Ky studim synon analizën historike dhe hapësinore të krahinës së Malësisë së Madhe, duke u mbështetur në burime arkivore, dokumentare dhe historiografike, me qëllim rindërtimin e strukturave shoqërore, ekonomike, kishtare dhe demografike në një perspektivë diakronike. Korpusi burimor përfshin Regjistrin e Kadastrës dhe të koncesioneve për rrethin e Shkodrës (1416–1417), Defterin osman të vitit 1485, relacione kishtare, dokumente noteriale raguzane dhe venedikase, si dhe literaturën bashkëkohore, të cilat analizohen në mënyrë krahasuese dhe kritike.
Vëmendja përqendrohet në njësitë administrative dhe historike që përbëjnë bërthamën e Malësisë së Madhe—Qendër (Koplik), Gruemirë, Kastrat, Hot, Kelmend dhe Shkrel—të trajtuara si njësi funksionale në proceset e organizimit territorial, fiskal dhe kishtar. Burimet lejojnë evidentimin e strukturave familjare, institucioneve fetare, sistemeve të taksimit dhe detyrimeve, si dhe formave të rezistencës dhe adaptimit të popullsisë vendase ndaj pushteteve të jashtme.
Peizazhi urban dhe paraurban mesjetar përfaqësohet nga një rrjet qendrash banimi, ku Baleci dhe Kopliku zënë një vend qendror. Baleci, i dokumentuar si qytet gjatë Mesjetës, shfaqet si një nyje politike dhe kishtare me rol strukturues në hierarkinë e vendbanimeve dhe në organizimin e territorit përreth.
Analiza e çdo lokaliteti përfshin format e organizimit fisnor dhe administrativ, përkatësinë kishtare, regjimet fiskale dhe përbërjen etnike e fetare të popullsisë. Në këtë kuadër, trajtohen në mënyrë të veçantë pakicat e Boriçit, Vrakës dhe Kamicës, të cilat paraqesin raste të ruajtjes së identitetit etnik malazez në një kontekst ndërkufitar dhe shumëkonfesional.
Punimi synon të kontribuojë në sistemimin e të dhënave historike mbi Malësinë e Madhe dhe të ofrojë një bazë dokumentare për studimet e historisë lokale, antropologjisë historike dhe gjeografisë historike. Ai synon të plotësojë një boshllëk në literaturën shqipe, duke ndjekur zhvillimet e krahinës nga antikiteti i vonë deri në shekullin XX, duke identifikuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në formimin e identitetit historik dhe territorial të saj.
Malësia e Madhe përkufizohet si krahina më veriore shqiptare, e shtrirë në rrethin me të njëjtin emër brenda qarkut të Shkodrës dhe e vazhduar gjerësisht përtej kufirit shtetëror në territorin e Malit të Zi. Ajo shtrihet midis luginës së Vermoshit në veri dhe asaj të Rrjollit në jug, nga Qafa e Pejës dhe e Tethores në verilindje deri në Qafën e Shtogut në jug, duke u kufizuar në perëndim me Liqenin e Shkodrës.
Territori përfshin nënndarjet tradicionale të Kelmendit, Hotit (pjesërisht), Kastratit dhe Shkrelit, si dhe, në hapësirën e Malit të Zi, Tuzin, Vuksanlekajn, Grudën, Triepshin, Kuçin, Plavën dhe Gucinë. Relievi karakterizohet nga kontraste të forta midis luginave të thella lumore dhe masiveve malore të Bjeshkëve të Nemuna, me maja mbi 2000m lartësi, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në modelet e banimit, komunikimit dhe organizimit shoqëror .
Në shekullin XV, në territorin e ish-Principatës së Pultit, u konsoliduan njësi etnografike si Gruda, Hoti, Kastrati, Kelmendi, Kuçi, Triepshi dhe Shkreli , të cilat formësuan konceptin e përbashkët të “Malësisë”, si shprehje e një organizimi shoqëror dhe territorial të përshtatur ndaj mjedisit malor.
Në funksion të mbrojtjes territoriale, Malësia e Madhe zhvilloi forma të organizimit ushtarak kolektiv, të bazuara në bashkime fisnore të armatosura, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në rezistencën ndaj pushteteve të huaja dhe në proceset e vetëmbrojtjes krahinore . Baza ekonomike e kësaj shoqërie mbështetej kryesisht në blegtori, ndërsa bujqësia dhe pemëtaria ushqenin në mënyrë plotësuese ekonominë lokale në zonat me kushte të favorshme tokësore. Kjo strukturë ekonomike dokumentohet qartë në Regjistrin Kadastral Venedikas të viteve 1416–1417 dhe në Defterin osman të vitit 1485, të cilët dëshmojnë jo vetëm pronësinë dhe taksimin, por edhe tipologjitë e prodhimeve bujqësore.
Marrëdhëniet shoqërore dhe juridike rregulloheshin sipas Kanunit të Maleve, një sistem normativ i transmetuar gojarisht, me parime të përbashkëta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, por që përfaqëson një traditë autonome juridike dhe zakonore . Nga pikëpamja gjuhësore, krahina i përket dialektit gegë të gegërishtes veriperëndimore, duke ruajtur veçori fonetike dhe leksikore karakteristike për këtë hapësirë .
Kultura materiale shprehet në tipologjinë tradicionale të banesës—shtëpia e zgjatur—e cila gjatë shekullit XX u pasurua nga përhapja e kullës si formë banimi dhe mbrojtjeje. Veshja tradicionale mashkullore përfshinte gunën, tirqit me prehër dhe xhepa, si dhe plisin e bardhë gjysmësferik, ndërsa veshja femërore karakterizohej nga variante të stolisura të xhubletës. Trashëgimia jomateriale përfaqësohet nga ruajtja e ciklit epik të kreshnikëve, të shoqëruar me lahutë, një nga traditat epike më jetëgjata të Evropës. Këngët e Kreshnikëve, të formësuara në trajtën e tyre përfundimtare gjatë shekujve XVII–XVIII, u transmetuan në mënyrë gojore deri në fillim të shekullit XX, kur u dokumentuan për herë të parë nga Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Bernardin Palaj dhe Atë Donat Kurti dhe u botuan në vitin 1937 .
Në aspektin ekonomik bashkëkohor, krahina shfaq një zhvillim të qëndrueshëm në bujqësi (misër, thekër, patate, pemëtari), blegtori (dele, lopë, derra, dhi) dhe shfrytëzim pyjor, veçanërisht në zonat e Vermoshit dhe Fushës së Zezë.
Qendrat kryesore të banimit përfshijnë Bajzën, Koplikun, Tamarën, Vermoshin, Selcën, Vuklin dhe Bogën. Malësia e Madhe u njoh zyrtarisht si njësi administrative më vete pas reformës territoriale të vitit 1992, duke u shkëputur nga rrethi i Shkodrës.
Kopliku, qendra kryesore urbane e krahinës, ka origjinë mesjetare dhe përmendet në burime me toponimin Cupelnik. Interpretimi etimologjik i këtij emri, i lidhur me termin sllav kupelnik (“shigjetar”), është përkrahur nga Kolë Luka dhe mbetet dominues në literaturën shkencore . Në Kronikën e Presbiterit të Dioklesë, Cupelnicho/Cupelnich përmendet si zhupë (iupanias), me një shtrirje territoriale që përfshinte hapësirën nga Liqeni i Shkodrës dhe “Vorbullat e Hotit” deri te “Hotët e Vegjël” në jugperëndim dhe krahinën e Vrakës në lindje, me kufi natyror përroin e Banushit . Qendra e kësaj zhupe identifikohet me fshatin Koplik .
Brenda kësaj njësie përfshihen edhe lokalitetet Gradaci (Gradeci), i përmendur nga Kostandin Porfirogjeneti dhe i identifikuar në Tabula Peutingeriana si Cinna/Sinna , Gradishqa (Gradišča) në lumin Prron, si dhe fortifikimet e Hotit dhe Samoborit, të cilat kontrollonin degët kryesore të rrugëve që lidheshin me Shkodrën dhe bashkoheshin në zonën e Marshejit . Kopliku, përmendet edhe në regjistrin e pronave të Manastirit të Kryeengjëllit në Prizren , të themeluar nga Stefan Dushani rreth vitit 1348. Në të njëjtin kontekst burimor shfaqet edhe toponimi Koprnik, i lokalizuar në zonën e mullinjve të Sheut të Rrjollit . Sipas Kolë Lukës, nëse ky identifikim pranohet, mikrotoponimia lokale ruan gjurmë të dyfishta të këtij emri—jo në formën Koprnik, por si Koplik (p.sh. Burgu Koplike, Arat Koplike)—duke lejuar interpretimin e fenomenit si një kontaminim toponimik, ku bashkëjetojnë dy trajta: Kupêlnik dhe Koprnik . Në këtë kuadër etimologjik dhe historik, Kolë Luka propozon gjithashtu lidhjen e Koplikut me figurën e Millosh Kopilikit, kalorësit që vrau sulltan Muratin I në Fushë-Kosovë më 1389. Sipas këtij interpretimi, i mbështetur që nga Bogishiçi dhe i përforcuar nga autorë të ndryshëm, Milloshi konsiderohet shqiptar; Barleti e përmend si Kobiliki , Bolizza përdor formën Chopilich , ndërsa Ashik Pashazade e regjistron si Bilosh Kuble . Prania e mbiemrit Kopili në Koplik edhe sot shihet si një element shtesë që mbështet këtë hipotezë .
Të dhënat e Regjistrit Kadastral dhe të Koncesioneve për Shkodrën e dokumentojnë Koplikun (Kopeniko ), me 89 zjarre, të organizuara në gjashtë lagje . Si kryefshatar për këtë periudhë përmendet Tomas Skjavi, i cili ushtronte paralelisht funksionin e shkruesit për korrespondencën sllave në kancelarinë e Shkodrës (scrivan de la corte in schiavo ), çka dëshmon për një pozitë të konsoliduar administrative dhe ndërmjetësuese në strukturat venedikase urbane dhe krahinore.
Struktura shoqërore e fshatit paraqitet e shtresëzuar, me një prani të konsiderueshme klerikësh—me shumë gjasë të ritit ortodoks—dhe me popullsi fshatare të ndarë në burra të armës, të detyruar për shërbim ushtarak, dhe kategori të tjera të përjashtuara nga ky detyrim . Në kadastrën e Shkodrës përmenden një numër i madh priftërinjsh të kishës serbe që banonin në Koplik, të cilët zotëronin prona personale si dhe prona të përfituara nga trashëgimia e banorëve shekullarë . Për pronat e tyre private klerikët përjashtoheshin nga taksimi, ndërsa për pronat e trashëguara ishin të detyruar të paguanin të njëjtat detyrime fiskale që kishin rënduar më parë mbi pronarët përkatës .
