Prezantime nga psikiatria - Zhvillimi i marrëdhënies ndaj objektit

 Home Relaksim Prezantime Psikiatria dhe religjioni Komentet e lexuesve Link 


Përkthyer nga literatura serbokroate (përkthyesi i panjohur)

        

 Disa principe themelore

 

          Objekt është ajo që siguron ndonjë nevojë të fëmiut (aspiratë, pulsion, impuls instinktiv)*. Gjatë zhvillimit të tij fëmiu disponon me sasi gjithnjë e më të mëdha të libidos**, të cilat mund të lidhen për objektin, dhe për dallim nga libido e lidhur për vetveten – libido narcistike, libido e lidhur për objekt quhet objekt libido. Objekti lidhet me libidon (investohet në të) për shkak të aftësisë që ta plotësojë atë. Pasi që gjatë zhvillimit ekzistojnë nevoja libidinoze të ndryshme edhe objekti i kënaqjes duhet të ndryshojë, kështu që edhe ai nuk është i përhershëm e as edhe indiferent, por varet nga ajo se në çfarë mase dhe në çfarë mënyre i plotëson nevojat, si dhe nga fazat dhe niveli i zhvillimit në të cilën gjendet fëmiu (në atë moment). Mandej, objekti nuk është e thënë të jetë vetëm një objekt i jashtëm (i njohur si i tillë), por mundet me qenë edhe i brendshëm. Objektet e brendshme janë parafytyrime në imagjinatë, ndaj të cilave reagohet sikur të jenë të vërtetë; janë me prejardhje nga objektet e jashtme dhe me anë të introjeksionit përjetohen sikur gjenden në realitetin e brendshëm psikik. Objekti për këtë shkak në raport me nevojën, është faktori më i ndryshueshëm dhe “është i përcaktuar me vazhdueshmërinë – vijueshmërinë e funksionit të tij dhe me ndryshimet të cilat i pëson gjatë zhvillimit të vet”. (Smirnof 1970).

          Marrëdhënia ndaj objektit dhe me objektin, i cili zakonisht emërtohet si marrëdhënie objektive, është marrëdhënie midis individit dhe rrethit të tij: kjo është një fushë dinamike në të cilën fëmiu lëvizë së bashku me objektet e tija dhe në të cilën i zhvillon dhe i përpunon si impulset instinktive, ashtu edhe funksionet autonome të Egos në procesin e formimit të Egos së individualizuar. Varësia reciproke midis fëmiut dhe objektit gjithnjë ndryshon dinamikën, varësisht nga faza zhvillimore dhe përvojës e cila fitohet në atë marrëdhënie.

          Ky proces mundësohet duke i falënderuar “derdhjes” së unë – libido në objekt libido. Objekti i mirë është ai të cilin fëmiu e do, pasi e përjeton si dashamirës: i plotëson mjaft mirë nevojat e tij (kështu lidhet për të, investon në të, investon libidon). Në kuptim të kundërt, në rast se objekti i cili nuk i plotëson edhe aq mirë nevojat, respektivisht i cili më tepër i kufizon se sa i plotëson ato, përjetohet si joqëllimmirë, madje edhe i rrezikshëm (me të lidhet, investohet agresioni), flitet për objektin e keq, shpirtkeq. Derivatet e objekteve janë ato objekte të cilët për shkak të ngjashmërisë respektivisht afrisë psikologjike me objektin origjinal - primar, mund të nxisin ndjenja (dhe reagime) të cilat janë të lidhura me objektin primar. Kur flitet për reprezentimet e objekteve mendohet për përfytyrimet psikike të personave të cilët për personalitetin paraqesin objekte me të cilët janë në lidhje psikologjike (por jo objekte në kuptimin konkret). Objekti primar më i shpeshti është nëna (ose zëvendësimi i saj).

Zhvillimi i marrëdhënieve objektive i ka ligjësitë e veta të zhvillimit, kështu që flitet për fazat (shkallët) e zhvillimit të raportit ndaj objektit, si atë: orale, anale, edipale, latente dhe adoleshente; në vartësi se cila pjesë e trupit, respektivisht cilat funksione në lidhje me ato janë në qendër të dinamikës dhe ekonomikës psikike, gjegjësisht investimit primar të energjisë psikike (me libido ose agresion). Megjithatë, brenda kësaj ligjshmërie të rrjedhave zhvillimore marrëdhënia objektive ndryshon nga njëri fëmi te tjetri.

Nxitës, impuls themelor i zhvillimit (të mardhënies) është nevoja e fëmiut për marrëdhënie me objektin; pa objekt nuk ka zhvillim psikik në kuptimin e drejtë të fjalës, pasi ai mundëson “kalimin nga raporti fiziologjik drejt atij psikologjik, prej parazitizmit amësorë drejt përforcimit të marrëdhënieve të organizuara hierarkike”, (Smirnof. 1970).

          * në literaturën psikoanalitike e takojmë në terme të ndryshme, të cilat i përkasin nocionit primar të cilin Frojdi e quajti “Trieb”. Trieb nënkupton synimet dinamike të organizmit drejt ndonjë qëllimi. Ajo që e ve në lëvizje është shqetësimi trupor ose tendosja. Qëllimi i synimit – tendencës është që të zvogëlohet tendosja, nga e cila e ka origjinën, dhe këtë e bën mbi objektin. Nocioni më i zakonshëm analitik për këtë tendencë lëvizëse është PULSION, i cili në literaturën anglosaksone është përkthyer si “instinctual drive”, shfrytëzohet në mënyrë reciproke edhe me shprehjen tendencë-aspiratë.

          ** në kuadër të teorisë psikoanalitike LIBIDO, paraqet formën hipotetike të energjisë psikike dhe paraqet tërësinë e aspiratave të njeriut të cilat dalin nga impulset pozitive emocionale, seksuale dhe të dashurisë, për dallim nga AGRESIONI, si tërësi e impulseve instinktive negative, reaktive, destuktive; edhe libido edhe agresioni, mund të transformohen me ndryshimin e qëllimit (sublimacioni), me ndërrimin e objektit dhe investimin në vetveten (në trup, zonat erogjene).   

 Mekanizmat themelorë të cilët mundësojnë këtë marrëdhënie janë introeksioni dhe projeksioni. Introek-sioni i asaj që është jashtë, bëhet pjesë përbërëse e aparatit të vet psikik dhe funksionimit të tij, dhe projeksioni i brendësisë së tij psikike në botën e objekteve të jashtëm, janë kusht dhe themel për zhvillimin e personalitetit dhe komunikimin me rrethin.

          Struktura dhe dinamika e personalitetit janë “produkte” dhe pjesë përbërëse e këtij procesi kompleks. Strukturën e personalitetit e përbëjnë 3 sisteme të instancave (shkallëve) psikike (ose substruktura): Id-i, Ego dhe Superego. Këto paraqesin “tri qendra të funksionimit psikik, të cilat mund të dallohen sipas nivelit të zhvillimit, sipas sasisë së energjisë psikike e cila u ka takuar dhe sipas ndarjes dhe ndërvarësisë reciproke të tyre në momentin e dhënë” (Kondiç, 1987).  Në kondita të caktuara njëra nga qendrat (e funksionimit psikik) mund të zgjerohet derisa njëra ose dy të tjerat të zvogëlohen; me fjalë të tjera, mbi funksionet që i kryen njëri sistem mundet përkohë-sisht të ndikojë pak apo më shumë ndonjëri nga dy sistemet tjera. Në teorinë dhe praktikën psikoanalitike zhvillimore psikologjike, këto i definojmë dhe i përshkruajmë  përmes funksioneve të tyre.

Ajo – id, “përmban” ato me të cilat fëmiu vie në botë, në jetë – baza gjenetike, trashëguese, poashtu edhe instinktet e tij. Funksionet e Idit grumbullohen rreth nevojave themelore dhe tendencave të tyre për tu plotësuar – kënaqë, karakterizohen me lëvizshmëri të madhe të investimit të impulseve instinktive dhe përfaqësuesve mental të tyre, dmth., me veprimin e procesit primar. Procesi primar nuk i pranon dallimet e as kundërshtitë dhe “nuk pranon” ligjshmëritë e kohës dhe hapësirës, por funksionon sipas parimit të kënaqësisë, që manifestohet përmes përmbledhjes, zhvendosjes dhe përmes shfrytëzimit të simboleve të veçanta.

Unë – ego, paraqet pjesën e organizuar të strukturës së personalitetit, i cili komunikon me objektet dhe / ose është i krijuar me anë të introeksionit të objekteve. Funksionet e Egos grumbullohen rreth qëndrimeve  ndaj  realit-etit, dhe në këtë kontekst për të flitet si për një “organ” të përshtatjes. Ego kontrollon lëvizshmërinë (motorikën) dhe percepcionet; kontrollon cilësitë e situatës në momentin e dhënë dhe parasheh cilësitë e situatave të ardhshme, ndërmjetëson ndërmjet atyre cilësive dhe nevojave me kërkesat e dy sistemeve të tjera psikike (Idi dhe Superego).

Idi dhe Ego krijohen si struktura të pavarura nga matrica – baza origjinale e padiferencuar (biofiziologjike) ANLAGE. Prej gjendjes së padiferencuar origjinale nuk zhvillohet vetëm Idi por edhe Ego me funksionet e autonomisë primare të tij, siç janë: percepcioni, memoria, motorika, të cilat përgjatë pjekurisë jo vetëm që i mundësojnë fëmiut “të dalë në krye” me rrethin, por i ofrojnë kënaqësinë e brendshme të liruar nga konfliktet. Ego në të vërtetë nuk zhvillohet vetëm përmes të mësuarit dhe të fituarit të përvojës, por është pjesërisht autonom dhe i ka rrënjët e tij biologjike në proceset e lindura – natyrore, të cilat janë analoge me ato fiziologjike. Disa funksione në kushte të caktuara të zhvillimit do të mund të përfshihen në sistemin e Idit, dmth. të bëhen konfliktuoze, si pasojë e konflikteve midis impulseve instinktive dhe realitetit, por edhe në sistemin e Superegos (psh., fjalimi si kritizim, ironizomi, etj.).  Po ashtu, disa sjellje që kanë qenë të natyrës mbrojtëse në raport me impulset instinktive, kur e kryejnë – përfundojnë këtë “rol” ndahen nga baza instinktive, bëhen vet për vete qëllim dhe arrijnë të ashtuquajturën autonomi sekondare (psh., përpikshmëria si mbrojtje dhe si mënyrë jokonfliktuoze e funksionimit të personalitetit.

Ego funksionon në harmoni me të ashtuquajturin parim i realitetit, pasi merr në konsideratë mundësinë e kundërshtimit, sikur edhe kushtet e hapësirës dhe të kohës, çka është karakteristike për proceset sekondare të funksionimit psikik.

Në psikologjinë zhvillimore psikoanalitike është e zakonshme të flitet për dy lloje (nivele të veprimit) të funksioneve* të Egos, kështu flitet për funksionet adaptivo-inhibitore dhe integrative-koordinuese. Në funksionet e para përfshihen testimi i realitetit, kontrollimi dhe drejtimi i zbrazjes së energjisë motorike, mbrojtja e organizmit përmes “përgjigjeve provuese” të introektuara dhe të aktivitetit të tërthortë- indirekt (detour- kthesë) në raport me sinjalet e rrezikut, respektivisht frenimit të impulseve instinktive, duke u falënderuar mekanizmave mbrojtës. Funksionet e dyta paraqesin funksionin sintetik të Egos, të cilët tejkalojnë nivelin e funksionimit të funksioneve adaptive-inhibitore , sepse e bëjnë ekuilibrimin midis sistemeve të ndryshme dhe sikurse është më e përgjithshme nga aparatet dhe funksionet, të cilët e përbëjnë Egon, e sigurojnë harmoninë e jetës brendapsikike, çka është para-

 

* funksionet e Egos definohen si ”konstruksione teorike” të cilat bazohen në vëzhgimin e sjelljeve dhe raportimeve për përjetimet personale (të pacientit).             

kusht i suksesit të komunikimit.  Në të gjitha situatat kur flitet për fortësi ose dobësi të Egos, është shumë me rëndësi të theksohet për cilat dobësi respektivisht forca, të cilave funksione të Egos bëhet fjalë (Hartmann,1958).

