Edi Rama është lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me Linda Ramën dhe kanë tre fëmijë, Gregun, Rean dhe Zahon. Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave “Refleksione” në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe “Kurban”, botuar në vitin 2011, i përkthyer në turqisht, serbisht e rumanisht. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë.
Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve. Pas një largimi disavjeçar jashtë Shqipërie, ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë post-komuniste, Edi Rama hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998. Gjatë periudhës që drejtoi këtë ministri, ai fitoi mbështetjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për mënyrën kreative dhe të efektshme të promovimit të artit dhe kulturës në vend.
Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Pas fitores, ai ndërmori një fushatë transformimi dhe rigjenerimi të kryeqytetit, duke rikthyer hapësirat publike të pastruara nga ndërtimet pa leje, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe përgjithësisht duke sjellë një vizion dhe frymë të re administrimi të punëve të kryeqytetit. Nën lidershipin e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një institucion modern evropian. Projektet e tij për futjen e ngjyrës në hapësirën publike përmes fasadave të rrënuara të banesave popullore të periudhës komuniste, rehabilitimi i shtratit të Lumit Lana, shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra në kryeqytet dhe rindërtimi me standarde të reja projektimi i rrjetit rrugor të Tiranës janë vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ku mund të përmenden, World Mayor Award (2004) dhe European Hero Award i revistës Time. Edi Rama u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007, dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë. Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013. Nën drejtimin e Ramës si Kryeministër, Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014.
Nën këtë lidership nisi zbatimi i një reforme epokale në sistemin e drejtësisë, reformë që do të pastrojë nga sistemi të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk mund të shpjegojnë burimin e pasurisë së tyre apo që kanë dhënë vendime arbitrare në të shkuarën. Gjithashtu, në periudhën 2013-17, u zbatuan një numër reformash të tjera thelbësore, si reforma në sektorin e energjisë elektrike, ajo e skemës së pensioneve, reforma administrativo-territoriale, reforma në administratën publike, etj.
Një prej treguesve më pozitivë, gjatë mandatit të parë të qeverisë “Rama” ishte nxjerrja nga puna në të zezë e punësimi real i më shumë se 200 mijë shqiptarëve dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike, nga niveli thuajse zero i gjetur në 2013-n, në mbi 3,5%. Institucionet ndërkombëtare vlerësojnë se rritja ekonomike do të kalojë barrierën e 5%, deri në 2020-n. Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Edi Rama udhëhoqi socialistët drejt një mandati të dytë qeverisës. Pas rezultatit të thellë të shënuar në zgjedhje, për herë të parë në 25 vjet, një forcë politike do të drejtojë e vetme vendin, pa pasur nevojën e formimit të një koalicioni qeverisës. Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 që u mbajtën në Shqipëri më 25 prill, Edi Rama fitoi mandatin e tretë, ku u konfirmua fituese Partia Socialiste me 74 mandate. PS mori një numër votash prej 768 250 Vota, që përbëjnë 48.68% të totalit vota të vlefshme.
Partia Socialiste me në krye Edi Ramën, siguroi mandatin e katërt qeverisës radhazi në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 11 Maj 2025, ku sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ kjo parti ka siguruar një shumicë të qartë me 83 deputetë. Fitorja e Partisë Socialiste më 11 maj konsiderohet një fitore historike në kontekstin e demokracisë pluraliste në Shqipëri. Kjo fitore nuk është vetëm rezultat i një qeverisjeje të mirë, por dhe të fushatës së mirëmenduar nga kjo parti, si dhe te një sërë faktorëve të ndërthurur politikë, ekonomikë dhe socialë. Në fjalimin e fitores vetë Edi Rama e konsideroi fitoren e katërt që i dhanë shqiptarët si një mandat me besim të lartë, pasi ky mandat sipas tij është për një Shqipëri të re, për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Prej shtatorit 2023, Igli Hasani mban postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Më herët, gjatë periudhës 2021-2023, Z. Hasani ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Aktivitetet Ekonomiko-Mjedisore.
Përpara se t’i bashkohej OSBE-së, Z. Hasani ishte Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë (2018 – 2021). Në vitin 2019-të drejtoi Grupin e Kontaktit të Mesdheut, si pjesë e Trojkës së OSBE-së.
