Vipera ursinii dhe Vipera berus).

Figura 7: Përfaqësues të gjarprinjëve (Ofidia): a) gjarpri i verbër (Xerotyphlops vermicularis); b) bolla me katër vija (Elaphe quatuorlineata); c) shigjeta e hollë (Platyceps najadum); ç) biroja Malpolon insignitus; d) gjarpri i ujit (Natrix natrix); e) nepërka me bri (Vipera ammodytes)

Shpendët, për nga koha në të cilën hasen në vendin tonë ndahen në: (i) të përhershëm ose të pranishëm gjatë gjithë vitit; (ii) folezues ose shpendët që vijnë në vendin tonë në pranverë dhe largohen në vjeshtë; (iii) dimërues ose shpendët që vijnë në vendin tonë në vjeshtë dhe largohen në pranverë dhe (iv) kalimtarë ose shpendët që kalojnë në vendin tonë në pranverë, në vjeshtë ose në të dyja stinët. Për nga madhësia e popullatës, në vija të përgjithshme shpendët në vendin tonë mund t’i ndajmë në: të zakonshëm, të rrallë dhe të zhdukur.

Në Muzeun e Shkencave të Natyrës gjenden të ekspozuar ekzemplarë nga 201 lloje (57 % e listës së plotë të shpendëve të Shqipërisë) të cilët përfaqësojnë të gjitha grupet e sipërpërmendura.

Kjo pasuri e çmuar është lënë trashëgim falë punës së madhe të studiuesve tanë të nderuar që kanë ndërtuar themelet e shkencës së ornitologjisë në Shqipëri si: Fotaq Lamani, Vasil Puzanov, Islam Zeko, etj.

Vizitorë të dashur, në Muzeun e Shkencave të Natyrës keni mundësinë të shihni ekzemplarë të balsamosur me shumë kujdes duke ruajtuar të pacënuara karakteristikat reale të pamjes së llojit.

Shpendët grabitqarë

Ekzemplarë nga një numër prej 25 llojesh të shpendëve grabitqarë gjenden të ekspozuar, nga të cilët 18 lloje janë grabitqarë të ditës dhe 7 lloje grabitqarë të natës. Në sektorin e shpendëve grabitqarë gjenden ekzemplarë të shakabave, shqiponjave, hutave, skifterëve, gjeraqinave, sokolëve, bufave dhe kukuvajkave. Ndër këto lloje, keni mundësinë të shihni:

Kalin e qyqes, një lloj i rrallë në nivel global i cili folezon ende në vendin tonë, ndonëse popullata e këtij lloji ka pësuar një rënie dramatike gjatë 25 viteve të fundit duke u redukturar në vetëm 10 çifte.

Shkabën, lloj dikur folezues i zakonshëm në vend, që tashmë është zhdukur si folezues dhe vetëm ndonjë individ endacak mund të haset shumë rrallë në vendin tonë.

Kali i qyqes

Shkaba

Shqiponjën e detit, dikur folezuese në vendin tonë, por prej vitesh nuk është hasur asnjë individ.

Shqiponjën e malit ose shqiponjën e flamurit, lloj për të cilin të dhënat e viteve të fundit tregojnë se popullata ka pësuar një rënie të jashtëzakonshme.

Bufin e dëborës, një lloj i pjesës veriore të globit, individë të të cilit në raste shumë të rralla mund të shtegtojë thellë në jug, deri në kufijtë e vendit tonë.


Shqiponja e detit

Shqiponja e malit

Bufi i debores

Nga 25 llojet, 23 prej tyre janë pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë dhe mbrohen rreptësisht me ligj.

Shpendët e ujit

Ekzemplarë nga një larmi e madhe llojesh (84 lloje) të shpendëve të ujit janë të ekspozuara në këtë muze. Në sektorin e shpendëve të ujit, gjenden ekzemplarë të: pelikanëve, karabullakëve, mjelmave, lejlekëve, çafkave, patave, rosave, norëve, pulbardhave, dallëndysheve të detit, kojlikëve dhe baltakëve të shumëllojshëm. Ndër këto lloje, keni mundësinë të shihni:

Pelikani kaçurrel, shpendi më i madh në Shqipëri, me një gjatësi të hapjes së krahëve deri në 320 cm. Në Shqipëri folezon vetëm në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, në një koloni me 50 çifte. Popullata e këtij lloji në vendin tonë është e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje, ndërsa në nivel global është afër kërcënimit.

Pelikani kaçurrel

Pata e vogël laramane, lloj shumë i bukur, i përkeqësuar në nivel global. Në Shqipëri nuk është hasur gjatë viteve të fundit.

Kryekuqja e mjeme, lloj me popullatë të përkeqsuar në nivel global. Në vendin tonë, haset shpesh gjatë dimrit, kryesisht në liqenet e Prespës, Ohrit, Shkodrës etj.

Rosa e ngricave, lloj me popullatë të përkeqsuar në nivel global. Në Shqipëri haset shumë rrallë gjatë dimrit.

