Medina Brahaj


Follow MesimiYne on Twitter


Poema "Shtegtimet e Çajld Haroldit"

posted Mar 17, 2012, 10:04 AM by Medina Brahaj   [ updated Oct 14, 2012, 6:52 AM ]

Shtegtimet e Çajld Haroldit                                                                      George Gordon Byron


Poema “Çajld Haroldi” përbëhet nga katër këngë me mbi 500 strofa.
Poeti zuri ta shkruante atë në Janinë, më 1809, kurse e përfundoi në Itali, më 1818. Ky është një ditar poetik i poetit nga fakti se në dorëshkrimin e këngëve heroin e tyre e quan Çajld Burun, sipas mbiemrit të vet të vjetër.
Në këngën e parë  kemi largimin e heroit nga vendlindja dhe përshkrimin e realitetit në vendet e para në të cilat shkon – në Spanjë dhe në Portugali, ku spikatet posaqërisht lufta e popullit spanjoll për çlirim, pastaj figura e vajzës nga Saragoza, e cila lë kitarën dhe këngët për dashurinë dhe me pushkë në dorë hidhet në luftën kundër pushtuesit të huaj.
Në këngën e dytë poeti këndon për udhëtimin e tij në Greqi, në Shqipëri e deri në Stamboll. Në këtë pjesë kemi përshkrimin e natyrës së vendeve dhe bukurive të tyre ku do të gjendet heroi i poemës.

Një pjesë e konsiderueshme e poemës apo këngës e pasqyron Greqinë në vitet 1809-1811, kur ajo ishte nën zgjedhën e Perandorisë Osmane. Ai i këndon me admirim antikitetit të këtij vendi, së kaluarës së lavdishme, por edhe gjendjes së vështirë në të cilën atëbotë ndodhej populli grek. Si rrugëdalje nga ajo gjendje, Bajroni paraqiste kryengritjen, sepse si
ç thoshte edhe vetë ai “kush do lirinë, thyen hallkat vetë”.
Shtegtimit të heroit të tij në Shqipëri, Bajroni ia kushton 360 vargje të këngës së dytë të poemës. Në këto vargje ai jep një pasqyrë të historisë dhe gjendjes në këtë vend. Poeti përshkruan vendet që viziton Janinën, Tepelenën, Pervezën, natyrën e bukur e të ashpër, mikpritjen dhe bujarinë e bijëve të shqipes. Aty bën fjalë edhe për mikpritësin e tij të çmuar, Ali Pashë Tepelenën, për autoritetin që e gëzonte, por edhe për kujdesin që kishte treguar ndaj tij. Shqipërinë e sheh si vendi ku ka lindur Aleksandri i Madh, por edhe Skënderbeu i cili me shpatën e tij kreshnike i dërrmonte armiqtë. Kjo është edhe arsyeja pse Bajroni, Shqipërinë e sheh si vend- nënë e burrave të egër.
Si me magnet e tërheqë poetin vendi i Iskanderit në thellësitë e viseve të saj, nga bukuria e të cilave ai mbetet gojëhapur. Syrit të poetit nuk i shpëtojnë pa i hetuar edhe shqiptarët në përgjithësi…sidomos gratë, më të bukurat që kishte parë ndonjëherë, në shtat e në tipare të cilat e kalojnë jetën në një atmosferë tejet të rëndë, si në kafaz e që asaj i duket krejt e natyrshme. Në një letër dërguar së ëmës ai thotë se ndjenjat e shqiptarëve ma përmirësuan mendimin për zemrat njerëzore, por edhe ndoshta janë raca më e bukur në botë.
Këngën e tretë  Bajroni e shkroi më 1816, gjatë qëndrimit të tij në Zvicër. Aty bëhet fjalë për luftërat e Napoleonit, dhe qëmdrimin e Haroldit ndaj Republikës Franceze të shek.XVIII. Poeti përmend këtu filozofët iluministë francezë Rusoi e Volteri, që cilësohen si “titanë të mendjes”.
Në këngën e katërt  poeti përshkruan Italinë. Shkruan për të kaluarën e lavdishme të këtij vendi duke përmendur figurat e rëndësishme si Ciceronin, Cezarin, Bokaçon, Danten, Petrarkën e shumë të tjerë. 
Në qendër të vëmendjes është shpresa e poetit për fitoren e popullit Italian ndaj atyre që ua kishin copëtuar vendin.
Pra, poema Çajld Haroldi” është një rrëfim poetik, rëndësia e së cilës është shumë e madhe edhe në planin shoqëror, por edhe në planin poetik.
Në pjesën më të madhe ajo shfaqet si artikulim i etjes së popujve për liri dhe i luftës ndaj së keqes.