Antroponimia e banorëve paraqet një bashkëjetesë emrash shqiptarë dhe sllavë, me dominim të këtyre të fundit . Megjithatë, përkatësia etnike e individëve nuk mund të përcaktohet në mënyrë të sigurt, pasi regjistrimi mund të reflektojë edhe praktikën administrative të shkruesve sllavë. Popullsia e mëvonshme e Koplikut duket se u formua përmes lëvizjeve të brendshme nga treva të ndryshme të Malësisë; sot mbizotërojnë familje me origjinë nga Hoti, Gruda dhe Kastrati, ndërsa gjatë periudhës së diktaturës u shtuan, në numër të kufizuar, banorë nga Shkodra dhe zona të tjera të Shqipërisë .
Pronësia tokësore e Koplikut përfshinte parcela brenda dhe jashtë territorit të fshatit. Ekonomia lokale mbështetej kryesisht në prodhimin e verës, ndërsa fondi tokësor përbëhej nga vreshta, toka të punueshme dhe pyje. Tokat jashtë kufijve të fshatit i përkisnin Kishës së Koplikut, emri i së cilës nuk përmendet në burime. Në mënyrë hipotetike mund të supozohet edhe ekzistenca e një mulliri uji në pronësi të kishës, i vendosur mbi lumin Rrjoll, poshtë qytetit të Balecit, pra jashtë territorit administrativ të fshatit .
Gjatë sundimit venedikas, banorët e Koplikut ishin të detyruar të paguanin obrokun, një taksë fikse për çdo shtëpi, si dhe të kryenin angari të ndryshme në shërbim të kështjellës së Shkodrës, sipas urdhrave të rektorëve të Sinjorisë . “Burrat e armës” ndaheshin në kalorës dhe këmbësorë dhe ishin të gjithë subjekt i thirrjes për shërbim ushtarak, sa herë që e kërkonin autoritetet. Një detyrim i veçantë parashikonte që banorët e Koplikut të punonin dhjetë ara paraspor për kryefshatarin Tomas Skjavi, pa qenë të detyruar për angari të tjera personale ndaj tij. Ekonomia e Koplikut gjatë periudhës venedikase mbështetej kryesisht në prodhimin e verës, e cila përbënte bazën e detyrimeve fiskale të komunitetit ndaj Sinjorisë së Venedikut. Prodhimi dhe cilësia e verës ishin objekt kontrolli të drejtpërdrejtë nga autoritetet venedikase, të cilat përcaktonin sasinë dhe standardet e dorëzimit. Sipas Regjistrit të Kadastrës dhe të Koncesioneve të viteve 1416–1417, fshati i Koplikut arriti një marrëveshje me administratën e Shkodrës—të përfaqësuar nga Alban Kontarini, kont-kapedan i Shkodrës, Andrea Foskolo, ambasador dhe proveditor në viset shqiptare, dhe Nikolla Zanthani, dhomëtar i Shkodrës—për dorëzimin vjetor të 400 barrëve verë të pastër dhe të kulluar, të transportuara me shpenzimet e vetë komunitetit në kështjellën e Shkodrës .
Njësia matëse përcaktohej qartë: një barrë barazohej me tetë rrëshekë, ndërsa një rrëshek me nëntë bardhakë. Detyrimi i dorëzimit ishte i pandryshueshëm, pavarësisht luhatjeve të prodhimit, përfshirë rastet e humbjeve nga faktorë natyrorë si breshëri, stuhi apo rendiment i ulët. Në mungesë të verës, fshati ishte i detyruar të shlyente diferencën në para, me kurs pesë perperë e katër groshë për çdo barrë të paplotësuar, deri në arritjen e kuotës së paracaktuar. Përjashtim nga ky regjim parashikohej vetëm në kushte lufte, të përcaktuara si situata rrethimi ose prani e forcave armike në shkallë të tillë që pengonin vjeljen e rrushit, veçanërisht duke marrë parasysh mobilizimin e burrave të armës.
Kontrolli i cilësisë së verës kryhej në prani të përfaqësuesve të fshatit, me verifikim të pastërtisë dhe ndalimin e çdo forme manipulimi. Në rast falsifikimi—si hollimi me ujë apo praktika të tjera mashtruese—parashikohej pagesa e dyfishit të sasisë së detyrueshme. Për të shmangur përgjegjësinë kolektive të padrejtë, Kopliku ishte i ndarë në gjashtë lagje (sextieri), secila prej të cilave dorëzonte pjesën e vet të verës, përkatësisht 66 barrë, pesë rrëshekë dhe tre bardhakë, me shpenzimet e veta.
Ndarja e barrës fiskale bëhej brenda çdo lagjeje, në përpjesëtim me sipërfaqen e vreshtave të zotëruara nga secila familje. Asnjë autoritet i jashtëm nuk duhej të ndërhynte në këtë proces; prania e kryefshatarit, Tomas Skjavi, kufizohej në funksion mbikëqyrës, me detyrën për të garantuar që shpërndarja e detyrimeve të mos rëndonte padrejtësisht mbi ndonjë individ ose familje .
Struktura profesionale e fshatit, sipas burimeve të viteve 1416–1417, paraqitet e kufizuar; përmendet vetëm një zejtar, kovaçi Bratko Sklavo. Megjithëse burimet nuk japin të dhëna të hollësishme për sektorë të tjerë ekonomikë, prania e tokave të punueshme dhe e kullotave dëshmon një ekonomi të kombinuar bujqësore-blegtorale, me dominancë të qartë të vreshtarisë.
Për periudhën e pushtimit osman mungojnë të dhëna të drejtpërdrejta mbi ndikimin fillestar të depërtimit ushtarak në Koplik. Megjithatë, Defteri Osman i vitit 1485 e regjistron fshatin me 87 zjarre, duke dëshmuar një vazhdimësi demografike . Sipas Kolë Lukës, si gjatë sundimit venedikase ashtu edhe në atë osman, popullsia reale e Koplikut duhet të ketë qenë më e lartë se shifrat e regjistruara, të cilat reflektojnë kryesisht një realitet fiskal dhe jo domosdoshmërisht atë demografik.
Të dhënat ekonomike tregojnë një stabilitet të prodhimit të verës: për vitet 1416–1417 ai vlerësohet rreth 1536 dukatë (400 barrë), ndërsa në vitin 1485 regjistrohen 226 subur dhe 7.780 akçe, që të konvertuara (1 dukat = 50 akçe) përbëjnë mbi 1.550 dukatë . Për periudhën e vonë osmane informacioni mbetet sporadik; sipas Karaman Ulqinit, në vitin 1792 bajraku i Koplikut iu dha si timar një individi të caktuar, me dekret sulltanor .
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Kopliku përshkruhet nga Guillaume Lejean si qendra e një fisi prej rreth 4.500 banorësh, me një strukturë fetare të përzier, ku një pjesë e popullsisë kishte kaluar në islam, por ruante elemente të forta të devocionit të krishterë, veçanërisht ndaj Shën Nikollës dhe Shën Gjergjit . Lejean vëren gjithashtu funksionin e Koplikut si hapësirë periferike e kontrollit shtetëror, ku vepronin grupe cubash, ndaj të cilëve autoritetet e Shkodrës tregonin hezitim ndërhyrjeje .
Në fund të shekullit XIX, Kopliku u nda në Koplikun e Epërm dhe Koplikun e Poshtëm, ky i fundit një ngulim më i vonshëm. Sipas Gopçeviqit (1881), popullsia arrinte rreth 2.500 banorë, ndonëse kjo shifër duket se përfshin edhe zona përreth. Ai e ndan territorin në tre njësi—Rasha, Gradisca dhe Cupionich (Kopliku)—dhe regjistron rreth 500 burra të aftë për armë, duke dëshmuar vazhdimësinë e karakterit ushtarak dhe fisnor të krahinës .
Njësia administrative Qendër përfshin tetë fshatra : Bogiç-Palvar, Dobër, Jubicë, Kamicë-Flakë, Kalldrun, Koplik i Sipërm, Sterbeq dhe Lohe e Poshtme.
Bogiç-Palvar është pjesë e njësisë administrative Qendër, por për këtë fshat mungojnë të dhëna të drejtpërdrejta historike dhe dokumentare. Duke qenë se ndodhet në afërsi të Koplikut, mund të supozohet se ka funksionuar si një lagje periferike e tij. Sa i përket toponimisë, emërtimet Bogiç dhe Palvar ruhen ende sot në mikrohapësirën përreth, përmes dy rrugëve që mbajnë emrin Rruga e Bogiçit dhe Rruga e Palvarit, të vendosura në jug të Koplikut.
Fshati Dobër ndodhet në afërsi të qytetit të Koplikut, por të dhënat historike për të janë të pakta. Ai nuk duhet ngatërruar me fshatin me të njëjtin emër pranë Sarandës. Në këtë zonë ekziston edhe një rrugë lokale që lidh aksin kryesor në daljen jugore të Koplikut me fshatin Dobër dhe vazhdon më tej drejt bregut të Liqenit të Shkodrës; kjo rrugë njihet me emrin “Rruga e Dobrës”.
Buza e Ujit paraqitet si një fis më vete në të dhënat e Spiridon Gopçeviqit , i cili në vitin 1881 e përmend si një bashkësi me rreth 500 banorë katolikë, 250 myslimanë dhe 50 ortodoksë. Fshatrat që përbënin këtë krahinë ishin Jubica , Flaka dhe Kamica, nga të cilët dilnin rreth 150 burra të armatosur dhe të gatshëm për luftë. Fshati Flakë përmendet edhe në relacionin e Bolizzës, ku thuhet se Flaka (Flacha) përbëhej nga 18 shtëpi me 40 burra dhe komandohej nga Mesi Vuka (Vucha) .
Fshati Kalldrun përmendet në Kadastrën e Shkodrës me trajtën Kaldiron . Si lokalitet, zona ka qenë e banuar që në lashtësi. Vendbanimi që më vonë u njoh si Kalldrun u themelua nga banorët e qytezës së Marshejt, të cilët u detyruan të shpërnguleshin drejt fushës rreth vitit 33, pikërisht në zonën ku më pas u zhvillua fshati Kalldrun . Ky i fundit u shndërrua në një nga fshatrat më të mëdha dhe më të pasura të komunës së Shkodrës, veçanërisht i njohur për vreshtat e tij. Në Regjistrin e Koncesioneve të Shkodrës përmenden tri vreshta me emër në afërsi të Kalldrunit: Bosinovina, Brajakona Radiqavina dhe Sopoti .
