PLUS +‎ > ‎Arsimi i Larte‎ > ‎

Korniza Shqiptare e Kualifikimit (KSHK)

Javën e kaluar, parlamenti shqiptar miratoi Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), që përbën një ndër hapat më të nevojshëm dhe përcaktues për arsimin në të ardhmen. Media e anashkaloi këtë moment. Sigurisht, sepse argumenti nuk është populist dhe nuk mund të kuptohet brenda një minute. Ama miratimi i kësaj Kornize ligjëron përcaktimin e strukturës, qëllimit, objektivave dhe funksioneve të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, si edhe menaxhimin e saj, duke u bazuar në bashkëpunimin midis institucioneve përkatëse dhe aktorëve të interesuar për zhvillimin, ofrimin dhe përdorimin e kualifikimeve.

KSHK është një sistem kombëtar për të vendosur kualifikime të cilat përmbushin standarde të caktuara cilësie në një nga nivelet hierarkike. Ajo përbëhet nga një strukturë me 8 nivele, që i korrespondojnë Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, e cila nga ana e saj synon të përfshijë të gjithë kualifikimet e përdoruara dhe marra në Shqipëri. Thelbi i KSHK-së qëndron pra tek  paketa me 8 nivele reference, të cilat do të shërbejnë si një pikë e përbashkët neutrale referimi për autoritetet e arsimit dhe formimit në nivel sektorial dhe kombëtar. Tetë nivelet mbulojnë të gjithë gamën e kualifikimeve nga aftësi bazë (niveli 1) që arrihen në fund të arsimit të detyruar, deri tek ato të marra në nivelet më të larta akademike dhe  profesionale të arsimit dhe formimit.

Një kualifikim është specifikimi i standardeve në njohuri, aftësi dhe kompetenca më të gjera. Ai jepet kur një institucion kompetent vendos nëpërmjet një procesi vlerësimi me sigurim cilësie që një individ ka arritur standardin e specifikuar.

Kur korniza të fillojë të vihet  në zbatim, do të përballemi me domosdoshmërinë dhe surprizën për të kuptuar kualifikimin e vërtetë që kemi, bazuar në nivelet e kornizës së sapo-miratuar. Dhe kualifikimi është specifikimi i standardeve në njohuri, aftësi dhe kompetenca më të gjera. Standardet do të ekzistojnë në  tre lloje kryesore të kualifikimeve në KSHK : 1) Kualifikimet e Përgjithshme, që kanë të bëjnë me studimet jo-profesionale  dhe që u jepen nxënësve në shkollë të mesme, ose të rriturve që ndjekin studime të të njëjtit lloj dhe nivel me ato që kryen në shkolla. Mundësisht ato do t’i përkasin niveleve 1-4 të kornizës. 2) Kualifikimet e larta, që ofrohen ose janë në ndërthurje me institucionet e arsimit të lartë. Këto mund të jenë të përgjithshme ose profesionale në përmbajtje dhe qëllim. Në legjislacioni aktual, ato përcaktohen nga si nivelet e diplomës, diplomës master dhe doktoraturës, por do të duhet të zgjerohen që të përfshijnë të gjitha nivelet e përcaktuara nga procesi i Bolonjës – d.m.th. nivelet 5-8 të kornizës. 3) Kualifikimet Profesionale,  të ofruara në arsimin profesional dhe teknik nga institucionet përkatëse  (kualifikimet e përgatitjes profesionale) ose në vendin e punës (kualifikimet e kompetencave profesionale). Këto do të zënë vend në nivelet 2-7 të kornizës.

Baza e KSHK-së përbëhet nga ky grup prej 8 nivelesh që veprojnë si një pikë referimi e përbashkët dhe asnjanëse për autoritetet e arsimit dhe formimit në nivel kombëtar dhe sektorial. Nivelet pra mbulojnë të gjithë gamën e kualifikimeve nga ato që mbulojnë aftësi që janë vetëm bazë (niveli 1) siç janë aftësia për të shkruar, folur dhe numëruar; dhe ato që jepen në nivelet e larta akademike dhe profesionale (nivelet 7-8).

Korniza sigurisht që nuk u miratua pa arsye dhe as nuk u hartua brenda ditës. Projektet ndërkombëtare dhe ekspertiza e huaj kanë vite që kontribuojnë në hartimin e saj. Korniza Europiane është miratuar që në Tetor 2007. Miratimi i Kornizës Shqiptare si reflektim i saj do të mundësojë pikësëpari zhvillimin, miratimin dhe ruajtjen e standardeve dhe kualifikimeve. Ajo do të përfshijë gjithashtu akreditimin e institucioneve dhe organizatave që ofrojnë programe që të çojnë në kualifikimet e KSHK dhe vlerësojnë kandidatët. Lajm i mirë që sjell me vete kjo kornizë qëndron edhe tek sigurimi i cilësisë, i vlerësimit të kandidatëve apo edhe i certifikimit të tyre.

Më tej, zhvillimi i kualifikimeve dhe standardeve, akreditimi i institucioneve, vlerësimi për kualifikimet dhe certifikimin e kualifikimeve në KSHK, do të kryhen të gjitha sipas parimeve të miratuara për të gjitha kualifikimet e KSHK.

Korniza pra është  një sistem kombëtar i cili shërben për rregullimin, koordinimin dhe  pozicionimin e kualifikimeve të një vendi në një strukturë me nivele. Këto nivele matin arritjet e një individi në një fushë dhe kanë parime të njëjta për të gjitha format e arsimit dhe formimit. Parimet e niveleve bëjnë të mundur krahasimin e arritjeve të nxënësve e studentëve,  pasi nisen nga baza të njëjta. Mundësia për këtë krahasim është mjaft e  rëndësishme,  sepse çdo formë e të mësuarit në jetë mund të transferohet nga një nivel në tjetrin për një profil të caktuar.

Korniza pra përfshin një sistem të mbledhjes dhe transferimit të krediteve. Përmes këtij sistemi kreditesh që përputhet me Sistemin Evropian të Krediteve nxënësit dhe studentët do të jenë në gjendje të mbledhin kredite që do ti mundësojnë kalimin nga një tip shkollimi në një tjetër, apo nga një vend në një tjetër. Korniza shërben si një sistem që kontrollon cilësinë e shkollave, ose  më saktësisht, nëse këto shkolla do të jenë në gjendje të ndihmojnë nxënësit, studentët dhe kursantët të arrijnë standardet e përcaktuara.

Korniza synon kështu të jetë plotësisht në linjë me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë sistemit të arsimit në Shqipëri, të jetë i krahasueshëm më shumicën e sistemeve në Evropë, duke nënkuptuar madje edhe njohjen e diplomave shqiptare në vendet e BE-së

Pra më në fund, diçka u bë edhe në emër të cilësisë. Dhe hapi është kyç, pavarësisht se media do edhe ca kohë ta kuptojë këtë.



Marre nga :http://edliragjoni.wordpress.com/

Comments