Superego – mbiunë, paraqet sistemin, instancën e tretë të personalitetit, qendrën relativisht të pavarur të funksionimit të tij me qëllimet veta. Funksionet e Superegos grumbullohen rreth kërkesave morale dhe “ligjshmërisë”. Autokritika, e cila nganjëherë përforcohet deri në nxitje për vetëdënim dhe formimin e idealit, janë manifestimet kryesore të Superegos. Në formimin e vet është ngushtë e lidhur me zhvillimin e Egos (i cili përfshin edhe paraardhësit e formimit të Superegos). Funksionet e Egos të cilët ndikojnë posaçërisht në zhvillimin e Super-egos, janë testimi e realitetit, kapacitet e vëzhgimit të vetvetes dhe potenciali për sublimacion dhe/ose neutralizim. Funksione të ndryshme të Superegos shfrytëzojnë neutralizimin në masë të ndryshme. Kërkesat e Superegos sikurse kërkesat instinktive (të Idit), munden por nuk janë të detyruara të jenë në harmoni -  sintoni me Egon; nëse janë, integrohen pa kundërshti, nëse nuk janë, mund të vie deri te kundërshtimi dhe mbrojtja kundër tyre.

Marrëdhënia midis Egos dhe Superegos mund të konsiderohet edhe në kuptim të autonomisë së Superegos ose pavarësisë së tij nga Egoja. Mirëpo, funksionimi normal i Superegos është përherë i varur nga zhvillimi edhe i një numri të caktuar i funksioneve të Egos. Po ashtu, derisa idealja dhe pamja e Ego idealizuar e prindërve, e kriju-ar fillimisht nga Ego, Ego ideali është një nga funksionet e Superegos. Vlerat morale, të cilat gjatë zhvillimit bëhen grup i idealeve të cilat janë pjesë përbërëse e aparaturës morale të adoleshentit, janë krijesa sekondare psikike.

          Zhvillimi nënkupton dinamikën, e cila zhvillohet përgjatë procesit të zhvillimit të marrëdhënies ndaj objekte-ve dhe përfshin proceset siç janë: fuzioni, neutralizimi, mekanizmat mbrojtës, konfliktet, aktiviteti i përgjithshëm brendapsikik, por edhe marrëdhëniet e ndërsjella me objektet nga ambienti i jashtëm.

          Nocioni i ekonomikës psikike dhe formulimi i saj ka të bëjë me shpërndarjen e energjisë psikike (të libidos  dhe agresionit) dhe investimit të tyre brenda aparatit psikik, por edhe në lidhje (marrëdhënie) me objektet.

 

                        

                       Zhvillimi i hershëm i marrëdhënieve me objektin (tre vitet e para)

         

Duke kombinuar metodat e vëzhgimit direkt dhe psikologjisë eksperimentale, grupi i psikoanalistëve të fëmijëve, përmes indikatorëve të jashtëm të sjelljes së dukshme, të cilat i kanë kuptuar si shenja të ndryshimeve dhe përjetimeve të brendshme, kanë hyrë në “sekretet” e jetës psikike të ditëve, javëve dhe muajve të parë të jetës së fëmiut.

       Faza orale e zhvillimit të marrëdhënies ndaj  objektit

          Përvoja të cilën e ka fëmiu në situatat e të ushqyerit, në të cilën e ndjen thithin e gjirit, respektivisht e vëzhgon fytyrën e nënës, përzierja e perceptimit në afërsi dhe në largësi, përcjellja e fytyrës në lëvizje- paraqet paraprijësin e formimit të objektit dhe qëndrueshmërisë së objektit. Kontakti me trupin e nënës, era e saj, lëvizja dhe zëri i saj, janë pjesë përbërëse e kësaj përvoje komplekse. Zbrazja e ndjesisë cenestetike si përvojë afektive në atë diakritike si përvojë diskriminuese – dalluese, krijimi i gjurmëve të kujtesës, bën që nga kaosi i padiferencuesh-mërisë së ditëve të para të të porsalindurit, fillojnë gradualisht nga totaliteti i reagimeve emocionale të dallohen shenjat e para të procesit kognitiv. Në këtë gjithçka unikale, që përfshinë ngacmime të padiferencuara, të brendshme dhe të jashtme për fëmiun, nuk ekziston ende objekti si zgjedhur- i përcaktuar; i porsalinduri për botën rreth tij nuk tregon kurrfarë interesimi, përveç në gjendje të urisë, e gjithë libido është e drejtuar në trupin e tij, dhe për këtë ky stadium quhet stadium jo objekt (Spitz) ose narcistik (Kondiç). Në kohën kur bota e jashtme ende nuk është e identifikuar me burimet e kënaqësisë, fëmiu pa “qëllim të komunikimit – njoftimit”, në situata të tendosjes, lajmërohet me të qarë. Të qarët është fillimi i sistemit të komunikimit, fillimi i “komunikimit me sinjale” ndërmjet fëmiut dhe nënës, duke falënderuar përvojave të përsëritura të kënaqësisë në situatat e kujdesit nga nëna, si dhe arritjes së zhvillimit senzorikomotor, midis javës së 8 – 12 të jetës krijohen kushte për kalimin në fazën tjetër zhvi-llimore, fazën paraprijëse të objektit. Fëmiu fillon që në fytyrën njerëzore, si “ngacmimi më i vjetër vizual” (Spitz), të reagojë me të qeshur. Fëmiu e njeh fytyrën e njeriut si “sinjal” i parë pamor, i cili është i lidhur me zvogëlimin e tendosjes sipas karakteristikave sipërfaqësore (vetëm si geshtalt), por jo edhe sipas vetive specifike, kështu do të qeshin jo vetëm me fytyrën e nënës, por edhe me fytyrën e çdo kujt ( së pari “anfas” dhe në lëvizje, e pastaj edhe në profil dhe në gjendje të të qenit në qetësi).

          Kjo e qeshur konsiderohet si kthesë në zhvillimin psikik të fëmiut, në atë kuptim si shenjë e vendosjes së kontaktit me botën e jashtme, botën e realitetit – prej kësaj rrjedh edhe emërtimi “të qeshur social”. Gjurmët mnes-tike, të cilat janë baza perceptive e këtij reagimi emocional, janë parakusht i diferencimit të aparatit psik-ik dhe strukturimit të instancave të personalitetit (sistemit të vetëdijshëm dhe atij të pavetëdijshëm), dhe është shenjë e përgjigjes emocionale të zgjedhur në ngacmimin nga jashtë, i quajtur si organizatori i parë i psikës.           

          Prej mos diferencimit fillestarë midis shtendosjes së vetes dhe të nënës, përmes dallimit të parë midis përvo-jave të pëlqyeshme dhe atyre të dhimbshme, vetëdijshmërisë së mjegullt mbi objektin i cili plotëson nevojat (nga faza e narcizmit primarë), fëmiu hyn në fazën e simbiozës. Veçoritë e kësaj faze, mbi të gjitha si fazë vendimtare për zhvillimin e përgjithshëm të aparatit psikik, është shkrirja- fuzioni, i plotfuqishëm somatopsikik i rrejshëm – halucinatorë, me parafytyrimin e nënës, posaçërisht shkrirja e kufijve të përbashkët. Për zhvillim normal psikik është i nevojshëm plotësimi optimal simbiotik, sepse në këtë fazë vendosen themelet e kapaciteteve emocionale të fëmiut, nëna aty e “gdhendë” temën e identitetit. Pasuria – bollëku, si dhe suksesi i lidhjes simbiotike varet nga të gjithë faktorët e përmendur, të cilët kushtëzojnë kualitetin e lidhjes dijadike – fëmijë-nënë, gjatë së cilës “mossuk-seset e rënda” (vobekësia) të simbiozës, shpijnë në dëmtime rrënjësore primare të strukturës dhe dinamikës së personalitetit të tipit të psikozave të moshës së fëmijërisë, respektivisht të strukturës kufitare të personalitetit. Zhvillimi i mëtejshëm (pas moshës 3 muajsh) shpie deri te fenomeni i objekteve parciale, dmth, zbulimit gradual të pjesëve të veçanta të trupit të nënës, respektivisht të trupit të tij. Objekti parcial i parë është gjiri i nënës – zbulimi i lidhjes midis gjirit i cili ofron plotësimin e drejtpërdrejt të nevojës dhe fytyrës së nënës e cila shihet gjatë kohës së kënaqjes – plotësimit, bën që fytyra e nënës të bëhet “përfaqësues figurativ i kënaqësisë së përjetuar” (Smirnof, 1970). Duke marrë parasysh se mënyra e plotësimit mund të jetë e ndryshme, edhe kualiteti i investueshmërisë me energji psikike nga ana e fëmiut mund të jetë e ndryshme. Për gjirin investohen – lidhen tendencat libidinoze ashtu edhe ato agresive, kështu që ajo përjetohet si objekt (parcial) i mirë apo i keq. Ky investim specifik bën dallimin themelorë në raport me paraobjektin, i cili paraqet vetëm shenjë jospecifike e përcaktuar (geshtalt). Gradualisht, pas gjirit dhe fytyrës së nënës dallohet krahu i saj (pëllëmba), por poashtu edhe fytyra e vet fëmiut, dora, etj., dhe në vend të “gjithçka” narcistike vie te formimi i “zbrastirës primitive, në të cilën gjenden pjesët e dijadës së shthurur”  (Spitz). Përmes mekanizmave të introjeksionit dhe të projeksionit, fëmiu krijon raporte me objektet parciale të cilët bëhen bazë psikologjike (fantazmatike) të objektit të mirë të ardhshëm respektivisht për shkak të objektit i cili bëhet burim i impulseve instinktive libidinoze ose agresive, respektivisht fantazmave*.

          Në ditët dhe javët e para të jetës, fëmiu jeton sipas parimit të kënaqësisë: ekziston nevoja, aspirata - tendenca e organizmit, tendosja në rritje, por jo edhe mundësia e shtyrjes. Rrugët e shtendosjes janë fiziologjike, respekti-visht funksionale, dhe nëse është disi e mundur – momentalisht (aty për aty). Parimet e vendit, kohës, logjikës, normave sociale, nuk ekzistojnë. Mirëpo, që në moshën më të hershme parimi i realitetit fillon të “futet” në botën narcistike, omnipotente të fëmiut. Shumë nevoja të fëmiut, e kështu edhe kënaqja e urisë që as nëna më e përku-shtuar nuk mundet gjithnjë, e as aty për aty si dhe në mënyrën më të mirë të i plotësojë. Këta pengesa të hershme fëmiu i kalon përmes plotësimit halucinatorë, gjegjësisht fantazmatike. Duke i falënderuar gjurmëve mnestike të lidhura me përvojat e gjidhënies, fëmiu halucinon situatën e cila bjen kënaqësi, respektivisht shtendosje, gjë që mundet të shihet me shprehjen e fytyrës së tij, lëvizjeve të thithjes “së brendshme”, çka i mundëson të shtyjë për më vonë plotësimin e drejtpërdrejt të nevojës dhe të “presë”. Specifika e plotësimit fantazmatik do të ishte në atë se fëmiu fantazon objektin parcial (gjirin- thithi). Më e rëndësishme nga dallimet në finesat e qasjeve teorike është fakti se përgatitjet të cilat i bënë nëna për aktin e të ushqyerit (ose ndërrimit të rrobave, larjes, etj.), zërat që janë të lidhura për këtë përgatitje, zëri i saj, përralla e saj, i mundësojnë fëmiut që gjithnjë më gjatë të shtyjë, të pres për plotësimin e nevojës. Me zhvillimin e përgjithshëm të fëmiut këto mundësi do të bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe do të ndërtohen në atë që do të bëhet funksioni themelorë i Egos.

          * në lidhje me objektin parcial, (kryesisht për gjirin si objekt parcial) ekziston mospërputhje teorike në pikëpamje të rëndësisë të cilën e luan objekti real (nëna si objekt primar) me kujdesin e saj, në rrugën e formimit të objektit të tërësishëm. Derisa, përfaqësuesit e orientimit gjenetik (A. Frojd, Spitz, themeluesit e Ego psikologjisë), konsiderojnë se vet objektet dhe mënyra e plotësimit dhe refuzimit – ndalimit, ndikojnë në mënyrë esenciale në formimin e botës së objekteve; për pjesëtarët e shkollës së ashtuquajtur angleze ( M. Klajn, E. Jakobson) realiteti i objektit luan rol sekondar: ajo që është me rëndësi dhe primare për formimin e objekteve të jashtme dhe të brendshme është fantazma, i cili është përfaqësues psikik i impulsit instinktiv (tendencës, pulsionit), i cili ekziston që nga fillimi i aktivitetit mendor, është bazë dhe burim i tij (objektit parcial), pasi paraqet përvojën “para përvojës”.           

