Nata e Miraxhit

Israja dhe Miraxhi


Miraxhi është një shkak sprovimi. Nuk mund t’i shpjegohet personave që nuk i pranojnë bazat e besimit. Atyre duhet prezentuar Allah’un xh.xh. dhe duhet të mundohemi që ta duan Atë. Atyre që nuk e dinë dhe nuk e duan Allah’un, nuk është e mundshme tu shpjegohet një mrekulli e tillë. Posaqërisht atyre që janë këmbëngulës në mohimet e tyre.


Na tregohen tre gjëra që na drejtojnë kah njohja e Allah’ut xh.xh.:

I pari, Libri i Gjithësisë; na paraqitet në konceptin tonë me gjithë vullnetin dhe madhështinë e tij.

I dyti, Kurani i Madhërishëm; komentimi dhe tefsiri më i mirë i Librit të Gjithësisë, burim i jetës sonë.

I treti, Pejgamberi a.s.v.s.; Ai që ka kuptuar më së miri dhe na ka treguar në mënyrën më të mirë të mundshme Librin e Gjithësisë dhe Kuranin, arsyeja e krijimit të gjithësisë, Zotëria ynë. Ai s.a.v.s, është Lajmëtari i Fundit që i tregoi njerëzve rrugët e lumturisë të caktuara nga Allahu. Ai, ashtu si është hallka e fundit e pejgamberisë, edhe mesazhi i Tij s.a.v.s. është gjithëpërfshirës.


Mrekullitë janë gjendje të jashtëzakonshme që iu janë mundësuar Pejgamberëve nga ana e Allah’ut. Shërbejnë si një diplomë, çertifikatë e lëshuar nga Allahu, për vërtetimin e qenies së tyre pejgamberë. Nga më shumë se një mijë mrekulli sa iu ishin dhënë Vulës së Profetëve, e para është Kurani Muxhizul Bejan (i Shpjegimit të Mrekullueshëm). Në përcjellje të sajë, vjen Miraxhi. Miraxh do të thotë ngritje, udhëtim së larti; ndërsa Isra do të thotë udhëtim gjatë natës.


Dera e Miraxhit hapet me ubudijjet (të qenurit abd-rob). Rasulullahu s.a.v.s. ishte abd. U ngrit në Miraxh me ubudijjet. Edhe “Muhammeden abduhu ue Rasuluh” e shpreh këtë koncept. Nga mësimet e Tij s.a.v.s. Kuptojmë se kjo derë është e hapur edhe për ne.


Namazi është miraxhi i besimtarit (Munavi,Fejz-ul Kadir). Namazi është ibadeti më i lartë që na afron tek Allahu. Namazi na largon nga çdo lloj ligësi dhe e sistemon/e rregullon jetën tonë. Na siguron një jetë me harmoni dhe lumturi. Namazi në të njëjën kohë është një vetëllogaritje; na kujton llogarinë e jetesës sonë, në prani të Allah’ut të Plotëfuqishëm.


Netët e mira, netët e shenjta, që janë prezent shumë herë brenda vitit, janë një argument i çartë i mëshirës së Allah’ut për ne. Ai xh.xh. na ofron shumë arsye/mundësi për falje!


Suretul - Infitar (82: 6-8)

“O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!”


Miraxhi është edhe shenjë për dhembshurinë e madhe të Rasulullahut s.a.v.s. për ne. Ai a.s. e pa Xhennetin me të gjitha bukuritë e saja dhe arriti Xhemalullahun (Shikimin e Bukurisë së Allah’ut); ku një çast me Xhemalullah nuk i ngjason mijëra viteve të përjetimit të mirësive të Xhennetit, por përsëri Ai s.a.v.s. dëshiroi kthimin te popullin e Tij a.s. dhe tërë jetën e kaloi me mundime për t’i bërë njerëzit të fitojnë këto mirësi. Ai jetoi që të tjerët të jetësojnë!


Njëjtë sikur një person shpërblen të afërmit e tij me dhuratat më të mira, edhe Ai a.s.v.s. erdhi nga Miraxhi me dhuratat më të mira për ummetin e Tij; të marra nga Allahu Fuqiplotë:


1. Arsyen më të fortë për përsosmërinë e njeriut, NAMAZIN.

2.Dy ajetet e fundit të sures Bekara:

285. I Dërguari i besoi asaj, që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Te Ti do të jetë kthimi ynë”. 286. Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!


Pejgamberi a.s. ka thënë: “Atij që i lexon me kujdes dy ajetet e fundit të Bekaresë, i mjaftojnë si përkujtim ndaj Zotit për atë natë” (Buhariu)


3. Falja e mëkateve të personave që vdesin pa shirk, pa ia atribuar Allah’ut ortak.


Disa njohuri shtesë:

Për rreth 3 vite myslimanët u bojkotuan nga shoqëria mekase: u ndalua çdo marrëdhënie sociale me grupin e myslimanëve, nuk u lejuan të mbanin madje edhe lidhjet farefisnore, si dhe nuk u lejohej të merreshin me aktivitetet ekonomike bazike për mbijetesë. Profeti Muhamed a.s. bëri përpjekje të gjente shpresë në Taif (një zonë afër Mekës), por edhe atje e dëbuan në mënyrë të dhunshme. Dëshpërimi i Tij a.s. u shumëfishua me ndërrimin jetë të bashkëshortes Hatixhe dhe xhaxhait Ebu Talib, dy njerëzit që më së shumti e përkrahën dhe e mbrojtën. Ky vit quhet edhe “viti i hidhërimit”. Në këtë situatë tejet të rënduar, Allahu e ftoi pranë, për t’ia bërë me dije se nëse në tokë të kanë vdekur “mbrojtësit”, në qiej ke Allahun, që nuk vdes dhe që nuk të lë të pambrojtur. Ja pra, 12 vite më parë, në Malin e Dritës, Allahu, nëpërmjet ndërmjetësit të Tij – engjëllit Xhibrijl – i shpalli dhe i besoi pejgamberit Muhamed a.s. kumtimin e fesë Islame, pas 12 vitesh sprova, qëndrueshmërie, vendosmërie e durimi të lartë, tashmë kishte ardhur koha që Vetë Krijuesi i Gjithëmëshirshëm ta ftonte në takim të drejtpërdrejtë të përzgjedhurin e Tij, të dërguarin e Tij për gjithë njerëzimin, Muhamedin e Nderuar a.s.. Allahu, Shpikës i universit dhe ligjeve të tij, ia mundësoi profetit Muhamed a.s. të kryejë Isranë dhe Miraxhin.


“I Madhëruar është Allahu që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës nga Mesxhidi Harami (prej Qabes) në Mesxhidi Aksa (xhamia Aksa në Jerusalem), mjedisin e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi, pamësi (i punëve të Muhamedit).” (Kuran, 17/ 1)


“… Zemra nuk e mohoi atë që e pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që e ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) te Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhennetul Me’va (kopsht strehimi i …). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai, (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (Kuran 53/ 2-18)


Përkthyer nga shkrimi Kur'an-ı Kerim ve Hadisler ışığında Miraç, Mehmet Ali Şengül. (http://www.shaber3.com/kuran-i-kerim-ve-hadisler-isiginda-mirac-haberi/1284633/)