Gjatë kryesimit të Presidencës shqiptare të OSBE në vitin 2020, Hasani ishte Kryetari i Këshillit të Përhershëm të organizatës, ndërsa në vitin 2021 mbajti detyrën e Kryetarit të Grupit të Bashkëpunimit të Partnerëve Aziatikë. Ai ka përvojë 17 vjeçare pune (2001 – 2018) në Ministrinë e Mbrojtjes, në disa poste të larta drejtuese.
Z. Hasani ka ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale për Filozofi-Sociologji, Fakultetin e Drejtësisë, si dhe studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në King’s College, Londër. Njëherësh, ai ka kryer një sërë kualifikimesh të larta profesionale në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Qendrën Marshall në Gjermani etj.
Ministri Constantinos Kombos mban postin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros që prej datës 1 mars 2023.
Është diplomuar për Drejtësi të BE-së, i specializuar për të Drejtën Kushtetuese Evropiane dhe ka bërë rekomandime Dhomës së Përfaqësuesve mbi çështje të së drejtës së BE-së dhe Kushtetutës së Qipros. Ai është autor i 6 librave. Ka shërbyer si Kryetar i Komisionit të Drejtësisë në Senat. Si pjesëtar i ekipit negociator të Çështjes së Qipros në vitin 2014 ka marrë pjesë në të gjitha fazat dhe nivelet e procesit të negociatave, Gjeneva I, Crans-Montana, Gjeneva II.
Eni Vasili është gazetare, shkrimtare, ish-raportuese lajmesh dhe moderatore e emisionit të njohur televiziv Open, i cili fillimisht u transmetua në Top Channel dhe më pas u kalua në News 24. Prej prillit 2025, ajo shërben si Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH-së (Radio Televizioni Shqiptar), transmetuesi publik i Shqipërisë, duke u bërë gruaja e parë në historinë e këtij institucioni që mban këtë pozicion.
Megi Fino shërben si Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë që nga qershori 2021.
Ajo lindi në Janinë më 7 Prill 1993. Studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate (IB) Diploma i përfundoi në Pekin në vitin 2012. Më pas studioi drejtësi në City, University of London në Britaninë e Madhe, prej të cilit zotëron edhe diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe në vijim diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC). Në vitin 2015, u diplomua në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London.
Znj. Fino u angazhua si këshilltare ligjore për çështjet e emigracionit në studio ndërkombëtare gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në qendra për shërbim juridik falas, me orientim asistencë sociale.
Prej vitit 2018, ajo punoi si avokate në studion ligjore CMS Adonnino Ascoli & Cavasola Scamoni në Tiranë, dhe më pas si eksperte rregullatore në departamentin ligjor dhe të marrëdhenieve me jashtë të kompanisë Vodafone Albania.
Në vitin 2021, znj. Fino hartoi Indeksin e Integritetit, pjesë e projektit STAR 3 për reformën e qeverisjes lokale, duke shërbyer si këshilltare integriteti e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht, si dhe njeh mire gjuhën kineze, italiane dhe greke.
Silvio Gonzato e nisi karrierën e tij në Bashkimin Evropian në vitin 1988. Para emërimit si Ambasador i BE-së në Shqipëri, ai ka qenë Ambasador, Zëvendës Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Para emërimit si Ambasador i BE-së në Shqipëri, ai ka qenë Ambasador, Zëvendës Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Ai ka qenë më parë Drejtor për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale, Koordinimin e Politikave dhe Diplomacinë Publike në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS). Përgjegjësitë e tij mbulonin marrëdhëniet me të gjitha institucionet e BE-së dhe përfaqësimin e EEAS-së në negociata që kanë implikime institucionale apo ligjore, përfshirë sanksionet. Ai ka qenë përgjegjës për koordinimin e të gjitha dosjeve politike dhe legjislative, si dhe për përgatitjen e mbledhjeve të Këshillit të Punëve të Jashtme. Ai ka qenë gjithashtu përgjegjës për aktivitetet e diplomacisë publike (përfshirë promovimin e çështjeve kulturore në marrëdhëniet e jashtme të BE-së) dhe çështjet e komunikimit strategjik. Në këtë kontekst, ai ka mbikëqyrur strategjinë e komunikimit të EEAS-së, përfshirë aktivitetet që synojnë luftën kundër manipulimit të informacionit nga burime të huaja.