Unë dhe Fausti përballë tundimit dhe djallit - Ese -

posted Mar 1, 2012, 6:59 AM by Medina Brahaj   [ updated Oct 14, 2012, 6:37 AM ]

Unë dhe Fausti përballë tundimit dhe djallit


Secili nga ne ka një moment në jetë kur jemi të lodhur nga ajo, jemi të lodhur nga mediokriteti për t’u ballafaquar më tepër me të dhe me të papriturat që ajo i fsheh në çdo cep të saj. Janë momente kur të kaplon pesimizmi e njëfarë angështie që të shtrëngon në gjoks dhe nuk të lë të frymosh lirshëm në natyrën e bukur e që të jep frymëzim për jetën, të mbush me gjallëri apo edhe ta dhuron vetë jetën.
Janë momente të atilla saqë arma drejtohet nga arsyeja dituria e për me tepër edhe nga dashuria. Këto janë tundime të tmerrshme e të neveritshme, saqë njeriun e shtyn në budallallëqet më të pështirosura që mund të imagjinohen.
Këto tundime të ngërthejnë në vete cdoherë e më shumë, të hudhin në greminën e madhe nga e cila assesi nuk mund të dalesh, të shpëtosh prej saj e të ikësh diku larg pastaj. Pa dashur zhytesh në errësirën e  madhe, ulesh në prehërin e saj si në prehërin e gjyshes, gjen prehje, po, por jo atë prehje qetësuese e të këndshme, por prehje që ngjan në trëndafilin me shumë gjemba, ku në cilindo vend ta prekësh do lëndohesh dhe do të marrësh jo vetëm një gërvishtje të lehtë, por vragë të atilla saqë nuk mbyllen asnjëherë, vazhdimisht shkaktojnë dhembje. Por, përkunder asaj dhembjeje nuk do të thotë që je humbës, jo, mos harro, njeriu nuk është humbës gjersa nuk dorëzohet.
Në këtë errësirë u fut edhe mendimtari i respektuar Faust. Se ç’më ngjan që Fausti imiton milingonën në ngulmimin e saj. Zvarritet mbi dru njëqind herë dhe rrëshqet e bie poshtë, por ngrihet rishtas, vazhdon zvarritjen gjersa ta arrijë cakun, nuk mërzitet dhe nuk ndalet. Por, si për çudi më duket se Fausi u rehatua shumë në atë errësirë, por në shpatullat e tij mbante një peshë shumë të rëndë, dëshpërimin, sepse atë e mundonte mendimi se jetën e shkoi pa gëzime dhe se përkundër gjithë atij mësimi nuk arriti të depërtonte në misterin e gjërave, të jetës e të gjithësisë dhe kështu arrinë deri në një pikë ku do të vetëvritet. Për të nuk egziston ndonjë rrezik që dikush të vjen në derë e të thotë: “Nuk guxon ta bësh këtë! Nuk guxon dhe pikë!” Por, ekziston dikush të cilit i bie ndërmend, i cili të përkujton dhe duket që ta zgjatë dorën për të të ndihmuar, por, në të vërtetë jo për të të ndihmuar, por për të tërhequr më tepër në tundim, apo jo pse i bie ndërmend apo pse të përkujton, por sepse ka interes në të. E kush mund të jetë tjetër pos Mefistofelit, i cili Fausit i vie si një rreze dielli që hudh dritë në atë errësirë të dendur dhe duket se ia venit tërë dëshpërimin e pesimizmin, barrën e rëndë që e bartte Fausti.
Me pasurinë dhe lumturinë që ia premtoi Mefistofeli në këmbim të shpirtit të tij, për Faustin në orën e kohës nuk kishte fjalë tjetër përveç fjalës “tani” dhe në fjalorin  lumturisë nuk kishte tjetër fjalë pos fjalës “kënaqësi”. Kjo ndodhi, sepse ai nuk mundi t’i rezistonte atij tundimi, apo edhe pse ndoshta pak ishte i joshur nga ideja se tani për të asgjë s’do të ishte e pamundur dhe do të arrinte t’i gëzohej jetës.
Por, më thuaj më parë diçka, o i respektuari Faust. Me të vërtetë e dëshiron lumturinë? Atëherë mos e kërko atë larg teje, ajo është brenda në ty, në mendimin tënd krijues, në fantazinë tënde të bukur, në dëshirën tënde shpresëdhënëse dhe në zemrën tënde të mbushur e të ndriçuar për mirësi. Në fund ju arritët të vdisnit i kënaqur, pra nuk ka dry që nuk do të hapet, as pranga që nuk do të zgjidhen, por gjithçka në kohë të caktuar.

ANDROMAKA - Zhan Rasin

posted Jan 17, 2012, 12:44 PM by Medina Brahaj   [ updated May 26, 2012, 9:46 AM ]

