Prezantimi i librit: “Distribution atlas of vascular plants in Albania”, 26 Nëntor 2019
Libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” me autorë Zoltán Barina (Editor) dhe Alfred Mullaj, Daniel Pifko, Gabriella Somogyi, Marjol Meço, Marash Rakaj, është botuar në vitin 2017. Dr. Zoltán Barina, është prej vitit 2002 përgjegjës i bimëve fanerogame, pranë Herbarit, Departmenti i Botanikës, Muzeu i Historisë së Natyrës, Budapest (http://www.nhmus.hu/en/collections/department_of_botany). Gjatë periudhës 2004-2014, ai dhe kolegët janë marrë me studimin e florës së Shqipërisë, sidomos të llojeve të vështira në përcaktim, mbështetur në metoda morfologjike dhe molekulare. Hulumtimet kanë përfshirë gjithë vendin tonë, duke grumbulluar material bimor të pasur në formë herbari; gjithashtu, janë këshilluar me materialet bimore që gjenden në Hungari, në Vjenë, në Beograd, Brema, Sofje dhe Jena. Si rrjedhojë, ata kanë bërë publikime ku sillen të dhëna mbi qindra lloje bimore që janë raportuar për herë të parë prej tyre, si dhe saktësimin e vendgjetjes për shumë lloje të tjera. Përmendim këtu botimin më të fundit: ‘Checklist of vascular plants of Albania’ në revistën Phytotaxa (Barina et al., 2018), ku jepet një listë me rreth 5,480 lloje bimësh të larta të raportuara ose të mbledhura në territorin e Shqipërisë. Një pjesë e punës për grumbullimin e informacionit për librin “Distribution atlas of vascular plants in Albania” është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Herbarin Kombëtar të Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës. Ky libër është i një rëndësie të veçantë për studimet botanike në Shqipëri, për studiuesit shqiptarë dhe të huaj. Në këtë kuadër, Dr. Barina mbajti një kumtesë me titull: ‘Exploration of the flora of Albania - background of the volume Distribution atlas of vascular plants in Albania’, në datë 26 Nëntor 2019, ora 12.00-13.00, Salla D1, FShN, UT.
Ekspozita “Djep dhe Strehë - Hulumtimi i botës së gjallë në Ballkanin Perëndimor nga këndvështrimi hungarez”, Nëntor 2019
Ambasada Hungareze në Tiranë, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti Tiranës, hapën gjatë muajit nëntor 2019, ekspozitën me titull: ‘‘Djep dhe Strehë - Hulumtimi i botës së gjallë në Ballkanin Perëndimor nga këndvështrimi hungarez’’, pranë ambjenteve të Muzeut të Shkencave të Natyrës ‘’Sabiha Kasimati’’ FShN, UT. Ky aktivitet u realizua në kuadër të Muajit të Kulturës Hungareze në Tiranë.
Kjo ekspozitë ka në përbërje ekzemplarë të gjallë, ku vlen të përmenden disa koleksione të insekteve (fluturave), imitime të ekosistemeve dhe kafshëve të ndryshme si dhe foto e video të peizazheve, ekosistemeve e biodiversitetit në tërësi.
Ekspozita është kontribut i punës shumëvjeçare të studiuesëve dhe kërkuesëve hungarez, të cilët në bashkëpunim me ata vendas kanë realizuar ekspedita kërkimore pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Kjo ekspozitë u financua nga Ambasada Hungareze në Tiranë dhe iu bë dhuratë Muzeut të Shkencave të Natyrës ”Sabiha Kasimati”.
Nisja e fushatës mjedisore #SotperMjedisin, 7 Nëntor 2019
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi sot fushatën mjedisore #SotperMjedisin për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, ndotjen plastike dhe për të inkurajuar alternativat ndaj plastikës me një përdorim. Nuk kishte vend më të mirë se Muzeu i Shkencave të Natyrës "Sabiha Kasimati" për të çelur fushatën me pjesëmarrjen e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Ambasadorit austriak Christian Steiner, Ambasadorit gjerman Peter Zingraf, Ambasadores suedeze Elsa Håstad, projekteve të financuara nga BE-ja, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vullnetarëve.