 

Në këtë periodë të hershme të paralajmërimeve të para të integrimit të Egos, paraqitet frika nga copëtimi, si e   

para e një serie të frikërave të ashtuquajtura të zhvillimit. Ato nuk lindin si pasojë e rrezikimit të jashtëm, por për shkak të tendencave instinktive paplotësuara, respektivisht forcës së impulseve instiktive dhe janë pjesë përbërëse e zhvillimit normal psikik. Paraqiten si pasojë e papjekurisë biologjike dhe psikike, gjegjësisht të varësisë nga nëna, në përgjithësi të të rriturve. Frika nga copëtimi, (që e pasojnë frika e ndarjes, ajo e kastracionit dhe frika nga dënimi i Superegos), paraqitet për shkak të kërcënimit nga humbja e mundshme e kontrollit të aspiratave instinkt-ive, respektivisht nga humbja e integritetit të vendosur brishtë të Egos, në situatën kur kufijtë somatik dhe mendorë të Egos ende nuk janë vendosur, ndërsa investimi me energjinë psikike është ende në nivel të objekteve parcial.

Duke i falënderuar zhvillimit të përgjithshëm të mëvonshëm të fëmiut, gradualisht vie deri te shkrirja – fuzionimi i impulseve - nxitësve instinktiv libidinoz dhe agresiv në një objekt (më së shpeshti) - nëna, çka është e mundur falë të të qenit i përhershëm (objekt i përhershëm), me animin - rëndesën e ndjenjave shpërblyese (libidi-noze) ndaj atyre penguese (agresive), të cilat i ka nxitur te fëmiu dhe në këtë mënyrë i ka mundësuar zhvillimit të ndjenjave të besimit elementarë (Erikson, 1963). Me fjalë të tjera, objekti i introjektuar i mirë parcial, ka qenë një bazë e mirë e investimit libidinoz, për tu bashkuar me ato lloje të funksionimit të nënës, që kanë bërë që atë – nënën, ta përjetojë edhe si objekt i keq. Ky mbizotërim – tejkalim i dualitetit të impulseve instinktive, që me fuzionimin në një objekt, i mundëson tejkalimin e frikës nga ndarja, respektivisht që nëna të përjetohet si një objekt i tërë - i plotë edhe jashtë situatave kur plotëson ndonjë nevojë të fëmiut. Fakti se edhe vetëm prezenca e saj e sjell shtendosjen është shenjë se kjo marrëdhënie është çliruar nga funaliteti biologjik i saj. Dallimi i nënës si objekt i plotë, jashtë dhe i ndarë nga vetvetja, nënkupton në të njëjtën kohë edhe ndarjen e vetes (Ego) dhe gjithë asaj çka i takon. Ky proces i ndarjes nga uniteti simbiotik dhe zhvillimit në një tërësi të veçantë, procesi i separacionit- i ndarjes, zhvillohet midis muajit 8 – 16 të jetës së fëmiut dhe është faza kyç- kryesore për zhvillimin e Egos, funksioneve dhe mekanizmave të tij themelorë, respektivisht zhvillimit të integritetit të tij personal.

Tregues i sigurt se fëmiu ka hyrë në këtë fazë të zhvillimit të marrëdhënieve ndaj objektit dhe me objektin, është paraqitja e shqetësimit, mosbesimit, por edhe frikës në mungesë të nënës, gjegjësisht kur i afrohet njerëz të panjohur. Ky reagim emocional tregon për atë se nëna është objekt i identifikuar libidinoz, i cili e ruan kualitetin e tij libidinoz edhe në mungesë. Për shkak të nivelit të zhvillimit të funksioneve kognitive – të menduarit, i cili është në nivelin konkret, kështu që nëna të cilën fëmiu nuk e sheh edhe nuk ekziston – në mungesën e saj libido nuk do të mund të jetë shtendosur – i qetë, por shëndrrohet në frikë. Me fjalë të tjera, objekt i investuar parcial i keq (agresiv), që është dëshiruar të braktiset – largohet (para bashkimit të impulseve instinktiv, libidinoz, agresiv), e përforcon këtë frikë nga ndarja, e cila ndryshe quhet edhe frika anaklitike, respektivisht frikë e muajit të 8-të.

Ky organizatorë i dytë i psikikës (Spitz, 1965), paraqet shkallë të re në procesin e integrimit të personalitetit të fëmiut. Ky paraqet modelin e plotë të zhvillimit të marrëdhënieve interpersonale të mëvonshme, i cili nuk është vetëm mësim i pastër, por në masën më të madhe varet nga identifikimi, për të cilin shembull – modelin e parë e paraqet nëna. Vetëm ajo që është ndarë nga ne do të mund ta humbim, kështu gëzimi për zbulimin e identitetit personal, si vetëdije për vetveten dhe trupin e vet (pasqyra mendore dhe trupore për vetveten), në këtë periudhë shpesh herë shkatërrohet me të marrë vesh se personi i mbështetjes emocionale do të mund të humbet. Për shkak të rëndësisë bazike zhvillimore, frika nga humbja e personit të dashur, gjegjësisht humbjes së dashurisë së personit të dashur, përcillet pak ose më shumë të dukshme nëpër gjithë jetën e personit. Në moshën fëminore për shkak të papjekurisë së aparatit psikik të tij dhe karakteristikave të funksionimit kognitiv, shumë lehtë kjo frikë lidhet me dënimin për ndonjë faj të vërtetë apo të imagjinuar, për shkak të sëmundjes apo për ndonjë indisponim të prindërve, e cila përjetohet si dënim për tradhëtim të tij të kërkesave të prindërve, pritjeve të tyre, etj. Natyra e raporteve dijadike, trijadike, familjare në tërësi, ndikon dukshëm në intensitetin e përjetimeve dhe kapërcyerjes me sukses të kësaj frike zhvillimore.

Organizatori i dytë i psikikës nuk është vetëm paralajmërim i vendosjes së objektit primar (libidinoz), por edhe i kujtesës, proceseve të të menduarit, të të gjykuarit, të kuptuarit të sigurt të gjesteve të të tjerëve, disa mekanizmave mbrojtës, para se gjithash të identifikimit. Këtë kualitet të ri të funksionimit të aparatit psikik të fëmiut e mundëson i ashtuquajturi neutralizim, i cili paraqitet duke i falënderuar asaj që energjitë libidinoze dhe  agresive të bashkuara, zhvendosen nga kualiteti instinktiv drejt atij joinstinktiv. Në këtë mënyrë ato bëhen të arritshme për Egon e vetëdijshme, pasi është mundësuar kalimi i aktivitetit të procesit primar në aktivitet të proce-sit sekondar. Aq sa ndonjë aktivitet ose ide bëhen të paarritshme – të largëta, nga impulsi instinktiv primitiv seksual ose agresiv, për aq gjasat janë më të mëdha që Egoja ta pranojë dhe ta shfrytëzojë. Kapacitetet e Egos për neutralizim (Hartman, 1908), paraqesin kriter themelor në bazë të të cilit vlerësohen fuqitë e Egos. Ato aspirata – tendenca, të cilat nuk janë neutralizuar me anë të fuzionimit, përpunohen me anë të mekanizmave të tjerë mbrojtës të cilët përfundojnë neutralizimin.

Të fituarit e objektit libidinoz, mandej përputhet me zhvillimin e 5 funksioneve të rëndësishme të Egos (jokonfliktuoz):

- perceptimit – të cilën e tregon mundësia e dallimit të objektit të dashur – libidinoz nga të tjerët; 

- aktivitetit të vullnetshëm – e cila është e mundësuar me zhvillimin e duhur të aftësive motorike;

- të gjykuarit – i cili mundësohet nga gjurmët mnestike ekzistuese;

- zhvillimi i hershëm i paralajmërimit të realitetit – për çka na tregon dëgjueshmëria fillestare të ndalimeve – moslejimeve, dhe vënies së rregullave të sjelljes;

- funksioneve sintetike të Egos – çka mundëson themelet për integrimin e objektit të mirë dhe të keq, respektivisht fuzionimin (dhe neutralizimit) e libidos dhe agresivitetit.

 

 

Faza anale e zhvillimit të marrëdhënies ndaj objektit

 

    Procesi i individualizimit më tej zhvillohet përmes futjes në përdorim të ndalimeve – moslejimeve të para të hapura (rreth fundit të vitit të parë), në formë të fjalës jo. Ndalimet i përkasin në fillim mënyrës së kryerjes nevojës së vogël e mandej edhe asaj të madhe (që së shpejti të zgjerohet edhe në procesin e ushqyerjes, veshjes, sjelljes në shoqëri me të rritur, etj.). Nga fëmiu kërkohet që funksionet fiziologjike që deri atëherë i ka kryer në mënyrë spontane- për të cilën gjë është lavdëruar (kurse tani qortohet), tani ti “kthejë” në diçka krejt tjetër, dhe atë në dy nivele: i pari, - të mësohet të vonojë – të shtyej plotësimin e drejtpërdrejt- imediat të këtyre nevojave, dhe i dyti, - që këtë ta bëjë në një mënyrë tjetër, të re, dmth., në “oturak” – ena e nevojës.

Mundësia e shtyrjes paraqet funksionin themelorë të Egos, për të cilin tanimë ekziston “tereni” i përgatitur në aparatin psikik të fëmiut (përmes plotësimit fantazmatik, respektivisht halucinacinatorë të nevojave). Mirëpo, plotësimi në një mënyrë të tërthortë për fëmiun do të thotë një hap para në procesin “e heqjes dorë” nga parimi i kënaqësisë në interes të parimit të realitetit, i cili parasegjithash merr në konsideratë kërkesat e ambientit të jashtëm. Etapa zhvillimore drejt kësaj shkalle të parë të sjelljes së socializuar paraqet kuptimin e rëndësisë, marrjes në konsiderim dhe mbështetjes – veprimit sipas ndalesës jo. Ky kërcim kualitativ në sjelljen e fëmiut e mundësojnë zhvillimi i nivelit të arritur intelektual, respektivisht zhvillimit të të folurit dhe kualiteti i marrëdhënies objektuale. Në kuadër të marrëdhënies objektuale, mekanizmi i cili mundëson përvetësimin – adaptimin e shenjës semantike “jo” është identifikimi me objektin e investuar libidinoz, respektivisht pritjeve dhe kërkesave të tija, pasi në këtë mënyrë i bëhet bisht – mënjanohet pakënaqësia dhe fitohet lëvdata (fëmiu pranon të heq dorë, vetëmohohet “për dashuri ndaj nënës”!). Mirëpo, pasi objekti libidinoz i përsëritë ndalesat, ndërsa futë në përdorim dënimet, ai – objekti shkakton pakënaqësi (agresion) te fëmiu dhe kështu ai e përjeton atë edhe si dikë që pengon, i cili është frustrator. Ngarkesa afektive (tendosja) e shkaktuar nga pakënaqësitë e përsëritura për shkak të ndalimeve të përsëritura “ndahet nga parafytyrimet dhe në Id krijon tendencën agresive, e cila do të jetë e lidhur me gjurmën mnestike në Ego”, (Ritvo dhe Solint, 1967). Ky proces nënkupton futjen në vete – introektimin e ndalesës përmes  identifikimin e agresorin, por në të njëjtën kohë i ofron edhe një mundësi të re – që edhe vet të shpreh refuzimin e vet: së pari do të jetë vetëm me gjeste – lëvizje, e mandej edhe e fjalë. Pra jo bëhet për fëmiun mjet agresioni, i mundëson që në mënyrë spontane të manifestojë refuzimin dhe kështu duke i falënderuar kësaj shenje (gjesti i simbolikës), të kontrollojë botën e jashtme. Komunikimi simbolik ka zëvendësuar shtendosjen përmes aksionit të drejtpërdrejt, që është baza për komunikim në distancë (aksionin e ka zëvendësuar fjala), çka i mundëson mandej plotësimin në mënyrë të tërthortë. Përvetësimi dhe përdorimi i shenjës semantike jo, si kërkesa të pranuara të rrethit shoqëror, dhe për shkak të rëndësisë që ka në procesin e individualizimit, paraqet organizatorin e tretë të psikës. Ky mekanizëm përmes të cilit fëmiu përvetëson sjelljet të cilat janë në kundërshtim me impulset instinktive dhe fantazmave, dhe përmes të cilit tendenca për tu ndotur dhe për sjellje të vrazhdët zëvendësohet me pastërti  dhe dashamirësi, quhet reaksion i formimit (ose kthimi në të kundërtën).