                                                                        Andromaka


Eshtë tragjedia me të cilën Zhan Rasini e fitoi famën më të madhe. Në këtë tragjedi hasim në katër heronj: Orestin, bir i Agamemnonit; Pirron, bir i Akilit; Herminonën, bijë e Helenës dhe Andromakën, grua e Hektorit.
Kjo tragjedi hapet me bisedën ndërmjet Orestit, birit të Agamemnonit, dhe Piladit  e cila zhvilohet në oborrin e Pirros. Oresti ia hap zemrën Piladit , mikut të tij për Herminonën dhe I tregon për dëshpërimin e tij kur Menelau kishte vendosur që bija e tij t’i jepej Pirros. Oresti I tregon edhe për zemërimin e grekëve ndaj Pirros, sepse ai kishte bërë premtime të kota dhe se po mbante në oborr armikun më të madh të gjithë Greqisë, të birin e Hektorit, Astianaksin dhe të venë e tij Andromakën. Oresti kishte ardhur tek Pirro për ta marrë djalin. Por, ai në vend të djalit mundohet që ta rrëmbejë princeshën Herminonë, e cila ishte e fejuara e Pirros.
Pas pak Oresti takohet me Pirron dhe I tregon atij për arsyen e ardhjes së tij. Mirëpo Pirro nuk pranon dhe me këtë rast Oresti mendon për ta grabitur Herminonën.
Andromakës së cilës I ndien zemra se dicka nuk shkon, kërkon që të takohet me Pirron. Pirro gëzohet shum
ë, sepse ajo gjithmonë kishte qëndruar indiferente ndaj tij dhe edhe këtë herë e priti me lot e krenari dhe shumë herë gjatë bisedës ia përmendte Hektorin.
Pirro i tregon se Greqia kishte kërkuar që t’i dorëzohej djali, sepse donin të merrnin hak. Ai I tregon se nuk e kishte pranuar këtë gjë, por natyrisht kjo do të shkonte krahas një favori të cilin do e kryente vetë Andromaka, të pranonte të martohej me të në mënyrë që ta shpëtonte të birin. Andromaka assesi nuk pranonte dhe Pirro I thotë Orestit se mund ta merrte djalin dhe ta dorëzonte atë para grekëve.
Andromaka shkon tek Herminona dhe I lutet që të flas me Pirron që mos t’ia marrin djalin. Herminona megjithëse e kuptonte dhimbjen e Andromakës I thotë se ai do ta dëgjonte më shumë atë personalisht, sesa Herminonën. Kështu Andromaka bëhet gati t’i flas Pirros, por mu atëherë kur tenton ta bëj ndalon, por pas pak ajo flet. I përgjërohet me lot në sy dhe pa asnjë forcë që të bëj më shumë për djalin e saj. Pirro si I tillë që ishte I thotë se do të mund që djalin të mos ia jep grekëve, por mund ta thyej besën e dhënë për martesë, ku në atë tempull ku do të bëhej kurorëzimi të mos shkonte Herminona, por vetë Andromaka. Natyrisht kjo ishte për të mirën e djalit I cili po u binte në dorë grekëve.
Andromaka pasiqë nuk donte që ta thyente besën ndaj Hektorit bën plan që të martohet me Pirron vetëm që djalin ta lidhë për jete, ndërsa vetë të bashkohet me Hektorin, pra te vdesë. Herminona e tërbuar pasi kishte dëgjuar lajmin e thërret Orestin dhe I kërkon që ta mbysë Pirron. Në ato caste ajo nuk ishte në vete, por pas pak asaj I kujtohet se cfarë e kishte urdhëruar Orestin. Ndërkohë vjen Oresti dhe i tregon se puna kishte përfunduar dhe Pirro tashmë ishte I vdekur. Herminona nga mërzia shkon ta shoh Pirron,por kur e sheh atë të tërin të mbuluar me gjak edhe ajo e mbyt veten.
Andromaka që nuk I nënshtrohej Pirros, tani si e vejë besnike jep urdhër për hakmarrje. Oresti, Piladi dhe disa të tjerë që e kishin vrarë Pirron duhej të largoheshin tashmë, por Oresti nuk donte të largohej pa Herminonën. Këtë duhej ta bënte domosdoshmërisht, sepse ajo tashmë kishte vdekur. Në fund edhe Oresti humb cdo ndjenjë.


Vepra e lexuar - Ese

posted Jan 12, 2012, 9:59 AM by Medina Brahaj   [ updated Oct 14, 2012, 6:48 AM ]


                                                          Vepra e lexuar – Ese


E dimë se duke lexuar mund t’i zhvillojmë talentet! Ajo e bën zgjerimin e horizontit dha na forcon aftësinë për të menduar. Leximi është qetësi për vetmitarin, stimulues për mendimtarin dhe ndriçues për udhëtarin. 
Secili libër që lexojmë e ka të fshehur thesarin e saj më në brendësi, nga secila kemi përfitim, qofshin ato me fjalë të urta, tregime apo çfarëdo tjetër. Vepra e cila më ka bërë shumë përshtypje ka qenë ANDROMAKA e shkruar nga një përfaqësues i denjë i epokës klasiciste, Zhan Rasini.
Më ka tërhequr kjo vepër, sepse në të autori ka spikatur figurën e fuqishme femërore. Në këtë tragjedi hasim në katër heronj: Orestin, bir i Agamemnonit; Pirron, bir i Akilit; Herminonën, bijë e Helenës dhe Andromakën, grua e Hektorit.
Andromaka ka qenë grua e pa fat, sepse burrin ia vrau Akili, ndërsa të birin, Astianaksin, ia mbante mbyllur i biri i Akilit, Pirro. Ai ishte i dashuruar në Andromakën, por ajo gjithmonë kishte qëndruar indiferente ndaj tij, sepse i qëndronte besnike burrit të saj të vdekur. Pirro ishte i fejuar me Herminonën, por gjithmonë tentonte që Andromakën ta bënte për vete madje shpeshherë duke iu kërcënuar se djalin do t’ia dorëzonte grekëve, dhe kjo gjë do të bëhej shumë lehtë, sepse Greqia e kishte dërguar Orestin që ta marr djalin nga duart e Pirros. Kur Pirro kishte vendosur përnjëmend që djalin t’ia dorëzonte Orestit, Andromaka i kërkon që mos ta bënte, mirëpo Pirro për të përfituar nga ky rast, i thotë që në tempullin që do të bëhej kurorëzimi të mos shkonte Herminona, por vetë Andromaka. Natyrisht që kjo ishte vetëm për të mirën e të birit i cili po u binte në dorë grekëve. Andromaka pasiqë nuk donte që ta thyente besën ndaj Hektorit bën plan që të martohet me Pirron vetëm që djalin ta lidhë për jete, ndërsa vetë të bashkohet me Hektorin, pra te vdesë. Pasiqë ata kurorëzohen Pirron e vrasin dhe tani Andromaka si e vejë besnike jep urdhër për hakmarrje.
Kjo vepër më bëri përshtypje për arsye se Andromaka nuk e theu besën ndaj Hektorit edhe pse ai tashmë ishte i vdekur. Gjithashtu u tregua e fuqishme, sepse bëri cfarë mundi, luftoi me atë cfarë kishte vetëm e vetëm për ta mbrojtur të birin.
Ajo çfarë mësova nga kjo vepër është një leksion shumë i mirë: “Çfarëdo që të ndodh në jetë, me cfarëdo sfide ballafaqohesh merre me vete fuqinë, durimin , por edhe arsyen. Natyrisht që edhe vuajtja e hidhërimi të vijnë nga mbrapa, por t’i mbaje veten, mos u dorëzo edhe atëherë kur të duket që fati ta ka kthyer shpinën!" 
Edhe pse shumë herë tentova që ta bëj krahasimin mes meje dhe Andromakës, sërish nuk mund të gjej në vete atë guxim, atë durim e atë fuqi që kishte ajo për të mbajtur në zemër gjithë atë angushti e hidhërim. Tek ajo shoh një aureolë të cilën nuk e shoh tek vetja.