Më parë ai ka qenë Drejtor për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në EEAS. Në këtë cilësi, ai ka qenë përgjegjës për organizimin dhe përmbajtjen e gjithë dialogjeve dhe konsultimeve në lidhje me të drejtat e njeriut ndërmjet BE-së dhe vendeve partnere (mbi 40 prej tyre), hartimin e udhëzimeve të politikave dhe udhëzimet për delegacionet dypalëshe dhe shumëpalëshe të BE-së në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe mbështetjen e demokracisë. Ai ka qenë gjithashtu përgjegjës për aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve.
Ai ka qenë po ashtu Shef i Sekretariatit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian në periudhën 2009–2014, ku ka këshilluar kryetarin për prioritetet dhe organizimin e punës së komisionit.
Me formim në gjuhë dhe letërsi, ai flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, si dhe ka disa njohuri të spanjishtes.
Ai është italian, i martuar, dhe ka dy djem.
Adnan Dibrani (lindur në Mitrovicë, Kosovë) është një politikan suedez nga Partia Social Demokrate dhe një Anëtar i Parlamentit Evropian që nga korriku 2024. Ai mbërriti në Suedi si një refugjat shtatëvjeçar në vitin 1992, dhe më pas studioi ekonomi dhe punoi si punonjës banke përpara se të hynte në politikë. U zgjodh në Parlamentin Suedez në vitin 2014, duke përfaqësuar Hallandën, ku përqendroi punën e tij në reforma tatimore, bizneset e vogla dhe çështjet sociale, ndërkohë që shërbeu edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në zgjedhjet evropiane të vitit 2024, ai u bë shqiptari i parë nga Kosova i zgjedhur si deputet në Parlamentin Evropian.
Në Parlamentin Evropian, Dibrani ka qenë aktiv në punën legjislative për politikën ekonomike, praktikat tregtare ndërkufitare dhe drejtësinë në tregun bujqësor.
Ai është gjithashtu anëtar i Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri (D-AL).
Steven Blockmans është Senior Fellow dhe ish-Drejtor i Hulumtimeve në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS, Bruksel).
Ai është gjithashtu Senior Fellow në Qendrën Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri (ICDS, Tallinn), Profesor Vizitues në Kolegjin e Evropës (Bruges, Natolin, Tiranë) dhe Redaktor i Pavarur i European Foreign Affairs Review.
Andi Dobrushi udhëheq dhe mbikëqyr të gjitha iniciativat filantropike, avokiminrajonal dhe operacionet e OSF të Ballkanit Perëndimor, duke punuar ngushtë meKryetarin e OSF-së dhe drejtuesit e lartë. Ai përfaqëson interesat e OSF-së në rajondhe gjithashtu harton, udhëheq dhe zbaton iniciativa ndër-rajonale.
Më herët, Andi ka punuar pranë Qendrës Evropiane për të Drejtat e Romëve nëBudapest, ku ka përfaqësuar çështje para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriutdhe disa Komiteteve të OKB-së. Ai ka shërbyer gjithashtu si ekspert për Komisionerine Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Këshillin e Evropës,Agjencinë e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore, Qendrën Norvegjeze përtë Drejtat e Njeriut, si dhe për OSBE-në.
I vlerësuar gjerësisht në qarqet politike, diplomatike dhe të shoqërisë civile nëShqipëri dhe rajon, Andi ka aftësinë të zhvillojë marrëdhënie të ngushta meinstitucione kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me aktorë rajonalë dhe evropianë.
Ai ka përfunduar studimet për LL.M. në të Drejtën Evropiane të Biznesit pranëUniversitetit Evropian Qendror, pas diplomimit në juridik në Universitetin e Tiranës.Së fundmi, ndoqi modulin ekzekutiv Leading Green Growth në Harvard KennedySchool.
