Kopshti Botanik

Historiku

Kopështi Botanik është një institucion shkencor-mësimor-çlodhës, ku të apasionuarit pas bimëve e natyrës në përgjithësi, mund të shohin e të njohin mjaft bimë të florës shqiptare e jo vetëm. Ai është themeluar në vitin 1971, ndonëse punimet për ndërtimin e tij kanë filluar vite më parë. Kopështi Botanik është pjesë e Qendrës së Kërkimeve të Florës e Faunës (QKFF), në Fakultetin e Shkencave Natyrore (UT), Tiranë.

I ndodhur në shpatet kodrinore jugore të Tiranës, në formën e një “oazi të gjelbër” brenda kaosit urban të zonës, ai përfaqëson të vetmin institucion të këtij lloji në Shqipëri. Që në fillimet e tij, ai është konceptuar e zhvilluar si mbi parime sistematike, pra të grupimit të bimëve sipas përkatësisë taksonomike, ashtu dhe fitogjeografike. Kjo e fundit vërehet sidomos në zonën jugore të Kopshtit, ku hasen grupime shkurrore-drurore, pasqyrë e tre zonave / brezave fitoklimatikë të Shqipërisë.

Pas kalimit të një situate të rëndë disavjeçare, ku Kopështi Botanik dëmtua nga kalimi i autostradës dhe ndërtimi i disa banesave brenda territorit të tij, tani ai po e rimerr vehten dhe po i rikthehet aktivitetit të tij normal, shkencor e mësimor. Aktualisht, ai ka një sipërfaqe prej rreth 13.5 ha. Në të strehohen rreth 800 taksone bimore, kryesisht të florës shqiptare.

Tematika shkencore ka të bëjë kryesisht me grumbullimin dhe katalogimin e taksoneve të florës spontane të Shqipërisë, përfshi këtu edhe atë të bimëve të rralla e të rrezikuara, pra të listës së kuqe, si dhe të asaj të bimëve me vlera përdorimi, sidomos të bimëve mjeksore e me vlera ushqyese. Në periudha të mëparëshme, aty janë kryer studime edhe në lidhje me studimin e bioteknologjisë së bimëve të introduktuara; studimin e teknologjisë së kultivimit të disa bimëve zbukuruese; studimin e trashëgimisë së tipareve të trëndafilave të kopshtijeve dhe krijimin e kultivarëve të rinj me hibridim; përmirësimin e livadheve dhe kullotave natyrore të Shqipërisë, studimet gjeobotanike të ahisheve, pyjeve të pishës së zezë në vendin tonë etj. Kopështi ka qenë dhe është mjaft aktiv në disa projekte të rëndësishëm si: Interreg II, Corine, Emerald, Peen-See, Natura2000, etj.. Vitet e fundit një rëndësi e veçantë po i kushtohet studimit të florës e bimësisë së zonave të mbrojtura, sidomos të parqeve kombëtare (Dajt, Tomorr, Llogara, Divjakë etj.) kryesisht me fokus grumbullimin e florës së tyre, për pasurimin e koleksioneve të Kopështit. Po kështu, studimi i florës së zonave urbane (Parku i Liqenit të Tiranës etj.), është në fokusin e punës kërkimore të këtij institucioni. Kopështi Botanik publikon Treguesin e Farave (Index Seminum), duke forcuar kështu marrëdhëniet me dhjetra Kopështe Botanike të botës, sidomos të Evropës.

Ndërkohë, Kopshti shërben edhe si një qendër e rëndësishme mësimore, pra si një “laborator në natyrë”, për zhvillimin e seancave të ndryshme mësimore në fushën e Botanikës e më gjerë, si nga nxënësit dhe studentët, ashtu dhe nga shumë dashamirës të florës shqiptare. Përveç studentëve të FSHN, Kopështi është mjedis mësimor edhe për studentët e drejtimeve biologjike të degëve të Pylltarisë e Prodhimit bimor (UBT), apo dhe për studentët e Biologjisë së universiteteve të Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës e Vlorës. Stafi kërkues shkencor, në bashkëpunim edhe me Departamentin e Biologjisë së FSHN-së, ka qenë dhe është mjaft aktiv në disa lëndë, të të tre niveleve mësimore të Degës së Biologjisë, si në Florikulturë, Gjeobotanikë, Metodat e Studimit të Florës e Bimësisë, Fitogjeografi, Biogjeografi, Legjislacion mjedisor etj.. Një pjesë e tij ushtron, gjithashtu, veprimtari mësimore edhe në fakultete ose dhe universitete të tjera, sidomos në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Edhe në aspektin çlodhës, Kopështi Botanik ofron mjedise të këndshme e të bukura, që shfrytëzohen me kënaqësi nga një publik i çdo moshe dhe pasioni.