Të lexuarit!

posted Jan 12, 2012, 8:32 AM by Medina Brahaj   [ updated Apr 4, 2012, 4:24 AM ]

Duke lexuar mund t’i zhvilloni talentet!
Të lexuarit iu zgjeron horizontin, iu udhëzon moralin dhe iu forcon aftësinë për të menduar. Leximi është qetësim për të vetmuarin, stimulues për mendimtarin dhe ndricues për udhëtarin.
Lënia e studimit ia kufizon njeriut aftësinë shprehëse dhe të menduarit.
Shumica e librave kanë njëfarë përfitimi, qofshin ato me thënie të urta, ndodhi interesante, përvoja të cuditshme apo dije te reja. Mund të thuhet madje se përfitimi i leximit është i pamatë. Për këtë arsye kërkojmë strehim nga All-llahu nga njëra prej fatkeqësive më të mëdha: 
pavendosshmëria” dhe vullneti i dobët”.

Nëse do të isha prind cfarë do të bëja për fëmijën tim?!

posted Dec 15, 2011, 10:05 AM by Florim Salihu   [ updated May 26, 2012, 9:50 AM by Medina Brahaj ]


Nëse do të isha prind cfarë do të bëja për fëmijën tim

Thonë që të jesh prind është gjëja më e bukur,më magjepsëse dhe më e shenjtë në këtë jetë.Të sjellësh në jetë një krijesë aq të ndjeshme dhe të pastër do të thotë shumë.
Por akoma më shumë bëhet kur ai fillon jetën si krijesë njerëzore në këtë tokë,ku edhe për herë të parë këmbadorazi fillojnë të orientohen në këtë jetë plot udhëkryqe,por pa asnjë tabelë ose shenjë treguese nga do të shkosh.
Me të vërtetë që për fëmijët cdo gjë është e bukur,sepse për herë të parë kontaktojnë me këtë botë ku po jetojmë dhe pikërisht për këtë prindërit duhet të bëhen ato tabela nëpër ato udhëkryqe të shumta të jetës për t’i treguar se cila është rruga më e mirë dhe e drejtë për ta.
Të bëhesh prind do të thotë të bëhesh timonier i anijes së fëmiut tënd dhe ta drejtosh nga është deti më qetë.Natyrisht, të bëhesh drejtues në anijen e fëmiut tënd është shumë bukur dhe është privilegji më i madh që ta ka dhënë Zoti,por edhe si cdo gjë tjetër në këtë jetë që ka vështirësi edhe të jesh drejtues i asaj anije është vështirë.Eshtë vështirë kur zemërohet deti,kur ka stuhi,kur të bëhen goditje nga dallgët e ashpra dhe kur i tërë ai det i hapur është armik yti në ato momente.Por, kur gjithcka mbaron dhe kur fundin e shënojnë triumfet,atëherë cdo mundim,cdo sakrificë kthehet në një ëmbëlsi qetësuese të shpirtit.
Nuk është e lehtë të jesh prind,prind i cili fëmiut do t’i ofronte dashurinë e kujdesin,qetësinë e rehatinë dhe më të rëndësishmet eduaktën dhe kulturën,sepse pa to nuk do të mund të bëheshin njerëz në kuptimin e plotë.
Prindërve u bie  t’i udhëheqin fëmijët që kur janë të vegjël nëpër shtigjet e vyrtytit dhe të sjelljeve të mira,në mënyrë që kur të rriten të bëhen shkop pleqërie për prindërit e tyre.
Sikurse edhe prindërit e mi edhe unë për fëmijën tim do të bëja gjithcka,do të rrezikoja cdo gjë vetëm e vetëm që ai të ketë një fëmijëri të qetë e të lumtur,në mënyrë që jetën e mëvonshme ta ketë të shëndoshë e të begatë.
Do t’i ofroja dashuri e kujdes,qetësi e rehati,do t’i ofroja një botë të mrekullueshme ku asgjë nuk i mungon,por jo edhe një botë ku cdo gjë e ka të tepruar,sepse cdo gjë e tepërt është e dëmshme.
Që në vegjëli do të mundohem që brenda botës së tij të ndërtoj fortesa të larta e të pashembura edukate,sidhe do të mundohem që ai trung edukate e kulture i karakterit të tij t’i fusë rrënjët thellë-thellë dhe të mos rrëzohet asnjëherë.
Do ta mësoj për uljet dhe ngritjet në këtë jetë,ndonëse këto mësime t’i jep vetë jeta,sepse është e padrejtë.Do të bëj që jeta e tij të jetë e mbushur me frymë humane e fjalë të mira.
Dua që në katër anët  e horizontit të asaj bote të vogël të ketë rrespekt,edukatë,menquri e kulturë.Në kopshtet e asaj bote të vogël do të mundohem t’i mbjell fjalët më të mira,sepse fjala e mirë është fara që jep frytet më të këndshme.
Më herët kam dëgjuar një fjalë që thoshte: Ndërtoje jetën e fëmiut tënd me fjalë frymëzuese që shpirtin e bëjnë më të fortë.Por, mos harro,në fillim Ndërtoje Vetveten!

