Tartufi (Moliere)

posted Feb 22, 2012, 8:13 AM by Fiola Rushiti   [ updated Apr 16, 2012, 6:05 AM ]


Këtu bëhet fjalë për një "klerik" që quhej Tartuf, i cili kishte fituar një besim të madh nga ana e Orgonit 1).Mirëpo ai s'ishte gjë tjetër përpos një gënjeshtar i keq.

Vepra fillon kështu:

Zonja Pernelle 2), shkon për vizitë në shtëpinë e djalit të saj dhe fillon t"i kritikojë të gjithë anëtarët e shtëpisë, për shkak se nuk ia dinin vlerat Tartufit, i cili për të ishte një njeri shumë i shenjtë dhe shumë i zellshëm. Gjithë të tjerët ishin në kundërshtim me të, pasi që ata mendonin se ai ishte një i rremë dhe hipokrit. Mirëpo ajo nuk pajtohej dhe duke u larguar, i këshillon që t'i ndjekin rregullat e Tartufit.

Pasi shkon zonja Pernelle, Kleanti 3)dhe Dorina 4), vijnë në përfundim se Tartufi e kishte mashtruar Orgonin.

Damisi 5), djali i Orgonit,dëshironte të dinte nëse i ati i tij vazhdon ta lejojë martesën e Marianës 6) me Valerin 7), pasi që edhe ai donte të martohej me motrën e Valerit. Ai i kërkon Kleantit që ta pyesë Orgonin në lidhje me premtimin që kishte dhënë për martesën.

Mirëpo, kur kthehet Orgoni në shtëpi, Kleanti nuk mund t'i bëjë as edhe një pyetje, për shkak të pyetjeve të tij të pareshtura për Tartufin, i cili ia kishte mbuluar tërë mendjen. Ai as që interesohej për të shoqen e cila nuk ishte ndjerë mirë atë ditë dhe ende ishte në shtrat. Mirëpo, kur Kleantit i vjen një rast i volitshëm për pyetjen në lidhje me martesën, Orgoni e ndërron temën dhe nuk i jep kurrfarë përgjigje. Ai po sillte diçka nëpër mënd. Cila do të ishte mënyra më e mirë që ta kishte Tartufin edhe më afër vetes? Po, ta martojë me Marianën. Ai i tregon Marianës për vendimin, kurse Mariana edhe pse e dashuruar në Valerin, ajo nga respekti që ka ndaj të atit, nuk e kundërshton atë.

Pasi ikën Orgoni, Dorina fillon ta qortojë Marianën, përse nuk e kishte kundërshtuar të atin.

Vjen edhe Valeri dhe fillon të grindet me Marianën për miratimin e martesës. Por për fat të mirë, Dorina i dëgjon dhe afrohet e iu thotë se ajo do t'i ndihmonte atyre për t'i ikur kësaj martese.

Elmira 8) kishte një plan tjetër të fshehtë. Ajo shkon tek Tartufi për t'i thënë që të mos pranonte martesën me Marianën, kurse Tartufi fillon ta shpreh dashurinë që ndjente ndaj Elmirës dhe i propozon që të jenë fshehtas të dashuruar. Mirëpo rastësisht i dëgjon Damisi dhe fillon ta qortojë Tartufin.

Kur vjen Orgoni dhe ia tregojnë ngjarjen që kishte ndodhur, ai në vend që t'i besojë Damisit dhe Elmirës, i beson Tartufit.

Damisin e dëbon nga shtëpia, kurse tërë pasurinë e tij ia lë në dorë Tartufit.

Për t'ia dëshmuar të vërtetën Orgonit, Elmira i thotë që të fshihet nën tavolinë dhe vetëm të dëgjonte.Ajo e thërret Tartufin dhe bënë kinse ishte penduar që nuk e kishte pranuar propozimin e tij dhe ai ia falë dhe fillon përsëri me fjalët e tij të dashurisë dhe bie në grackë.

Tash Orgoni sheh gabimet e tij dhe është shumë i penduar. Del nga tavolina dhe e urdhëron Tartufin të largohet nga shtëpia, mirëpo Tartufi ia kujton se ai ishte pronari i vetëm i shtëpisë, pas nënshkrimit që kishte bërë Orgoni kur ishte symbyllur. Më vonë, Orgonit, i cili ishte vetëm me gruan në shtëpi, i kujtohet dhe i tregon Elmirës për disa dokumente që ia kishte lënë nën përkujdesje Tartufit, të cilat do t'ia ulnin autoritetin e tij ne gjykatë. Mirëpo, kur vjen Tartufi me policët për ta arrestuar Orgonin, ndodh diçka tjetër. Mbreti e kishte kuptuar tashmë hipokrizinë e Tartufit dhe policët që i kishte dërguar ishin për të dhe jo për Orgonin. Vjen edhe zonja Pernelle dhe bindet me të vërtetën.

Dhe kështu tërë pasuria i kthehet përsëri Orgonit.


 1) I zoti i shtëpisë, bashkëshorti i Elmirës.

2) Nëna e Orgonit.

3) Vëllai i Elmirës.

4) Shërbëtorja e Marianës.

5) Djali i Orgonit dhe Elmirës.

6) Vajza e ------- // -----------.

7) I dashuri i Marianës.

8) Bashkëshortja e Orgonit.

Comments