Fillimi


  
        Shtëpia Botuese URA

 

 

Shtëpia Botuese “URA” e cila vepron në Prishtinë, është një shtëpi botuese e cila u ka dhënë rëndësi botimit të librave origjinale letrare për fëmijë dhe për të rritur, të autorëve të shquar nga Kosova e më gjerë. Mirëpo nganjëherë ka botuar edhe tituj nga sfera e artit,  e shkencës dhe e publicistikës.

 “URA”, e cila të gjitha botimet e deritashme i bëri kryesisht me mjete vetjake, apo me vetëfinancim të autorëve, asnjëherë nuk lejoi botimin e librave të cilat nuk kishin një nivel të duhur artistik e estetik. Në varganin e librave të botuara me kënaqësi mund të përmendim emrat e shkrimtarëve, penave të njohura në Kosovë e më gjerë, të cilët nderuan Shtëpinë Botuese “URA”, i dhanë një vlerë dhe i shtuan edhe më shumë emër, e ata janë: Rifat Kukaj, me romanin “Shkurtabiqi më i madh në botë” (U shpall libri më i lexuar nga Biblioteka Ndërkomunale “Fan S. Noli” e Gjilanit), Mexhid Mehmeti me një varg veprash, ndër të cilat me romanin “Furtuna”, përzgjedhja e poezive për të rritur “Përtej harrimit”, apo poema për fëmijë “Pallati me yje”, Dr. Faik Shkodra me librin me studime “Për fëmijët sot, e për fëmijët nesër”, Jonuz Fetahaj, me përmbledhjen me tregime për fëmijë “Udhëtimi pas mjegullës” dhe me romanin Virusi i gjyshit (2011), Çerkin Ismaili me përmbledhjen me poezi “Gjirmë Shpirti”, Valentina Dafa (Fier, Shqipëri), Idriz Ulaj, Mirsad Kuteli etj. 

 Shtëpia Botuese URA, u dha hapësirë edhe krijuesve të cilët po hapëronin me sukses drejt botës së letrave, e të cilët në një mënyrë këtu u afirmuan dhe krijuan emër, ndër të cilët duhet dalluar: Sevdie Rexhepi, e cila botoi tri përmbledhje me poezi (dy në gjuhën shqipe, e një në gjuhën angleze), Enver Shkodra (botoi dy libra: njëri poezi, tjetri publicistikë ), Tahir Dalipi e ndonjë tjetër.

 Shtëpia Botuese URA, e cila menaxhohet nga Xhemë Karadaku (autor i tetëmbëdhjetë librave për fëmijë dhe për të rritur) dhe Lumnie Thaçi-Halili (autore e tri librave me poezi për të rritur), gjithnjë e më shumë do të jetë një derë e hapur për krijues të mirëfilltë, veprat e të cilëve do të mirëpriten nga lexuesit e moshave të ndryshme. 

 Në vazhdim Ju dëshirojmë çaste të këndshme duke hulumtuar brenda faqes sonë elektronike, ku janë dhënë shënime  biobiliografike për autorët që botuan tek URA brenda këtyre viteve,  titujt e botuar këtu me shënime përcjellëse, ballinat e librave, përmbajtja e ndonjërit nga librat, shkrime të tjera që lidhen me këta autorë,  për të dhënë kështu një pasqyrë sa më reale, për punën e bërë dhe suksesin e arritur gjer më tash.

  

 

 

 

 Me respekt,

Xhemë Karadaku

 

__________________________________________________________________________________________________

 

“Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë”, përmbyll aktivitetet për vitin 2014

 

Xhemë Karadaku dhe Avdi Shala, nderohen me çmimin “Ymer Elshani”

 

Dje në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, në prani të shkrimtarëve për fëmijë dhe dashamirëve të tjerë të librit, u mbajt takimi përmbyllës i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”.

Xhevat Syla, drejtues i Karvanit, paraqiti një pasqyrë të zhvillimit të aktiviteteve të Karvanit për vitin 2014, i cili sivjet aktivitetin letrar nëpër shkolla dhe institucione e kishte nisur pikërisht në Ditën e Mësuesit, më 7 Mars. Përveç aktivitetit letrar nëpër shkolla, si orë letrare dhe takime të tjera me nxënës, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë, midis dy karvanëve, jep çmimin “Ymer Elshani” për veprën më të mirë të botuar për fëmijë. Këtë vit, juria në përbërje nga Ibrahim Kadriu e Xhevat Syla, anëtarë dhe Ramadan Musliu, kryetar, vendosën që këtë çmim prestigjioz t’ua japin (ndajnë) dy autorëve: Xhemë Karadakut për librin me poezi për fëmijë “Jam i madh” dhe Avdi Shalës, për librin me poezi për fëmijë “Fluturoni, fluturoni”. Të dy librat u botuan nga Shtëpia Botuese “URA”, Prishtinë.

 

Prishtinë, 

28.06.2014

        














 

Kthehu te: Fillimi