Kanuni i Lekë Dukagjinit

posted Dec 15, 2011, 9:40 AM by Florim Salihu

 



Kanuni është një monument kulturor historik i së drejtës tradicionale të shqiptarëve. Shqiptarët kanë trashëguar deri në shekullin e 20-të dy kanune: "kanunin e lekëve" - Kanunin e Lekë Dukagjinit, që kishte pushtet në viset mbi lumin Drin; "kanunin e gegëve" - Kanunin e Skënderbeut, që kishte pushtet në gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë veriore. Në viset jugore të Shqipërisë e drejta zakonore tradicionale ka mbërritur fragmentare. Modeli më i plotë i organizimit tradicional të jetës së shqiptarëve është Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Kanuni nuk kishte vlerë pa kuvendin, pa pleqtë e stërpleqtë, pa dheun që mblidhej për të ndarë të drejtën. "Canon et convente", kanun e kuvend (marrëveshje), ky është thelbi i së drejtës zakonore shqiptare. Vetë fjala "kanun" është huazuar nga greqishtja "canon", që do të thotë rregull, kufiz. Po ashtu edhe fjala "kuvend", që do të thotë "parlament", është huazuar nga një rrënjë neolatine "convente", marrëveshje. 

Tradita vendëse e zgjidhjes së problemeve të së drejtës është dëshmi lashtësie e qytetërimi. Vetëm një popull i ngulitur prej kohësh mund të arrinte të përpunonte në atë shkallë me të vërtetë të lartë elementët e vetëdisiplinës dhe të autopërgjegjësisë. Një popull që arrin të krijojë një kod të normuar bashkëjetese duhet të ketë zotëruar më parë një kulturë të ngulitur etnike. Një mënyrë bashkëjetese e pranuar pa kushte nga të gjithë do shekuj të tërë të rregullohet me norma të njësuara. Kanuni shpreh ekzistencën e një jete urbane qytetare dhe të një ndërgjegjeje bashkësie të hershme. 

Kanuni i malësisë, që lidhet me emrin e Lekë Dukagjinit, por në shumë elementë mund të jetë edhe më i vjetër se kjo figurë e njohur e historisë, është një univers juridik i lashtë, nënshtresa të të cilit, për nga burimi, shkojnë deri në antikitet. Formulat e betimit nuk zënë në gojë hyjnitë me emër. Betimi "për qiell e dhe", "për kët’ gur", "për kët’ peshë", "për kët’ bukë", shpreh një besim mitologjik. 
Vetëm një gjë me të vërtetë shumë e vyer mund të kapërcente shekuj të tërë për të ardhur gjer në ditët tona. Këto betime janë të njëjta me ato të grekëve të vjetër: Për Uranin (për qiellin), për Demetrën (për tokën) etj. Dhjata e re ia ndalon kategorikisht birit të njeriut të betohet për to. Kurse betimi për bukën të kujton kultin hebraik për "manna-n", ushqimin e shenjtë hyjnor. 

Ishte ky kanun jo vetëm e drejta e rregullimit të bashkëjetesës (convente), por edhe e drejtë familjeje, e drejtë civile, e drejtë pune e procedure, një ansambël i vërtetë drejtësie, ku përcaktoheshin në mënyrën më të sintetizuar raportet e njeriut me familjen, me fisin, me miqësinë, me flamurin e me atdheun. 

Dihet se normat morale, rregullat e ndërtimit të jetesës së përbashkët, në popuj të ndryshëm, sipas përkatësisë së tyre fetare, janë identifikuar shpesh me përcaktimet e librave të shenjtë. Tek shqiptarët nuk vihet re një gjë e tillë. Kategori të tilla themelore të etikës popullore, si nderi, dinjiteti, respekti, mirësjellja, mikpritja etj. ndër shqiptarët janë përcaktuar nga "nomet e të parëve".