       Sikur që në fazën orale të zhvillimit të marrëdhënies ndaj objektit, ku zona erogjene qendrore ose vendi inve-stimit maksimal libidinoz (trupor) ka qenë goja, në fazën anale tani është anusi (mukoza anorektale), respektivisht recesi dhe kontrollimi i sfinkterit anal. Kontrollimi i sfinkterit është i mundshëm në fillim (gjatë) të vitit të dytë të jetës, pasi ka ardhur deri te pjekuria neuromuskulare, nga njëra anë dhe te mundësia e identifikimit e ndalesën jo, nga ana tjetër. Psikologjikisht periudha anale fillon kur akti i kontrollit të defekacionit – kështu edhe kënaqësia e qitjes jashtë ose e mbajtjes, bëhet akt (vepër e kryer) të cilën fëmiu do të mund ta udhëheq sipas vullnetit të tij. Fakti se kjo është edhe koha kur fëmiu, respektivisht është edhe koha e kompetencave motorike të fëmiut të rritura dukshëm, vetëm se i kontribuon zhvillimin e vetëdijshmërisë së tij.

Mbajtja e fecesit, shtyrja e defekimit, çojnë deri te erotizimi i zonës anale, respektivisht deri te përjetimi i udhëheqjes me një pjesë të vetes (fecesin fëmiu e përjeton si objekt parcial me investim të lartë libidioz), por edhe si sundim mbi objektin primarë – nënën. Për shkak të raportit të dyfishtë ndaj nënës si burim i dashurisë por edhe i agresionit (për shkak të kërkesave dhe ndalesave të cilat i vendosë në lidhje me përshtatjen në pastërti) dhe mundësisë që me vullnetin e tij “po” dhe “jo po”, të shpërblejë ose të dënojë nënën, vie deri te ambivalenca anale, të japë ose të mbajë, e cila në zhvillimin e mëtejshëm mund të zgjerohet në derivatet e objektit anal, siç është secili lloj i pronës, e më së shpeshti të hollat. Zotërimi i ndalesës jo adaptimi në pastërti, si dhe intensiteti dhe tejkalimi i ambivalencës anale, varet nga zotërimi mbi investueshmërinë  agresive të objektit i cili është bartës i këtij procesi.

Neveria dhe frika të cilat fëmiu mësohet ta lidh me fecesin, i cili tani bëhet diçka e shëmtuar dhe e pistë kundrejt të bukurës dhe të mirës, e cila lidhet me vlerësimin e normave të aprovuara shoqërore, janë themele prej të cilave me përpunimin e mëtejshëm (elaborimin) vie deri te zhvillimi i vlerave të niveleve më të larta antagoniste: e shëmtuar – e bukur, e pastër – e pistë, e dëshiruar – e padëshiruar, morale – jomorale. Me ngadhënjimin mbi trupin e tij dhe funksioneve të rëndësishme të tij (kontrolli i sfinkterëve), fillon faza tjetër në zhvillimin e funksioneve të Egos së fëmiut (detour kënaqësia – e tërthortë), ndërsa nga ana tjetër këto qëndrime antagoniste sekondare (të cilat e përbëjnë reaksionin e formimit) paraqesin fillimin e socializmit të fëmiut dhe në mënyrë permanente e ndryshojnë personalitetin e fëmiut dhe nga këto shkaqe shenja semantike jo, paraqet paraardhës të Superegos së ardhshme dhe të moralitetit. Me zhvillimin e mëtejshëm, me formimin e Superegos postedipale, i cili e merr kontrollin mbi impulset e papranueshme, ky mekanizëm humb nga rëndësia fillestare e tij.

Me kalimin nga viti i parë në të dytin, nevoja e fuqishme e fëmiut për të qenë pjesë përbërëse e një personi tjetër, kalon në nevojë për të qenë si ai person. Simbioza transformohet në varshmëri, ndërsa mekanizmat e introeksioit dhe të projeksionit mundësojnë  zhvillimin e identifikimit të zgjedhur, respektivisht të modaliteteve për të ia dalë në krye me agresivitetin. Agresioni ndaj vetvetes dhe objekteve, po aq sa edhe libido, janë meritore për zhvillimin progresiv. Duke i falënderuar asaj, fëmiu i kësaj periudhe krahas përvojës së ndalesave zhvillon ambi-cien, posesivitetitn - nevojën për të poseduar, lakminë – xhelozinë, rivalitetin, dëshpërimin, dështimin. Këto janë mënyra me të cilat mësohet ti dallojë ndjenjat e veta nga ato të të tjerëve, veten nga jo vetvetja, ndërsa janë kushte të domosdoshme për zhvillimin e identitetit dhe testimin e realitetit të jashtëm dhe të brendshëm.

Duke e parë nga aspekti zhvillimor (nga pikëpamja e investimit libidinoz dhe të shtendosjes), dy organizato-rët e parë të psikikës, i takojnë rrethit të zbrazjes së impulseve instinktive, pra aksionit, kurse organizatori i tretë, vendosë komunikimin i cili vepron në pajtueshmëri me parimin e realitetit. “Të komunikuarit egocentrik te i porsalinduri bëhet alocentrik duke futë në përdorim simbolet verbale dhe gjestet “, (Spitz, 1962). Në procesin e individualizimit të folurit i mundëson fëmiut të zotërojë me fjalët dhe idetë, duke i falënderuar kësaj edhe më tutje e ruan omnipotencën e tij, ashtu që investon gjurmët mnestike në objektet e introjektuara dhe kështu e tejkalon nevojën e plotësimit në nivel shqisorë. Kjo i mundëson të pranojë realitetin se objektet dhe ai vetë janë të ndarë, me kërkesat dhe dëshirat e veta; investon njëkohësisht me të dy llojet e tendencave, dhe megjithatë ka shkallën e nevojshme të besimit se do ti plotësohen ato nevoja dhe në atë mënyrë që i përgjigjet moshës së tij.

Viti i dytë është periudha e shfrytëzimit aktiv – intensiv të aftësive të arritura motorike, kur kjo në përgjithësi i  mundëson lloje dhe nivele të ndryshme të shtendosjes funksionale, në gojë dhe duar paraqesin “instrumentet” themelore të zbulimit të trupit të vet dhe botës për rreth vetes. Fëmiu e arrin këtë përmes nënës, personave të tjerë të rëndësishëm dhe “përvojës së vet”  me trupin e vet, dhe natyrisht përmes sendeve të cilat i njeh me anë të mani-pulimit me to. Investimi në rritje në trupin e tij (por edhe me trupat e anëtarëve të afërt të familjes), i mundëson zhvillimin e skemës trupore, e cila paraqet njohuri për trupin e vet dhe pjesëve të tij, dmth., figura tredimensionale të cilën secili person e ka për veten, dhe zhvillimit të (ndjenjës) Egos trupore i cili është rezultat i investimit në trupin e tij.

Përfundimisht, gjatë vitit të dytë, paraqitet edhe përemri vetor unë, i cili paraqet identitetin në kuptim të plotë, në nivelin kognitiv, emocional dhe social dhe paraqet kualitetin përfundimtarë të ndarjes primare, kur dua vet shkakton gëzimin e pavarësisë së Egos, ndërsa nevoja për të qenë me dikë transformohet në nevojë të bëhesh sikur dikush – lidhja simbiotike kalon në pavarësi primare, ndërsa pasiviteti në aktivitet.

 

Zhvillimi i marrëdhënies Edipale ndaj objektit

(nga viti i 3 deri 5-6 i jetës) 

 

Në periudhën midis vitit të 3 – 6 të jetës fëmiu kalon përmes një vargu të ndryshimeve dhe komplikimeve të raportit ndaj objekteve dhe ndaj vetes.

Pas neutralizimit parcial të kënaqësisë orale dhe më pastaj atyre anale, fillon periudha e interesimit të shtuar për zonën gjenitale dhe për çdo gjë që është e lidhur me të, dhe megjithëse organi seksual edhe më parë ka qenë burim i kënaqësisë funksionale në situatat e urinimit, ai tani bëhet përsëri psikiksht i investuar në një mënyrë kualitativisht tjetër. Zgjohet kureshtja e gjallë e fëmiut por gjithçka që është seksuale: për dallimet midis gjinive, për mënyrën e “bërjes” së fëmijëve, për marrëdhëniet midis prindërve.

Njohuria e parë dhe pranimi i dallimeve midis gjinive e bie edhe dëshpërimin e parë – se vajzat e vogla nuk kanë penis, dmth., mund të mbetesh edhe pa atë. Mirëpo, mungesa e penisit nuk i përshkruhet gjendjes normale  origjinale, “veçori” e gjinisë, por konsiderohet edhe si pasojë e “marrjes”, pasojë e lëndimit të përjetuar. Fantazma për penisin e prerë, të shkatërruar, të humbur, e përbën thelbin e fantazmës së kastracionit. Dallimin midis gjinive, fëmiu nuk e kupton si ndryshim real anatomik midis ndërtimit trupor mashkullor dhe femëror, por nga aspekti dominimit të “primatit fallik origjinal”, i cili jep vetëm dy mundësi: të kesh penisin apo të jesh i kastruar. Frika e cila e tërhjek këtë njohuri – frika e kastracionit – është rezultat i përfytyrimit të gabuar mbi realitetin; është fenomen zhvillimor pasi është i motivuar nga njëra anë me fuqinë magjike të cilën fëmiu ia ka përshkruar të rriturve (prindërve) dhe inferioritetit real të tij në raport me ata, nga ana tjetër. Ata i konsideron përgjegjës për gjendjen e tij dhe mbi ta projekton aspiratat sadistike (agresive), megjithëse kalon edhe një periudhë në të cilën edhe më tej beson në nënën fallike, e cila si person i idealizuar nuk i nënshtrohet kastracionit.

Frika e kastraconit ekziston pavarësisht intervenimit nga jashtë: psh., krahasimi i penisit të tij me atë të babait, i cili shkon detyrimisht në dëm të fëmiut, mundet nga njëra anë, të shkaktojë frikë intensive, si për shkak të agresionit të projektuar në penisin e madh të babës, ashtu edhe për shkak të supozimit se tanimë është i dënuar (sepse penisi i tij është më i vogël se i babës) për shkak të tendencave të ndaluara. Frika natyrisht mund të rritet me ndalesat, kërcënimet dhe dënimet, me të cilat prindërit shpesh reagojnë në pyetjet e fëmijëve, të cilat janë shprehje e kureshtjes për tu njohur e vërteta mbi dallimet midis gjinive, për veten, për lindjen e tij, origjinën – krijimin, raportin midis prindërve. Intervenimet e ashtuquajtura kastrative e shtojnë ankthin e pashmangshëm dhe normal të fëmiut dhe duke u mbrojtur nga ai, fëmiu futet në marrëdhënien Edipale.

Është shumë e rëndësishme që tani fëmiu duhet të mësohet që interesimi të cilin e tregon dhe e ndjenë është e palejueshme – e ndaluar, e pistë (ngjashëm me atë që është mësuar në lidhje me ekskretet e tij). Në fillim e shikon lirshëm organin e tij seksual, e kontrollon, pyet, bën supozime të ndryshme, ndërsa fantazmat dhe imagjinata çojnë deri te krijimi i të ashtuquajturave hipoteza ose teori seksuale. Mirëpo sjellja dhe qëndrimi prindërve shumë shpejt i ja bëjnë me dije se interesimet e tij, pyetjet dhe dëshirat e tij janë të ndaluara, të turpshme dhe të pista dhe fëmiu i hjek nga vetëdija. Derivatet e impulseve instinktive gjejnë njëfarë kënaqësie në fantazmat, mirëpo, “gjurmët mnestike shkaktojnë lajmërimin e frikës. Ajo krijohet nga konfliktet e këtyre impulseve me normat ekzistuese të moralit seksual, ashtu si e paraqesin prindërit me fjalët dhe sjelljet e tyre” (A. Frojd. 1968).   