Në historinë e Kalldrunit vlen të përmendet edhe një episod domethënës që lidhet me konfliktet midis Balshajve, Venedikut dhe fisit të Hotit, ky i fundit besnik i Republikës së Shën Markut. Për shkak të sulmeve të hotjanëve, Balsha III i kërkoi Venedikut dorëzimin e dy krerëve të Hotit që ndodheshin në Shkodër dhe që konsideroheshin prijës të rebelëve . Venediku refuzoi këtë kërkesë, nga frika e hakmarrjes së hotjanëve , duke theksuar se “për shkak të shpurës së madhe që kanë me vete, mund të bënin shumë punë të mira, por edhe shumë të këqija” . Senati u mjaftua me një paralajmërim formal, ndërsa Balsha III, si reagim, i vuri flakën fshatit Kalldrun, në breg të liqenit , një nga fshatrat më të pasura me vreshta të komunës së Shkodrës . Kjo ngjarje daton para korrikut të vitit 1415, pasi dokumenti që e përmend mban datën 9 korrik 1415 .
Në lidhje me territorin e Kalldrunit, përmendet edhe një vendbanim tjetër, Sochiovina, i cili figuron në Kadastrën e Shkodrës të vitit 1417 . Në defterin osman të vitit 1485, ky vendbanim shfaqet me emrin Shukovik-Tuz dhe përmendet si fshat me katër zjarre . Sipas të dhënave kadastrale, Sochiovina zotëronte rreth 40 ara (campi), që përkojnë afërsisht me 134 hektarë, dhe kishte detyrim fiskal 4 mod grurë .
Fshati Koplik i Sipërm përbëhet nga disa lagje, ndër të cilat përmenden Çakat, Gjurajt dhe Podgora. Ndër këto, Podgora del në Kadastrën e Shkodrës si një vendbanim i veçantë dhe relativisht i madh, i pajisur me prona të shumta, veçanërisht vreshta. Përveç familjeve me mbiemrin Hoti (Andrea Hoti e vëllezër, Radas Hoti), përmenden gjithashtu Zakari Lubiqi e vëllezër, Zorzi Midha (Mida) e vëllezër, Mazrrek Hoti e vëllezër, Nikolla Baksi e vëllezër, si dhe Petro Bushati, të cilët rezultojnë si proniarë dhe krerë lokalë. Krahas tyre, dokumentacioni venedikas evidenton një prani të konsiderueshme personash me emra sllavë, ndër të cilët përmenden: Pop Stojko, Bogdan Droçina, Progan Mervoshi, Radosklav Milosklaviqoi, Pop Radosklavi, Gjergj Merovece, Andrea Gjinoviqi, Radin Diakonoviqi, Radiq Boksiqi, Dragi Radiniqi, Miloce Raciqi, Disimiri Madenoviqi, Bogdan Vlasiqi, Gjinoe Miroeviqi, Stefan Milotiqi, Stojna, e veja e Bogdan Gonjeshës, Radosklav Droshina (Droçina?), i cilësuar si urdhërues, si dhe Radomir Maceloj, ndër të tjerë . Përveç listës së banorëve, kadastra venedikase jep edhe të dhëna të detajuara mbi vreshtat e shumta dhe tokat bujqësore që zotëronte Podgora si fshat .
Fshati Stërbeq ndahet në tri lagje: Stërbeqi i Sipërm, Stërbeqi i Mesëm (qendër) dhe Stërbeqi i Poshtëm, ky i fundit i vendosur jo larg bregut të Liqenit të Shkodrës.
Fshati Lohe e Poshtme lidhet drejtpërdrejt me fisin e Lohes, i cili, sipas burimeve, formonte një bajrak së bashku me fisin e Reçit. Këto dy fise banonin në një pjesë të malit Bishkas (Biscassi), territor që historikisht kufizohej me viset e Shkrelit, Rrjollit dhe Kastratit . Në kohën e Hekardit, fisi i Lohes ishte pothuajse plotësisht i islamizuar, megjithatë në përbërjen e tij ekzistonin ende disa familje të krishtera, të cilat zotëronin edhe një kishë të tyre, ku shërbente një famullitar. Hekardi vëren se banorët e këtyre fiseve shquheshin për zgjuarsi të madhe, ndonëse deri vonë kishin pasur mundësi shumë të kufizuara arsimimi.
Sipas një legjende të përcjellë nga Hekardi, origjina e këtyre fiseve lidhet me dy familje të krishtera nga fshati Reç i Bregut të Bunës, të cilat u detyruan të shpërnguleshin drejt zonave malore për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga spahinjtë osmanë ndaj popullsisë së krishterë fushore. Në zonat malore ku u vendosën, këto familje u vunë nën mbrojtjen e fisit të Shkrelit, i cili zotëronte territore në afërsi .
Zona ku shtrihej ky bajrak karakterizohej nga kushte të vështira natyrore dhe prodhimtari e kufizuar bujqësore. Në Lohen e Poshtme, sipas Kolë Lukës , ka ekzistuar edhe një vendbanim shumë i vogël i quajtur Kadikam (Cadichami). Në këtë fshat përmenden si banorë Radosklav Romestina, i cili ishte kreu i vendbanimit, dhe Petro Kujtimi, i cili kishte detyrimin të paguante një dukat për mod . Banorët e Kadikamit, ashtu si edhe ata të fshatit Lohe (Logoa), ishin të detyruar të paguanin obrokun dhe të përmbushnin të gjitha detyrimet e tjera fiskale dhe angaritë, sipas kushteve të përcaktuara në Kadastrën venedikase të Shkodrës .
Komuna e Gruemirës përfshin fshatrat: Gruemirë, Boriç i Vogël, Grudë-Fushë, Grilë, Kurtë, Linaj–Egç–Lepurosh, Omaraj, Rrash, Vorfë, Demiraj, Ktosh, Gjormë, Mshqerrë, Vajush, Boriç i Madh dhe Kerraj .
Toponimi Gruemirë shpjegohet nga tradita gojore përmes një narrative etike-didaktike, e cila e lidh emrin e fshatit me figurën e “gruas së mirë”, në kontrast simbolik me Grudë-Fushën, e interpretuar si “fshati i gruas së keqe”. Sipas gojëdhënës, një ditë vere, një grua teksa po mbushte ujë në një nga pusat në pjesën veriore të fshatit, pranë saj kaluan disa udhëtarë të lodhur nga rruga, të cilët i kërkuan ujë për të pirë. Pavarësisht se po mbizotëronte një thatësirë e madhe dhe uji ishte i pakët, ajo nuk hezitoi t’u jepte ujë nga boliera që mbante me vete. Udhëtarët, të prekur nga bujaria e saj, i treguan se më parë kishin ndaluar në Grudë-Fushë, ku një grua tjetër, që po mbushte ujë, jo vetëm që nuk u kishte dhënë, por madje i kishte përzënë duke i goditur me gurë. Duke falënderuar mikpritjen dhe mirësinë e gruas së Gruemirës, ata e cilësuan vendin e saj si “fshati i gruas së mirë”. Ky interpretim i përket sferës së etnotoponomisë dhe reflekton një polarizim moral tipik për kulturën tradicionale, pa vlerë dokumentare për periudhën mesjetare.
Për Mesjetën, burimi kryesor për Gruemirën mbetet Kadastra e Shkodrës dhe Regjistri i Koncesioneve të viteve 1416–1417, ku fshati përmendet në dy njësi: Gruemira e Madhe dhe Gruemira e Vogël. Kreu i Gruemirës së Madhe rezulton njëfarë Pjero Gruemiri, ndërsa dokumentacioni regjistron një bashkësi familjesh me patronimin Gruemiri, krahas elementeve onomastike të përziera arbërore dhe sllave (Mirosklav Manasi, Radosklav Malonçi, Groban Siroko, etj.), çka dëshmon për një strukturë demografike heterogjene. Çdo kryefamiljar kishte detyrimin fiskal të një dukati dhe një modi, si dhe obrokun prej katër groshësh për shtëpi (dy për Krishtlindje dhe dy për Pashkë), së bashku me të dhjetën e melit. Ky regjim fiskal zbatohej edhe për çdo shtëpi të re që do të shtohej në fshat. Nga këto detyrime përjashtoheshin klerikët dom Pjero Grigulko, dom Zuan Gruemiri, dom Aleks Gruemiri dhe dom Petro Uroshi (Vroshi) , të cilët identifikohen qartë si pjesë e klerit dioqezan katolik roman. Megjithatë, edhe ata ishin të detyruar të paguanin të dhjetën e verës për vreshtat e tyre private, ndërsa pronat e kishës përjashtoheshin nga ky detyrim. Ekonomia e fshatit mbështetej ndjeshëm në prodhimin e verës. Banorët ishin të detyruar të paguanin të dhjetën e verës, si dhe një detyrim shtesë prej deri në dhjetë barrë verë në vit ndaj Dhomës së Shkodrës. Ky detyrim mund të shlyhej edhe në para, me kurs pesë perperë dhe katër groshë për barrë, në rast të të vjelave të dobëta. Vera duhej të transportohej në kështjellën e Shkodrës me shpenzimet e fshatarëve, të ishte e pastër dhe e kulluar, dhe çdo mashtrim (ujitje ose hile tjetër) ndëshkohej me pagesë të dyfishtë. Përjashtim nga këto detyrime parashikohej vetëm në rast lufte, kur vjelja nuk mund të realizohej. Nga Kadastra del se Gruemira e Madhe kishte hyrë në konflikt juridik me proniarin e fshatit Grizhë, i cili pretendonte vartësinë e saj. Si pasojë, Gruemira u njoh si njësi më vete, sipas një koncesioni të lëshuar në Shkodër më 10 shkurt 1416 (indiksioni X), duke fituar autonomi administrative ndaj Grizhës .
Midis Gruemirës dhe Koplikut përmendet edhe vendbanimi Çezme, i cili gjatë periudhës së monizmit u shndërrua në kooperativë bujqësore. Sot ky fshat paraqitet në gjendje braktisjeje të theksuar dhe degradimi strukturor .
Në brigjet lindore të Liqenit të Shkodrës, në territorin historik të Vrakës, identifikohen katër fshatra me prani të një komuniteti sllavofon, pjesërisht folës të një dialekti serbo-malazez: Boriçi i Madh (Borić Veli), Boriçi i Vogël (Borić Mali / Borić Stari / Borić Vezirov), Grilë (Grilj) dhe Omaraj (Omara). Administrativisht, këto fshatra i përkasin njësisë administrative Gruemirë, brenda bashkisë Malësi e Madhe . Në këtë kontekst përfshihet edhe Boriçi i Vogël, si pjesë integrale e territorit të Gruemirës .
Sipas traditës lokale dhe të dhënave etnografike, popullsia sllavofone e Vrakës ndahet në dy grupe kryesore sipas përkatësisë fetare: sllavë ortodoksë, numerikisht më të paktë, të vendosur kryesisht në Boriçin e Vogël, Grilë, Omaraj dhe Kamicë; sllavë myslimanë, më të shumtë, të përqendruar në Boriçin e Madh dhe në Shtoj .
Kronologjia e vendosjes së kësaj popullsie mbetet e paqartë. Megjithatë, analiza e burimeve sugjeron një prani relativisht të vonë, me gjasë nga gjysma e parë e shekullit XIX. Kjo hipotezë mbështetet në mungesën e çdo dëshmie për popullsi sllavofone në regjistrat venedikas dhe osmanë të shekullit XV, të cilët dokumentojnë me hollësi strukturën demografike të zonës pa evidentuar elemente të tilla gjuhësore .
