Unë dhe Fausti përballë tundimit dhe djallit - Ese -

posted Mar 1, 2012, 6:59 AM by Medina Brahaj   [ updated Oct 14, 2012, 6:37 AM ]
Unë dhe Fausti përballë tundimit dhe djallit


Secili nga ne ka një moment në jetë kur jemi të lodhur nga ajo, jemi të lodhur nga mediokriteti për t’u ballafaquar më tepër me të dhe me të papriturat që ajo i fsheh në çdo cep të saj. Janë momente kur të kaplon pesimizmi e njëfarë angështie që të shtrëngon në gjoks dhe nuk të lë të frymosh lirshëm në natyrën e bukur e që të jep frymëzim për jetën, të mbush me gjallëri apo edhe ta dhuron vetë jetën.
Janë momente të atilla saqë arma drejtohet nga arsyeja dituria e për me tepër edhe nga dashuria. Këto janë tundime të tmerrshme e të neveritshme, saqë njeriun e shtyn në budallallëqet më të pështirosura që mund të imagjinohen.
Këto tundime të ngërthejnë në vete cdoherë e më shumë, të hudhin në greminën e madhe nga e cila assesi nuk mund të dalesh, të shpëtosh prej saj e të ikësh diku larg pastaj. Pa dashur zhytesh në errësirën e  madhe, ulesh në prehërin e saj si në prehërin e gjyshes, gjen prehje, po, por jo atë prehje qetësuese e të këndshme, por prehje që ngjan në trëndafilin me shumë gjemba, ku në cilindo vend ta prekësh do lëndohesh dhe do të marrësh jo vetëm një gërvishtje të lehtë, por vragë të atilla saqë nuk mbyllen asnjëherë, vazhdimisht shkaktojnë dhembje. Por, përkunder asaj dhembjeje nuk do të thotë që je humbës, jo, mos harro, njeriu nuk është humbës gjersa nuk dorëzohet.
Në këtë errësirë u fut edhe mendimtari i respektuar Faust. Se ç’më ngjan që Fausti imiton milingonën në ngulmimin e saj. Zvarritet mbi dru njëqind herë dhe rrëshqet e bie poshtë, por ngrihet rishtas, vazhdon zvarritjen gjersa ta arrijë cakun, nuk mërzitet dhe nuk ndalet. Por, si për çudi më duket se Fausi u rehatua shumë në atë errësirë, por në shpatullat e tij mbante një peshë shumë të rëndë, dëshpërimin, sepse atë e mundonte mendimi se jetën e shkoi pa gëzime dhe se përkundër gjithë atij mësimi nuk arriti të depërtonte në misterin e gjërave, të jetës e të gjithësisë dhe kështu arrinë deri në një pikë ku do të vetëvritet. Për të nuk egziston ndonjë rrezik që dikush të vjen në derë e të thotë: “Nuk guxon ta bësh këtë! Nuk guxon dhe pikë!” Por, ekziston dikush të cilit i bie ndërmend, i cili të përkujton dhe duket që ta zgjatë dorën për të të ndihmuar, por, në të vërtetë jo për të të ndihmuar, por për të tërhequr më tepër në tundim, apo jo pse i bie ndërmend apo pse të përkujton, por sepse ka interes në të. E kush mund të jetë tjetër pos Mefistofelit, i cili Fausit i vie si një rreze dielli që hudh dritë në atë errësirë të dendur dhe duket se ia venit tërë dëshpërimin e pesimizmin, barrën e rëndë që e bartte Fausti.
Me pasurinë dhe lumturinë që ia premtoi Mefistofeli në këmbim të shpirtit të tij, për Faustin në orën e kohës nuk kishte fjalë tjetër përveç fjalës “tani” dhe në fjalorin  lumturisë nuk kishte tjetër fjalë pos fjalës “kënaqësi”. Kjo ndodhi, sepse ai nuk mundi t’i rezistonte atij tundimi, apo edhe pse ndoshta pak ishte i joshur nga ideja se tani për të asgjë s’do të ishte e pamundur dhe do të arrinte t’i gëzohej jetës.
Por, më thuaj më parë diçka, o i respektuari Faust. Me të vërtetë e dëshiron lumturinë? Atëherë mos e kërko atë larg teje, ajo është brenda në ty, në mendimin tënd krijues, në fantazinë tënde të bukur, në dëshirën tënde shpresëdhënëse dhe në zemrën tënde të mbushur e të ndriçuar për mirësi. Në fund ju arritët të vdisnit i kënaqur, pra nuk ka dry që nuk do të hapet, as pranga që nuk do të zgjidhen, por gjithçka në kohë të caktuar.

Comments