Deri në fillim të fazës Edipale, nëna është kujdesur për plotësimin e aspiratave të lidhura me ato regjione të trupit të fëmiut në të cilat ka qenë e lidhur libidoja: ajo ka qenë objekt i kënaqësive të tij libidinoze. Fëmiu ka qenë i varur biologjikisht nga nëna. Në përpjekje për të plotësuar këto kënaqësi, fëmiu është dashur të gjejë rrugë për të qenë objekt i dashur i saj, pra “që kënaqja e nevojave të tij të jetë në përputhje me dëshirën e nënës” (Smirnof, 1970). Këtë raport “të dyfishtë” e ndërpret njohuria mbi dallimet mes gjinive (hyrja në fazën Edipale) dhe çdo gjë që shkon me te, duke përfshirë edhe njohurin se objekti i dëshirës së nënës gjendet te baba. Investimi libidinoz i organit seksual, dijenia – njohuria se baba dhe nëna i përkasin gjinisë së tij respektivisht asaj tjetër dhe se “arsenali i afekteve” nga periudha anale – nevoja për të poseduar, xhelozia dhe destruktiviteti, krahas aktivitetit dhe pasivitetit – kanë përgatitur terrenin për përjetimin e marrëdhënies Edipale. Këto përjetime dallojnë te djemtë nga ato te vajzat.  

   Djali edhe kur shfaqet një zonë e re e cila kërkon gratifikim, vazhdon të shkojë me rrugën e deriatëhershme - objekti i dashur është nëna. Mirëpo, baba si pronarë i penisit “e shkatërron” këtë raport të dyfishtë midis fëmiut dhe nënës, dhe duke hyrë në të paraqet triadën Edipale: nënë – baba – fëmi. Duhet theksuar këtu se sipas teorisë klasike psikaonalitike, të cilat babën “e fusin” tani në procesin e formimit të aparatit psikik, në periodën edipale; qasja bashkëkohore, e cila mbi triadën flet qysh në ditët e para të jetës së fëmiut (ne kemi lansuar hipotezën edhe për triadën prenatale), dhe e cila në fazat paragjenitale të zhvillimit të raportit me objektin dimë më shumë se sa në kohën e jetës dhe të punës së Frojdit, flet vetëm për një kualitet të ri të kësaj marrëdhënie.

                                                                                        kthehu

 

Krahas nevojës që nëna edhe më tutje ti përkasë atij dhe ti plotësojë nevojat e tij, edhe ndjenjat që ishin të lidhura edhe me babanë, në kuptim se edhe ai ka plotësuar një seri nevojash të fëmiut dhe ka qenë “i fortë dhe i madh”, dhe ai “që mundet çdo gjë”, marrëdhënia komplikohet mu për shkak të këtij dualiteti: baba është posedues i penisit, për këtë simbolizon autoritetin, pushtetin, fuqinë, mirëpo penisi i tij është objekt i dëshirës së nënës, ndërsa nëna është ende objekt i dëshirës së tij. Kështu, baba e pengon atë drejt rrugës kah nëna. Kjo kushtëzon ambivalencën e identifikimit me babën: ai është model për imitim për shkak të karakteristikave të cilat imponojnë dhe ndaj të cilave mahnitet – i admiron dhe është pronar i penisit, por për shkak të domosdoshmërisë – nevojës që të zëvendësohet te nëna dhe i tendencave agresive përkatëse, identifikimi bëhet edhe armiqësorë, agresiv.

Dija – njohuria e djalit se posedon penis (për dallim nga vajzat) e kushtëzon investimin e tij libidinoz, kështu që penisi bëhet “simbol i vlerësimit narcistik të vetes” (Smirnof, 1970), kështu frika nga kastracioni, përveç tjerash ka edhe kualitetin e frikës nga dëmtimi narcistik.

Përpjekja për të okupuar – zotëruar nënën, ta mbaj për veten, është përcjellur nga fantazmat, të cilat sa më të pasura të jenë (intensive) aq më shumë të tërhjekin me vete si fantazmat e kastraconit ashtu edhe frikën intensive sekondare – ndjenjën e fajësisë: si për shkak të dëshirës për objektin e ndaluar, ashtu edhe për shkak të xhelozisë dhe agresivitetit ndaj babës – rivalit, të cilin duhet mënjanuar – flakur.

Mirëpo, në gjendje të vërshimit të tendencave agresive dhe angazhimit të sasisë së konsiderueshme të energjisë libidinoze me qëllim të pushtimit të objektit të dëshiruar, djaloshi përballet me dy fakte të pamohueshme: e para, që rivalizimi me babën është vetëm iluzion, pasi nëna tashmë e ka bërë zgjedhjen; dhe e dyta, që përpjekjet e tij për të zotëruar nënën janë të ndaluara dhe që tërjekin pas vetes edhe dënimin në formë të kastraconit.

Pra mu frika e kastracionit i mundëson fëmiut dalje nga situata Edipale: respektimi i barrierës së incestit (e cila është njëra nga dy ndarjet e domosdoshme në kuadër të grupit familjarë, dmth., detyrat familjare), e liron atë nga frika nga dënimi dhe nga njëra anë, mundëson zgjedhjen e zëvendësuesit të partnerit, kurse nga ana tjetër, pranimin e dashurisë ndaj nënës të liruar nga libidoja erogjene. Shkrirja – fuzionomi i synimeve libidinoze dhe reaktive nën kërcënimin e frikës së kastracionit, respektivisht nën ndikimin e krijimit të normave morale e transfor-mon kështu fuqinë tërheqëse edipale ndaj nënës në dashuri të fëmiut ndaj nënës.

Zgjidhja e plotë e konfliktit Edipal e liron një sasi të madhe të energjisë libidinoze, si në planin e vetëdijshëm ashtu edhe në atë të pavetëdijshëm, energji e cila tani mund të investohet në objekte të rinj dhe në aktivitete të reja (por që edhe objekti primar të mos shkatërrohet).

Te vajzat kjo rrugë merr kahje tjetër. Interesimi për ndryshimet midis gjinive për vajzën sjell dëshpërim: asaj tani më i ka ndodhur ajo të cilës djali i frikohet se mund ti ndodhë – ajo nuk ka penis. Ajo që për djalin është kërcënim për vajzën është fakt anatomik. Kjo njohuri çon deri te lakmia për penisin, ndjenjë e cila mund të arrij deri në shpresë se ai mund ti dalë (ti rritet), gjegjësisht deri te nevoja që në një farë mënyre të arrijë deri te ai. Ajo që te djali është frikë nga dëmtimi narcistik, te vajza tani është përjetim aktual i dëmtimit narcistik. Ndjenja e vlerës më të vogël në planin trupor respektivisht gjenital, deri te e cila çon përjetimi i këtij dëmtimi narcistik, vë në lëvizje tendencat agresive ndaj objektit primar – nënës, pasi e akuzon për humbjen e penisit. Lidhjet emocionale të saja me nënën dobësohen dhe objekt i dëshirave të saj bëhet baba. Dëshirën e saj për penisin ajo e zëvendëson me dëshirën për penisin e babës, respektivisht dëshirën me pas fëmijë me babën. Kështu baba bëhet objekt i dëshirave dhe i dashurisë, ndërsa nëna i urrejtjes – inatit. Por, kjo njëkohësisht shpie deri te mundësia e humbjes së objektit primar – nënës, dhe frikës nga humbja e dashurisë së saj.

Te vajza frika e kastraconit çon në kompleksin e Edipit, deri sa te djemtë ajo është pasojë e kompleksit. “Derisa kompleksi i Edipit të djemve shkatërrohet për shkak të kompleksit të kastracionit, te vajzat kompleksi i kastracionit mundëson dhe paralajmëron kompleksin e Edipit” (Smirnof, 1970). Për këtë te vajzat zgjidhja e kompleksit të Edipit është më e komplikuar. Për ta zgjidhë ajo duhet për herë të dytë ta braktisë objektin e dashurisë dhe të dëshirave (tani baba) dhe ti kthehet objektit të primarë – origjinal. Kjo është e mundshme nëse vajza pranon faktin e anatomisë së gjinisë së saj dhe ta shfrytëzojë përmbajtjen esenciale të kompleksit të kastra-cionit, i cili “inkibon dhe kufizon maskulinitetin, por premton feminitetin”, respektivisht të gjejë strehë në identi-fikimin femërorë – maternal. Braktisja graduale e kompleksit të Edipit përmes represionit te vajza në masë të madhe do të varet nga parandjenjat mbi mëmësinë, feminitetin, etj. Kjo më së shumti varet nga sjelljet dhe qëndri-met nënës ndaj seksit të saj, sepse ato në mënyrë indirekte do ti mundësojnë asaj të lirohet nga ndjenja e fajit për shkak të dëshirave incestuoze (formimi i barrierës së incestit) dhe të krijojë terren për investim libidinoz në zonat erogjene femërore.

Zgjidhja e konfliktit edipal dhe tërhjekjes së këtij lloji i investimit libidinoz te nëna çon deri te mundësia e ndarjes, respektivisht te zgjidhja e varësisë primare të fëmijëve, si te djemtë ashtu edhe te vajzat, çka mundëson lidhja me objekte të reja jashtë rrethit familjar, parasegjithash me moshatarë. Nga pikëpamja e ekonomikës psikike, e gjithë energjia psikike e shfrytëzuar për tejkalimin e tronditjeve psikike të periudhës Edipale, tani çlirohet dhe investohet në kureshtje të llojeve të ndryshme, në objekte dhe qëllime të reja. Po ashtu sipas natyrës së krijimit dhe zgjidhjes së vet, kompleksi i Edipit e mundëson formimin e Superegos, duke u zhvilluar nga paraardhësit e mëparshëm (jo semantike), dhe në këtë periudhë përmbyllet. Superego është rrugë për të hyrë në raporte reale ndërnjerëzore, si dhe për formimin e një sistemi më të përsosur të mbrojtjes, në të cilin mekanizmi i sublimaconit luan rol veçanërisht të rëndësishëm.                                            

 

Procesi i formimit të Superegos

 

Në ekonomikën psikike, pjekjen dhe ndarjen (nga lidhshmëria- varësia primare), rol të rëndësishëm luan braktisja respektivisht pavarësimi nga objekti. Mirëpo, që objekti të mund të braktiset, fëmiu duhet të identifikohet me atë, ta fusë në vete (introjektojë) dhe ta “ngrisë- rritë” në egon e tij. Futja e objektit në vete, mundëson që ai si i tillë të braktiset pjesërisht, por edhe të investohet në vetvete, në egon e tij. Ky proces identifikimi, i cili në këtë periudhë ka rëndësi të veçantë, e ka fillimin e vet qysh në futjen e gjirit të mirë dhe atij të keq, dhe kështu është derivat i inkorporimit oral. Duke kaluar përmes fazës së identifikimit me objektin e mirë me qëllimtë zgjatjes së kënaqësisë në mungesë të objektit, respektivisht me objektin e keq me qëllim që ti iket- shmanget dhimbjes, të cilën e shkakton ai, identifikimi është edhe më i komplikuar në situatën edipale. Të gjitha barrierave të mëhershme të fazës orale dhe anale, i bashkëngjiten tani edhe barrierat e plotësimit të aspiratave seksuale. Mirëpo, kjo është e komplikuar me faktin se fëmiu (edhe djali edhe vajza) është ambivalent në raport me të dy prindërit, që do të thotë se për identifikim adekuat  është e nevojshme të arrihet deri te shkrirja- fuzionimi kompleks i tendencave të kundërta, respektivisht të vie deri te introektimi i një objekti të investuar kompleks. Futja në vete edhe i atyre cilësive të karakterit, të cilat e tërheqin dhe e atyre që nuk e tërheqin fëmiun, mundëson që superegoja, e cila po formohet, “mundë të ndalojë atë që dëshirohet dhe të gjurmojë atë nga e cila po mbrohet”, (Sirnof, 1970). Duke i falënderuar asaj që frika e kastracionit është introjektuar si ndalesë e plotësimit të impulseve instinktive seksuale, vie deri te”kualiteti i ri i neutralizimit të libidos dhe marrëdhënia ndaj botës kështu bëhet shumë më reale”, (Matiç, 1970).