Nazim Rashidi është gazetar i njohur në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ka punuar për 12 vjet në BBC World Service, në Londër dhe në Ballkan. Prej 14 vitesh, ka qenë Autor, Prezantues dhe Redaktor i “Programit 200” në TV Alsat, një nga programet më të rëndësishme socio-politike në Maqedoninë e Veriut, program pionier me formatin unik shumëgjuhësor (shqip, maqedonisht, anglisht), duke promovuar dialogun, përfshirjen dhe mirëkuptimin ndërkulturor.
Nazimi është, gjithashtu, aktiv në shoqërinë civile dhe të drejtat e njeriut, ku vepron si këshilltar për media dhe politika, ekspert, trajner dhe ligjërues. Puna e tij ndërthur median, dialogun publik dhe hartimin e politikave, me një përkushtim të fortë për të forcuar vlerat demokratike dhe shoqëritë gjithëpërfshirëse.
Prej muajit shtator 2023, Ogerta Manastirliu, mban postin e Ministres së Arsimit dhe Sportit.Znj. Manastirliu ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në periudhën 2017- 2023.
Në vitin 2004 ka punuar në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve dhe gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social.
Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung etj.
Në periudhën shtator 2013 – mars 2017, znj. Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Znj. Manastirliu mban titullin “Doktor i Shkencave”, në “Kimi Analitike dhe Mjedis”.
Orhan Murtezani është Ministër për Çështje Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga 23 qershori 2024.
Ai ka drejtuar me sukses ndërmarrje të rëndësishme si Sh.A. Mepso (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike në Maqedoninë e Veriut) dhe Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut – Transport, dhe aktualisht është zëdhënës dhe Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i partisë Alternativa.
Kreshnik Ahmeti është Zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe organizatat globale që nga viti 2021. Ka mbajtur postin e Shefit të Kabinetit të Ministrit të Jashtëm gjatë 2020.
Ai ka një karrierë politike të përqendruar kryesisht në LVV që nga viti 2010, ku ka mbajtur poste udhëheqëse si Koordinator i Sekretariatit të LVV-së (2018), Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtar i Kryesisë që nga 2019.
Silda Anagnosti Çepe është Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu, ajo është Këshilltare Bashkiake e Tiranës dhe Kryetare e Aleancës Kombëtare të Këshilltarëve Bashkiakë. Ka qenë pjesë e Kabinetit të Kryeministrit. Ajo vjen nga një eksperiencë mbi 20-vjeçare si juriste në fushën e sigurisë dhe të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë në draftimin e legjislacionit të ri, agjendën e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e projekteve në fushën e Drejtësisë.
Shaip Kamberi është aktualisht i vetmi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
Ka një karrierë të gjatë politike. Gjatë viteve 2002-2008, ka ushtruar funksione në Komunën e Bujanocit dhe Partinë për Veprim Demokratik. Në periudhën 2008-2012 ka qenë Kryetar i Komunës së Bujanocit, post që e mbajti sërish pas vitit 2016. Në vitin 2014 u zgjodh për herë të parë deputet në Parlamentin e Serbisë, ndërsa në 2018 u zgjodh Kryetar i PVD-së. Ai u rizgjodh deputet edhe në zgjedhjet e viteve 2020 dhe 2023, duke përfaqësuar komunitetin shqiptar në parlamentin serb.
Faik Nika është Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi që nga viti 2018, pasi më parë ka shërbyer si Sekretar i KKSH-së (2013–2018). Ka studiuar Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Shkodrës dhe ka përvojë në politikë lokale si këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit (2010–2014) dhe në menaxhimin e projekteve ndërkufitare IPA. Që prej vitit 2008 është aktivist në organizata të shoqërisë civile me fokus në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Mal të Zi.
Elida Petoshati është Drejtore e Drejtorisë së Bashkimit Evropian në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Me 27 vite eksperiencë në shërbimin e jashtëm, ajo ka mbajtur pozicione të larta drejtuese si Drejtore për Rajonin dhe Vendet Fqinje, Drejtore për Italinë, Selinë e Shenjtë, Greqinë, Turqinë dhe Evropën Jugore, dhe Sekretare e Përgjithshme e Komisionit Kombëtar për UNESCO-n dhe Frankofoninë. Ka shërbyer si Ambasadore e Shqipërisë në Kanada dhe në Mbretërinë e Danimarkës, si edhe ka dhënë kontribute të rëndësishme në politikën e Shqipërisë për Ballkanin Perëndimor e Rajonin më gjerë, bashkëpunimin rajonal, dialogun ndërkulturor dhe integrimin evropian. Ajo është Doktore në Shkencat Filologjike nga Universiteti i Bukureshtit, mban titullin profesore e asociuar nga Universiteti i Tiranës dhe flet rrjedhshëm pesë gjuhë të huaja.
