Fshati përbëhet nga 4 grupime shtëpish, që shtrihen në dy pellgje ujëmbledhëse: në atë të Vermoshit dhe në atë të Cemit, në lartësinë mbi 1260 m. Lepusha vlerësohet si kryevepra e natyrës së Kelmendit dhe si "perlë" e Alpeve Shqiptare. Male të larta (Kontrasti më i theksuar këtu është peizazhi alpin i bllokut të Shenikut në Bjeshkët e Namuna me atë të maleve të tjera përreth) me 5,297 ha kullota të gjelbra dhe pyje rriten këtu. Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lepushës.Bie kaq shume borë në dimër, saqë trashësia e saj ka arritur deri në 425 cm, më e larta në vendbanimet shqiptare.
Ai ndodhet në skajin më verior të Republikës së Shqipërisë. Vermoshi gjendet në një distancë prej 95 km nga qyteti i Shkodrës. E gjithë kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Këtë emër mban edhe komuna në fjalë. Ky emërtim vjen nga fjala latine “climens”, që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë. Mbasi udhëtohet në një rrugë dramatike dhe spektakolare malore nga Shkodra për në Vermosh, duke kaluar objekte të tilla si qafën e Rrapshit dhe urën e Tamarës mbi lumin e Cemit, udhëtari mbërrin në fshat, i cili është ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit. Gjendemi në një luginë me origjinë akullnajore, të vendosur në lartesinë 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës, ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.
Fshati shtrihet në krye të Cemit të Vuklit dhe rrëzë majës së Shenikut (Bjeshkët e Namuna), në një gropë të thellë me lartësi 600 m mbi nivelin e detit.
Rëndësia turistike e shpellave rritet, sepse nga ky fshat mund të ngjitesh në Bjeshkët e Namuna. Kur del në Qafë të Dobracës, lartësohet nga e djathta Forca e Kelmendit, një mrekulli e vërtetë e natyrës dhe një monument i rëndësishëm i historisë së banorëve. Ajo përbën një pllakë të fuqishme gëlqerore, me pjerrësi mesatare ndaj fshatit dhe me formë vezake, afro 1000 m gjatësi dhe rreth 450 m gjerësi. Mbi të gjenden ahe dhe pisha dhe në mes të saj del një burim i ftohtë ujor, mbi 20 m lartësi. Nga lindja ka vetëm një hyrje, që mund të mbrohet shume lehtë në rast nevoje. Në këtë vend, në vitin 1638, janë mbledhur kelmendasit për t'u mbrojtur nga pushtuesit turq. Rezistenca dhe vuajtjet e tyre janë përmendur nga shumë studiues të huaj, sidomos nga J. Hahni në punimin: 'Studime shqiptare', 1854.
Tamara është një fshat në komunën Kelmend në rrethin e Malësisë së Madhe të Shqipërisë.
Tamara është qendra administrative e Kelmendit që më 1935. Shtrihet buzë Cemit të Selcës, aty ku Cemi i Selcës bashkohet në një lumë të vetëm me Cemin e Vuklit, në lartësi 235 m mbi nivelin e detit. Emri i fshatit vjen nga Tamara, e shoqja e Vezirit të Shkodrës, me fondet e së cilës u ndërtua në gjysmën e dytë të shek.XVIII një urë e re mbi Cemin e Vuklit, 75 m. Kjo urë mori emrin e Tamarës dhe po këtë emër mori edhe fshati i mëvonshëm. Më parë Tamara ka qenë kullota dimërore e Selcës, kurse më vonë qendër administrative. Më 1945 kishte 19 ekonomi me 116 banorë, me 8.6 ha. Ndërsa sot, në këtë sipërfaqe toke (8.7 ha) ka rreth 500 banorë. Banorët e fshatit janë të ardhur nga Selca, Vukli, Broja, Kozhnja etj. Eshtë një fshat i vendosur në një gropë të thellë rreth 1000 metra poshtë majave të maleve. Qendra ka shtëpi dhe apartamente banimi. Në mes tyre është shkolla e mesme, me një kënd të mirë sportiv, dhe, më tej, spitali dykatësh i zonës, kisha, dyqane, bar-restorante etj.
Vukli është një fshat në komunën Kelmend në rrethin e Malësisë së Madhe të Shqipërisë.
Vukli shtrihet aty ku lugina e Vuklit merr përmasat e një pellgu. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një popullim të hershëm në këtë vend, të paktën që në periudhën e neolitit. Në dokumente të shkruara në vitin 1497, Vukli njihej me emrin Shpaja, me 4 katunde dhe 112 shtëpi. Për herë të parë, emri Vukël përmendet në vitin 1671. Ky emër vjen nga Vukë, kreu i ardhur nga Vuthaj. Në fillim të shekullit XIX Vukli kishte 94 familje dhe më 1998 kishte 1311 banorë.Shpellat dhe burimet karstike janë të shumta. Disa shpella, si: ajo e Lule Ndreut, Prehareve etj., flasin me gjuhën e historisë, të tjera, si: shpella e Gjarperit, Borës, Shterris (Shtylle), Humit (Stepëz), kanë dukuri karstike. Të tjera presin të eksplorohen. Shpellat e Vushës dhe Shkëmbinjtë e Gurrës së Gegëve ofrojnë vlera turistike. Burimet, Kopotet e Huteve në Llugë, Jazvina dhe Pepusha, formojnë mjedise mjaft të këndshme e çlodhëse. Klima është shumë e shëndetshme.
Selca është një fshat në komunën Kelmend në rrethin e Malësisë së Madhe të Shqipërisë.
Ajo shtrihet atje ku lugina e Selcës është më e zgjeruar dhe më pjellore, midis maleve të Lerthit e Koshticës dhe Golishit e Dubinës. Eshtë një vendbanim i vjetër që përmendet në dokumentet e vjetra që nga shekulli XV. Deri në vitin 1935 ishte qendra e Kelmendit. Në mars 1998 numëronte 1,187 banorë. Fshati përbëhet nga 11 grupe shtëpish, por është e pamundur të gjendet një pikë, qoftë kjo edhe majë mali, nga e cila të jepet mundësia t'i vështrosh ato përnjëherësh. Në Selcë ka disa objekte të rëndësishme turistike. Krejt papritur një kanion i bukur me përmasa të konsiderueshme, që banorët e quajnë "Gerrle" shfaqet midis shtëpive dhe arave të mbjella me një gjerësi aq të vogël, sa kurorat e drurëve vende-vende afrohen nga njëri breg në tjetrin. Kur bien shira të rrëmbyeshme, përplasjet e mëdha të ujit mbi shkëmbinjtë shkaktojnë dallgë të larta dhe një zhurmë të mbytur në thellësi të kanionit. Në Pepaj takohet një grup gurësh me forma mjaft interesante, për shkak të veprimtarisë erozive. Speleologu ka çfarë të eksplorojë në Selcë: shpellën e Pogonicës, Gradit, Rrugës, Zgorolicës, Pollogës, Vllojakut, Pajës, Turçinit, etj. Nga toka shpërthejnë lirshëm burimet ujore dhe nga malet zbresin vrullshëm ujëvarat. Kryevepra e ujëvarave të Kelmendit dhe ndoshta e të gjithë vendit është ajo e Sllapit.