Te fëmiu i periudhës Edipale por edhe i asaj latente të hershme, është e kuptueshme që superego është në proces të formimit. Atë të cilën fëmiu në fillim e përjeton si detyrim të pavetëdijshëm ndaj prindit, gradualisht transformohet në instancë psikike e cila bëhet e pavarur nga prindërit. Kjo periudhë kalimtare është mjaft e gjatë: kufiri midis prindërve “konkret”, të cilët shërbejnë si model për formimin e superegos dhe superegos së introjektu-ar është e paqartë për shumë kohë. Në periudhën e formimit superego e fëmiut është i dobët, labil, i varur nga shumë ndikime të jashtme dhe shumë “i lëndueshëm”. Për shkak të këtij labiliteti, fëmiut i nevojitet përkrahja nga jashtë e prindërve, rëndësia e të cilës vie në shprehje të plotë atëherë kur humbet ajo. Kjo ngjanë kur vie te ndarja nga prindërit ose kur figura e prindërve nuk është adekuate për identifikim pozitiv. Prindi duhet që me praninë e vet të vërtetë dhe me shembullin adekuat për identifikim ta ruaj modelin e superegos. Kur mungon kjo përkrahje konkrete e prindërve, superego labile ende e paformuar, u nënshtrohet lehtë impulseve instiktive, të cilët kërkojnë plotësimin direkt. “Kërkesat e superegos” mund të përballohen vetëm nëse ekziston kompensimi për shkak të pranisë së vërtetë të objektit të dashurisë, i cili me anë të ratifikimeve, të cilat i bie, mundëson që “të durohet sakrifica”, (Sirnof), çka është e ngjashme me shpërblimet për pranimin e ndalesave të para në fazat e mëparshme zhvillimore. Kur të arrij nivelin zhvillimor në të cilin mund të është pa “përfaqësuesin personal”, mund të konsiderohet se superego, si sistem autonom, i cili formon bazën e vetëdijes morale, të konsiderohet si i formuar. Nëse në procesin e pranimit dhe të introjektimit të ndalesave prindërore, në figurën e prindërve e projekton edhe agresivitetin personal, superego e fëmiut mund të bëhet më i ashpër se i prindërve.

Për dallim nga fazat tjera zhvillimore të marrëdhënies ndaj objektit në të cilat ndalesat dhe shtyrjet janë pranuar “për hir të dashurisë ndaj nënës, respektivisht babës”, kur fëmiu ka marrë shpërblime në formë të falënderimit për shtyrjet dhe pranimin e formave të socializuara të kënaqjes së nevojave, tani situata është dukshëm më ndryshe. Shtendosja direkte në planin gjenital është e mundur shumë më vonë, aq më parë pasi ky libido nuk është i lidhur në fillim me funksionimin fiziologjik. Zhvillimi i mëhershëm ka mundësuar që shtendosja të gjendet në derivatet e impulseve instinktive dhe në zëvendësimet e objekteve, edhe atë përmes fantazmave dhe kënaqjes së drejtpërdrejt minimale përmes prekjes. Dhe mu për atë që për ndalesat e pranuara,  fëmiu në këtë fazë nuk fiton kurrfarë dëmshpërblimi në formë të lavdërimit nga prindërit, ndërsa plotësimi direkt, psh., përmes onanisë, tërhjek me vete ndjenjën e fajit dhe frikën, derivatet e impulseve instinktive dhe objektet ndaj të cilave ato janë të drejtuara fitojnë rëndësi shumë më të madhe se në fazat e mëparshme të zhvillimit të marrëdhënies ndaj objektit. Për këtë në këtë fazë të zhvillimit, edhe përkrah strukturimit të mekanizmave mbrojtës të rinj, para se gjithash sublimimit, edhe më tutje shkohet në lehtësim të tensionit përmes frikës.

Mendimi më bashkëkohor për zhvillimin e superegos i përket asaj se formimi i tij nuk është rezultat vetëm i introjektimit me ngjyrim agresiv, por përbëhet edhe nga identifikimet me investim libidinoz, edhe atë me të dy prindërit, çka shpie në ndryshimin e të kuptuarit të konfliktit Edipal. Superego, si entitet funksional vendoset me zgjidhjen e konfliktit Edipal. Mirëpo, deri te kjo fëmiu arrin edhe përmes ndihmës së idealizimit, i cili do të zhvillohet gradualisht në Ego ideal, ndërsa vajzat edhe përmes ndihmës së zhvendosjes kompensatore të libidos narcistike në të gjithë trupin (ego ideali arrin vlera morale të larta në vend të penisit, ndërsa zhvlerësimi i nënës siguron vendosjen e heteroseksualitetit, duke i falënderuar kthimit nga baba). Zgjidhja përfundimtare për të dy gjinitë, megjithatë nënkupton më parë ndjenja libidinoze se sa frikë nga prindi i të njëjtës gjini, çka çon në braktisje të dëshirave incestuoze, respektivisht të vrasjes së babës dhe të nënës.

Pra, dashuria e jo frika, siç ka menduar Frojdi, e mundëson zhvillimin te të dy gjinitë.

 

Zhvillimi i marrëdhënies latente ndaj objektit

(nga viti i 5-6 deri në vitin e 11-12 të jetës)                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                  


          Perioda e latencës, për shkak të kapaciteteve psikike të saj me të cilat  fëmiu disponon, në kuptimin “klasik” psikoanalitik quhet si periudhë e “qetësisë pulsative”, dmth., periudhë relativisht e qetë, për sa i përket mënyrës dhe niveleve të disponueshme të kënaqjes së aspiratave të fëmiut. Mirëpo, për një varg të shkaqeve, është e vërtetë vetëm teorikisht dhe pjesërisht; kjo poashtu është periudhë fillimi i së cilës përputhet me fillimin e shkollës dhe të gjitha ato të cilat i prodhon ky ndryshim në jetën e fëmiut. Në krahasim me “tronditjet” e fazave të më hershme dhe me ato që pasojnë në adoleshencë, prapë ndoshta edhe mund të quhet periudhë e “qetë”. Rrethi i ri social, kërkesat e saja, shpresat e reja nga familja por edhe nga rrethi i ri, shoqëria e moshatarëve, ej., e vënë fëmiun në një varg situatash të reja dhe të panjohura deri atëherë, dhe nga njëra anë, kontrollojnë përshtatjen e niveleve të arritura zhvillimore, por njëkohësisht edhe suksesin e prindërve, nga ana tjetër, në rolin e tyre të përbashkët dhe të secilit veç e veç. 

Në ndryshimin e qëllimeve të nxitësve instinktiv, neutralizimin e tyre dhe në ndryshimet në Ego, sublimimi krijon terren “jokonfliktuoz”, i cili mundëson që “nevoja për përvetësim” të zëvendësohet me nxënie të dijes, kurreshtja seksuale të shndërrohet në hulumtim intelektual, ndërsa garimi shkollor të ja marrë vendin garimit Edipal, (Smirnof). Kjo sjell kursime të mëdha (të energjisë) në ekonomikën psikike, dhe duket se kjo periudhë është mjaftë e përshtatshme për edukim. Mirëpo, edhe në periudhën e latencës, mekanizmi i sublimimit është ende në proces të zhvillimit. Në fazën e vet fillestare, sublimacioni shfaqet në formë të fantazmave, të cilat luajnë ende rol të rëndësishëm dhe janë të afërt me burimin origjinal të tyre. Kur dihet se prindërit luajnë rol të rëndësishëm në formimin e tyre, është e qartë se mundë të vie deri te ajo që ata të mos jenë në gjendje ti pranojnë në mënyrë adekuate, sepse manifestimin e tyre e përjetojnë si kundërshtim të qëndrimeve dhe përpjekjeve edukative të tyre. Fantazmat në të vërtetë janë tentativë e pranimit të atyre qëndrimeve përmes përshtatjes ndaj frikës të cilën e shkaktojnë. Prandaj për formimin e forcave të cilat marrin pjesë në një mekanizëm kaq të komplikuar siç është sublimacioni, është shumë me rëndësi se si prindërit i pranojnë shenjat fillestare të sublimacionit të fëmiu i tyre, dmth., sa janë në gjendje të ndihmojnë në përshtatjen  ndaj frikës. Represioni shumë i shpejtë si dhe çlirimi nga frika, e vështirësojnë formimin e këtij mekanizmi, pasi i përkasin llojeve të intervenimeve “edukative” joadekuate të prindërve sipas fazës zhvillimore.

Në periudhën e latencës ende nuk ka ardhur deri te përzgjedhja e fushëveprimit dominant të sublimacionit. Fëmijët janë të interesuar për lami të ndryshme të aktiviteteve, çdo gjë u intereson, është e mundur ti orientojmë praktikisht në çdo drejtim. Identifikimi me objektet e dashurisë dhe të autoriteteve, ka rëndësi primare në këtë proces (ndërsa lidhja midis sublimacionit, identifikimit, superegos, respektivisht zgjidhjes së kompleksit të Edipit,  shihet mjaft mirë ). Shëmbëlltyra prindore e sublimuar, e introjektuar tanimë, dhe të cilës fëmiu i drejtohet, tani kur ka arritur që ndaj objektit të dashurisë të formojë raport i cili është i është i pajtueshëm me figurat dhe tendencat e tij, e mundëson formimin e instancës psikike e cila zhvillohet indirekt nga superego, dmth.,  nga ego - ideali.

Për të bërë përzgjedhjen normale, të fushëveprimit të sublimacionit, është me rëndësi që funksione të veçanta të egos, në mënyrë të përshtatshme të investohen me energji instiktive (me libido), çka krijon interesimin për përdorimin e tyre. Investimi i tepruar i një funksioni të egos me libido mund ta shëndrrojë në një funksion të njëjtë me atë seksual, ta”erotizojë”, dhe ky funksion si i ndaluar që është, të ngadalësohet, siç është psh., te inkibimi intelektual. Sublimacioni nuk është patjetër, pra të jetë burim ekskluziv i aktiviteteve, çka tregon se në çfarë mase formimi i këtij mekanizmi mbrojtës më të përsosur, është i kushtëzuar nga zhvillimi i përgjithshëm i aparatit psikik të fëmiut.

Kurreshtja në kuadër të sublimacioit luan rol shumë të rëndësishëm. Kurreshtja manifestohet në mënyra të ndryshme që nga ditët më të hershme, përmes aktiviteteve siç janë: shikimi, dëgjimi, prekje. Kënaqja e kureshtjes i ofron fëmiut njohuri të reja, të cilat dërgojnë në probleme të reja, mandej në bërje të pyetjeve të reja, etj. Kurreshtja seksuale infantile e humb komponenten seksuale gjatë zhvillimit dhe ngadalë kalon nga fantazia në zgjedhje të problemeve reale; ajo sublimohet dhe e mundëson adaptimin në realitet. Kjo përshtatje mundet të jetë pasive dhe aktive. Përshtatja pasive është vetëm fazë kalimtare pas të cilës vjen ajo aktive, e cila është kusht i suksesit të përshtatjes në realitet. Qëllimi i kurreshtjes është “zotërimi”, të ngadhënjyerit mbi realitetin. Mirëpo, pasi kurreshtja është e pandashme nga pyetjet mbi shkaktarin, kështu kjo duke kërkuar që të kënaqet, bie nga njëra anë deri te njohuri të reja, të rëndësishme si për atë njohëse ashtu edhe për jetën emocionale, por ajo është gjithmonë edhe burim potencial i ankthit.            