Majlinda Dhuka është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, si dhe mban diplomën “Master në Studime Evropiane”.
Ajo ka kryer edhe disa studime pasuniversitare dhe trajnime, brenda dhe jashtë vendit, në të drejtë publike të Bashkimit Evropian, në Qendrën e së Drejtës Publike Evropiane (European Public Law Center) e në Universitetin e Athinës; marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, si dhe lidership, inovacion dhe qeverisje ekonomike në Shkollën për Qeverisje John F. Kennedy (John F. Kennedy School of Government) në Universitetin e Harvardit.
Znj. Dhuka ka kryer disa funksione drejtuese si nëpunëse civile në drejtori dhe departamente si të legjislacionit; zhvillimit dhe planifikimit strategjik në Bashkinë e Tiranës, si dhe në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën e huaj; programimin e zhvillimit – planifikimin strategjik; mirëqeverisjen dhe politikën publike, në Kryeministri. Gjithashtu, znj. Dhuka ka luajtur rolin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
Znj. Dhuka ka kontribuar edhe në fushën akademike, si lektore në shkollën e Magjistraturës, si dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës etj. Është njohëse e disa gjuhëve të huaja.
Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe prej 16 janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Prej shtatorit 2020, ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë dhe negociatore si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 “Gjyqësori & të Drejtat Themelore”. Në cilësinë e Zëvendësministres, Znj. Pirdeni ka mbuluar çështje të kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.
Prej vitit 2008 Znj. Pirdeni është angazhuar si lektore me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës së BE-së dhe të Drejtës Administrative. Fushat e saj kryesore kërkimore janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi.
Znj. Pirdeni ka eksperiencë disavjeçare si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, dhe Shkollës së Avokatisë. Ka shërbyer edhe si eksperte ligjore në një numër projektesh me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, me fokus në përmirësimin e performancës institucionale të administratës publike, luftën kundër korrupsionit, përafrimin e legjislacionit në kuadër të integrimit evropian.
Znj. Pirdeni mban titullin Master në të Drejtë Publike nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, titullin Magister Juris (MJur) me fokus të Drejtën Evropiane dhe të Drejtën Publike nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit. Prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike”.
Ajo zotëron gjuhën angleze, gjermane, franceze dhe italiane.
Adrian Kamenica, Drejtor i Përgjithshëm për Politikën dhe Integrimin në BE në Zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, drejton Sekretariatin e BE-së për Negociatat e Anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, më herët Drejtor i Përgjithshëm i Njësisë për Investime Strategjike në Biznes në Zyrën e Kryeministrit.
Me shtatëmbëdhjetë vite përvojë në sektorin privat, ka menaxhuar operacione industriale në të gjithë Evropën Juglindore, përfshirë Greqinë dhe Shqipërinë.
Belinda Balluku mban postin e Zëvendëskryeministres së Shqipërisë që nga gushti 2022, dhe të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga janari 2019. Znj. Balluku është deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe është diplomuar në fushën e Zhvillimit Ekonomik, Administrimit të Biznesit dhe Jurisprudencës, si edhe në Menaxhimin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror. Ajo ka një përvojë të gjatë në administratën publike, ku ka mbajtur detyra drejtuese në ALBCONTROL dhe në Bashkinë e Tiranës.
Mirela Kumbaro Furxhi mban postin e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit që nga shtatori 2021. Më parë ka shërbyer si Ministre e Kulturës (2013–2018) dhe është Deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo është pedagoge universitare, përkthyese dhe publiciste. Mban titullin Profesore e Asociuar që prej vitit 2012-të, në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve ndërkulturore, pasi kishte fituar më parë titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore, pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2009. Në vitin 2017 është nderuar nga Franca me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” për kontributin e saj në kulturë dhe në bashkëpunimin franko-shqiptar.
