Pse Shkencat Humane dhe qasja me lojëra digjitale?
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës luan një rol kyç në këtë konsorcium duke sjellë ekspertizën thelbësore në shkencat humane, historike dhe sociale.
Lojërat serioze kërkojnë narrativë, kontekst historik, dhe kuptim të thellë të dinamikave shoqërore - elemente ku FHF ka një traditë të shkëlqyer.
Çfarë përfitojnë studentët tanë?
Studentët tanë të programeve të mësuesisë do të jenë ndër të diplomuarit e parë në rajon të përgatitur me një kurrikulë të orientuar drejt së ardhmes. Ata nuk do të mësojnë vetëm si t'i përdorin lojërat në klasë, por do të njihen me procesin kreativ të dizajnimit të një loje (Game Design), nga ndërtimi i konceptit, shkrimi i skenarit historik / social (storytelling), deri te zbatimi i ekuilibrave pedagogjikë në lojë.
Rezultatet e pritshme:
Krijimi i qendrës teknologjike / laboratorit në ambientet tona.
Përfshirja e metodologjive dixhitale në lëndët ekzistuese të formimit psiko-pedagogjik.
Pjesëmarrja e studentëve dhe pedagogëve në trajnime dhe shkolla verore ndërkombëtare.
Projekti EduGame synon përmirësimin e trajnimit të mësuesve në Ballkanin Perëndimor dhe në Mesdheun Jugor, duke promovuar të mësuarit e bazuar në lojëra si një qasje të re pedagogjike. Kjo do të rrisë cilësinë e formimit të studentëve në gjashtë programe të modernizuara Bachelor dhe Master. Qëllimi është modernizimi i kurrikulave të formimit të mësuesve, hartimi i materialeve mësimore cilësore, si dhe pajisja e laboratorëve EduGame me qasje pedagogjike inovative dhe teknologji arsimore të avancuara.