Thirrje për pjesëmarrje

THIRRJE PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCË

 

SHQIPËRIA NË SHKRIMET E UDHËTIMIT TË PERIUDHËS PASKOMUNISTE (1990 - )

Konferencë ndërkombëtare

Organizuar nga Departamenti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, në kuadër të projektit “Shqipëria në shkrimet e udhëtimit të periudhës paskomuniste (1990 - )” të financuar nga AKKSHI

30 qershor 2023, Vlorë

Afati për dorëzimin e abstrakteve: 20 prill 2023

Afati për dorëzimin e punimit të plotë: 20 maj 2023

 

Zhvillimet e përparimet e sotme të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, hapja prej tri dekadash e vendit, rritja e numrit të vizitorëve të përvitshëm në Shqipëri, e për rrjedhojë, zhvillimi i turizimit, jo vetëm kanë përshpejtuar ritmet e komunikimit dhe informimit, por edhe kanë diversifikuar format dhe mënyrat e shprehjes në art, letërsi e edukim, si dhe kanë bërë që interesimi për Shqipërinë të ketë lloj-lloj qasjesh, kryesisht të kuriozitetit të vizitorit. Në këtë kontekst, hasim gjithandej publikime në gjuhë të huaj, libra nga autorë profesionistë apo shkrime nga të apasionuar amatorë, që rrëfejnë përvojat e tyre në Shqipëri, takimet me kulturën dhe banorët vendas. Shpesh gjen në internet udhëtarë me natyrë guximtare që përmes blogjeve/vlogjeve të tyre publikojnë histori, shkrime, video dhe informacione rreth Shqipërisë.

Kjo larmi materiali shkrimor, i cili gjithnjë e më shumë prodhohet dhe publikohet online, ka nevojë të studiohet e trajtohet nga këndvështrime kritike bashkohore. Kjo lloj varfërie kritike ekziston në tërësi në studimet letrare dhe kulturore për letërsinë dhe kulturën shqiptare të periudhës së paskomunizmit, më konkretisht, për atë që njihet si letërsi e udhëtarit, letërsinë e shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët nga udhëtarë apo vizitorë të ndryshëm të huaj pas viteve 1990, e cila nuk është vetëm përmbajtësore apo sasiore, por në mënyrë të posaçme metodologjike. Kërkues dhe studiues me interesa shkencore në këtë fushë hasen shpesh me vështirësinë sesi duhet dhe mund të qaset leximi i këtyre shkrimeve nga pikëpamja e teorisë letrare dhe kulturore. Cilat do të ishin instrumentet metodologjike më të përshtatme për të marrë në shqyrtim këtë lloj produkti të letrave të shkruara për Shqipërinë dhe shqiptarët? Në një kontekst të larmishëm dhe aktiv ndërkulturor, leximet dhe analizat panoramike të këtyre shkrimeve janë të pamjaftueshme për të zbërthyer në mënyrë të plotë e shkencore këto shkrime.

Kanë kaluar tashmë më shumë se tri dekada që nga rënia e komunizimit dhe zhvillimi i shoqërisë, kulturës dhe vendit në tërësi mund të shihet si i përkufizuar nga këto tri dekada, ku secila karakterizohet nga ngjarje, dukuri dhe prirje tipike për secilën. Ky evolucion historik e kulturor vihet re në mënyrë edhe më interesante nëse lexon shkrime e rrëfime të vizitorëve në Shqipëri në periudha/dekada të ndryshme të këtij harku kohor. Dikotomia apo marrëdhënia kryesore që mbizotëron në këto rrëfime/shkrime është sigurisht udhëtar/vizitor/mysafir i huaj – mikpritës vendas, raport që vë përballë kulturën/at e huaj/a me atë shqiptare. Ky takim kulturor vë në pah shumë elemente me natyrë ndërkulturore që vlejnë për t’u analizuar. Çështja shtrohet: Cila do të ishte metodologjia që do të përdorej për të analizuar këto takime? Nëse këto takime do të përkufizoheshin thjesht si takime mes vetes dhe tjetrit, cila do të ishte qasja teorike letrare që do të gjente vend në interpretimin e këtyre takimeve: ajo psikanalitike apo ajo paskoloniale? Duket se si e para dhe e dyta shfaqin pamjaftueshmëri. S/a është Shqipëria, një vend gjeografikisht evropian, por politikisht jashtë Bashkimit Evropian, që aspiron të jetë një ditë pjesë e tij, tjetri në sytë e vizitorit perëndimor? Si ka evoluar ky raport (ndër)kulturor në këto tri dekada? Si mund të lexohet gjithë ky korpus narrativ i larmishëm? Cila është qasja teorike që i përgjiget më së miri studimit të këtij korpusi? A duhet të përfshihen në këtë korpus format e ndryshme të travelogut, shkrimet e blogerëve dhe punët e vlogerëve?

Në këtë konferencë ndërkombëtare ftojmë të gjithë studiuesit, vendas dhe të huaj, të ndajmë e sfidojmë së bashku mendime dhe pikëpamje në lidhje me këtë korpus shkrimor të prodhuar pas viteve ‘90. Disa nga çështjet e propozuara për diskutim janë:

-       Instrumentet kritiko-letrare për të shqyrtuar letërsinë e udhëtarit;

  -       Pikëpamja për Shqipërinë “nën sytë perëndimorë”;

           -      Globalizimi në Shqipëri;

-        Probleme politike, historike e shoqërore dhe përfaqësimi/reflektimi i tyre në letersinë e udhëtarit;

-        Shqipëria: e butë apo e egër?

-        Shkrimet dhe format e ndryshme të travelogut për Shqipërinë, pas viteve ’90, në gjuhë të huaj, në             formatin e shtypur, elektronik dhe online;

-        Zhbërja e miteve shqiptare;

-        Fantazia përkundrejt realitet në Shqipëri;

-        Aspekte të kombësisë në vendet shqipfolëse dhe shprehjet e tyre në letërsinë e udhëtarit;

-        Ekzoticizmi shqiptar;

-        Takimet mes të ashtuquajturave kultura perëndimore dhe kulturës shqiptare;

-        Takimet mes vetë shqiptarëve që jetojnë në vise të ndryshme dhe në diasporë;

-        Takime gjuhësore e përkthimore;

-        Komodifikimi i kulturës në letërsinë e udhëtarit;

-        Natyra, ushqimi, traditat e trashëgimia historike, kultore e natyrore në shkrimet e udhëtarit,

-        etj.

 

Punimet mund të vijnë nga këto fusha studimi:

-        Studime letrare;

-        Teori e letërsisë dhe kulturës;

-        Letërsi e huaj;

-        Semiotikë;

-        Studime përkthimore;

-        Studime kulturore;

-        Komunikim ndërkulturor;

-        Studime të komunikimit;

-        Studime të medias;

-        Analizë diskursi

-        Etj.

Jeni të lutur të dërgoni një abstrakt rreth 250 fjalë për prezantime prej 20 minutash bashkëlidhur email-it tuaj si dokument word në adresën armela.panajoti@univlora.edu.al brenda datës 20 prill 2023. Abstrakti duhet të përmbajë:

-        Titullin e punimit;

-        Emrin, mbiemrin e autorit dhe institucionin nga vjen;

-        Adresën e email-it;

-        Seksionin (fushën) së cilës i përket punimi;

-        3-5 fjalë çelës.

Gjuhët e konferencës janë shqipe, angleze, italiane. Punimet e paraqitura do të botohen në vëllimin e konferencës.