1. Barazia dhe Pabarazia në Kanun

Me gjithë ashpërsinë e tij, Kanuni ka mundur t’i mbajë shqiptarët në kushte të një barazie të rreptë ndaj rregullit, "qoftë edhe i Gjomark", që do të thotë, qoftë dhe i shtëpisë që kishte për detyrë mbikëqyrjen e kanunit. Sipas kanunit, "jeta e të mirit asht nji me jetën e të keqit", dhe "gjaku shkon për gisht", që do të thotë të njëjtën gjë. 
Shkrimtari I. Kadare ka folur për hapësirën juridike tradicionale të popullit tonë, të ruajtur në Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke vënë në dukje një gjymtim të saj, përjashtimin e gruas nga çdo lloj veprimtarie që kishte të bënte me përcaktimin, ndarjen, dhënien apo fitimin e së drejtës, duke përfshirë edhe kuvendin në odën e miqve. Kanuni, del nga barazia edhe në një përcaktim tjetër: të pozitës së privilegjuar të klerit në kuvend. Kanuni sanksionon që "prifti nuk bjen më gjak e nuk çohet në be" (nyje 4, § 10). Edhe "me ndollë qi meshtari të çohet në be, a për me dlirë vendin a për porotnik (dëshmitar), ky vetëm do të njihet e do të zehet për 24 vetë" (po aty). Po kështu, sanksionohen edhe favoret e kishës si institucion. Ajo "nuk giobitet e s’ka peng më kend" (nyje 1, § 2), pra, qëndron mbi kanun. Kanuni i Lekë Dukagjinit, sikurse të gjithë kanunet, është produkt dhe pasqyrë e së drejtës feudale. 

Dy përjashtimet prej barazisë: përjashtimi i kishës prej detyrimit ndaj bashkësisë (krahinës, flamurit) dhe pozita jashtëkanunore e gruas, janë gjurmë të kohërave mesjetare. Të tjerët, "me qenë edhe i kullës së bajrakut", i nënshtrohen njësoj të njëjtit rregull. ("Edhe pse pari a krye, pengun do t’a lëshojë n’dorë të pleqve e t’vogjlis, po bani kush vaj me të"- nyje 141 § 1014). Paragrafë të tillë, si "çmimi i jetës së nierit asht nji" (nyje 124, 1 887); "secili mbahet rrumbull katërqind derhem në kandar (në okë) të vet" (§ 889); përmbajnë një barazi të ashpër të njerëzve. 

Mund të pohohet pa druajtje se barazia e rreptë që ka sanksionuar e marrë në mbrojtje kanuni është një vlerë e kryehershme e tij, natyrisht paramesjetare. 
Në anën tjetër, edhe privilegjet e pabarazitë e kanunit janë relative. Sepse në traditën shqiptare kanuni nuk mund të ndahej nga kuvendi. Çfarë e ndalonte njëri mund ta lejonte tjetri. Çfarë e lejonte njëri, mund ta pezullonte tjetri. Ndonëse kanuni e nënçmonte e nuk e lejonte gruan të rrinte në odën e burrave, shpesh kuvendi e ka pranuar atë, duke i vlerësuar mençurinë dhe zotësinë për të ndarë të drejtën.

2. Mikpritja në Kanun

Kanuni ka sanksionuar kultin e mikut dhe të mikpritjes tek shqiptarët. Kulti i mikut shenjohet në përkufizimin e shtëpisë, si "e zotit dhe e mikut" ("Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut"). Në kanun zoti dhe miku para shtëpisë barazohen. Nuk mund të ketë hyjnizim më të madh se ky për mikun. Kulti i mikut, i shprehur edhe në formulime të tilla, si: "shtëpia e shqiptarit - e mikut dhe e shtegtarit", "dera e shpisë i hapet kujdo qi ia msyen, me kenë edhe përdersi" (lypsi), përmban një mendësi të lashtë, parakristiane, judaike, biblike, që vjen prej kohërash profetët mund të shfaqeshin në dyer besimtarësh me rrobën e një shtegtari të mjerë. Në mendësinë e shqiptarit, miku që troket në portë duhet pritur me të gjitha nderet që i takojnë, sepse "nuk dihet a asht lypsi a shenjti". 

Në traditën shqiptare miku nuk kërkon leje për të hyrë në një shtëpi, por "ia mësyn", që do të thotë se i zoti i shtëpisë është i detyruar t`ia hapë portën me dëshirë të vet, sepse, për ndryshe, miku ka të drejtën e vet "me hy". 

Privilegji më i madh i mikut në kanun është ndorja. Kjo do të thotë se miku nuk bjen në gjak dhe është i mbrojtur prej hasmit sa kohë që "asht me bukë të të zotit të shtëpisë". Nëse miku binte në pusinë e hasmit, mjafton të thërriste: "jam me bukë të filanit" apo "jam ndorja e filanit" - domethënë e të zotit të shtëpisë që e kishte pritur, dhe kjo i jepte siguri, i shpëtonte jetën, i hapte rrugën.