Nga pikëpamja sociolinguistike, komuniteti sllavofon i Vrakës paraqitet sot si plotësisht dygjuhësh. Dialekti sllav lokal ruhet kryesisht nga gjeneratat e vjetra, ndërsa brezat e rinj, zakonisht që në moshë shkollore, kalojnë në përdorim ekskluziv të gjuhës shqipe, çka dëshmon për një proces të avancuar asimilimi gjuhësor .
Toponimi Vrakë lidhet me kultin e Shën Vraçit (Santo Auracio / Sveti Vrači), i dokumentuar që në burimet mesjetare. Emri shfaqet në dokumentacionin venedikas të shekullit XV dhe, sipas gjasës, edhe në diplomën e Stefan Dushanit . Në Defterin Osman të vitit 1485 lokaliteti përmendet me formën Shënd Invrash, duke reflektuar një vazhdimësi toponimike me transformime fonetike dhe administrative .
Grudë-Fusha, e ndodhur rreth 15 km nga Shkodra, paraqitet sot si një vendbanim pothuajse tërësisht i braktisur. Zjarri i gushtit 2022 shkaktoi dëme të mëdha në strukturën e fshatit, përfshirë edhe varrezat, duke përshpejtuar procesin e braktisjes .
Grila, pjesë e njësisë administrative Gruemirë dhe e vendosur pranë bregut të liqenit, përmban një komunitet serbo-malazez dhe duket të ketë një origjinë mesjetare, ndonëse nuk përmendet si njësi më vete në Kadastrën venedikase të Shkodrës. Megjithatë, prania e patronimit Grilla në dokumente të shekullit XV (Radfiq dhe Zorzi Grilla në Enkljekjani/Jengjekjani ; Pali Grilla në Bishtrrjollë ; Sergj Grilla në Zamaraki nën Balec ) sugjeron ekzistencën e një bërthame më të hershme banimi, e cila nuk është fiksuar drejtpërdrejt si fshat.
Kurta , ndonëse nuk bën pjesë në grupin sllavofon, paraqet një rast tipik të braktisjes rurale në periudhën moderne, si pasojë e mungesës së infrastrukturës bazë (rrugë dhe furnizim me ujë), proces që ka nisur që në periudhën e monizmit dhe ka vijuar edhe në dekadat pasuese .
Linaj nuk dokumentohet në burimet historike mesjetare dhe moderne të njohura. Në gjendjen aktuale, fshati paraqitet në proces të avancuar braktisjeje demografike, si pasojë e mungesës së infrastrukturës bazë dhe investimeve publike për një periudhë disavjeçare.
Egçi paraqet interes të veçantë toponomastik dhe historik. Sipas Eqrem Çabejt, emri lidhet me temën leksikore i egër , çka sugjeron një toponim motivacional me bazë mjedisore. Në dokumentacionin mesjetar shfaqet me forma të ndryshme (Egci, Egersi, Egressi, Exi), dhe përmendet në Kadastrën e Shkodrës të vitit 1417 si fshat nën Potgorë, me gjashtë zjarre . Burimet janë të pakta, por Defteri Osman i vitit 1485 evidenton dy njësi të dallueshme:
– Egirish , me 15 zjarre, i identifikueshëm me Egçin e Bregut, në afërsi të Lohes ;
– Igirish , me 19 zjarre, i cili sot identifikohet si lagje e Reçit.
Kjo dyzim dokumentar sugjeron lëvizje dhe ristrukturim të vendbanimeve nga viset e ulëta drejt kontraforteve kodrinore. Sot Egçi përbën lagje të Gruemirës, i njohur si Egçi i Bregut, i vendosur në shpatet e Sheut të Rrjollit, që shënon kufirin tradicional midis Rrjollit dhe Reçit . Toponimi Brazë, i lidhur me Egçin e Reçit, përforcon hipotezën e një ngulimi dytësor mbi truallin e një vendbanimi të mëhershëm të zhdukur pas shek. XV . Në Defterin e vitit 1485 shfaqet edhe forma Kyryegçi, me funksion patronimik, një dukuri e konfirmuar edhe nga përdorimi i formave Egci/Egersi/Egressi si mbiemra familjarë në kadastrën venedikase .
Lepuroshi (Lepuroshët / Leporoshët) përfaqëson një fis historik shqiptar, të vendosur në Mesjetë në rajonin etnografik të Rrjollit. Në Kadastrën e Shkodrës 1416–1417 fshati përmendet si njësi nën Balec, me një strukturë të vogël banimi. Dokumentohen kryefamiljarët: Jon Leporoshi, Aleks Leporoshi, Benko Leporoshi, Jon Manashi, Gjergj Musanti, Pali Duka dhe Kjurko Tuzi. Çdo familje ishte e detyruar të paguante një dukat dhe një mod në vit . Sot Lepuroshi është pjesë e njësisë administrative Gruemirë, në bashkinë Malësi e Madhe .
Omaraj karakterizohet nga mungesë burimesh historike të drejtpërdrejta, çka e bën të vështirë rindërtimin e zhvillimit të tij në periudhë të gjatë.
Rrashi (Rrash i Vorfës) nuk duhet ngatërruar me Rashën tjetër të përmendur në burime të ndryshme. Për periudhën mesjetare nuk disponohen të dhëna. Megjithatë, Defteri Osman i vitit 1485 regjistron fshatin me gjashtë zjarre dhe me një strukturë fiskale të artikuluar, duke përfshirë taksa mbi drithërat (grurë, elb), mushtin, perimet, linin, bletarinë, barin dhe drutë, me një total prej 1198 akçe . Kjo dëshmon një prodhimtari bujqësore të konsiderueshme, ndërsa mungesa e të dhënave për blegtorinë sugjeron ose nënraportim, ose një ekonomi më të orientuar drejt bujqësisë sesa rritjes së bagëtive.
Vorfa , e vendosur pranë Maranajt dhe e shoqëruar nga lokalitetet Mbranë dhe Garuc (Shakotë), për të cilat mungojnë të dhëna historike, përmendet nga Spiridon Gopçeviq si bajrak. Bajraktari i Vorfës, Tahiri, shfaqet si figurë lokale me rol drejtues, i cili e shoqëron autorin në ngjitjen drejt malit Maranaj . Gopçeviq përmend gjithashtu ekzistencën e një Vorfe të Sipërme . Zona është e rëndësishme edhe nga pikëpamja arkeologjike: këtu identifikohet “Qyteza e Vorfës”, një vendbanim i lashtë , nga i cili janë gjetur objekte arkeologjike, përfshirë sëpata të tipit shqiptaro-dalmat .
Demiraj , gjatë periudhës së komunizmit dhe më pas, ishte pjesë e fshatit të bashkuar Grizhë . Për origjinën dhe zhvillimin e tij historik mungojnë aktualisht të dhëna dokumentare.
Ktoshi , po ashtu i përfshirë gjatë diktaturës në strukturën administrative të Grizhës, nuk evidentohet si fshat më vete në Kadastrën e Shkodrës, por shfaqet si patronim familjar (Ketoshi), i dokumentuar në Grizhë dhe rrethina (Veceri Ketoshi, Aleks Ketoshi, Vasil Ketoshi, Nikolla Ketoshi), çka sugjeron një proces të formimit të vendbanimit nga një bërthamë familjare .
Gjormi dhe Mshqerra , gjatë periudhës së komunizmit dhe pas saj, bënë pjesë në Fshatin e Bashkuar Grizhë, dhe nuk disponohen të dhëna historike më të hershme për statusin e tyre të pavarur.
Vajush (Viussi) përmendet në Kadastrën e Shkodrës 1417 si fshat me tre zjarre, i vendosur nën Podgorë . Kryefamiljarët e evidentuar ishin Maroshin, Nikolla dhe Progan Vajushi, të cilët paguanin nga një dukat për mod dhe obrok prej katër groshësh për shtëpi . Në 1484, patronimi Vajushi shfaqet në Grizhë dhe Bratoran (Gjuro, Petri, Gjerji, Progon Vajushi) . Pas reformës së vitit 2015 , Vajushi u integrua në bashkinë Malësi e Madhe, ndërsa më parë ishte pjesë e Fshatit të Bashkuar Grizhë.
Grizha (Grizhë) në periudhën komuniste ishte qendër e Fshatit të Bashkuar, duke përfshirë lagjet: Gjorm i Sipërm (Sirm), Fundi i Brise, Kçar i Sipërm (i Sirm), Meshjerraj, Kázmaj, Dude, Demiraj, Kçari Ktosh, Gjorm Poshtëm dhe pjesë të tjera . Në Kadastrën venedikase 1416–1417, Grizha përmendet si fshat i madh , i pasur me prona dhe vreshta të shumta , ku kreu ishte Gjin Murari (Muratori). Në Defterin Osman 1485, banorët ishin të shumtë dhe të besimit të krishterë . Popullsia e Grizhës ka marrë pjesë në kryengritjet kundër osmanëve (1869) dhe në luftërat për mbrojtjen e trojeve . Sot, banorët e Grizhës janë kryesisht malësorë me origjinë nga Gruda .
Boriçi i Madh u bë pjesë e bashkisë Malësi e Madhe pas reformës së vitit 2015 dhe është i banuar nga një pakicë myslimane sllave (podgoriçanë), pjesë e rajonit të Vrakës . Lagjja ka dy emra Boriçi i Madh dhe Boriçi i Ri.
Kerraj identifikohet sot si pjesë e njësisë administrative Gruemirë, por nuk ka të dhëna historike të njohura .
Baleci, qytet mesjetar i njohur për dokumentacionin historik, përmendet në burime si Balecium, Baleç, Balezo, Ballegio, Ballesio, Baleçio , me lulëzimin kryesor në shekullin XIV . Burimi i hershëm mesjetar është shkrimi i Presbiterit Diocleas rreth vitit 1200, ku formohet si “iupa Barizi” (Zhupa e Balecit) , pjesë e dhjetë zhupave të Zetës, së bashku me Koplikun (Kupêlnik) dhe Oblikën (Obliquus) . Emri Balec lidhet me origjinën ilire, rrjedh nga fjala ballë , dhe qyteti u shkatërrua gjatë “Dyndjes së Popujve” në shekullin VI nga avarët dhe sllavët , duke e vendosur qytetin në një krizë të hershme urbanistike. Qyteti ka pasur një histori të lidhur edhe me dioqezën dhe klerin mesjetar, megjithëse dokumentet mbeten të pakta .
Pas shkatërrimit të qytetit nga mësymja e avarëve dhe sllavëve në shekullin VI, Baleci u ringrit përsëri, duke u kthyer në qendër të një dioqeze (Palachiensis ose Balleacensis) , megjithëse periudha e Mesjetës së hershme mbetet relativisht e errët për sa i përket të dhënave konkrete.
