Unë dhe Fausti përballë tundimit dhe djallit (Ese)

posted Feb 28, 2012, 7:18 AM by Fiola Rushiti   [ updated Apr 16, 2012, 6:07 AM ]
Fausti dhe Mefistofeli (djalli)
Fausti dhe Mefistofeli (djalli)

Njeriu i cili mbështetet jo vetëm mbi arsyen apo diturinë, por edhe mbi dashurinë, e cila e ndihmon më shumë se dituria për ta ndjerë dhe përjetuar natyrën, nuk e ka atë tundimin, i cili të mundon thellë në shpirt duke menduar se nuk po arrin asgjë për t’i ndihmuar njerëzit, nuk po arrin asgjë për të lënë pas një vepër madhështore, për të lënë gjurmë në histori.

Ky tundim, është një tundim i tmerrshëm, i cili e shtyn njeriun të bëjë gjëra të paarsyeshme, të cilat nuk i ndihmojnë aspak, vetëm sa e përforcojnë edhe më shumë atë tundim të jashtëzakonshëm. Aq shpejtë rritet sa që të duket sikur po fundosesh në një oqean të madh në të cilin nuk ka asnjëri pos teje dhe dalëngadalë, me valët e tij periodike, fillon të ta ndalë frymën.

 Kështu po i ndodhte edhe Faustit, të cilit, pikërisht në ato çaste i shfaqet djalli, i cili, sigurisht “kinse” i ndihmon të dalë nga ai oqean. Ashtu i duket Faustit në fillim, mirëpo pas një kohe, pasi bënë një varg gjërash të hidhura, pendohet dhe shpëton.

Të bashkëpunosh me djallin, nuk të ndihmon të arrish synimet e dëshiruara. Këtë e vërteton Fausti.

Që të arrish suksese nuk do të thotë se duhet të rrish i mbyllur dhe larg natyrës, larg dashurisë. Bashkimi i diturisë dhe i natyrës së bukur dhe të mahnitshme, sigurisht që  sjellë një fund të lumtur dhe të ndihmon të kalosh shumë batica dhe zbatica të jetës.

Secili njeri, mund ta shijojë jetën, pa pasur nevojë për ndihmën e djallit.

Po të krahasojmë natyrën dhe djallin, është njësojë sikur të krahasojmë trëndafilin dhe ferrën, dritën dhe errësirën, të bardhën dhe të zezën apo thënë më mirë Parajsën dhe Ferrin.

Dituria nuk të ndalon të shoqërohesh me njerëzit, të bësh miq, të duash familjen, jo aspak.

 Po të kthehemi përsëri tek oqeani, sigurisht që nuk do të kishe pasur nevojë për djall, po t’i kishe miqtë afër. Ata nuk do të të linin për asnjë arsye të fundoseshe, por as nuk do të të nxirrnin prej tij, që të të hedhin  përsëri në një oqean edhe më të madh.

Dashuria është mikesha më e mirë, për një njeri i cili është gati të eksplodojë. Mirëpo, në fakt, ajo nuk do ta linte të vinte deri tek tundimi fare. Njeriu nuk do ta ndjente atë tundim, po të kishte dikë afër vetes, me të cilin do të fliste për gjithçka dhe do të lirohej menjëherë pa u mbushur kupa, nga gjërat të cilat e tundojnë. Secili njeri ka nevojë për një mik të tillë, i cili të ndihmon pa pasur asnjë interes nga ti, i cili të ndihmon për shkak se të do. Mirëpo, për të të dashur, duhet ta duash edhe ti.

Pra, dashuria, natyra dhe dituria janë mbrojtësit tanë më të fortë, më të fuqishëm dhe më besnik, të cilët nuk e lejojnë të keqen të na mbulojë, apo të na fundosë në atë oqeanin e madh dhe asnjëherë nuk do ta lejojnë djallin që të na “shpëtojë”.

Shenja e "Shpirtit të Tokës" të cilën 
e përdorin magjistarët. Edhe tek Fausti
përdoret për të njëjtën arsye.


Comments