Seminari ka për qëllim vlerësimin e njohurive të marra mbi evoluimin e gjuhëve të programimit, gjuhës C, si dhe integrimin e një metodologjie të re programimi të njohur si programim i strukturar.
Gjithashtu, studenti prezantohet me procesin e plotë të ndërtimit të zgjidhjes së një problemi në C përmes ushtrimeve të zgjidhura, duke njohur në këtë mënyrë bazat e një mjedisi tipik në gjuhën C.
Lista e objektivave
Programimi i Strukturar,
Bazat e një mjedisi tipik C.
Programimi në kompjuter ka ecur në faza të ndryshme në varësi të përparimeve teknologjike në fushën e kompjuterit. Edhe sot përdoren këto mënyra të programimit: Gjuhët e brendshme e makinës, Gjuhët asembler, Gjuhët e nivelit të lartë.
Referencë Leksion 1.
1. Çfarë është një gjuhë programimi?
Përgjigje
Gjuhë programimi quhet një gjuhë artificiale e cila është e dizenjuar për të komunikuar me makinën(kompjuterin) përmes instruksioneve.
2. Përse lindi nevoja e përdorimit të një metode të re pune të njohur si programim i strukturuar?
Përgjigje
Rreth viteve 1960 lindi nevoja për të patur një programim të strukturar që do të thoshte:
1. Lehtesi në kuptimin e kodit
2. Lehtësi në kapjen dhe korrigjimin e gabimeve.
Rezutatet e para të kësaj metodologjie nisën me krijimin e gjuhës Pascal dhe më tej me gjuhën C që plotësonte shumë mungesa që kishte Pascal.
3. Listoni të paktë 3 gjuhë programimi që bazohen në metodën e prgramimit të strukturuar.
Përgjigje
Gjuhe të cilat bazohen në metodën e programimit të strukturuar janë si, Pascal, C, C++, Java, etj.
Ndërtoni një program në gjuhën C, i cili afishon në ekran mesazhin Miresevini ne gjuhen C!.
Sqarime
Procesi i ndërtimit të një programi në gjuhën C, kërkon përgatitjen e dy komponenteve të rëndësishme që janë:
a. Mjedisi i punës,
b. Konceptimi i zgjidhjes së problemit.
A. Mjedisi i punës në gjuhën C, i referohet përdorimit të një editori teksti, ku do të shkruhet kodi(programi) dhe ruhet më tej në disk.
Shënim Në ushtrimet ilustruese në seminaret e këtij kursi do të përdorim editorin DevCpp.
Editori i instaluar në kompjuter, gjatë zgjidhjes së ushtrimit do të shërbejë për 1) Shkrimin dhe ruajtjen e zgjidhjes, 2) Preproçesimin dhe kompilimin e kodit, 3) Ekzekutimin dhe marrjen e rezultatit.
B. Konceptimi i zgjidhjes së problemit, nënkupton: 1) Përcaktimin e problemit, 2) Përcaktimin e rezultateve, 3) Copëzimin e programit në hapa logjike( përcaktimi i të dhënave hyrëse nëse ka) 4) Ndërtimin e algoritmit 5) Kontrollin e rezultatit(A i jep zgjidhje algoritmi i ndërtuar problemit të dhëne?).
Kodi
/*ushtrimi im i pare ne C*/
#include <conio.h>
#include <stdio.h>
int main(){
printf("Miresevini ne gjuhen C!");
getch();
return 0;
}
Interpretimi i kodit
1. /* ushtrimi im i pare ne C*/ - koment në gjuhën C.
2. #include <conio.h>, #include<stdio.h> - Direktiva preporcesimi që kujdesen për ngarkimin e librarive përkatese të funksioneve që perdorim në program.
3. int main() - Fjala kyçe main e ndjekur nga () është funksion. Main është funksioni kryesor që duhet të përmbahet në çdo program në C.
4. { , } - Kllapat gjarpërueshe {,} tregojnë fillimin dhe fundin e bllokut që përmban kodin burim.
5. printf("Miresevini ne gjuhen C"); - Funksioni printf afishon në ekran mesazhin e vendosur brenda thonjëzave dyshe.
6. getch() - Funksioni getch() përdoret për të mbajtur në ekran rezultatin deri në momentin që përdoruesi shtyp një vlerë nga tastjera.
7. return 0 - Funksioni main kthen një vlerë numerike(fjala kyçe int), return kthen vlerën 0 për main.
8. ; - Tregon fundin e një instruksioni(veprimi).
Skedarët në gjuhën C ruhen me prapashtesën .c