Historia e psikiatrisë dhe raporti i saj me religjionin - I -

Home Relaksim Prezantime Link Kontakt


Kohët antike

 

Duke filluar nga shekulli V para erës së re, çrregullimet mendore, sidomos ato me karakteristika psikotike, konsideroheshin me origjinë mbinatyrore. Kjo pikëpamje ekzistonte si në Greqinë e lashtë, po ashtu edhe në Romën antike.

 
              
                                    Hipokrati

 

Dorëshkrimet më të hershme rreth çrregullimeve mendore janë të shkruara nga grekët. Në shekullin IV para erës së re, Hipokrati parashtroi teorinë se abnormalitetet fiziologjike mund të jenë shkak i çrregullimeve mendore. Sido që të jetë, zhvillimi i mëtejmë i kësaj pikëpamjeje, pushoi pak kohë më pas, si rezultat i rënies së Perandorisë Romake. Liderët religjiozë dhe të tjerët filluan përsëri që të përdornin versionet e mëhershme të ekzorcizmit, për t’i trajtuar sëmundjet mendore, ku shpesh nënkuptoheshin edhe metoda nga më barbaret.

 

Mesjeta - psikologjia islame

 

Spitalet e para psikiatrike janë ndërtuar në mesjetë, në botën islame, duke filluar nga shekulli VIII. Spitali i parë psikiatrik ishte ndërtuar në Bagdad, në vitin 705, më pas u ndërtua spitali psikiatrik në Fes (në fillim të shekullit VIII) dhe ai në Kajro (në vitin 800). Për dallim nga mjekët e krishterë, të cilët bazoheshin në shpjegime demonologjike për sëmundjet mendore, mjekët mesjetarë myslimanë bazoheshin kryesisht në vrojtime klinike. Ata bënë arritje të dukshme në psikiatri dhe ishin të parët që filluan me psikoterapi dhe trajtim moral për të sëmurit mendorë, si shtesë ndaj formave të tjera të trajtimit, si p.sh banjat, mjekimin me barna, muziko-terapinë, dhe terapinë okupacionale.

 

               

Mjeku persian Rhazes                        Ibn Sina - Avicenna

 

Në shekullin X, mjeku persian Muhammed ibn Zakarīa Rāzi (Rhazes), kombinoi metodat psikologjike dhe shpjegimet fiziologjike për të siguruar një trajtim për të sëmurët mendorë. Bashkëkohësi i tij, mjeku arab Najab ud-din Muhammed, ishte i pari që përshkroi një numër sëmundjesh mendore, siç është depresioni me agjitim (i agjituar), neuroza, priapizmi dhe impotenca seksuale (Nafkhae Malikholia), psikoza (Kutrib) dhe mania (Dual-Kulb).

Në shekullin XI, një mjek tjetër persian, Avicenna, dalloi "psikologjinë fiziologjike" në trajtimin e sëmundjeve që kishin të bënin me emocione, si dhe zhvilloi një sistem për të shoqëruar ndryshimet në puls me ndjenjat e brendshme, gjë që konsiderohet si paraardhës i testit të asociimit të fjalës të zhvilluar nga Karl (Carl) Jung në shekullin XIX. Avicenna po ashtu ishte një pionier i hershëm i gjendjeve neuropsikiatrike, si halucinacioneve, insomnisë, manisë, ëndrrave të këqija, melankolisë, demencës, epilepsisë, paralizës, sulmit (stroke), vertigos dhe tremorit.

Spitalet psikiatrike janë ndërtuar në Evropën mesjetare duke filluar nga shekulli XIII, me qëllim të trajtimit të të sëmurëve mendorë, por ishin shfrytëzuar vetëm si institute mbajtëse (ruajtëse – kustodiale), duke mos ofruar kurrfarë lloji të trajtimit. I themeluar në shekullin XIII, "Bethlem Royal Hospital" në Londër, është njëri nga spitalet më të vjetra psikiatrike. Në vitin 1547, qyteti i Londrës mori përsipër këtë spital dhe vazhdoi funksionimi i tij deri në vitin 1948.

 
Periudha e hershme moderne 

 

                   

                              William Battie

 

Në vitin 1656, Louis XIV i Francës krijoi një sistem publik të spitaleve për ata që vuanin nga çrregullimet mendore, por sikur edhe në Angli, aty nuk ofrohej ndonjë trajtim i vërtetë. Në vitin 1758, mjeku anglez William Battie, shkroi "Treatise on Madness" që apelonte që në azile të aplikoheshin trajtime. Tridhjetë vjet më vonë, monarku i ri anglez, George III, vuante nga një çrregullim mendor.

