Poema "Shtegtimet e Çajld Haroldit"

posted Mar 17, 2012, 10:04 AM by Medina Brahaj   [ updated Oct 14, 2012, 6:52 AM ]

Shtegtimet e Çajld Haroldit                                                                      George Gordon Byron


Poema “Çajld Haroldi” përbëhet nga katër këngë me mbi 500 strofa.
Poeti zuri ta shkruante atë në Janinë, më 1809, kurse e përfundoi në Itali, më 1818. Ky është një ditar poetik i poetit nga fakti se në dorëshkrimin e këngëve heroin e tyre e quan Çajld Burun, sipas mbiemrit të vet të vjetër.
Në këngën e parë  kemi largimin e heroit nga vendlindja dhe përshkrimin e realitetit në vendet e para në të cilat shkon – në Spanjë dhe në Portugali, ku spikatet posaqërisht lufta e popullit spanjoll për çlirim, pastaj figura e vajzës nga Saragoza, e cila lë kitarën dhe këngët për dashurinë dhe me pushkë në dorë hidhet në luftën kundër pushtuesit të huaj.
Në këngën e dytë poeti këndon për udhëtimin e tij në Greqi, në Shqipëri e deri në Stamboll. Në këtë pjesë kemi përshkrimin e natyrës së vendeve dhe bukurive të tyre ku do të gjendet heroi i poemës.

Një pjesë e konsiderueshme e poemës apo këngës e pasqyron Greqinë në vitet 1809-1811, kur ajo ishte nën zgjedhën e Perandorisë Osmane. Ai i këndon me admirim antikitetit të këtij vendi, së kaluarës së lavdishme, por edhe gjendjes së vështirë në të cilën atëbotë ndodhej populli grek. Si rrugëdalje nga ajo gjendje, Bajroni paraqiste kryengritjen, sepse si
ç thoshte edhe vetë ai “kush do lirinë, thyen hallkat vetë”.
Shtegtimit të heroit të tij në Shqipëri, Bajroni ia kushton 360 vargje të këngës së dytë të poemës. Në këto vargje ai jep një pasqyrë të historisë dhe gjendjes në këtë vend. Poeti përshkruan vendet që viziton Janinën, Tepelenën, Pervezën, natyrën e bukur e të ashpër, mikpritjen dhe bujarinë e bijëve të shqipes. Aty bën fjalë edhe për mikpritësin e tij të çmuar, Ali Pashë Tepelenën, për autoritetin që e gëzonte, por edhe për kujdesin që kishte treguar ndaj tij. Shqipërinë e sheh si vendi ku ka lindur Aleksandri i Madh, por edhe Skënderbeu i cili me shpatën e tij kreshnike i dërrmonte armiqtë. Kjo është edhe arsyeja pse Bajroni, Shqipërinë e sheh si vend- nënë e burrave të egër.
Si me magnet e tërheqë poetin vendi i Iskanderit në thellësitë e viseve të saj, nga bukuria e të cilave ai mbetet gojëhapur. Syrit të poetit nuk i shpëtojnë pa i hetuar edhe shqiptarët në përgjithësi…sidomos gratë, më të bukurat që kishte parë ndonjëherë, në shtat e në tipare të cilat e kalojnë jetën në një atmosferë tejet të rëndë, si në kafaz e që asaj i duket krejt e natyrshme. Në një letër dërguar së ëmës ai thotë se ndjenjat e shqiptarëve ma përmirësuan mendimin për zemrat njerëzore, por edhe ndoshta janë raca më e bukur në botë.
Këngën e tretë  Bajroni e shkroi më 1816, gjatë qëndrimit të tij në Zvicër. Aty bëhet fjalë për luftërat e Napoleonit, dhe qëmdrimin e Haroldit ndaj Republikës Franceze të shek.XVIII. Poeti përmend këtu filozofët iluministë francezë Rusoi e Volteri, që cilësohen si “titanë të mendjes”.
Në këngën e katërt  poeti përshkruan Italinë. Shkruan për të kaluarën e lavdishme të këtij vendi duke përmendur figurat e rëndësishme si Ciceronin, Cezarin, Bokaçon, Danten, Petrarkën e shumë të tjerë. 
Në qendër të vëmendjes është shpresa e poetit për fitoren e popullit Italian ndaj atyre që ua kishin copëtuar vendin.
Pra, poema Çajld Haroldi” është një rrëfim poetik, rëndësia e së cilës është shumë e madhe edhe në planin shoqëror, por edhe në planin poetik.
Në pjesën më të madhe ajo shfaqet si artikulim i etjes së popujve për liri dhe i luftës ndaj së keqes.

Comments