Gjatë periudhës osmane, pati një sërë përpjekjesh për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kleriku katolik që shkroi librin më të vjetër të njohur në gjuhën shqipe, Gjon Buzuku, besohet të ketë qenë me prejardhje kosovare. Po ashtu, peshkopi katolik Pjetër Bogdani, i lindur në Kosovë, botoi kryeveprën e tij Çeta e Profetëve më 1686 dhe më vonë i priu lëvizjes antiosmane. Angazhimi i tij në çështjen kombëtare kulmoi më 1689, kur krijoi ushtri prej 20 mijë luftëtarësh shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, të cilët iu bashkëngjitën austriakëve në luftë kundër Turqisë. Fushata përfundoi me çlirimin e përkohshëm të Kosovës, por pas murtajës së përhapur mes austriakësh e kosovarësh, turqit i rikthyen trojet e humbura. Vetë Bogdani vdiq nga murtaja në dhjetor 1689, ndërsa eshtrat e tij u nxorën me egërsi nga varri prej turqve dhe tartarëve dhe u përdorën si ushqim qensh.[35] Disfata pati pasoja negative në mirëqenien e të gjithë banorëve të Kosovës, çlirimi i të cilëve nuk u arrit as në mësymjen austriake të shek. XVIII.

Bisedimet për statusin final të Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rezultuan pa marrëveshje. Kompromisi i ofruar nga pala kosovare parashihte Kosovën si shtet të pavarur multietnik, si pikë në mes të bashkimit me Shqipërinë ose mbetjen nën Serbi, kurse pala serbe propozoi disa versione të ndryshme për autonomi. Kombet e Bashkuara, në ndërkohë, dërguan përfaqësues të tyre ish-kryetarin finlandez Martti Ahtisaari, i cili nxori më 2007 Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej pavarësi e mbikëqyrur me të drejta të zgjeruara për pakicat, sidomos serbët. Në bazë të këtij plani dhe duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Kostarika dhe Afganistani ishin vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës, të përcjella nga Shqipëria, SHBA-të, Britania, Gjermania dhe Franca. Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur edhe u bë transferimi i plotë i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore. Gjithashtu u nënshkrua më 9 shkurt 2008 marrëveshja me Bashkimin Evropian për deplikimit e misionit për sundimit e ligjit, EULEX, si dhe u parapa themelimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.[nevojitet citimi]




Map Kosova