Mirësevini në faqen informative të projektit EduGame (Serious Games for Creativity and Social Cohesion in Teacher Education), të zbatuar në Universitetin e Tiranës, nën koordinimin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
Në një epokë të transformimeve të shpejta dixhitale, EduGame përfaqëson një nismë strategjike për të revolucionarizuar mësimdhënien dhe përgatitjen e mësuesve të ardhshëm. Duke integruar "Lojërat Serioze" (Serious Games) si një mjet të avancuar didaktik, projekti synon të pajisë studentët dhe stafin akademik me metodologjitë më të fundit bashkëkohore për të promovuar vlerat thelbësore të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe kohezionit social.
Në kuadër të projektit EduGame, Universiteti i Tiranës mirëpriti Prof. Judita Kasperiūnienė dhe PhD. Dovile Kuizinienė nga Universiteti Vytautas Magnus, Kaunas, Lituani. Ato u pritën nga Zv.Rektorja e UT Prof.Dr. Anila Paparisto dhe Dr. Erida Elmazi. Në takim u diskutua mbi ecurinë e projektit “ Serious games for creativity and social cohesion in teacher education”, në vitin e tretë të zbatimit.
Më pas vizita vijoi në Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, ku u pritën nga Dekani, Prof. Dr. Mark Marku dhe Drejtuesja e Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Valentina Duka.
Pas vizitës në laboratorin e EduGame, Prof. Kasperiūnienė zhvilloi një seminar trajnues mbi përdorimin e Inteligjecës Artificiale në mësimdhënie, që u ndoq me mjaft interes nga pedagogë, mësues dhe studentë të fakultetit.
Inaugurimi i laboratorit të ri digjital në Departamentin e Historisë - Projekti EduGame
7.3.2025 - Në një ditë simbolike si 7 Marsi, festa e mësuesit, u inaugurua laboratori i ri digjital i Departamentit të Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, një investim i rëndësishëm në kuadër të projektit 𝐄𝐝𝐮𝐆𝐚𝐦𝐞, financuar nga projektet europiane Erasmus. Ky laborator modern synon të integrojë teknologjinë digjitale në studimet historike, duke krijuar një hapësirë të avancuar për mësimdhënie interaktive dhe kërkime shkencore.
Në ceremoninë e inagurimit morën pjesë Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku, Zëvendësdekani Prof. Dr. Sezai Rrokaj, Administratorja e Fakultetit, Parashqevi Pogaçe, Përgjegjësja e Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Valentina Duka, si dhe stafi akademik dhe studentë.
Ky investim i rëndësishëm përkon me përkushtimin e vazhdueshëm për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor. Falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti dhe urojmë që ky laborator të shërbejë si një burim i çmuar për studentët dhe pedagogët në rrugëtimin e tyre akademik. Gëzuar festën e mësuesit!