Ne‎ > ‎Rexhep Hasani‎ > ‎

Njerëzit dhe insektet

Njerëzit dhe insektet

Në fakt janë disa njerëz si mizat. Janë aq bezdisës sa që ia kalojnë mizave. Mendoj, se po  t’i krahasojmë nuk dallojnë shumë. Për shembull mizat janë bezdisëse dhe nuk dinë të largohen derisa të ja arrijnë kulmin për ta bërë nervozë dikë. Po ka edhe disa njerëz që kënaqësinë e gjejnë duke i bezdisur të tjerët, duke bërë përpjekje të jetë në qendër të vëmendjes së tjerëve pa marrë parasysh sjelljet dhe mjetet e arritjes së qëllimit. Në njërën anë, e mirë e tyre është se ngulmojnë, por fatkeqësia është se ushqimi i mizave në të shumtën e rasteve e dimë të gjithë se cili është. Por as qëllimi i njerëzve...., si të them tash, njerëzve miza nuk dallon nga ushqimi i mizave. Thuhet se ushqimi formon karakterin dhe sjelljen e ngrënësit. Kështu s’është e rastësishme që mishngrënësit janë agresivë, barngrënësit janë të butë,... e po miza nuk ka si të jetë ndryshe, veçse neveritëse posi ushqimi i saj i preferuar. Po njerëzit miza.....? Cili është ushqimi i tyre që të mund t’i krahasojmë me mizat,... si të them me modelin paraardhës së tyre? Kujtoj se e shara, humori i keq e i pavend, moszbatimi i rregullave, ngulmimi në gjëra të parëndësishme, mos dallim i kufijve kur është boll e kur duhet të ndalet, mosrespektimi i hierarkisë, janë tipike për një njëri i cili zgjedh si ushqim shpirtëror të vetin e që nuk dallon nga ushqimi i mizave.

Arëzat,
 me sa di, nuk punojnë por përpiqen që më dhunë e forcë ta rrëmbejnë të mirën materiale të bletëve dhe të tjerëve. Thjesht e dinë vetëm gjuhën e forcës. E nuk do shumë mend që të gjesh njerëz të kësaj natyre, të cilët sjellën sikur bota të ishte e tyre. Thjesht mendojnë se të tjerët janë nën ta dhe se ata janë mbret me nam. Në fakt dukja ose sjellja e tyre është sikur nuk u intereson bota e të tjerëve por se bota e tyre është e paprekshme. Aty ku bota e tjerëve hynë në udhën e botës së tyre shfaqet pakënaqësia e unit të tyre. Padrejtësitë e tyre përherë kanë arsye. Shumica e rasteve zgjidhen me anë të forcës. Model i karakterit të tyre janë njerëzit që urrehen nga të tjerët, ndërsa ushqim i tyre është grabitja, grindja, vetëlavdërimi, dëshira për t’i nënshtruar tjerët. Dhe posi arëzat  që hanë me shije ngordhësirën, gjakrat, kalbësirat, homologët e tyre njerëz me shije rrahën, dehen, grabisin dhe mund edhe të vrasin.

Zinzarët janë disa insekte që bëjnë zhurmë derisa janë në ajër. Epo ka edhe aso njerëz që punën nuk dinë ta bëjnë ndryshe vetëm se duke u ankuar. Është e lehtë a e rëndë barra, ‘qerrja e tij’ do të lëshojë zhurmën e ‘hekurinave pa dyllë’.  Të tillë janë edhe zinzarët që sadoqë trupi i tyre është nja dhjetë herë ma i madh se i një buburreci, zhurma që bëjnë nuk krahasohet fare. Edhe ne njohim njerëz, besojë që, po t’i shohësh asgjë si mungon: kanë trup të madh, kanë sy, kanë vesh, kanë duar, kanë këmbë,... me një fjalë asgjë nuk u mungon që të ankohen por që nuk e di, thuajse janë të lindur që të ankohen dhe të gjejnë vërejtje edhe aty ku nuk ka asgjë për vërejtje. Modele i tyre janë  njerëzit te të cilët është humbur arsyeja e të menduarit kthjellët. Posi zinzarët që ushqehen me ushqimin e rënë njëherë në tokë ndoshta të hedhur edhe njerëzit e tillë kanë ushqim të preferuar thashethemet, fatkeqësitë e të tjerëve dhe në sy kanë vajin pa lot. Hanë me shije ngordhësirën. Mendojnë mirë për barkun e tyre edhe pse ankohen se përherë janë të uritur. Nuk mendojnë për kokën e tyre ngase përparësi kanë stomakun.