Psikiatria dhe religjioni Komentet e lexuesve  Intervista  


 

 

Pas remisionit të mbretit në vitin 1789, sëmundja mendore filloi që të shikohej si diçka që mund të trajtohej dhe të mjekohej (shërohej). Në vitin 1792, mjeku francez Philippe Pinel filloi me aplikimin e qasjes së trajtimit human për ata që vuanin nga çrregullimet mendore.

 

                   

     Shumë e konsiderojnë Philippe Pinel-in baba të psikiatrisë moderne

 

William Tuke adaptoi metodat e theksuara nga Pinel dhe, në të njëjtin vit, Tuke hapi "York Retreat" në Angli. Ai institucion u bë i njohur si model (shembull) në tërë botën për trajtimin human dhe moral të pacientëve që vuanin nga çrregullimet mendore. Kjo frymëzoi institucionet e ngjashme në SHBA, si psh "Brattleboro Retreat" dhe "Hartford Retreat" (tani "Institute of Living").

 
Shekulli XIX
 
Në fillim të këtij shekulli, Anglia dhe Franca, marrë së bashku, kishin vetëm disa qindra njerëz në azile. Kah fundi i viteve 1890 dhe fillimi i viteve 1900, ky numër pësoi një ngritje marramendëse, duke arritur vlerën prej qindra mijërave. SHBA-ja, në vitin 1904, kishte 150.000 pacientë në spitalet mentale. Vendet gjermanishtfolëse kishin më shumë se 400 azile publike dhe private. Këto azile ishin kritike për evoluimin e psikiatrisë, meqë ato ofronin një platformë universale të ushtrimit të këtij profesioni në tërë botën.

Edhe universitetet kishin rol në administrimin e azileve. Si rezultat i partneritetit midis azileve dhe universiteteve, Gjermania u bë lider botëror në psikiatri, gjatë shekullit XIX. Në këtë vend ekzitonin më shumë se 20 universitete të ndara, ku të gjitha konkurronin midis veti për të arritura shkencore. Megjithatë, për shkak të gjendjes reale në Gjermani, si dhe për shkak të mungesës së rregullimit të azileve në nivel kombëtar, ky vend nuk kishte centralizim të organizuar të azileve, apo edhe vetë psikiatrisë. Britania, ngjashëm me Gjermaninë, po ashtu kishte mungesë të organizimit central për administrimin e azileve. Kjo mungesë ndikonte në "shpërndarjen" e ideve të reja në mjekësi, respektivisht në psikiatri.

Në vitin 1834 në SHBA, e veja e një mjeku, Ana Marsh, financoi ndërtimin e azilit të parë privat, me fond stabil. "Brattleboro Retreat" shënoi fillimin e spitaleve private psikiatrike në Amerikë, duke sfiduar institucionet shtetërore për pacientë, fonde dhe ndikim. Edhe pse i bazuar në "York Retreat" të Anglisë, ky spital do të kishte institucione të specializuara për çdo filozofi trajtimi.

Në vitin 1838, Franca miratoi një ligj për rregullimin si të pranimit në azile, po ashtu edhe të shërbimit të azileve në tërë vendin. Deri në vitin 1840, azilet, si institucione terapeutike, ekzistonin në tërë Evropën dhe në SHBA.

Megjithatë, idetë e reja dhe dominuese, se sëmujdet mendore mund të "mbizotërohen" ("conquered"), gjatë mesit të shekullit XIX pësuan një rënie të madhe. Psikiatrit dhe azilet u gjetën nën një presion të rritjes së vazhdueshme të pacientëve. Numri mesatar i pacientëve në azile, në SHBA, u rrit për 927%. Shifrat ishin të ngjashme edhe në Angli dhe Gjermani. Në Francë, numri i pacientëve ishte aq i madh, sa që azilet kishin një numër të dyfishtë të kapacitetit të tyre maksimal të pacientëve. Rritja e popullatës së azileve mund të ketë qenë rezultat i transferimit të kujdesit nga familjet dhe shtëpitë për të varfër (poorhouses), por edhe sot e kësaj dite vazhdon që të diskutohet pse kishte ardhur deri te kjo rritje. Pa marrë parasysh shkakun, presioni mbi azilet kishte marrë haraçin e vet te azilet, por edhe te psikiatria në veçanti. Edhe një herë, azilet u shndërruan në institucione mbajtëse (kustodiale) dhe reputacioni i psikiatrisë në botën mjekësore ra në nivelin më të ultë.

 

 
 
Cikli i shkrimeve rreth historisë së psikiatrisë dhe raportit të saj me religjionin
 
I. Koha antike, mesjeta, deri në shekullin XX
 
 
 
 
 
Comments