Nga këndvështrimi i kontributeve kronologjike, fokusojmë veprimtarinë e paçmuar të prof. Mustafa Demiri (maj 1923-qershor 1985), themelues dhe drejtuesi i parë i Kopështit Botanik, një nga pionierët e Botanikës shqiptare. Po kështu, një kontribut me shumë vlera ka Prof. Dr. Liri Dinga, drejtuese për një kohë shumë të gjatë (1985-2008) e Kopështit Botanik. Vlen të përmendet, gjithashtu, edhe veprimtaria mjaft e lavdërueshme edhe e kërkuesve të tjerë, si Vasil Shqau, Eshref Palikuqi, Prof. Kozma Buzo, Prof. Mersin Mersinllari etj.

Koleksionet kryesore të Kopshtit Botanik

Ekspozicionet e florës barishtore. (nr.10 ne harte)

Këto gjenden në pjesën VP të Kopshtit. Aty bimët janë të renditura sipas shkallës evolutive në 4 sektorë: A (Equisetace-Rosaceae), B (Fabace–Boraginaceae), C (0Verbenaceae-Asteraceae), D (Juncaceae-Orchidaceae). Aktualisht, aty hasen vetëm rreth 310 specie, numër ky mjaft i reduktuar, si pasojë kryesisht i copëtimit të Kopështit prej kalimit të autostradës, sidomos në sektorët C e D.

Ekpozicioni i bimëve dru-shkurrore ( nr.11 ne harte)

Përbëhet nga 13 parcela të vogla, ku bimët janë grupuar sipas familieve (psh. Fabace, Fagaceae...), apo grupeve fizionomike (psh. “halorët, etj). Aktualisht, aty gjenden 155 specie, kryesisht të florës shqiptare.

Bimët mjekësore dhe ato të rralla (nr.9 ne harte)

Këtu mund të shihni rreth 147 specie bimësh me vlera mjekësore (Origanum vulgare, Satureja montana, Salvia, Artemisia, Melissa officinalis etj.). Në një pjesë të kësaj parcele janë introduktuar gjithashtu dhe bimë të Listës së Kuqe, të tilla si Sarcopoterium spinosum (L.) Spach (CR(A1c), endemikja Genista hassertiana (Bold). (NE), Gams, balkanikja Ramonda serbica Pancic, (VU(A1b)), Juniperus foetidissima Willd. (EN (A1b)) etj.

Serra

Ndonëse në gjendje relativisht të amortizuar, aty gjithsesi rriten mjaft bimë zbukuruese, shumica jo të florës spontane të Shqipërisë, por të ardhura nga vende të ndryshme, sidomos të atyre me klimë më të nxehtë.

Ekspozicionet të tjerë

  • Pemtorja Është rehabilituar vitet e fundit, me fidane dru-shkurror të florës spontane të Shqipërisë, e sidomos të atyre drurëve frutorë, të tillë si molla, dardha, muçmolla, kumbulla, pjeshka.

  • Trëndafilishtja dhe Ekspozicioni i bimëve zbukuruese (germa), që përveç vlerave estetike, shfrytëzohen ndonjëherë edhe për festa të ndryshme familjare apo regjistrime audiovizive.

  • Herbari dhe Faroteka janë aktualisht në rehabilitim (rindërtim)

  • Indeksi farave (Delectus Seminum). Është një listë farash, të grumbulluara në mjediset e Kopështit apo në ekspeditat e kryera në vende të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim shkëmbimin e materialit biologjik, të vlefshëm për mësim dhe punë kërkimore, me institucione të tjerë kërkimorë në mbarë botën. I publikuar për herë të parë në vitin 1981, ai është shkëmbyer me rreth 160 Kopshte Botanike, kryesisht europiane, duke lehtesuar pasurimin e koleksioneve të Kopshtit Botanik, por edhe shkëmbimin e vashdueshem të farave dhe informacionit shkencor për florën dhe bimësinë e Shqipërisë.

Indeksi_2015-2017

Klima

Bazuar në të dhënat klimatike të Tiranës, ai ka klimë mesdhetare, ku totali i rreshjeve mujore është 106 mm, kurse rreshjet mesatare vjetore jane 1273 mm; ndërkaq, temperatura mesatare vjetore është 15.10 dhe amplituda vjetore 17.10.

Adresa: Rruga Shyqyri Brari, Tiranë

email: kopshti.botanik@fshn.edu.al

Tel: 0035542464545

Orari: E hene-E premte:8-15.

Hyrja: Vizitore 50 Leke, Xhirime festash fajmiliare 1000L.

Siperfaqja: 13 ha

Drejtues:

Prof. Dr. Petrit Hoda (petrit.hoda@fshn.edu.al)

Stafi shkencor:

Dr.Ermelinda Mahmutaj (ermelinda.mahmutaj@fshn.edu.al)

Dr. Ajola Mesiti, (ajola.mesiti@fshn.edu.al)

Staf teknik:

Njazi Beluli, Fatmir Pasho, Valbona Permeti.