Pata e vogël laramane

Kryekuqja e mjeme

Rosa e ngricave

Flamingo, lloj shumë i bukur dhe me interes për turistët.

Krilla, lloj interesant, i cili vitet e fundit haset gjithmonë e më rrallë në vendin tonë.

Lejleku, një nga shpendët folezues më të rrallë të Shqipërisë, me një popullatë prej rreth 5 çiftesh.

Flamingo

Krilla

Lejleku

Gjelat e egër dhe fazanët

Ekzemplarë nga 8 lloje të familjes së gjelave të egër dhe fazanëve janë të ekspozuar në muze. Ndër to spikasin:

Gjeli i egër, lloj mbreslënës shumë i rrallë, mbart statusin i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje në vendin tonë.

Thëllëza e malit, lloj shumë interesant, me një përhapje gjeografike të vogël në nivel global. Popullata e këtij lloji është vlerësuar të ketë rënie të ndjeshme, për këtë arsye ky lloj mbart statusin “pothuajse i kërcënuar” në nivel global.

Fazani, lloj tepër i rrallë, i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje në Shqipëri. Fazani është dhe një shpend shumë tërheqës për shkak të kontrastit të ngjyrave që ka puplaja e tij.


Gjeli i egër

Thëllëza e malit

Fazani

Shpendët këngëtarë

Në pavionin e shpendëve këngëtarë ndodhen ekzemplarë të familjeve të ndryshme të këtij rendi si: laureshat, drenjat, tushat, bilbilthat, trishtilët, kacavjerrësit e pemëve, harabelët, gardelinat, cërlat etj.

Ndër llojet më tërheqës mund të përmendim: tushën vetullbardhë, gargullin, grifshën e detit, pupëzën etj. Lloje këto të gjitha pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë.

Gargulli

Tusha vetullbardhë

Grifsha e detit

Pupëza

Shpendët ekzotikë

Në Muzeun e Shkencave të Natyrës përveç llojeve të sipërpërmendur, gjenden edhe rreth 42 shpendë ekzotikë të dhuruar dhe 26 kolibra nga Amerika Jugore.

Gjitarët përfaqësohen në muzeun tonë nga 44 lloje dhe 52 individë, nga të cilët tre i përkasin rendit të Cetaceve (Gjitarë ujor): 1. Kashaloti (Physeter macrocephalus); 2. Delfini i zakonshëm turi-shkurtër (Delphinus delphis); 3. Foka e Mesdheut (Monachus monachus), e cila konsiderohet një lloj i rrezikuar në mënyrë kritike (CR) sipas IUCN.

Llojet e tjerë të gjitarëve në muzeun tonë i përkasin grupit të gjitarëve të mëdhenj (rendi Carnivora), siç janë ujku (Canis lupus), çakalli (Canis aureus) dhelpra (Vulpes vulpes), rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), macja e egër (Felis sylvestris), Ariu i murmë (Ursus arctos), si dhe gjitarëve me trup të mesëm (rendi Carnivora) si: baldosa (Meles meles), kunadhja (Martes foina), zardafi (Martes martes) lundërza (Lutra lutra), nuselala (Mustela nivalis), qelbësi (Mustela putorius), etj. Gjithashtu, të ekspozuar në muze do të gjeni edhe përfaqësues nga rendi dythundrakëve (Artiodactyla) si dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra rupicapra balcanica), kaprolli (Capreolus capreolus), derri i egër (Sus scrofa), etj. Në muze nuk mungojnë as përfaqësues nga rendi i brejtëseve (Rodentia) si: ketri (Sciurus vulgaris), përfaqësues nga familja e hundëgjatëve dhe minjëve, por edhe përfaqësues nga lakuriqët e natës (rendi Chiroptera).

Figura 8: Përfaqësues nga klasa e gjitarëve të ekspozuar në muze: a) foka e Mesdheut ; b) rrëqebulli; c) ujku; d) kaprolli

Gjatë vizitës suaj në pavionin e gjitarëve në muze, ajo që do t’ju tërheq vëmendjen është patjetër skeleti i balenës ose kashalotit (Physeter macrocephalus), i cili ndodhet i ekspozuar në hyrje të muzeut, me një gjatësi prej 8 m.

Sipas të dhënave që disponojmë, kashaloti është kapur në vitin 1958 në bregdetin e Durrësit së bashku me 7 individë të tjerë , ku mendohet se kanë ngecur në cektinë. Mendohej të ketë qenë një familje me 8 anëtarë, të cilët janë vënë në ndjekje të presë ose të ndonjë anijeje peshkimi dhe më pas kjo i ka drejtuar në ujërat e cekta të Adriatikut, nga ku s’kanë mundur të kthehen dot më pas në ujërat e thellë oqeanik. Një arsye tjetër që mendohet, është që balenat edhe mund të kenë ngatërruar rrugën duke ndjekur drejtimin e rrymave dhe aksidentalisht janë futur nga Atlantiku nëpërmjet ngushticës së Gjibraltarit në detin Mesdhe dhe më pas në Adriatik.

Figura 9: Skeleti i kashalotit (Ph. macrocephalus) i ekspozuar në muze