Baleci ndodhet disa kilometra nga Shkodra, pranë fshatit Kurte (Kurtaj), dhe distanca nga qyteti ishte historikisht e vështirë për t’u kaluar, madje edhe sot një pjesë e rrugës mund të bëhet vetëm me këmbë. Sipas Barletit, qyteti ishte 12 mijë hapa larg Shkodrës, 5 mijë hapa nga Drishti dhe 15 mijë hapa nga Deja . Qyteti shtrihej mbi një kodër, poshtë së cilës rrjedhin lumi i Rrjollit dhe përrua i Kurtës (ose Gurra e Kurtit, sipas Ippen-it ). Lumi i Rrjollit buron nga Alpet e Parunit dhe takon përruan në bjeshkët e Bishkasit .
Sipas vlerësimeve të Shuflajt, perimetri i mureve të kështjellës ishte rreth 1000 hapa, gjysma e perimetrit të Kalasë së Shkodrës, duke e kategorizuar Balecin si një qytet të vogël . Zona nuk ka pasur mungesë uji, pasi Rrjolli kishte prurje të mjaftueshme edhe në stinën e verës. Etimologjikisht, Rrjolli rrjedh nga latinishtja rivulus, që do të thotë “rrjedhë”, ndërsa Gurra e Kurtit lidhet me emrin e fshatit të afërt, Kurte .
Jastreboviç përshkruan rrënojat e qytetit, ku dallohen mbetjet e një kishe të madhe dhe një tjetre më të vogël, të mbuluara nga shkurret . Ippen-i vlerëson se perimetri i majës së kodrës është 1000 hapa dhe gërmadhat janë në gjendje më të mjeruar krahasuar me ato të Svaçit, Sardës ose Drishtit (Drivastit) .
Megjithëse qytet i vogël , Baleci ka pasur një aktivitet të zhvilluar tregtar dhe zanatçor. Në librat e arkivit të Raguzës përmenden zejtarë nga Baleci, përfshirë marangona dhe këpucëbërës . Një rast i dokumentuar është Dobroslavi nga Baleci (Dubroslaus de Ballegio), këpucëbërës dhe agjent i Vëllazërisë së Shën Damianit, i cili shfaqet në dokumentin e Raguzës më 20 mars 1402, ku përfiton dy perperë nga shpërndarja testamentare e vëllazërisë .
Dobroslavi përmendet gjithashtu në një dokument tregtar të 22 shkurtit 1403, që dëshmon marrëdhënie profesionale midis qytetarëve të Balecit dhe Shkodrës . Dokumenti përshkruan pagesën dhe shlyerjen e detyrimeve nga Stefan de Roza, qytetar fisnik shkodran, ndaj Dobroslavit për mallra të marra, duke garantuar që nuk do të kishte kërkesa të mëtejshme nga ana e tij ose trashëgimtarëve të tij .
Dobroslavi duket se ishte një mjeshtër i afirmuar i zanatit të këpucarisë, çka dëshmohet nga dokumentacioni arkivor ku përmenden edhe çirakë që shkonin për të punuar dhe për të mësuar zanatin pranë tij. Një rast domethënës është ai i Radoslavit, i biri i Dobrosh Obradoviqit nga Mali i Zi (Radoslaus condam Dobrosij Hobradouich de Cernagora), i cili, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, lidhi një kontratë çirakërie me mjeshtrin nga Baleci për të mësuar zanatin e këpucarisë dhe për t’i shërbyer atij me ndershmëri dhe besnikëri për një periudhë gjashtëvjeçare .
Sipas marrëveshjes, mjeshtri merrte përsipër të siguronte ushqimin dhe veshjen e çirakut në mënyrë të përshtatshme, si gjatë periudhave të shëndetit të mirë ashtu edhe në rast sëmundjeje, si dhe ta mësonte plotësisht zanatin deri në përfundim të afatit të kontratës. Pas mbarimit të kësaj periudhe, mjeshtri angazhohej ta pajiste çirakun me veglat e nevojshme për ushtrimin e profesionit . Dokumenti, i datës 30 dhjetor 1404 , përbën një kontratë tipike mesjetare midis mjeshtrit dhe çirakut dhe ka rëndësi të veçantë, pasi ofron të dhëna të drejtpërdrejta mbi organizimin e esnafëve dhe korporatave artizanale, si dhe mbi marrëdhëniet juridike dhe detyrimet reciproke ndërmjet tyre.
Në lidhje me zanatin e marangozëve, dokumentacioni përmend Palin nga Baleci (Paulus de Ballegio marangono), i cili shfaqet disa herë në burime të ndryshme. Në vitin 1388 ai përmendet së bashku me ndihmësin e tij Jurglio Braikoviq nga Koruzi i Shqipërisë (Jurglio Braychovich de Choruçi Albanie) ; më pas haset sërish në një dokument të vitit 1398 dhe, së fundi, përmendet në një testament raguzan të datës 10 qershor 1402 . Këto të dhëna dëshmojnë vazhdimësinë e veprimtarisë artizanale në Balec dhe integrimin e saj në rrjetet ekonomike rajonale.
Nga pikëpamja ekonomike, një rol të rëndësishëm për qytetin duhet të ketë luajtur lumi i Rrjollit, i cili rrjedh në afërsi të tij. Ky lumë ka qenë i pasur me peshk, veçanërisht me troftë, ndërsa lugina që formon, e mbrojtur nga relievi malor, krijonte kushte klimatike të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, pemëtarisë, vreshtarisë dhe blegtorisë . Për më tepër, afërsia me krahinën e Koplikut, e njohur në Mesjetë për vreshtat e saj, si dhe me fisin e Shkrelit – i njohur si fis barinjsh gjysmënomad, që shfrytëzonte kullotat alpine gjatë verës dhe fushat pranë Shkodrës e bregdetit gjatë dimrit, duke përdorur si itinerar shtratin e Përronit të Thatë – e bënte Balecin një pikë të rëndësishme grumbullimi për verën, leshin, lëkurat dhe produkte të tjera blegtorale.
Lumi i Rrjollit kishte gjithashtu një rëndësi të veçantë për ekonominë e Balecit dhe të krahinave përreth për shkak të pranisë së shumë mullinjve. Njëri prej tyre i përkiste ipeshkvit të qytetit, ndërsa një tjetër, sipas një dokumenti venedikas të datës 27 mars 1417, ishte në pronësi të muratorit Gjon (Johannes murarius) nga Shkodra dhe ndodhej poshtë mullirit ipeshkvor . Ekzistenca e një numri të konsiderueshëm mullinjsh dëshmon për një fluks të madh të prodhimit dhe përpunimit të drithit në këtë zonë gjatë Mesjetës. Në aspektin kulturor dhe fetar, përveç kishave të qytetit, një rol të rëndësishëm duhet të ketë luajtur edhe Manastiri i Shën Gjonit në Fushën e Shtojit, i cili në një fazë i përkiste Ipeshkvisë së Balecit.
Qyteti duket se filloi të zvogëlohej dhe të humbiste rëndësinë e tij rreth mesit të shekullit XIV, ose, sipas Ippenit, edhe më herët . Në fillim të shekullit XV, territori i Balecit ishte shndërruar në pronë feudale dhe, në vitin 1404, përmendet si pronar i tij Radiq Humoi (Raducius Homoy) . Sipas Kadastrës venedikase të viteve 1416–1417, “qyteti i Balezos” (Citá di Balezo) numëronte rreth 25 shtëpi , çka tregon se në këtë periudhë ai ishte reduktuar tashmë në një vendbanim me karakter fshatar. Kadastra përmend disa nga banorët, krerët dhe pronarët e tokave në qytet dhe në fshatrat përreth. Kreu i këtij “qyteti” në kohën e përpilimit të kadastrës ishte Andrea Humoj, ndërsa si pronar përmendet Kojaçini, i biri i të ndjerit Radiq .
Banorët ishin të detyruar të paguanin secili nga një dukat, shumica edhe nga një mod, si dhe taksat e orokut prej katër groshësh për shtëpi, dy herë në vit, për Krishtlindje dhe për Pashkë. Përveç kësaj, ata kishin detyrimin të kryenin shërbim ushtarak si këmbësorë ose kalorës, sa herë që kjo kërkohej nga rektorët e Shkodrës . Në këtë dokumentacion vërehen mbiemra familjarë që hasen edhe në lokalitete të tjera të rrethinës së Shkodrës dhe në Drisht, shumica e të cilëve janë me prejardhje shqiptare. Krahas banorëve të Balecit, burimet përmendin edhe individë nga ky qytet që vepronin në zona të tjera, si p.sh. dom Pjetri nga Baleci (don Piero da Balezo), i cili kishte marrë me qira një parcelë toke në Kazenet e Shkodrës . Megjithatë, pak kohë më vonë, Baleci shfaqet në burime si një vendbanim i braktisur plotësisht .
Qyteti kishte gjithashtu një numër të konsiderueshëm fshatrash vartëse, të cilat në Kadastër shënohen me përcaktimin “nën Balecin”, duke dëshmuar se gjatë Mesjetës Baleci kishte funksionuar si qendër administrative dhe kishtare e Luginës së Rrjollit . Këto fshatra përfshinin: Zakolin në Balec (Zacholj soto Balezo) me tri shtëpi; Brazën nën Balecin (Braza soto Balezo) me pesë shtëpi ; Darin nën Balecin (Darj soto Balezo) me njëmbëdhjetë shtëpi ; Leporoshin nën Balecin (Leporonsi soto Balezo) me shtatë shtëpi ; Shën Aleksandrin nën Balecin (Sancto Alexandro soto Balezo), i cili në atë kohë ishte i braktisur ; Zamarakin nën Balecin (Zamarachi soto Balezo) me tri shtëpi ; si dhe fshatin e braktisur të Brokulkut (Villa clamada Brochulcho e desabitada) .
Siç u vu re edhe më sipër, këto fshatra, ashtu si vetë qyteti i Balecit, në këtë fazë ishin të banuara nga një numër shumë i kufizuar banorësh, zakonisht nga tre deri në dhjetë familje. Madje, disa prej tyre rezultojnë plotësisht të braktisura, si Brokolku dhe Shën Aleksandri nën Balecin, ky i fundit me shumë gjasë i vendosur në shpatet poshtë kodrës së qytetit . Ky realitet demografik pasqyron qartë procesin e rënies dhe të shpopullimit që kishte përfshirë zonën që nga fundi i Mesjetës së hershme.
Në vitin 1474, Ivan Crnojeviqi, princi i Malit të Zi, i njoftonte autoritetet venedikase se osmanët synonin ta fortifikonin sërish qytetin e Balecit ; megjithatë, ky projekt mbeti i parealizuar . Marin Barleti, me origjinë nga Shkodra dhe njohës i mirë i territorit përreth saj, e përmend Balecin si një lokalitet të rrënuar, të vendosur rreth 12 milje romake nga Shkodra dhe 5 milje romake nga Drishti, çka konfirmon gjendjen e tij të degradimit të avancuar në fund të shekullit XV .