Në planin e ekonomikës psikike (veçanërisht gjatë kalimit nga faza edipale në atë latente, dhe përgjatë fazës latente) sublimacioni përmes lojës i mundëson zbutjen dhe çlirimin nga veprimi i frikës fëminore. Në këtë periudhë, loja e fëmiut ende është plot fantazma si dhe me parë, mirëpo, ata (fëmijët) janë ndarë deri në atë masë nga objektet e tyre, e edhe nga vetëdija e fëmiut dhe të prindërve, sa që tani fiton karakteristikat e lojës së “virgjër”. Por kësisoj, (edhe vetëm formalisht), ajo i ofron fëmiut kënaqësi të jashtëzakonshme në mundësitë e shtendosjes nga frika (tendosja). Lojërat të cilat i konsideron “të rrezikshme” dhe “të ndaluara”, ai i luan vetëm, i fshehur ose me shokët (psh., “kontrollet” mjekësore, kur manipulon me trupin e tij ose të huaj, torturimi i kafshëve të ndryshme, etj.). Me rëndësi është se loja nuk bënë lehtësimin e shqetësimit, i cili lind nga fantazmat, por edhe prej konflikteve direkte të cilat janë ende në vetëdijen e fëmiut. Loja i mundëson kushte të jashtëzakonshme për të hyrë në raporte gjithnjë më të përshtatshme dhe reale me moshatarët. Me fjalë të tjera, si edhe në periudhat e mëhershme zhvillimore*, ashtu e dhe në këtë, loja niset nga fantazmat dhe ende merret me problemin e gjinive, raportet midis tyre, shtatzëninë, kontaktin midis gjinive. Mirëpo, tani frikërat që rezultojnë nga ato, nuk ngjajnë drejtpërdrejt me objektet libidinoze (të dashurisë) por gjithnjë më shpesh me moshatarët (pas periudhës së lojës solitare).

Në lojë me moshatarët, shfaqen fillimet e atyre marrëdhënieve të cilat do të zhvillohen më vonë ndërmjet personave të rritur. Pasi kjo është kohë e ndarjes nga prindërit, moshatarët (dhe loja me ta), paraqesin objekte jashtëzakonisht tërheqës (jo rrallë prindërit ankohen se fëmiu i tyre “thjeshtë çmendet” pas shokëve të tij). Fëmiu lidhet me ta, bartë te ata interesimet e tij dhe gjen mënyra shumë të thjeshta edhe mundësi më të mëdha të kënaqjes së aspiratave të tij, se sa që i mundësohet midis të rriturve. Rrethi i moshatarëve, dmth., në mënyrën e vetë specifike toleron disa tendenca dhe shprehje libidinoze dhe agresive, çka nuk është rasti në rrethet tjera. Midis moshatarëve mundet që përmes lojës të vërtetojë, përsërisë, të përfundojë (lojën), ta bëjë, të zgjidhë shumëçka, të cilat nuk ka mundur ti bëjë edhe me prindërit, dhe në këtë mënyrë të lirohet edhe nga frikërat e shumta. Edhe prindërit, bile përmes lojës përpiqen nganjëherë të fusin korrigjime në formë të nxitjes së agresivitetit, për të cilën mendojnë se fëmiu i tyre nuk e ka, respektivisht nuk guxon ta manifestojë në masën e duhur.

Nga ana tjetër, derisa kërkimi i shoqërisë së moshatarëve në fillim është tentim për ikje nga ambienti mjaft i komplikuar i të rriturve dhe pritjeve e kërkesave të tyre, shpeshherë shumë të larta, plotësimit më të plotë nga ata, kualiteti i këtij kontakti gradualisht ndryshon. Fëmiu edhe në raportin me moshatarët strukturon formacionet reaktive, të cilat këtu arrijnë vërtetimin dhe përdorimin e parë praktik të tyre. Ai praktikisht e din  se çka është e lejuar e çka jo në botën e të rriturve; midis moshatarëve ai vërteton në mënyrë konkrete njohuritë e tij nga lëmia e komunikimeve sociale të fituara rishtazi.

Rol të rëndësishëm në zgjedhjen e tendosjes dhe frikës luan përsëritja. Në periudhën e latencës është mjaftë e shprehur nevoja për përsëritjen lëvizjeve, pyetjeve, të përrallave, lojës, shëtitjeve. Përsëritja manifestohet për të provuar veten dhe rrethin, në përgjithësi të mësuarit, të menduarit. Këto funksione autonome të Egos vihen në shërbim të superegos dhe bëhen mjet i fuqishëm i njohjes – kognicionit. Fëmiu është në gjendje të ndalet gjithnjë më gjatë në aktivitete të caktuara, ti ushtrojë ato, ti mbizotërojë dhe ti shfrytëzojë ato me sukses. Po ashtu, përvojat fillestare të pasuksesshme të sjelljes dhe të komunikimit me moshatarët, i përmirësojnë të gjitha përsëritjet derisa nuk fitojnë formë të pranueshme, adekuate, të socializuar. Formacioni reaktiv i përmendur, (kthimi në të kundër-tën), i cili i mundëson fëmiut që ndaj shokëve të tij të mos jetë as shumë erotik e as shumë agresiv lidhet me zhvillimin e mëparshëm të këtij mekanizmi, i cili ka shërbyer si mbrojtje nga tendencat  paragjenitale (gërditja, turpi, morali).

Shkolla dhe kërkesat që ajo i vendos, janë vërtetim i veçant i pjekurisë së fëmiut (por edhe “matura e madhe e prindërve”, e suksesit ose mossuksesit të tyre), në planin emocional dhe social – prej të cilave varet edhe suksesi i shfrytëzimit të aftësive intelektuale me të cilat disponon – që pa vështirësi dhe kriza të mëdha të përshtatet me kushte të reja jetësore, me detyra, obligime dhe përgjegjësi. Aq më parë shkolla është ambient i ri dhe një person i ri me autoritet (mësuesi), situata në të cilën fëmiu është një nga të barabartit, respektivisht që dashamirësinë dhe statusin e tij te personi me autoritet duhet ta ndajë me grupin e moshatarëve. Modalitetet e reja të ndalesave – dënimeve dhe shpërblimeve, rivalitetit, xhelozia, dashuria dhe urrejtja, janë vetëm disa nga llojet më të shpeshta të ndjenjave dhe të marrëdhënieve të cilat mund ti vejë në lëvizje rrethi i ri dhe raportet e reja.

*loja kalon nëpër faza të ndryshme. Në kohën kur nëna dhe fëmiu janë një bashkësi, secili që hyn mes tyre, paraqet pengesë. Nëse ndonjë fëmijë tjetër do të tentojë të ulet në prehrin e nënës do të shtyhet nga aty. Fëmiu sillet në mënyrë “asociale, egoiste”. Në fazën e ardhshme, fëmiu tjetër bëhet gërnjë kohë të shkurtër interesant (psh., për shkak se ka flokët kaçurrel dhe ky dëshiron ti prekë, ose mbanë diçka në dorë ose bën diçka), mirëpo ai ende paraqet objekt me diçka tërheqëse në vetvete ose mbi vete, e jo si një qenie njerëzore. Nëse, psh., rrëzohet fëmiu do të kalojë mbi të si nëpër ndonjë objekt tjetër jo të gjallë. Në fazën e tretë, midis vitit të 2-3 të jetës së fëmiut, ata fillojnë të interesohen për të njëjtën gjë, lodër dhe shumë mirë bashkëpunojnë në lojë, port jo në bazë të shoqërisë reciproke, por në bazë të qëllimit të përbashkët në lojë. Kur të arrihet kjo,grupi i vogël shthuret – prishet. Në fazën e katërt, fëmiu i dytë vlerësohet “ jo si pjesëmarrës në lojë por si personalitet me të drejtat e tij: si dikush i cili duhet të urrehet, për të cilin ka admirim, me të cilin garon dhe i cili zgjidhet për shoqëri” (A. Frojd, q1968).                

 

                 Qëndrimi i prindërve ndaj shkollës, mësuesit, rishpërndarjes së investimeve emocionale të fëmiut, ndaj moshatarëve, mundet edhe te prindërit të nxisin një bollëk të re ndjenjash, midis të cilave si fenomen më i shpeshtë është rivalizimi me mësuesin, (për shkak të narcizmit të lënduar prindëror). Pjekuria e prindërve në rolin e tyre të prindit, mësuesit në rolin e tij, forcave të egos me të cilat disponon fëmiu, pjekuria e tij sociale, etj., janë faktorë prej të cilave do të varet në masë të madhe edhe suksesi i përshtatjes së fëmiut në shkollë, por edhe e mundësisë së shfrytëzimit të kapaciteteve intelektuale. Provokimi i shumëfishtë i këtyre marrëdhënieve është shkak që periudha e latencës nganjëher është gjithçka tjetër, përveç se jo periudhë “e qetë”, e jetës së fëmiut.

Socializimi paraqet proces të përshtatjes me principin e realitetit në mënyrë ekonomike (psikologjikisht), çka nënkupton mësimin e atij tipi të sjelljes dhe raporteve ndërnjerëzore, që janë karakteristike për kulturën dhe shtresën ekonomike të dhënë, përmes mundësive të gjëra të përshtatjes në kushtet jetësore. Kësaj duhet ti paraprijë zhvillimi përkatës emocional, i cili do ti mundësojë fëmiut që “të organizohet si në planin intelektual ashtu edhe në atë motorik, të formësoinë e të forcojë (konsolidojë) fuqitë afektive dhe mbrojtjet e tij”, (Matiç, 1970). Nocioni i pjekurisë sociale është i pandashëm nga zhvillimi emocional, i cili duhet të arrijë një nivel të tij relativ, që të jetë i mundur socializmi. Ky nivel relativ varet nga mosha dhe ecuria zhvillimore e fëmiut dhe nëse këto janë në harmoni, mund të flitet për pjekuri përkatëse të fëmiut në planin emocional, respektivisht për personin e pjekur social. Duke mos u lëshuar në shtjellimin e çështjes se a është e mundur që edhe në rastin e të rriturve të flitet për personin e pjekur social, e që kësaj mos ti paraprijë pjekuria emocionale adekuate, kur është fjala për fëmijët, shumë më e përshtatshme është të flitet për pjekurinë emocionale – sociale, si një nocion i vetëm.         

          Të pjekurit e njeriut është një proces afatgjatë dhe dinamik, i cili zgjatë praktikisht gjatë tërë jetës, ndryshimet janë të mundshme gjithnjë, por kjo nuk do të thotë se është e pamundur që të definohet se çka nënkupton pjekuria emocionalo – sociale të kësaj apo të ndonjë moshe tjetër të zhvillimit. Keqkuptimi lind atëherë kur flitet për “person të pjekur”, mendohet zakonisht në një person të rritur i cili si “person i pjekur”, çka nënkupton se është në gjendje të pranojë rolin e tij si person i rritur, i cili është i aftë të punojë, të jetojë dhe të gjej kënaqësi në botën reale. Mirëpo, nocioni “person i pjekur” nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me moshën biologjike dhe kalendarike. Zhvillimi psikik përbën një tërësi logjike, proces të pandërprerë dhe se në secilën periudhë të zhvillimit dhe të jetës mund të vie deri te pengesat, të cilat janë aq më të rënda nëse fillojnë në moshë më të hershme dhe nëse zgjasin më shumë. Secila periudhë e jetës i  ka karakteristikat e veta, të cilat paraqesin gjendje normale dhe të pjekur për atë moshë (periudhë). Në fillim të klasës së parë (të shkollës), fëmiu është i pjekur nëse është në gjendje që pa vështirësi të mëdha ti pranojë detyrimet dhe raportet e reja, kërkesat dhe kufizimet e reja, të cilat shfaqen para tij, edhe në mënyrë të re ta shfrytëzojë energjinë psikike të tij. Mirëpo, ky fëmijë i njëjtë nuk është dhe (përveç në raste të rralla) nuk mund të është i pjekur dhe i zoti ndaj kërkesave që shfaqen para një dhjetëvjeçari, i cili më pastaj nuk është aq i pjekur për kërkesat dhe pritjet që shfaqen para një adoleshenti. Kur flasim për pjekurinë emocionalo – sociale, nënkuptohet zhvillimi emocional adekuat, i cili mundëson përshtatjen e suksesshme ndaj rrethit (familjes, shkollës, moshatarëve), dhe shfrytëzimin optimal të kapaciteteve të disponueshme të personalitetit. 

 

          Frikët te fëmija

 

          Fëmijët nuk kanë njohuri mbi objektet e as përvojë me to, që të kenë mundësi ti perceptojnë saktë dhe realisht ato. Çdo gjë me të cilën takohen në vitet e para të jetës, për atë është krejt e re dhe e panjohur. E reja dhe e panjohura në princip shkakton mosbesim, kujdes, drojë edhe te të rriturit, kurse te fëmiu frika është ndjenja themelore. Nëse kjo e re dhe panjohur është njëkohësisht e madhe dhe lëvizë – arsyeja për frikë është edhe më e madhe.

