LIGJE‎ > ‎

Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut

Dokument 1
Deklarata e Përgjithshme e të

Drejtave të Njeriut

(10 dhjetor 1948)



Hyrje


Pasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme
të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe
paqes në botë. 

Pasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve
barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe pasi krijimi i botës në
të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e varfëria
është shpallur si dëshira më e lartë e çdo njeriu.

Pasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike,
 në mënyrë që njeriu të mos jetë i detyruar që në pikën e fundit të bëjë
kryengritje kundër tiranisë dhe shtypjes. 

Pasi  është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis
kombeve.

Pasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre në
të drejtat themelore të njeriut, të dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe
barazinë midis burrave dhe grave dhe pasi vendosën që të nxisin përparimin
shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë. 

Pasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, të
sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të
lirive themelore.

Pasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për
realizimin e plotë të këtij detyrimi:

ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME shpall këtë DEKLARATË TË PËRGJITHSHME
TË TË DREJTAVE TË NJERIUT si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të
gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm
shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të
mësimit dhe edukimit, të ndihmojë në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive
dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohet
njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë
shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën
administrimin e tyre. 

Neni 1. 

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë
arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi. 

Neni 2. 

Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara me këtë Deklaratë pa
kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar,
mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose
tjetër. 

Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të
shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur,
qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjendet në çfarëdo kushtesh të
tjera të kufizimit të pavarësisë.

Neni 3. 

Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak. 

Neni 4. 

Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose bukjrob; skllavëria dhe tregtia e skllevërve
janë të ndaluara në të gjitha format. 

Neni 5. 

Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, çnjerëzor
ose poshtërues. 

Neni 6. 

Gjithkush ka të drejtë që t'i njihet kudo personaliteti juridik. 

Neni 7. 

Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të
mbrohen të  barabartë nga ligji.Të gjithë kanë të drejtën për t'u mbrojtur në mënyrë të barabartë kundër çdo dikriminimi që cenon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitjeje për një diskriminimi  të tillë.
 
Neni 8. 

Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente
kombëtare, për veprimet, me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga
kushtetuta ose ligjet. 

Neni 9. 

Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit. 

Neni 10. 

Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një
gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të
veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale. 

Neni 11. 

1. Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale, ka të drejtë të konsiderohet i
pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia në bazë të ligjit dhe në një proces
publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet. 
2. Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilat nuk
përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në
kohën kur janë kryer. Gjithashtu nuk mund të vendoset një dënim më i rëndë
nga ai që ka qenë zbatuar në kohën kur është kryer vepra penale. 

Neni 12. 

Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose
korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal.
Gjithkush ka të drejtë  të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla. 

Neni 13. 

1. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të
çdo shteti. 
2. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të
vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet. 

Neni 14. 

1. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë dhe gëzojë në vende të tjera strehim (azil) nga
ndjekjet. 
2. Këtë të drejtë personi nuk mund ta gëzojë, në rast se ndiqet për krime
jopolitike ose për vepra në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve
të Bashkuara. 

Neni 15. 

1. Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie. 
2. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij si dhe as nga e
drejta që të ndërrojë shtetësinë. 

Neni 16. 

1. Burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë të lidhin martesë dhe
formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi për sa i përket racës, shtetësisë ose
besimit. Ata kanë të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës,
gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi. 
2. Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të lirë të personave që
do të martohen. 
3. Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të
drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti. 

Neni 17. 

1. Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkësi me
të tjerët. 
2. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij. 

Neni 18. 

Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë
përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose
në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e
vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare. 

Neni 19. 

Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin
lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njohjes së
informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë. 

Neni 20. 

1. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor. 
2. Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në ndonjë bashkim. 

Neni 21. 

1. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet,
drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. 
2. Gjithkush ka njësoj  të drejtë të hyjë në shërbimet publike në vendin e vet. 
3. Vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror,  ky vullnet duhet të
shprehet në zgjedhje periodike dhe të lira të cilat duhet të jenë të
përgjithshme dhe votimi i barabartë, si dhe me votim të fshehtë ose sipas
procedurës përkatëse të votimit të lirë. 

Neni 22. 

Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të
drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për
zhvillimin e lirë të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit
ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti. 

Neni 23. 

1. Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht profesionin, të ketë kushte
të favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia. 
2. Gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të njëjtë të marrë
rrogë të njëjtë. 
3. Gjithkush që punon ka të drejtën për një shpërblim të drejtë dhe favorshëm,
në mënyrë që t'i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit
njerëzor dhe, në qoftë se do të jetë e nevojshme ky shpërblim të plotësohet
edhe me mjete të tjera të sigurimit shoqëror. 
4. Gjithkush ka të drejtë të formojë sindikatë apo të bëjë pjesë në të për
mbrojtjen e interesave të veta. 

Neni 24. 

Gjithkush ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, duke përfshirë kufizimin e
arsyeshëm të orarit të punës dhe pushimin e paguar periodik. 

Neni 25. 

1. Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili  do t'i përgjigjet
shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të
familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin
mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si edhe të drejtën për të qenë i
siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të
humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave të pavarura nga
vullneti i tij. 
2. Nënat dhe fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë të posaçme. Të gjithë
fëmijët, të lindur brenda ose jashtë martese, gëzojnë të njëjtat mbrojtje
sociale. 

Neni 26. 

1. Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në
shkollat fillore dhe të mesme. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik
dhe profesional duhet të zgjerohet e arsimi i lartë duhet  t'u mundësohet
të gjithëve në bazë të aftësisë. 
2. Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga
forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ai duhet të
nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të
racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për
ruajtjen e paqes. 
3. Të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimit për fëmijët e tyre e kanë në radhë
të parë prindërit. 

Neni 27. 

1. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të bashkësisë,
të gëzojë artet dhe të përfitojë nga përparimi shkencor dhe dobitë e tij. 
2. Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale, që rrjedhin
nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autor i të cilave është ai
vetë. 

Neni 28. 

Gjithkush ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin mund të
realizohen plotësisht të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë. 

Neni 29. 

1. Gjithkush ka detyrime vetëm ndaj asaj bashkësie në të cilën është i mundur
zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij. 
2. Në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të veta, gjithkush do t'u nënshtrohet
vetëm atyre kufizimeve të cilat janë parashikuar me ligj, vetëm me
qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe
lirive të të tjerëve e që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit, rendit publik
dhe mirëqenies së përgjithshme në shoqërinë demokratike. 
3. Këto të drejta dhe liri nuk mund të zbatohen në asnjë rast kundër
qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara. 

Neni 30. 

Asgjë në këtë Deklaratë nuk mund të interpretohet si e drejtë e një shteti, grupi apo
personi për të kryer çfarëdo veprimtarie ose për të bërë një akt drejtuar kundër çdo
të drejte ose lirie të shpallur në këtë Deklaratë.

Comments