Në Balec ndodhej katedralja e Shën Mërisë, ndërsa në afërsi funksiononte manastiri i Shën Gjonit, i pajisur me një kambanare të lartë prej gurësh të gdhendur. Ky kuvend i vjetër, fillimisht i përkatësisë benediktine, u lidh më pas me Ipeshkvinë e Drishtit, prej së cilës, sipas një dokumenti të vitit 1442, dilte edhe abati i manastirit (“Semper in futurum abbas sit Drivastinus”) . Përveç këtyre objekteve kultike, dokumentohet edhe një kishë tjetër e dedikuar Shën Aleksandrit (Shën Lleshit), e përmendur si “Sancto Alexandro sotto Balezo” .
Baleci lidhet gjithashtu me veprimtarinë ushtarake të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Burimet sugjerojnë se ai ka qenë i pranishëm në këtë qytet me forcat e tij dhe se rreth viteve 1447–1448 ka ndërmarrë punime rindërtimi ose përforcimi të kështjellës, në kontekstin e konfliktit me Republikën e Venedikut lidhur me zotërimin e Dejës . Pas vdekjes së Lekë Zaharisë, Skënderbeu ia kishte besuar administrimin e këtij qyteti Palë Dukagjinit , njësoj si vetë Zaharia, anëtar i Lidhjes së Lezhës, të themeluar më 2 mars 1444 . Në këtë lidhje bënin pjesë edhe fisnikë të tjerë të rëndësishëm të rajonit, si Pjetër Shpani me katër bijtë e tij – Aleksin, Bozhdarin, Vruon, Mirkon – si dhe Lekë Dushmani , zotërues i pronave rreth Drishtit, Balecit dhe në Zadrimë.
Republika e Venedikut e shihte Lidhjen e Lezhës si një kërcënim për zotërimet e saj veriore dhe tensionet mes dy palëve u thelluan deri në shpërthimin e konfliktit të hapur në dhjetor të vitit 1447 . Në këtë kontekst, Pjetër Shpani me bijtë e tij dhe Lekë Dushmani, të cilët nuk ishin të gatshëm të merrnin pjesë në veprimet ushtarake të Skënderbeut kundër Venedikut, u shkëputën nga Lidhja . Ky zhvillim mund të ketë ndikuar që Skënderbeu, pas fitores kundër forcave të guvernatorit të Shkodrës, Daniele Luriki, më 23 korrik 1448 , të rrezikonte edhe pushtimin e Drishtit . Prania e një ushtrie të konsiderueshme në zonën e Shkodrës shpjegon edhe rindërtimin e kështjellës së Balecit, e cila shërbente si pikë strategjike mbështetjeje për këto operacione ushtarake .
Megjithatë, sot nuk është e mundur të lokalizohet me saktësi vendi në kodrën e Balecit ku Skënderbeu realizoi këto fortifikime. Edhe Ippen, i cili mbi një shekull më parë kishte konstatuar një numër më të madh rrënojash sesa ruhen sot, nuk arriti të identifikojë qartë pozicionin e kështjellës së rindërtuar nga Skënderbeu . Gjatë rrethimit të parë të Shkodrës, kjo qytezë u shfrytëzua edhe nga osmanët në funksion të veprimeve ushtarake kundër qytetit , por për ndonjë rindërtim ose rikonstruksion të kështjellës nga ana e tyre mungojnë, deri më tani, të dhëna të sigurta.
Baleci ishte seli e një ipeshkvie më vete (Ecclesia Balleacensis ose Palachiensis), e cila varej nga juridiksioni i Kryeipeshkvisë së Tivarit . Megjithatë, qysh në vitin 1356, ipeshkvi i Balecit ankohej për mungesën e të ardhurave, duke e shpjeguar këtë gjendje me faktin se dioqeza e tij ishte e banuar kryesisht nga “skizmatikë”, domethënë nga popullsi ortodokse .
Përqendrimi i ortodoksëve në këtë zonë lidhet, me shumë gjasë, me afërsinë e fshatit Cupelnich (Kopliku i sotëm), i cili në Kadastrën venedikase të viteve 1416–1417 përmendet si Kopeniko dhe rezulton i banuar kryesisht nga popullsi sllave, si dhe nga një numër i konsiderueshëm priftërinjsh të kishës sllave, si Jura i Protopopit, popi Andrea, popi Nikashin, popi Milica, popi Stanko, popi Bogdan, popi Radoslav Tribov, popi Radovani, etj . Megjithatë, e njëjta kadastër dëshmon edhe praninë e klerit katolik, me përmendjen e disa priftërinjve, si Dom Petro Katoci, Dom Domenik Ungreshe, Dom Progan Progani, Dom Petro Andrea, Dom Lazër Salamoni, Dom Andrea Gregolo, Dom Zuane Sergani dhe Dom Petro Juani (Ivani) .
Ipeshkvi i Balecit përmendet për herë të parë në një letër të Papës Aleksandër II, të vitit 1062, drejtuar Pjetrit, kryeipeshkvit të Tivarit, ndër sufraganët e të cilit përfshihej edhe dioqeza e Balecit . Megjithatë, ipeshkvijtë e Balecit të njohur me emër dokumentohen vetëm duke filluar nga shekulli XIV. I pari prej tyre është Guljelmi (Gullielmus, Episcopus Balleacensis), i përmendur në një letër të Papës Klementi VI, i cili në mars të vitit 1347 i drejtohet françeskanit Gjervik, duke e emëruar ipeshkëv të Balecit pas vdekjes së Guljelmit . Edhe pse nuk dihet me siguri se cilit urdhër i përkiste Guljelmi, ka shumë gjasa që ai të ketë qenë françeskan, ashtu si shumica dërrmuese e ipeshkvijve të kësaj dioqeze.
Në vitin 1347, Gjerviku (Gervicus Episcopus Balleacensis), françeskan, emërohet ipeshkëv i Balecit dhe e ushtron këtë funksion deri në vdekjen e tij në vitin 1351. Pas vdekjes së ipeshkvit Gjervik në vitin 1351, ipeshkëv i Balecit u bë Andreas Citer, i cili, ashtu si paraardhësi i tij, i përkiste urdhrit françeskan . Pas tij, për një periudhë të caktuar, ipeshkvia e Balecit drejtohet nga një ipeshkëv anonim, i cili përmendet pa emër në një dokument të vitit 1363, konkretisht në testamentin e një kleriku të quajtur Don Pellegrini. Ky i fundit, me shumë gjasë me origjinë nga Baleci, i lë me testament disa objekte personave që jetonin në këtë qytet, ndër ta edhe mbesës së tij (“a la mia neça Cutha”). Kishës së Shën Mërisë së Balecit ai i dhuron dymbëdhjetë krahë pëlhurë të hollë (“braça XII di tela sutile”), ndërsa ipeshkvit të Balecit një kupë prej bakri (“bocalo di rame sia dado alo veschouo di Baleç”) .
Në vitin 1383 përmendet me emër ipeshkvi Gjon (Johannes, Episcopus Baleazencis), i dokumentuar më 4 qershor në lidhje me marrjen e një kaucioni . Më pas, në vitin 1391, ipeshkvi i Balecit përmendet sërish pa emër në një dekret të Papës Bonifaci IX, drejtuar kundër fretërve të urdhrave lypsarë (fratres ordinis mendicantium), ku përmenden kryeipeshkvi i Shkodrës dhe ipeshkvijtë e Drishtit dhe të Pultit, por jo emri i ipeshkvit të Balecit . Duke pasur parasysh afërsinë kronologjike, është e mundur që në këtë periudhë ipeshkëv të ketë qenë ende Gjoni i lartpërmendur, ndonëse nuk përjashtohet mundësia e një pasardhësi tjetër ende të paidentifikuar. Edhe në vitin 1404 ipeshkvi i Balecit përmendet pa emër në lidhje me pronat e fisnikut shkodran Radic Humoi në territorin e Balecit .
Në vitin 1420, ipeshkëv i Balecit bëhet Alfonso da Cáceres (ose Cavres), anëtar i Urdhrit Françeskan Minor (O.F.M.), i dokumentuar si i tillë që prej datës 7 prill 1420 ; kohëzgjatja e shërbimit të tij mbetet e panjohur. Në vitin 1422 pason Domenico Godani, i cili rezulton ipeshkëv i Balecit që prej 6 prillit 1422. Në vitin 1424 emërohet Mikel Paoli (Paulluz ose de Paolis) nga Villa, dioqeza e Trevizit, gjithashtu françeskan, i cili e drejton ipeshkvinë e Balecit nga 1 shtatori 1424 deri më 11 tetor 1428; më pas ai transferohet si ipeshkëv i Drishtit, funksion që e mban deri në vdekjen e tij në vitin 1445. Nga viti 1428 deri rreth vitit 1459 ipeshkëv i Balecit është Bernardi de Ivanis ose de Vivanis (i njohur edhe si Bernardo da Viviers), françeskan me origjinë nga Drishti, i cili vdes në vitin 1459. Pas tij, ipeshkëv bëhet Leonardo da Napoli, me origjinë napolitane, anëtar i Urdhrit Dominikan (O.P.), i dokumentuar si ipeshkëv i Balecit që prej 31 gushtit 1459. Pas vitit 1478, ipeshkvia e Balecit kalon në fazën e ipeshkvijve titullarë, duke filluar me françeskanin Daniel Zahender . Ndër ta përmendet edhe Leonardo, i cili mban titullin e ipeshkvit të Balecit deri më 30 korrik 1488, për t’u emëruar më pas ipeshkëv i Lesinës.
Duke marrë parasysh pasaktësitë dhe boshllëqet dokumentare, sipas F. Kordinjanos, për periudhën mesjetare njihen gjithsej trembëdhjetë ipeshkvij të Balecit . Në listën e mësipërme arrihet të identifikohen me emër njëmbëdhjetë prej tyre, ndërsa dy mbeten anonimë. Sot, Ipeshkvia e Balecit ekziston si seli titullare dhe që nga gjysma e parë e shekullit XX e deri në ditët tona numëron shtatë ipeshkvij titullarë .
Përveç ipeshkvijve, burimet dokumentare dëshmojnë edhe praninë e një numri klerikësh të tjerë me origjinë nga Baleci. Ndër më të hershmit përmenden dom Andrea dhe diakoni Stefan, të dokumentuar në Raguzë në mars të vitit 1349 . Po në këtë kontekst shfaqet figura e dom Pelegrinit nga Baleci , një prift i njohur për veprimtarinë e tij si pelegrin, i cili kryente udhëtime të shenjta për shpirtin e besimtarëve të ndjerë kundrejt pagesës nga familjarët e tyre. Më 23 maj 1349, pas murtajës së madhe që kishte përfshirë Raguzën dhe zona të tjera të Ballkanit, dom Pelegrini deklaron se kishte marrë dhjetë hyperperë nga Pashka de Sorgo, për të kryer një pelegrinazh në Shën Françeskun e Asizit për shpirtin e Stepes, babait të këtij të fundit .