Arbjan Mazniku mban postin e Ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore që nga shtatori 2023. Ai është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim Politik dhe ka një karrierë të pasur në qeverisjen vendore dhe arsimin publik. Ka shërbyer si Zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës (2015–2023), si dhe si Zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit (2013–2015).
Laura Plaku mban postin e Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) që nga shtatori 2023. Ajo është diplomuar në Drejtësi (Bachelor) në University of Kent, Canterbury, MB, dhe ka përfunduar Master Shkencor (LLM) në Drejtësi Ndërkombëtare dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në University of Kent, Bruksel. Znj. Plaku ka një përvojë pune 12-vjeçare në institucione publike dhe private, kryesisht në fushën e menaxhimit, si edhe konsulencës ligjore dhe strategjike.
Artan Dulaku është një nga sipërmarrësit më të njohur dhe të suksesshëm shqiptarë, i njohur për ndikimin e tij të gjerë në sektorët e ndërtimit, turizmit, medias dhe shërbimeve.
Ai është themelues dhe CEO i Concord Investment, një grup investimesh i cili operon në Shqipëri dhe përfshin kompani të njohura si Vizion Plus, Tring, Melia Durrës Hotel, Edil AL-IT, Albanian Motor Company dhe Food Trade Conad Albania. Ky grup ka mbi 2,500 punonjës dhe menaxhon asete që kalojnë 1 miliard euro.
Sokol Kraja është një sipërmarrës që ka ndikuar në zhvillimin e industrisë ushqimore dhe prodhimit në Shqipëri. Ai është themelues dhe drejtor ekzekutiv i KRACO, një kompani lider në prodhimin e çajit, çokollatës dhe pijeve të nxehta dhe të ftohta.
Kompania KRACO është prej kohësh një nga eksportueset kryesore, e shndërruar tashmë në një nga promotoret e rëndësishme të produkteve shqiptare jashtë vendit.
Endrit Yzeiraj mban postin si Zëvendësministër përgjegjës për Diplomacinë Ekonomike në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë që nga viti 2024. Ai ka mbaruar studimet për Ekonomi dhe Shkenca Politike në Grand Valley State University në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007. Në vitin 2010 përfundoi studimet për Master Shkencor në Kërkime Ekonomike në Universitetin e Warwick në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga viti 2011 deri në vitin 2016 ka punuar pranë Departamentit të Kërkimeve Ekonomike në Bankën e Shqipërisë. Fokusi i studimeve dhe analizave kanë qenë inflacioni dhe ciklet makroekonomike, tregtia, çmimet e banesave, dhe rritja afatgjatë në vendet në zhvillim. Nga viti 2012 është bashkëthemelues i Ekon.al, i pari blog ekonomik në gjuhën shqipe.
Nga data 5 shkurt 2015, Gent Sejko është Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj, i rizgjedhur në këtë pozicion për një mandat të dytë më 24 shkurt 2022.
Z. Sejko është gjithashtu Guvernator i Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të FMN-së; Guvernatori i Shqipërisë në MIGA (Grupi i Bankës Botërore); anëtar i Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit; bashkëkryetar i Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar Shqiptar.
Me një karrierë të gjatë në bankën qendrore dhe në sektorin bankar, Guvernatori Sejko ka fituar një përvojë të spikatur në fushën makroekonomike, ku ndër të tjera ka trajtuar çështje strategjike dhe praktike të politikave në fushat e: politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, tregjeve ekonomike dhe financiare, kërkimit dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Blendi Gonxhja mban postin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që nga janari 2024. Ai është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe ka një karrierë të gjatë në administratën publike dhe në drejtimin e institucioneve kulturore e shërbimeve publike. Më herët ka drejtuar Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe ka mbajtur pozita drejtuese në Bashkinë e Tiranës dhe në Ministrinë e Kulturës.
Delina Ibrahimaj mban postin e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit që nga shtatori 2023. E diplomuar në fushën Menaxhim dhe Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin “Luigi Bocconi” në Milano, ajo mban titullin Doktore në Bankë dhe Financë nga Universiteti “Tor Vergata” në Romë. Ka shërbyer më parë si Ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe ka një përvojë të gjatë në administratën publike dhe sektorin financiar, përfshirë rolet si Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve dhe e INSTAT.