3. Nderi në Kanun

Nga kohëra shumë të hershme vjen përmes kanunit kulti i nderit. Nderi tek shqiptarët ndryshon nga kodet e kalorësisë evropiane të pragut të Rilindjes. Bëhet fjalë për një nder të ashpër, por dinjitoz e madhështor në ashpërsinë e tij. Nderi në kanun nuk është një kategori morale në kuptimin e ngushtë. Për kuptimet e ngushta kanuni kishte ndalime të tjera. Një familje shqiptare, para se të vendoste pranimin e një krushqie të re, duhej të hetonte nëse largësia midis brezave të gjakut e të tamblit (në linjë mashkullore dhe femërore), ishte më shumë se shtatë breza. Kishte rajone që duhej të kalonin 12 breza. 
Për vendin që i ka dhënë popullsia malësore nderit, që shkrinte dy kulte, atë të bujarisë (të mikut) dhe të urtësisë (të pleqve), mjafton t’u referohemi dy paragrafëve të njëpasnjëshëm të kodit:
"Ndera e marrun ka gjakun" (nyje, § 598); 
"Ndera i merret burrit me i than kush se rren faqe burrave në kuvend". 
Vetë kuvendi i burrave ka etikën e vet të mbipushtetshme, që përbën kodin e spektaklit, të një spektakli që shfaqet gjithnjë vetëm një herë dhe nuk përsëritet më, të një spektakli që nuk njeh provë gjenerale. Është kjo etikë që ka krijuar atë dendësi të mendimit përherë të pranishëm në bisedën malësore, atë mirësjellje fisnike, atë dialog aq të kulturuar, që vë në peshë urtësitë dhe mban në efiçiencë të plotë mekanizmin e kërkimit të së vërtetës. 

"Shqiptari rron për dy gisht nder", "Dy gisht nder e faqen e bardhë", janë dy përcaktime themelore për nderin në kanun. 
Nderi në të drejtën zakonore shqiptare është e kundërta e turpit. Po të krahasohen "zonat" e nderit dhe të turpit në kanun, del se hapësira e nderit ka qenë shumë e ngushtë dhe brenda kësaj hapësire njeriu shqiptar duhej të krijonte individualitetin e tij. Kjo sepse kanuni përmban një varg të gjatë ndalimesh e tabush, që e mbronin njeriun prej "zonës së turpit". 

Nderi bën shtëpinë, thuhet në kanun, por shtëpia nuk bëhet me një brez. Për të ngritur një shtëpi duhet një faqe, domethënë tre breza nder radhazi. 
Pushteti i nderit mbi shqiptarin ishte mbi pushtetin e faltores dhe të shtetit.

4. Besa në Kanun

Me kultin e nderit është i lidhur kulti i fjalës së dhënë, ose, siç njihet ndër shqiptarët, "kulti i besës". Kjo është një fjalë që nuk ekziston në shumicën e gjuhëve të botës. Në gjuhët ballkanike ekziston si fjalë e huazuar nga gjuha shqipe. Shpesh, në përkthime prej shqipes, fjala "besë", duke mos pasur barazi kuptimore me një fjalë a frazeologjizëm të gjuhës tjetër, jepet në formë shënimesh shpjeguese, si një dukuri e botës shqiptare, si albanizëm. 

Besa, ose kulti i fjalës së dhënë, lidhet në burim me mitin biblik të fjalës: "Në fillim qe fjala!". Më parë se të ishte shkrimi, kontrata, marrëveshja, noteria, gjyqi, shteti, popujt, njeriu, bota vetë, ishte fjala. Ky kult madhështor, i cili, në popujt euro-perëndimorë, pak nga pak mori karakterin e një idiome fetare kishtare, tek shqiptarët ruajti gjurmën e burimit. 

Lidhja në fjalë (për fjale) përbënte për kanunin autoritetin më të lartë. Të gjitha marrëdhëniet: në gjini, në fis, në famulli, në bajrak dhe në nivelin e bashkësisë etnike, madje edhe marrëdhënie ndëretnike, mbaheshin në fjalë.
 
Besa është testamenti moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Dy baladat më të rëndësishme të folklorit shqiptar, me motivin e murimit dhe motivin e ringjalljes (flijimi për ngritjen e një ure dhe ngritja e vëllait nga varri për të kthyer motrën në familje) lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë. 

Në kanun thuhet se "e folmja asht e falme": çfarë premtohet, duhet të kryhet. 
Besa shqiptare, e njohur tek bullgarët dhe rumunët pikërisht me emrin "besa", kurse tek sllavët e jugut si "arbanaska vjera" (fj. për fj. "ajo që besojnë shqiptarët") është virtyt themelor i tyre, trashëguar prej të parëve.

5. Kanuni ose "Jus Albanicae"

Shqipëria qe e pushtuar për pesë shekuj nga perandoria otomane, por Kanunin ajo nuk arriti ta nënshtrojë. Në shekullin e 19-të në Shkodër funksiononte një zyrë e veçantë, që njihej me emrin "Xhibali", dhe që kishte për detyrë të hetonte se ku nuk përputheshin ligjet e perandorisë dhe të sheriatit me kanunin, për t’u tërhequr para konfliktit. E drejta zakonore shqiptare mund të jetë e vetmja ndër ato të popujve ballkanikë që mbeti si e drejtë paralele. I. Kadare, në një ese të tij, figurativisht këtë e ka quajtur "jus albanicae". 

Sot kanuni është një "opus finita" një herë e përgjithnjë, është "një botë e mbyllur". E. Çabej, qysh në vitin 1935, në veprën "Elemente të literaturës dhe të gjuhës shqipe", e përfshiu Kanunin në antologjinë e vlerave letrare të përzgjedhura për nevojat e shkollës. Në këtë parashtresë Kanuni gjithashtu do të shihet si një botë juridikisht e mbyllur dhe artistikisht e pasur. Kanuni u përcoll nga brezi në brez me të njëjtin mekanizëm si gjuha apo folklori, si një traditë orale, në qarkullim të shumëfishtë gojor.