Dom Pelegrini përmendet sërish më 9 shkurt 1350 si “Dompnus Pelegrinus Albanensis”, këtë herë për një pelegrinazh në Romë, së bashku me dom Palin nga manastiri i Shën Kollit të Bunës, për disa fisnikë raguzanë. Nga ky dokument mësojmë gjithashtu se ai ishte nipi i dom Nikollës, kapelan i kishës së Shën Vlashit në Raguzë . Vdekja e dom Pelegrinit duhet të ketë ndodhur në vitin 1363, pasi më 30 maj të atij viti hapet testamenti i tij . Edhe pse kishte jetuar për një kohë të gjatë jashtë Balecit, testamenti dëshmon lidhjen e fortë të tij me qytetin e origjinës, si dhe jep të dhëna të çmuara mbi kishat dhe jetën kishtare të Balecit në shekullin XIV.
Në dokumentet raguzane përmenden edhe klerikë të tjerë nga Baleci, si prifti Benedikti (presbiter Benedictus de Ballegio), dëshmitar në një testament të vitit 1400 , dom Pali nga Baleci, dëshmitar ligjor në një testament tjetër të po atij viti , si dhe dom Benku nga Baleci (Dompnus Benchus de Ballegio) . Ky i fundit ishte një figurë e njohur në Raguzë: në vitin 1372 shërbente si sakrist i Katedrales, më pas si kapelan i zhupës së Brennos, dhe në fund të jetës përmendet si “dom Benku plaku” (don Bencho Vechio), duke dëshmuar vazhdimësinë e pranisë dhe ndikimit të klerit balecian në jetën fetare të qytetit raguzan .
Dom Benku i sipërpërmendur ka lënë në Raguzë edhe një testament, i cili u hartua nga dy klerikë të tjerë, me sa duket sivëllezër të urdhrit dominikan (predikues): dom Bosiamiloste dhe dom Jon Longo nga Durrësi. Ndër përfituesit e sendeve të lëna me testament përmenden, përveç të tjerëve, edhe vëllezërit biologjikë të vetë dom Benkut — Dobroslavi, zoti Pal Markosi (tashmë i ndjerë) dhe Marku — si dhe sivëllezër të tjerë të urdhrit, si dom Pjetër Vendramin nga Drishti dhe fra Johani, prior i Predikatarëve (dominikanëve) .
Disa vite më vonë, më 19 maj 1404, dom Benku (don Bencho de Balleza) shfaqet sërish në burimet dokumentare, këtë herë në testamentin e klerikut shqiptar dom Mark Kaputapi (don Marco Caputapis), si një ndër përfituesit e pasurisë së lënë pas .
Po në Raguzë dokumentohet, në vitin 1401, edhe figura e “Dom Domenikut nga Baleci në viset e Shqipërisë” (dompnus dominichus de Balizio parcium Albanie). Përveç disa shlyerjeve borxhesh të përmendura në dokument, nuk jepen të dhëna të tjera mbi përkatësinë e tij urdhërore apo funksionin e saktë kishtar .
Dom Domeniku nga Baleci (dompnus dominichus de Ballegio) shfaqet edhe në dokumente të tjera. Nga një akt i vitit 1403 mësojmë se ai ndërmerrte pelegrinazhe me porosi të besimtarëve të ndryshëm. Një rast i tillë është pelegrinazhi i kryer me porosi të zonjës Nuçe (Nuce), për të cilin ai kishte marrë 50 perperë dhe katër qirinj, të përcaktuar posaçërisht për të në testamentin e saj. Ky dokument raguzan mban datën 19 mars 1403 ; vendi i shtegtimit nuk specifikohet.
Aktiviteti i shtegtimeve dhe pelegrinazheve, i kryer nga klerikë të ndryshëm — veçanërisht nga kleri i ulët — për shpirtin e besimtarëve, përbën një fenomen të njohur në Mesjetë. Për këtë praktikë disponojmë të dhëna të shumta edhe mbi klerikë shqiptarë nga Shkodra, Drishti, Pulti etj., të cilët i kryenin këto shtegtime kryesisht në Raguzë dhe Venedik, në këmbim të një shpërblimi monetar që mbulonte edhe kostot e udhëtimit. Ky fenomen bëhej veçanërisht i shpeshtë në periudha krizash shëndetësore, si gjatë epidemive të kolerës apo të murtajës (Vdekjes së Zezë), të dokumentuara herë pas here nga gjysma e dytë e shekullit XIV deri në fillim të shekullit XV, si në Raguzë ashtu edhe në Shkodër dhe krahinat përreth, përfshirë edhe Balecin.
Domeniku i sipërpërmendur (presbiter dominichus de Ballegio), për të cilin mësojmë se shërbente si kapelan në Raguzë, përmendet edhe në një dokument tjetër të datës 26 shkurt 1404, lidhur me testamentin e një prifti tjetër shqiptar, dom Gjergj Fisi nga Pulti (dompnus Georgius Fissus de Pullato) . Domeniku nga Baleci, së bashku me një tjetër kapelan shqiptar në Raguzë, Dhimitrin nga Deja (presbiter Demetrius de Dagno, capellanus in Ragusio), figurojnë si dëshmitarë të këtij testamenti, i cili ishte hartuar më 3 nëntor 1403 . Ai përmendet gjithashtu edhe në testamentin e Marin Gondules, të bërë më 1 dhjetor 1405, si përfitues i pasurisë së lënë .
Sa i përket ndërtesave të kultit, Baleci duhet të ketë pasur të paktën tri kisha . Rrënojat e njërës prej tyre u evidentuan edhe nga Theodor Ippen në vitin 1907. Sipas përshkrimit të tij, rrënojat e kësaj kishe ndodheshin në majë të kodrës së Balecit, të rrethuara nga shkurre të dendura. Nga struktura kishin mbetur rreth 20 hapa gjatësi dhe 10 hapa gjerësi, së bashku me një pjesë të absidës . Muret ishin të thjeshta dhe pa ornamente.
Kjo kishë në majë të kodrës identifikohet me shumë gjasë si Katedralja e Shën Marisë së Balecit, ku ushtronte veprimtarinë ipeshkvi i Balecit (uescovado di Santa Maria de Baleç) . Katedralja duket se kishte edhe kuvendin e saj katedral, çka dëshmon për një organizim të rregullt institucional . Në vitin 1363, kësaj kishe dom Pellegrini — i përmendur më lart — i lë me testament disa objekte, ndër të cilat edhe një kupë bakri .
Katedralja e Balecit kishte gjithashtu kapitullin e saj (capitulum et clerus ecclesiae Balezencis) , i cili duket se ishte i ngjashëm me atë të Drishtit. Ashtu si në këtë të fundit, edhe në Balec kleri i përkiste kryesisht urdhrit françeskan, gjë që vërehet sidomos nga ipeshkvijtë jo-titullarë të dioqezës . Është e mundur që ky kapitull të ketë pasur edhe statutet e veta, megjithëse një fakt i tillë nuk përmendet në dokumentacionin e ruajtur.
Kapitulli i Katedrales së Balecit përmendet në dy dokumente papnore. I pari, i datës 5 mars 1347, është një letër e Papës Klementi VI, e dërguar nga Avinjoni drejtuar Gjonit, kryeipeshkvit të Tivarit, si dhe kapitullit dhe klerit të Kishës së Balecit (capitulo et clero ecclesiae Balezencis), me rastin e vdekjes së Gervikut, ipeshkvit të dioqezës . Dokumenti i dytë, i datës 1 qershor 1351, po nga Papa Klementi VI, lidhet me shugurimin e françeskanit Andreas Citer si ipeshkëv i ri i Balecit; në këtë rast Papa u drejtohet anëtarëve të kapitullit si “bijtë e dashur të Kapitullit të Kishës së Balecit” (dilectis filiis capitulo ecclesiae Balazencis) .
Kisha e dytë mund të identifikohet me atë të vendosur në fshatin Shën Aleksandër, nën kodrën e Balecit, buzë lumit Rrjoll . Kisha e tretë përmendet në vitin 1363 si Kisha e Shën Kollit të Balecit (Sanctus Nicolaus de Baleç) , po në testamentin e dom Pellegrinit.
Në lidhje me klerin, duhet shtuar se nuk përjashtohet prania e urdhrit dominikan dhe, më herët, edhe e atij benediktin, veçanërisht duke pasur parasysh afërsinë e Manastirit të Shën Gjonit të Shtojit, për të cilin do të flitet më poshtë. Njëkohësisht, përdorimi i titullit Dom (dompnus, dominus) nga shumë klerikë të Balecit nuk përjashton praninë e klerikëve dioqezanë, si në qytet ashtu edhe në fshatrat përreth.
Përkohësisht kësaj dioqeze i përkiste edhe Manastiri benediktin i Shën Gjinit të Shtojit (monasterium Sancti Johannis Ordinis Sancti Benedicti Drivastensis diocesis, ose abbatia Sancti Johannis de Strilalio districtu Drivasti ), rrënojat e të cilit ndodhen edhe sot në fushën e Shtojit, rreth pesë milje larg Balecit. Siç dëshmon edhe vetë emërtimi, manastiri i përkiste fillimisht dioqezës së Drishtit, por komenda e tij i kaloi përkohësisht dioqezës së Balecit.
Pakësimi i ndjeshëm i të ardhurave të Kishës së Balecit, i shkaktuar, sipas burimeve papnore, “nga skizmatikët e mbretërisë së Rashës”, e vuri dioqezën në një gjendje të rëndë ekonomike. Ipeshkvi i asaj kohe, françeskani Andreas, nuk dispononte më mjete të mjaftueshme për jetesë dhe për ushtrimin e funksionit të tij baritor. Për këtë arsye, më 26 tetor 1356, Papa Innocenti VI i dha atij në komendë manastirin benediktin të Shën Gjinit në Shtoj (Strilaleo), i cili ndodhej administrativisht në dioqezën e Drishtit . Ky manastir duhet të ketë qenë relativisht i pasur, duke zotëruar prona të patundshme që shtriheshin edhe përtej kufijve të ngushtë dioqezanë të Drishtit .