Elira Kokona mban postin e Drejtoreshës Ekzekutive të Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC). Ajo është diplomuar në Drejtësi në Universitetin “La Sapienza”, Romë, si edhe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg, ku ka kontribuar në fushën e të drejtave të njeriut.
Përveç karrierës si avokate në firma ligjore në Tiranë dhe Romë, znj. Kokona ka shërbyer si Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Kulturës, si edhe është pedagoge në Shkollën e Magjistraturës.
Aktualisht, në rolin e saj si Drejtore Ekzekutive e AIC, ajo luan një rol kyç në zhvillimin e pasurive publike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Sokol Çupi është sipërmarrës, themelues dhe drejtues i EVEREST shpk, një kompani e specializuar në prodhimin e profileve të aluminit dhe njëkohësisht një nga eksportuesit kryesor shqiptarë.
E lindur fillimisht si kompani e fokusuar në sektorin e tregtisë dhe ndërtimit, në vitin 2005 EVEREST shpk çeli fabrikën e saj për prodhimin e profileve në Shqipëri. EVEREST ka zgjeruar prezencën e produkteve të prodhuara në Shqipëri në më shumë se 30 shtete të huaja. Që nga viti 2017-të, EVEREST shpk operon edhe në tregun e Amerikës së Veriut.
Fima Radzinsky është sipërmarrës në fushën e energjisë diellore. Ai është bashkëthemelues dhe bashkëpronar i Team Sunshine Construction, një kompani që ofron zgjidhje të integruara për instalimin e paneleve diellore, sistemet e ngrohjes dhe rinovimin e kulmeve në rajonin e New England në Shtetet e Bashkuara.
E themeluar nga Radzinsky, Team Sunshine mirëmban një pjesë të proceseve nga zyra e saj në Tiranë. Kompania ka një përvojë të gjatë në sektorin e teknologjisë, duke përdorur inovacionin dhe inteligjencën artificiale për të përshpejtuar proceset e instalimit dhe për të arritur standarde të larta efikasiteti.
Armand Skapi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët eJashtme prej muajit mars 2024, detyrë që e ka mbajtur edhe më parë gjatë viteve2019-2022.
Ai i është bashkuar strukturave të Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë prej vitit 1997,ku ka punuar pa ndërprerje në poste të rëndësishme drejtuese si Drejtor i Kabinetittë Ministrit të Jashtëm, Ministër Këshilltar pranë Ambasadës së RSH-së në Romë, sidhe Drejtor në disa nga Drejtoritë më të rëndësishme në MEPJ.
Në kuadrin e angazhimeve në nivel ndërkombëtar, Z. Skapi është emëruar anëtar iGjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, 2016 – vazhdim, si dhe anëtar i Gjykatës përPajtim dhe Arbitrazh e OSBE, 2013 – vazhdim.
Ervin Hoxha shërben si Ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë prej muajit korrik 2024. Për më shumë se 20 vite ka mbajtur detyra të ndryshme shtetërore në nivele të larta drejtuese në institucione qendrore të zbatimit të ligjit. Në vitin 2023 ka ushtruar detyrën e Kryeinspektorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Z. Hoxha është specializuar në fushën e sigurisë e zbatimit të ligjit në SHBA, Austri, Gjermani, etj.
Vlora Hyseni shërben si Drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit prej vitit 2023. Në vitin 2010-të i bashkohet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku ka ushtruar disa detyra të nivelit të lartë si Zëvendësdrejtore dhe Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë. Ajo ka shërbyer si Këshilltare për Çështjet e Sigurisë pranë Kabinetit të Kryeministrit Rama. Ndër vite është vlerësuar maksimalisht në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, si eksperte e çështjeve të sigurisë.
Prof. Asc. Dr. Igli Tafa shërben si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), njëkohësisht dhe Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, prej vitit 2022. Ai ka një karrierë të pasur akademike duke shërbyer si lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Është përkrahës i fortë i zhvillimeve teknologjike me një ekspertizë të gjatë në menaxhimin e sigurisë, kërcënimeve kibernetike dhe administrimin e rrjeteve.