          Gjatë rritjes dhe zhvillimit, fëmiu mësohet me rrethin e tij dhe objektet në të. Kështu, përmes përvojës së tij dhe me ndihmën e prindërve, mëson se çka me të vërtetë është e rrezikshme e çka jo. Që nga koha që fillon të ecë zhagas – zvarritet dhe të ecë në këmbë, prindërit e mësojnë të frikohet nga disa sende, që të mund të mbrohet nga rreziku (stufa e nxehtë, nga priza elektrike, gjësendet e mprehta dhe me maje). Këto janë frikëra të dobishme, shoqërisht të pranueshme. Edhe përmes identifikimit fëmiu “mëson” të frikohet: përkrah prindit i cili frikohet nga insektet, lëvizjes me elevator, infeksione dhe të tjera, fëmiu do të frikohet nga ato nga të cilat ndryshe nuk do të frikohej. Fëmiu me të vërtetë do të mund të frikohet nga lecka për pluhur, nëse psh., nëna e ka kërcënuar në mënyrë të bindshme se ajo do ta kafshojë nëse ai nuk do të jetë i mirë; frika si mjet “pedagogjik” nuk është fenomen i rrallë. Në parim, fëmijët frikohen më shumë dhe më shpesh se të rriturit.

          Në moshë të ndryshme fëmijët frikohen nga sende të ndryshme. Gjatë 5 - 6 viteve të para të jetës, burim më i shpeshtë i frikës janë shtazët – në moshë më të re ato më të mëdha, ndërsa sa vjen e rritet nga to më të imëta (ujku, qeni, respektivisht miu, insektet, etj.). Fëmiu më inteligjent dhe që është më i pjekur për moshën e tij, mund të frikohet nga sende nga të cilat moshatarët e tij nuk do të frikohen, çka kurrsesi nuk do të thotë se është më frikacak. Përgjatë rritjes dhe pjekjes ai më realisht mund ti vlerësojë objektet e rrezikshme dhe situatat që e rrezikojnë, se sa ka mundur në moshë më të re. Sipas disa hulumtimeve, ekziston lidhja midis inteligjencës dhe numrit të frikërave. Po ashtu, ekzistojnë edhe ndryshime karakteristike në aspekt të llojeve të frikërave: fëmijët më të vegjël u frikohen objekteve konkrete (qenit, miut, etj.), ndërsa me zhvillimin e aftësive intelektuale, respektivisht të fantazisë, imagjinatës dhe të të menduarit abstrakt, fillojnë të frikohen edhe nga sende të imagjinuara – dënimit, sëmundjes, hakmarrjes, vdekjes, etj.

Veçoritë e të menduarit dhe të imagjinatës te fëmiu parashkollorë e sigurojnë terrenin për zgjedhjen e asaj që do të jetë burim i frikës. Fëmiu parashkollorë mban mend shumë mirë, mirëpo, për shkak të papjekurisë dhe papërvojës, shumë çka e kupton gabimisht. Në funksion të egocentrizmit, që është normal në këtë periudhë (moshë), fëmiu supozon se çdo kush dhe çdo gjë ndanë të njëjtat përvoja si ai në të njëjtin moment. Te fëmiu ekziston konfuzion midis pikëpamjeve personale dhe të tjerëve, respektivisht mosdallim midis aktivitetit të sendeve dhe të personave të tjerë me aktivitetet e tij. Të menduarit animistik, sipas të cilit edhe sendet dhe shtazët janë të gjalla dhe të pajisura me emocione dhe teke të qenieve njerëzore të ngjashme me të tij, është burim i “zgjedhjes” së shumë frikërave reale dhe atyre joreale (fobi). Kufizimet në të kuptuarit e madhësive, kohës dhe largësisë, poashtu bëjnë që fëmiu i vogël të jetë i pushtuar nga frikërat, të cilat nuk kanë bazë në jetën reale (është vështirë të çbindet se fshesa elektrike nuk mund “ta përpijë – ta marrë brenda”). Të menduarit e fëmiut të vogël është konkret, dhe ai fjalëve u jep interpretim fjalë për fjalë (të vërtetë), pa marrë parasysh asaj që është e qartë dhe logjike (psh., buburreci i cili “kapërdinë gjithçka” dhe është shumë i madh në të parë dhe në përjetimin e fëmiut të frikësuar, sa që madhësia reale e buburrecit nuk do të thotë asgjë për të). Ai mbivlerëson fuqinë e mendimeve dhe fjalëve personale, të cilat gjithashtu nuk mund ti ndajë plotësisht nga njëra tjetra. Në harmoni me omnipotencën dhe të menduarit magjik, të cilat janë karakteristikë e moshës, fjalët dhe mendimet kanë fuqi të ndikojnë në realitetin, pa marrë parasysh nëse ka në afërsi dikë që do të mund ta dëgjojë, respektivisht dikush të cilit i janë drejtuar ato në princip. Kjo është në një pjesë burim i frikës së fëmiut nga agresioni personal, dmth., frikë se mendimet dhe dëshirat do të mund të realizohen, pasi e menduara =  me të bërën. ( E njëjta mënyrë e të menduarit primitiv merr pjesë në formimin e frikërave joreale – fobive te të rriturit, respektivisht është një nga shkaqet që në moshën fëminore është shumë vështirë të bëhet dallimi midis frikës e cila është fenomen zhvillimor, ai i cili tani më ka karakteristika të fobisë).

Me rritjen e fëmiut bie edhe manifestimi i hapur i frikës, pjesërisht sepse frikat e imagjinuara (frika nga vdekja, nga fantazmat – shpirtrat, etj.), nuk shkaktojnë reaksione të drejtpërdrejta, të qarta të të njëjtit lloj, siç e shkaktojnë frikërat e nxitura nga objektet e caktuara, pjesërisht edhe për shkak të tendencës së përgjithshme zhvillimore të fëmiut (lëmoshën 5,6 – 7 vjeçare, e më tej) drejt maskimit dhe kontrollit më të mirë të ndjenjës së frikës. Këto frikëra “të imagjinuara”, janë të lidhura me përvojat të cilat e sigurojnë materialin për mundësitë imagjinative, të cilat janë “lehtë” të gjeneralizuara, në lloje të ndryshme të nxitjeve. Lidhja midis kognitives dhe emocionales edhe këtu dallohet lehtë.

 

Frikërat zhvillimore, nuk paraqiten si pasojë e rrezikimit nga jashtë, por si pasojë e mosrealizimit të aspiratave instinktive, respektivisht të fuqisë së tyre dhe janë pjesë përbërëse, të pashmangshme e zhvillimit psikik. Lajmërohen si pasojë e papjekurisë biologjike dhe psikologjike, gjegjësisht të varësisë nga nëna, nga të rriturit në përgjithësi.  Frika zhvillimore janë: frika e copëtimit, ajo e ndarjes, nga ndotja, e kastracionit dhe frika nga dënimi i superegos.

Frika e copëtimit, shfaqet në pjesën e parë të vitit të parë, për shkak të kërcënimit nga humbja e mundshme e aspiratave instinktive, respektivisht nga humbja e integritetit të egos të vendosur në mënyrë “të brishtë”, në situata kur ende nuk janë vendosur kufijtë truporë dhe mendorë, ndërsa investimi me energjinë psikike ende është në nivel të objektit parcial.

Frika nga ndarja, (frika e separacionit – anaklitike), paraqitet rreth muajit të 8-të të jetës së fëmiut, në kohën kur nënën fillon ta njohë dhe përjetojë si personalitet i veçantë dhe zgjatë deri afër  moshës 16 muajsh, kur fëmiu “rritet” prej kësaj frike, e cila si frikë e humbjes së personit të dashur, të dashurisë së personit të dashur, mbetet pak apo më shumë e përcjell njeriun gjatë gjithë jetës. Në moshën fëmijërore, për shkak të papjekurisë së aparatit psikik të tij dhe karakteristikave të funksionimit kognitiv, ai shumë lehtë lidhet me dënimin për shkak të padëgjueshmë-risë, gabimit ose dëmit të bërë realisht apo të imagjinuar.

Frika nga ndotja, në aspektin zhvillimor është e lidhur me vitin e dytë të jetës, kur përmes identifikimit me ndalesat e prindërve – fëmiu zhvillon mundësitë e shëndrrimit të nevojës primare instinktive për tu ndotur në kundërshtinë e saj.

Frika e kastracionit, është frikë nga periudha Edipale e zhvillimit të marrëdhënies ndaj objektit dhe në variante të ndryshme merr pamjen e pritjes tmerruese të dënimit, për shkak të ndonjë sjelljeje të ndaluar, agresionit personal (të kryer ose të imagjinuar), ndjenjave intime të ndaluara, xhelozisë, etj., (frikërat joreale të fëmiut – fobitë, në masë të madhe janë mu “produkt” i frikës së kastracionit, respektivisht frikës së separacionit).

Frika e dënimit nga superegoja, paraqitet rreth vitit 5-6, në kohën kur kjo shkallë – instancë e personalitetit, tani më është formuar. Këto frikëra, të përcjella me ndjenjën e fajësisë, të detyrimit, megjithëse shpeshherë të “maskuara” mirë, pa shenja të dallueshme nga jashtë, mund të jenë shumë të forta kur fëmiu i ka “thyer” normat etike, morale, të cilat i ka zotëruar, fituar me anë të identifikimit me prindërit.

Përgjatë zhvillimit intelektual dhe emocional, fëmijët zhvillojnë disa aftësi natyrore të ngadhënjimit – mundjes, tejkalimit dhe lirimit nga frika. Në moshën më të hershme këto janë disa rituale të cilat fëmijët i shfrytëzojnë veçanërisht në situata kur bien në gjumë, të cilat situata për fëmiun kanë kuptimin e ndarjes nga prindërit e posaçërisht nga nëna, dhe “shkuarje” në të panjohurën, në terr. Shumë fëmijë kërkojnë spontanisht që disa sende, renditja e tyre në dhomë, mënyra se si vendoset jastëku, etj., të jenë gjithmonë në të njëjtën mënyrë, pasi njëllojshmëria e situatës e siguron ndjenjën e të njohurës dhe kështu edhe të sigurisë. Këndi i batanijes, jaka e pixhamës, ariu ose lepuri i butë i bëhen shokë të pashmangshëm, zëvendësim për nënën, të ahtuquajtur objekte kalimtare, në kohën kur çdo ndarje është burim i frikës. Derisa egoja e fëmiut nuk përforcohet edhe fëmiu nuk zhvillon mekanizma mbrojtës më të pjekur, këto “manovrime”, janë të mirëseardhura dhe të nevojshme.

Mënyrë mirë e njohur e tejkalimit të frikës te fëmiu është i ashtuquajturi obsesion i përsëritjes (në nivel kognitiv i takon rrethit të reaksioneve terciare); përbëhet nga ajo që nëpërmjet të përsëritjes së situatës së frikshme për shumë herë – të cilën fëmijët e bëjnë përmes lojës, përrallës (të cilën ia tregon dikush ose e thotë vetë), vizatimit, shakave, etj., - fëmiu njihet me situatën tmerruese, objektin ose personin e tillë, forca e asaj që është frikësuese zvogëlohet, fëmiu “e manipulon” situatën e frikshme me atë që ai e përsëritë situatën dhe kështu gradualisht e mbizotëron, e mposhtë frikën dhe e tejkalon atë. Na kujtohet mirë loja e gjuajtjes se sendeve qysh gjatë vitit të parë, fshehjes së vetes ose sendeve, mandej në moshën më të vonshme lojën me kukulla, me fëmijë ose me të rritur, kur “zhvillohen” në mënyrë simbolike ose konkrete situatat të cilat janë burim i frikës. Fëmijët insistojnë shumë që në mënyrë të njëjtë të përsëriten shumë herë pjesët “e frikshme” të përrallave dhe tregimeve për fëmijë, vizatojnë shumë herë figura ose skema kur vizatimi bëhet medium i rëndësishëm i projeksionit të ndjenjave, në moshën e  re shkollore kërkojnë që tu përsëriten barsoleta ose shaka të caktuara. Zhvillimi kognitiv dhe emocional, i inteligjencës dhe personalitetit (parasegjithash i forcave të egos) i mundësojnë fëmiut një repertorë gjithnjë më të gjërë të luftimit dhe daljes në krye me atë e cila e rrezikon jo vetëm nga jashtë por edhe nga brendia e qenies së tij.
 
 
 
 
                                                                                               kthehu
Comments