Kanuni nuk u botua dot deri në dekadat e para të shekullit që jetojmë. Kjo ka shpjegimin e vet. Në radhë të parë, nuk duhet harruar që e drejta zakonore e malësisë pothuajse gjithnjë ka qenë një e drejtë ilegale, që nuk njihej nga pushtetet zyrtarë, sado kalimtare që kanë qenë. Përveç kësaj, kanuni mësohej përmendësh si një trashëgim kulturor i madh, njësoj siç mësoheshin rapsoditë, legjendat, rrëfenjat. Ai ishte edukata juridike dhe ndërgjegjja juridike e malësorëve, zgjedhja e përbashkët e mënyrës së jetesës. Mbi bazën e tij ndërtohej e ndryshohej morali. Prandaj pasqyrimi i vlerave shprehëse të bisedës në odën e miqve, i frymës së përcaktuar të procedurës dhe rregullave të saj të brendshme, duke dëshmuar qytetërimin e popullit tonë, mbron historinë e sulmuar të tij, pra, mbron të drejtën e ekzistencës dhe të zhvillimit të lirë të tij.
 
Një popull që e ka rregulluar me norma të njësuar bashkëjetesën që së lashti, një "popull me aftësi të shquara ligjvënëse", siç do të shprehej Kadareja; tregon se ai di të vetëqeveriset, pa pasur nevojë të marrë mësime dhe shansi i tij nuk gjykohet nga momenti i krizës. Shansi i tij mund të jetë përpara. 

Vepër e përbashkët e një populli të tërë, e përvojës historike shumëshekullore të tij, kanuni është lidhur ngushtë me emrin e një duke të përmendur të arbërve të shekullit të 15-të, me emrin e Lekë Dukagjinit. Kronikat e kanë treguar atë si një nga figurat e shquara të qëndresës antiosmane, prijës e komandant të malësorëve, bashkëluftëtar të Skënderbeut. Por edhe pa këto cilësi, pa trimërinë dhe titujt e fisnikërisë që i atribuon historia, pa pjesëmarrjen në luftërat për mbrojtjen e trojeve arbërore dhe vetëdijen e të qenit arbër, Lekë Dukagjini do të mbetej njësoj i lavdishëm nëpër kohëra vetëm me atë nder që i bëri populli duke preferuar në vend të anonimatit emrin e tij si autor për kanunin e malësisë. 

S’ka dyshim që as Lekë Dukagjini dhe as ndonjë individ tjetër nuk mund të kishte një aftësi të tillë prej ligjvënësi, sa të hartonte një - asnjë fjalë tjetër nuk do të ishte kuptimisht e mjaftueshme - një univers të tërë juridik, lakonik e të kompletuar, siç është kanuni i malësisë. Shumë-shumë, ai mund të ishte një Gjeçov i pesë shekuj të shkuar, por një Gjeçov që e sistemoi me gojë e jo me shkrim të drejtën arbërore. Ajo u përcoll nga një shekull në tjetrin si një testament juridik. Në mesjetë, në epokën e qëndresës së madhe ndaj perandorisë otomane, ndoshta u bë normimi i parë i saj, duke e ngritur atë mbi kanunet me përdorim të ngushtë krahinor. Integrimi politik i arbërve përballë rrezikut të përbashkët sigurisht e lehtësoi këtë proces. 

Një karakterizim lakonik i ka bërë kanunit gjuhëtari i shquar E. Çabej, në një nga punimet e tij më të hershme, pikërisht në tekstin "Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe", botuar më 1935. Në këtë libër ai thekson shprehimisht: 
"I ndjeri baron Nopsca ka lënë edhe ky një vepër dorëshkrim mbi kanunin. Pas këtij dijetari burimi i kanunit duhet kërkuar në ligjet gjermane të Langbardëve, të cilat hyjtën në Shqipëri me anën e Venedikut. Mirëpo ne jemi të mendimit se nga ekzistenca e gjurmëve të forta të kanunit në Labëri na del një vatër e re e këtij ligji në Shqipërinë Jugore. Me këtë del i besueshëm një burim mjaft i vjetër dhe shqiptar i këtij kanuni. Përveç kësaj ky kanun duhet krahasuar, besojmë, jo vetëm me ligjet gjermane të Italisë, por edhe me ligjet e popujve të Ballkanit". 

Për herë të parë kanuni u mblodh, u sistemua dhe u botua në shqip prej at Shtjefën Gjeçovit në vitin 1933. Gjeçovi ishte një prelat i shquar i kishës romane, prift i urdhrit franceskan, që jetoi midis malësive të veriut dhe ishte në kontakt me veprimin e së drejtës së kanunit mbi marrëdhëniet në shoqëri. Kanuni kishte pushtet jo vetëm mbi autoritetet laike, por edhe mbi kishën, sido që të pjesshëm. Gjeçovi kishte kulturë të shëndoshë filologjike, teologjike, arkeologjike dhe juridike. Ai përktheu vepra të letërsisë botërore në shqip dhe shkroi letërsi origjinale vetë. Ishte një prej koleksionistëve të parë të gjetjeve arkeologjike shqiptare. Fati i koleksionit të tij nuk dihet. Kanuni i Lekë Dukagjinit u përkthye fillimisht në gjuhën italiane, pastaj serbisht, frëngjisht, rusisht, anglisht dhe në ndonjë gjuhë tjetër.

1-7 of 7