Dorian TOLA shërben si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes. Deri në janar 2025 ka ushtruar detyrën e Zëvendësministrit të Mbrojtjes, ndërsa më parë ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Para këtyre funksioneve, ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura, ku ka kryer detyra që lidhen kryesisht me planëzimin afatgjatë të Forcës Detare dhe bashkëpunimin ushtarak me NATO-n.
Gazmend Barbullushi shërben si Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, prej muajit mars 2024.
Ai i është bashkuar Shërbimit të Jashtëm që prej vitit 1992 duke mbajtur disa poste të rëndësishme, si Sekretar i Përgjithshëm dhe Drejtor i disa drejtorive në MEPJ. Si diplomat karriere, ai ka shërbyer si Ambasador i RSH-së në Mbretërinë e Spanjës nga viti 2019-të deri në vitin 2023, dhe si Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës dhe Përfaqësues i Përhershëm në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Hagë, nga viti 2009 deri në vitin 2014-të.
Pirro Vengu shërben si Ministër i Mbrojtjes prej korrikut 2024. Më parë ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës (2019-2024). Nga viti 2017-të deri në 2019-tën ai ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri; ndërsa në vitet 2013-2017, z. Vengu ka shërbyer si Shef i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme.
Alexander Schallenberg, ish Kancelar Federal i Republikës së Austrisë dhe Ministër i Jashtëm. Ai iu bashkua shërbimit diplomatik të Austrisë në vitin 1997-të, ku shërbeu si zëdhënës i Ministres së Jashtme ndërsa mbajti dhe disa funksione të tjera të larta. Prej vitit 2019-të, ai mbajti postin e Ministrit të Jashtëm në Qeverinë Federale Austriake, deri në fund të 2024. Nga tetor-dhjetor 2021 mbajti postin e lartë të Kancelarit Federal të Republikës së Austrisë, për t’u rikthyer më pas në postin e Ministrit të Jashtëm. Në 2023 me iniciativën e tij, u krijua “Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor”, me qëllim avancimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Ambasador Boris Ruge mban postin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë që nga shtatori 2023. Ai është një diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm Gjerman që prej vitit 1989, i specializuar në çështjet e sigurisë. Z. Ruge është një njohës shumë i mirë i Ballkanit Perëndimor. Gjatë fushatës ajrore në Kosovë ka punuar në Selinë e NATO-s në Bruksel dhe më pas ka shërbyer si Këshilltar Politik kryesor në KFOR.
Matteo Mecacci, ish-Drejtor i ODIHR-it dhe ish anëtar i Parlamentit Italian. Është diplomat dhe ekspert i shquar ndërkombëtar në qeverisjen demokratike, të drejtat e njeriut dhe politikën, i cili shërbeu si Drejtor i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) nga dhjetori 2020 deri në shtator 2024. Ka qenë anëtar i Parlamentit Italian, Komitetit të Punëve të Jashtme, si edhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga viti 2008-të deri në vitin 2013-të. Në vitin 2024, Matteo Mecacci ishte një ndër pesë kandidatët favorit për Çmimin Nobel të Paqes.
Olof Skoog ka një përvojë të gjerë në diplomacinë suedeze dhe atë të BE-së. Ai ka mbajtur një sërë pozitash të larta brenda sistemit diplomatik kombëtar suedez dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS).
Para se të merrte pozitat e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm për Çështje Politike në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (nga 1 mars 2025), ai ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për të Drejtat e Njeriut. Z. Skoog ka shërbyer si Përfaqësuesi i Përhershëm i Suedisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe më vonë si Shefi i Delegacionit të BE-së në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Më parë, ai ishte Kryetar i Parë i Përhershëm i Komitetit Politik dhe të Sigurisë të BE-së, ku ka koordinuar Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Përbashkët të BE-së.
Ndër pozitat e tjera të mëparshme, ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, ka përfaqësuar Suedinë në BE dhe OSBE, dhe ka shërbyer si Ambasador i Suedisë në Kolumbi, Venezuelë, Ekuador dhe Panama, si dhe si Ambasador i BE-së në Indonezi, Brunei dhe ASEAN.