Fluturatnjihen për dy gjëra: për bukurinë e tyre të rrallë dhe për pakujdesinë e tyre me lavrat që i lëshojnë kudo. Pra, si duket përqendrimi i tyre është vetëm te bukuria. Epo në anën tjetër nuk është e habitshme të shohësh njerëz te të cilët është zgjuar dashuria ‘e sëmurë’ e të qenit i/e bukur sa që shumica e kohës mund t’i shkojë para pasqyrës. Shfaqja e bukurisë së jashtme, kujtoj,  duhet të reflektojë në koordinim me pamjen e brendshme. Por kur ndodh vetëm nga njëra anë, e sidomos kur bëhet vetëm nga pjesa e jashtme, mund të vërehen të meta. Shfaqja e bukurisë me kast, e sidomos e disa pjesëve të cilat sikur duam t’i shohin të tjerët, është shenjë e ‘kësaj sëmundje’. S’ka dyshim se bukuria është virtyt që duhet ta çmojmë por jo edhe ta bëjmë atë armë kundër vetës. Fluturat, thamë se njihet për lëshim të shumtë të lavrave të saj por pa asnjë kujdesje të mëtutjeshme. Thuhet se qyqja është zog i bukur por vezët i lëshon në çerdhet e zogjve të tjerë. Të tillë janë njerëzit të cilat jepen pas bukurisë e kënaqësisë që e gjejnë brenda kufijve të vetës dhe harrojnë pjesën tjetër të përgjegjësive. Të tillë njerëz lëshojnë mundësi të mira dhe jepen pas gjërave që janë më tepër të fryra. Modele për ta mbesin njerëz me famë ‘të vrarë’. Sikur fluturat që kanë ushqim ngjyrat, ushqimi i njerëzve të tillë janë fjalët e tjerëve dhe  më i preferuari mbetet ‘zbulimi’ i bukurisë që ndjenë brenda vetës. Ushqimi i tyre hedhet në trup e jo në kokë.

 Bleta. Ka ca njerëz të cilët punë prijoritare kanë zellshmërinë e ndershmërinë. Ashtu si bletët të cilat duke marrë jo lulen por polenin e tyre formojnë mjaltin e tyre. Të gjithë e dimë se sa shumë përpjekje bën një bletë për të mbledhur polenin e duhur. Ajo nuk ja lejon vetës të kthehet krah zbrazët në çerdhe sepse e di që po nuk e kreu punën sot, nesër duhet ta bëjë dyfishin e punës. Ajo e di se nëse punon verës ka çfarë të hajë dimrit. Ajo e di se nëse do të jetë pjesë e çerdhes duhet ta dëgjojë amën dhe shefat e saj. Kështu edhe njerëzit të cilët ngjajnë me bletët janë të vetëdijshëm se  po nuk bënë përpjekje vetëm për të arritur qëllimet e mira nuk do t’ia arrijnë kurrë. Ata e dinë që po nuk punuan sa janë të rinj nuk kanë se çfarë t’u tregojnë nipave në pleqëri. Ata, po si bletët që mbledhin polenin nga një lule në lule, marrin modelet e mira të të tjerëve për ta formuar karakterin tyre personal. Asnjëri prej tyre nuk kënaqet duke kopjuar e vjedhur  por, duke u mësuar nga përvoja e të tjerëve formojnë vetën për t’u bërë model për pasardhësit. Të tillët model kanë vetëm virtytet e mira të të tjerëve dhe me shije hanë  dhe krijojnë ‘mjaltin’ e inteligjencës dhe mençurisë.

Rexhep Hasani

Comments