Ashtu si Ipeshkvia e Balecit, edhe manastiri i Shën Gjinit u përball me vështirësi të shumta për shkak të presionit të elementit ortodoks sllav. Burimet e vitit 1356 dëshmojnë se abacia e Shën Gjinit në Drisht ishte shkatërruar pothuajse tërësisht nga “vetë skizmatikët” (ab ipsis schismaticis quasi totaliter dissipatum) . Megjithatë, pavarësisht këtij shkatërrimi dhe klimës së pasigurisë fetare, manastiri u ringrit në një kohë relativisht të shkurtër. Kjo dëshmohet nga një akt papnor i 29 shkurtit 1376, në të cilin Papa Gregori XI urdhëron Pjetrin, kryeipeshkëv të Raguzës, të zgjedhë një murg benediktin nga ato vise dhe ta emërojë abat të manastirit, pasi abati i fundit, Mihaeli, kishte ndërruar jetë (monasterio S. Johannis Baptiste dicti ordinis Drivastensis diocesis, per obitum Michaelis abbatis vacanti). Gjatë kësaj periudhe duhet të ketë ndodhur edhe kalimi administrativ i manastirit nga Dioqeza e Balecit sërish nën juridiksionin e Dioqezës së Drishtit.
Në këtë hapësirë kulturore dhe fetare ishte i përhapur edhe kulti i Shën e Premtes ose Shën Prenës (Shën Veneranda, martire e krishterë romake; tek ortodoksët Shën Parashqevi, ndërsa tek sllavët Sveti Petka). Ky kult ishte veçanërisht i rrënjosur në fiset malësore përreth luginës së Rrjollit dhe dëshmohet të ketë pasur vazhdimësi të pandërprerë të paktën deri në fillim të shekullit XX, duke reflektuar një traditë fetare afatgjatë dhe ndërkonfesionale.
Këto të dhëna hedhin dritë mbi historinë e qytetit mesjetar të Balecit, i cili, pavarësisht një jetëgjatësie gati njëmijëvjeçare — nga antikiteti i vonë ose mesjeta e hershme deri në shuarjen e tij gjatë fazave të para të Mesjetës së Vonë — mbetet ende një enigmë për historiografinë. Territori i Balecit rrethohej nga një sërë fshatrash, si Rash, Keqol, Zakol, Brokullk, Brazë, Dar, Leporosh, Shën Aleksandër dhe Zamarak, të cilët do të trajtohen më poshtë në mënyrë të veçuar.
Përveç Rashit të sipërpërmendur, në hartën shoqëruese të Defterit osman të vitit 1485 shënohet edhe një vendbanim tjetër me emrin Rasha , i pozicionuar nën qytezën e Balecit, ndoshta përgjatë rrugës që të çonte drejt Drishtit. Në kohën e hartimit të defterit, menjëherë pas pushtimit osman, Rasha ishte një vendbanim me popullsi tërësisht të krishterë. Banorët e përmendur në regjistër janë: Gjon Gazuli me vëllanë Stepanin, Gjergj Gazuli, Mëksha Braça me vëllanë Nikollën, Gjon Preladi, Gjon Matha, Stepan Neshi me vëllanë Martinin, Premt Engjrusi, Deda, i biri i Andrijës, si dhe Gjergj Bukmiri.
Këta banorë ishin të detyruar të paguanin një gamë të gjerë taksash, ndër të cilat përfshiheshin: taksa e shtëpisë (12 akçe), ispenxha (325 akçe), taksa e grurit (10 barrë – 400 akçe), e elbit (7 barrë – 175 akçe), e kumbullave (2 barrë – 60 akçe), taksa e mushtit, e govatës (30 akçe), e druve (30 akçe), e perimeve (30 akçe), e barit (75 akçe), e nijabetit (15 akçe) dhe e bidadit për derrat (8 akçe), duke arritur në një total prej 1688 akçesh . Kjo dëshmon qartë politikën fiskale osmane, e cila tatonte rajanë për çdo produkt bujqësor apo blegtoral të prodhuar.
Fshati Rasha i përkiste si timar një spahiu të quajtur Hamza Debri, i cili kishte rënë në shërbim të pushtetit osman dhe cilësohej si dëshmor. Pas vdekjes së tij, timari iu kalua një spahiu tjetër me emrin Iljaz Vardarliu. Duke qenë se popullsia ishte e krishterë, është e arsyeshme të supozohet ekzistenca e një kishe lokale, megjithëse deri më sot mungojnë të dhëna të drejtpërdrejta për të.
Në lokalitetin e Rashës përfshihet edhe zona e njohur si Rashkullaj, toponim që mendohet të rrjedhë nga serbishtja Raš i kule (“Rashi dhe kullat”), dhe që njihet gjithashtu me emrat Kullat e Rashit ose Kullat e Boksit . Për Mesjetën, burimet flasin për një truallishte me emrin Radina, e përmendur në Defterin Osman të Shkodrës të vitit 1485 si tokë arë e varur nga fshati Rashë .
Fshati Keqol ose Kequl (Chechioli), i vendosur nën Balec, përmendet në kadastrën venedikase të vitit 1417 me katër zjarre . Kryefamiljarët ishin Stefan Keqoli, Benko Keqoli, Gjergj Mosali dhe Gjergj Gruda, secili i detyruar të paguante nga një dukat për mod . Fshati duhet të ketë qenë i pozicionuar ndërmjet Balecit dhe Rrjollit , por zhduket nga burimet gjatë shekullit XV dhe nuk përmendet më në Defterin e vitit 1485, ndoshta si pasojë e pushtimit osman. Sipas K. Lukës, toponimi Kequl ose Kequla ruhet ende në zonën e Rrjollit, çka sugjeron përfshirjen e këtij territori në strukturën e zgjeruar të Rrjollit të shekullit XV.
Zakoli (Zachulj), një tjetër fshat nën Balec, përmendet në regjistrin e vitit 1417 si i banuar nga Andrea Zakuli, Pali Zakuli dhe Pali Gazulli , të cilët ishin kryefamiljarë dhe paguanin nga një dukat për mod. Fshati rezulton i pabanuar në momentin e regjistrimit, por kadastra parashikon që, në rast ripopullimi, banorët do t’i nënshtroheshin të njëjtave detyrime fiskale si fshatrat e tjera të varura nga Baleci. Po ashtu, nën juridiksionin e Balecit përfshihej edhe fshati Braza, me kryefamiljarë Jon Gramshi, Petro Musanti, Vigjeç Mesia, Benko Mesia dhe Martin Impereçi . Përveç pagesës prej një dukati për mod, çdo shtëpi ishte e detyruar të paguante obrokun prej katër groshësh — dy për Krishtlindje dhe dy për Pashkë — si dhe të dhjetën e melit. Të njëjtat detyrime do të zbatoheshin edhe për çdo shtëpi të re që do të shtohej në fshat.
Në kadastër përmendet edhe fshati Dar, me kryefamiljarë Petro Dari, Aleks Dari, Nikolla Progani, Nikolla Davidi, Jon Kikjeri, Bitri Progani, Kalens Kasfe, Progan Dari, Jon Buba, Benko Rogami dhe Nika Kosta . Të gjithë ishin të detyruar të paguanin nga një dukat për mod dhe obrokun përkatës, duke iu nënshtruar të njëjtit regjim fiskal si fshatrat e tjera të varura nga Baleci.
Ndër burimet më të hershme përmendet gjithashtu fshati Leporosh (villa clamada leporonsi soto balezo), i cili dokumentohet në Regjistrin e Kadastrës dhe të Koncesioneve të Shkodrës të viteve 1416–1417. Në fshatin Leporosh përmenden si kryefamiljarë Jon Leporoshi, Aleks Leporoshi, Jon Manashi, Gjergj Musanti, Benko Leporoshi, Pali Duka dhe Kjurko Tuzi . Detyrimet fiskale të tyre përfshinin pagesën e një dukati për një mod për secilin kryefamiljar dhe, në të gjitha aspektet, zbatoheshin të njëjtat kushte që vlenin për fshatrat e tjera të varura nga Baleci. Mbiemrat e disa prej këtyre familjeve lidhen në mënyrë domethënëse me familjen fisnike “Lepore” ose “de Leporibus”, e cila përmendet shpesh në dokumentacionin e shekujve XIV–XV që lidhet me historinë e Drishtit mesjetar, ku kjo familje kishte edhe vendqendrimin e saj .
Fshati Shën Aleksandër ndodhej gjithashtu nën juridiksionin e Balecit, por në kohën e hartimit të kadastrës venedikase të viteve 1416–1417 rezulton i pabanuar. Regjistri parashikonte që, në rast popullimi në të ardhmen, banorët do t’i nënshtroheshin të njëjtave detyrime fiskale dhe juridike si fshatrat e tjera të zonës. Po në këtë kategori përfshihen edhe disa njësi toponimike të pabanuara, si toka nën malin Marinaj, e përshkruar si tokë djerrë, si dhe toka e quajtur Domni ose Naureda, të dyja të varura nga Baleci. Për këto territore përcaktohej se, në rast ripopullimi, do të zbatoheshin pa përjashtim të njëjtat kushte si për pjesën tjetër të juridiksionit balecian .
Zamaraki përmendet gjithashtu në kadastër, me kryefamiljarë Gjergj Zamaraki, Sergj Grilla dhe Jon Domi Dukat . Secili prej tyre ishte i detyruar të paguante një dukat për një mod, ndërsa për çdo çështje tjetër fiskale dhe juridike fshati i nënshtrohej rregullave të përgjithshme që zbatoheshin për Balecin dhe vendbanimet e tij vartëse.
Toponimi Kastrat lidhet përgjithësisht me termin latin castrum, duke sugjeruar një origjinë të hershme fortifikuese. Sipas Edith Durham-it, rruga kryesore që dikur lidhte qytetin e Shkodrës antike (Scodra) me Dioklenë duhet të ketë kaluar nëpër Kastratin e Poshtëm, çka nënkupton domosdoshmërinë e një pranie të organizuar mbrojtëse përgjatë këtij itinerari . Kjo rrugë identifikohet si vazhdim i një aksi të vjetër romak, i njohur në literaturë si Via Publia, e cila në antikitet lidhte Shkodrën me Durrësin në jug dhe vazhdonte drejt veriut deri në Naronë . Edhe sipas Nopcës, emri i vjetër Kastrat mund të rrjedhë nga një castrum romak i vendosur në Marshej.
Kastrati përmendet si fshat edhe në Kadastrën venedikase të Shkodrës të vitit 1416 . Në këtë regjistër figurojnë banorët e mëposhtëm: Aleks Kastrati, kryefamiljar dhe njëkohësisht krye i fshatit, i cili gëzonte përjashtim nga taksat; Markjen Kastrati, Jon Stronga, Aleks Kastrati i vogël, Pali Kastrati dhe Lazër Kastrati, të cilët ishin të detyruar të paguanin nga një dukat për mod . Përveç kësaj, çdo njësi familjare paguante taksën e obrokut në vlerën prej katër groshësh për shtëpi, të ndarë në dy grosh për Krishtlindje dhe dy për Pashkë, si dhe të dhjetën e melit . Regjistri parashikonte gjithashtu që çdo shtëpi e re e ndërtuar në të ardhmen do t’i nënshtrohej të njëjtit regjim fiskal, sipas praktikës ekzistuese të taksimit .
Sipas Bolizzës, fshati Kastrat numëronte ...........vazhdon