“Bashkimi Evropian ka miratuar rregulla të reja për të ndaluar objektet plastike me një përdorim që prej vitit 2021 dhe shqiptarët duhet të përfitojnë nga i njëjti nivel i mbrojtjes së mjedisit. BE-ja po punon me shtetet anëtare për të përmirësuar mirëqenien, jetën e përditshme dhe mundësitë për shqiptarët. Sepse ata e meritojnë dhe sepse e afron edhe më shumë vendin me standardet e BE-së. Kam besim në veçanti tek #rinia shqiptare që ajo të shërbejë si shembull për pjesën tjetër të komunitetit. Bëhuni ndryshimi që dëshironi të shihni, dhe veproni për një Shqipëri më të pastër dhe më të #qendrueshme. Është vendi juaj, është Shqipëria juaj.”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
Muzeu i Shkencave të Natyrës merr emrin e shkencëtares Sabiha Kasimati, 15 tetor 2018
Më 15 tetor 2018, në ambjentet e Muzeut të Shkencave të Natyrës, u mbajt ceremonia me rastin e vendosjes së emrit të shkencëtares Sabiha Kasimati.
Sabihaja u lind më 15 shtator 1912, në Ederne, Perandorinë Osmane. Më 1927, së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë, ku vijoi dhe shkollimin. Në verën e 1936 iu akordua një bursë shtetërore për studime në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi iktiologjinë dhe doktoroi me temën "Fauna ittica di acqua dolce d'Albania" (Fauna iktike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Marrëdhëniet e Sabiha Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943. Ajo kërkoi të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Iktiologjinë, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”; të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri. Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke e posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative. Në mbledhjen e 18 shkurtit 1943 Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare vendosi të krijojë pranë Institutit, një muze të shkencave, për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë. Sabiha Kasimati është pushkatuar pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike. Ajo u arrestua më 20 shkurt 1951 dhe u pushkatua dy ditë më pas. Ajo akuzohej se ishte kundër regjimit komunist dhe se mbante lidhje me elementë armiq.
Më 8 mars 2018, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i propozoi Universitetit të Tiranës dhënien e emrit “Sabiha Kasimati” Muzeut të Shkencave të Natyrës, propozim që Senati Akademik i Universiteti të Tiranës e aprovoi unanimisht më 26 mars 2018.
Në datë 4 Maj 2018, në Kopshtin Botanik u zhvillua ceremonia e vendosjes së memorialit të themeluesit të këtij institucioni unik në vendin tonë, Prof. Mustafa Demiri.
Në këtë event, në fjalën e tyre përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Mynyr Koni, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Spiro Drushku, Përgjegjësi i Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës, Prof. Alfred Mullaj, Përgjegjësi i Kopshtit Botanik, Prof. Petrit Hoda, ish drejtoresha e Kopshtit Botanik, Prof. Liri Dinga, përmendën me mirënjohje dhe respekt, veprën e çmuar të prof. Demirit, në themelimin dhe drejtimin e Kopshtit Botanik, si edhe në kërkimin shkencor në fushën e Botanikës. Të pranishëm të tjerë në këtë event ishin bashkëpuntorë, kolegë, pedagogë, studentë dhe familjarë.
Prof. Mustafa Demiri është lindur në qytetin e Elbasanit, më 13 Maj 1923. Ai vazhdoi shkollën Normale të Elbasanit dhe më pas në vitin 1945-1946 punoi si mësues në rrethin e Gramshit. Në vitin 1946, filloi studimet e larta për Biologji në Zagreb dhe i mbaroi në vitin 1951 në Sofie. Pas mbarimit të studimeve, punoi për një periudhë të shkurtër në Ministrinë e Arsimit dhe si mësues në gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1952 emërohet punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në sektorin e Florës. Me krijimin e Universitetit të Tiranës, në vitin 1957, vjen si punonjës shkencor në Katedrën e Botanikës dhe në vitin 1965 emërohet si përgjegjës i Kopshtit Botanik, detyrë të cilën e kreu me pasion deri në vitin 1985, kur u nda nga jeta.
Për rreth 30 vjet, ai grumbulloi, përpunoi dhe studioi shumicën e florës dhe bimësisë shqiptare, në punime të tilla si “Flora e Tiranës”, “Përcaktues bimësh – Flora e vogël e Shqipërisë”, “Flora ekskursioniste e Shqipërisë”, “Flora e Shqipërisë” (bashkëautorë në vol 1 dhe 2), punime studimore dhe eksperimentale mbi shfrytëzimin dhe përmirësimin e kullotave dhe livadheve. Këto përfshihen në dizertacionin “Mbi biologjinë dhe vlerat ushqyese, prodhimtarinë e kullotave në Shqipërinë e Mesme”, në disa monografi për bimët foragjere “Manual për Kullotat” etj.
Prof. Mustafa Demiri mbetet një figurë e shquar e arsimit shqiptar, por monumenti i gjallë i punës së tij mbetet Kopshti Botanik, si i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ai udhëhoqi punën shkencore duke e bërë këtë institucion një qëndër të rëndësishme me vlera shkencore, mësimore dhe kulturore. Prof. Mustafa Demiri mban titullin “Mësues i Popullit” dhe “Çmimin e Republikës”
Ekspeditë botanike e organizuar nga OPTIMA (Organizata për Kërkimet Fito-Taksonomike në Rajonin e Mesdheut) dhe QKFF (Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës), 21 Qershor - 3 Korrik 2017
Kjo ekspeditë u organizua nga Gianniantonio Domina (OPTIMA - Palermo) dhe Profesor Alfred Mullaj (QKFF - Tiranë). Programi u nda në 5 pjesë, secila kushtuar studimit të një zone të veçantë: Librazhd (21 deri 24 qershor), Voskopojë (25 qershor), Berat (26-27 qershor), Kukës (28-29 qershor) dhe Valbonë (30 Qershor deri më 3 korrik). Në total u vizituan 116 zona, në të cilat u bë grumbullimi i bimëve.
Pas një thirrjeje publike për të marr pjesë në këtë ekspeditë, OPTIMA zgjodhi 2 pjesëmarrës të rinj dhe 8 ekspertë botanistë; Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës të Universitetit të Tiranës përzgjodhi 5 pjesëmarrësit shqiptarë. Në total grupi kishte 14 pjesëmarrës. Prof. Attilio Carapezza, një entomolog nga Palermo, u bashkua me grupin.
Pjesëmarrësit shqiptarë
Ermelinda Gjeta (21 qershor deri më 3 korrik)
Ermelinda Mahmutaj (21 deri më 24 qershor)
Oresta Saliaj (21 deri 27 qershor)
Mariol Meco (25 qershor deri më 3 korrik)
Ajola Mesiti (28 qershor deri më 3 korrik)
Pjesëmarrës të huaj (21 qershor deri më 3 korrik)
Gianniantonio Domina, Palermo
Werner Greuter, Palermo
Edda Lattanzi, Romë
Simonetta Peccenini, Xhenova
Eckhard Raab-Straube von, Berlin
Francesco M. Raimondo, Palermo
Giovanni Scafidi, Palermo
Ernst Vitek, Vienë
Salvatore Cambria, Katania
Davide Dagnino, Genova
Në tërësi, u grumbulluan 1738 specie të bimëve vaskulare. Grupet kryesore të ekzemplarëve, të herbarizuara, të renditura, të paketuara, pasi të identifikohen e përcaktohen, do të shpërndahen midis institucioneve pjesëmarrëse.