Homelia


Home

 

2008 in PDF

Download di pdf per chi no ha il programma

 

SHN_PJETRI_E_PALI_APOSTUJ1.pdf

E diela 2 e Pashkes 

E Diela V e Kreshmeve

E diela IV e Kreshmeve

E Diela e III e Kreshmeve 

 

Shenjtërit Pjetër dhe Pal< xml="true" ns="urn:schemas-microsoft-com:office:office" prefix="o" namespace="">

 

Sot Kisha me gëzim kujton dy dëshmitarët e saj të mëdhenj, të cilët një dashuri e vetme i ka marrë dhe i ka bashkuar. I pari mban çelësat e Mbretërisë së qiejve, i dyti shpatën që është Fjala e fuqishme e Hyjit.

Në liturgjinë e Kishës ka disa shenjtër që përkujtohen, disa që festohen dhe disa që kanë të drejtën e së kremtes. Për nga e drejta Pjetri dhe Pali janë në majë të listës sonë. Jo dhe aq për t’i nderuar ata personalisht sa për të nderuar misionin e tyre. Si të gjithë ne, kreu i apostujve dhe apostulli i Popujve kanë qenë mëkatarë të falur: i pari ka tradhtuar Jezusin i dyti u mbante veshjet atyre që vrisnin Shtjefnin, edhe për ta lavdia që kanë patur ka qenë një dhuratë e Hyjit.

Gjithnjë kur festojmë shenjtërit ne nderojmë Zotin. Prova është që Kisha ka dashur të nderojë së bashku në të njëjtën të kremte dy figura kaq të ndryshme nga njëra – tjetra të dy apostujve të të njëjtit Zot. Shkëmbi, Guri i themelit, “ti je Pjetri dhe mbi këtë gur unë do të ngre Kishën time”, dhe shëtitësi i palodhshëm, apostulli i të huajve: “vaj për mua nëse nuk shpall ungjillin”: njëri qëndron, tjetri lëviz. Është ky shembulli, shenja e bollëkut të Shpirtit Shenjt që përhap dhurata të ndryshme dhe misione të ndryshme për gjallërinë e Kishës, Trup i Krishtit, siç na e përsërit shumë herë Pali.

Mund të themi se sot është festa jonë kombëtare, duke e kremtuar ne kujtojmë, shpallim me zë të lartë se ndihemi të veshur me të njëjtin mision: t’u mësojmë të gjitha kombeve. Na takon neve, të pagëzuarve të sotëm, të jemi Pjetër dhe Pal sipas thirrjes sonë vetjake. Ata nuk janë dy shtatore, dy piktura, por shembuj dhe modele jete që: kanë vënë para së gjithash shërbimin e Fjalës dhe Ungjillit.

Sot Kisha me gëzim kujton dymijë vjetorin e lindjes së njërit prej të dyve, Palit nga Tarsi. Në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve në Romë, aty ku nderohet varri i tij, Papa ka nisur një vit të shenjtë në nder të apostullit të Popujve.

Do të kemi shumë kohë për të përthelluar figurën e tij, gjatë një vitit të tërë do të kemi kohë për ta njohur më mirë këtë hebre krenar për rrënjët e veta, grek për sa i përket kulturës, romak për sa i përket nënshtetësisë, për sa i përket misionit udhëtar i palodhur, ai mishëron si askush tjetër përbotshmërinë e krishtërimit, gjithnjë dinamik dhe gjithnjë aktual. Le ta fillojmë ne konkretisht me leximin e sotëm nga “letra e dytë e Palit apostull drejtuar Timoteut”.

Me letrën e parë drejtuar Timoteut dhe letrën drejtuar Titit, kjo klasifikohet në “Letrat baritore”: përmbajnë porositë drejtuar dy dishepujve të tij se si të drejtojnë Kishat e tyre, bashkësitë e tyre të krishtera, të reja, pa përvojë, me origjinë pagane që shpesh nuk dinin si të vinin në jetë mesazhin ungjillor dhe shpesh dilnin nga rruga. Neve sot na tregojnë përvojën e Palit dhe mësimin  e tij.

Sipas asaj çka thotë letra, Pali është në Romë i burgosur dhe i vetëm, i braktisur nga miqtë dhe nga bashkësia. Sot kemi lexuar kapitullin e fundit që mund ta quajmë testamenti shpirtëror i Palit. Ai ndjen se pas pak do vdesë dhe e paraqet vdekjen e tij porsi një fli. Ai hedh sytë prapa dhe e rishikon jetën e vet, luftimet që i është dashur të bëjë, ripohon besnikërinë e vet së cilës i ka qëndruar për ti shpallur të gjitha kombeve lajmin e mirë të ungjillit, nuk i vjen keq për asgjë.

Në kujtimin e drejtësisë së paanshme të Zotit mund të lexohet situata në të cilën ai gjendet: i burgosur i pafajshëm. Edhe Krishti ishte dënuar më parë i pafajshëm dhe të tjerë, si Pali dhe pas Palit, jetojnë dhe do të jetojnë një padrejtësi të tillë. Ai nuk ndalet në ankime dhe nuk shpreh trishtim as mllef. Shpall besimin në mirësinë e Zotit për veten dhe për sa besojnë.

Pali flet edhe për vështirësitë e ungjillizimit: braktisja e disave, por kjo as e dekurajon as e mund atë. Vë theksin në praninë e Zotit që ka qenë gjithnjë përkrah tij, që do të jetë akoma përkrah tij dhe që do t’i lejojë të jetë me Të përgjithmonë, në mbretërinë e tij. Kjo është shpresa e tij.

Pasi ka mbërritur në fund të një jete gjatë së cilës nuk është kursyer kurrë dhe në të cilën është dhuruar plotësisht që të gjithë të mund të njohin Krishtin, ai pohon besimin e vet. Ky bëhet inkurajim për Timoteun dhe për të gjithë ata që nga ana e tyre do të marrin në dorë flakëzën për t’ia çuar ungjillin të gjitha kombeve.

Në fund të testamentit të tij Pali nuk e tërheq shikimin tonë mbi veten e tij, na fton, dhe fton atë të cilit i drejtohet, Timoteun, që të kthehet kah Jezusi për të cilin është lavdia përgjithmonë. Jeta e Palit nuk mbaron me një “fund” si nëpër filma, por çelet ndaj marrëdhënies me mikun e tij të lavdishëm që një ditë e thirri rrugës ndërsa shkonte në Damask: Pal, o Pal, përse më përndjek! Kush je, o Zot? Aty fillon gjithçka.

Gjatë gjithë vitit do të kemi rastin të përthellojmë figurën e misionarit, të të dërguarit tek popujt, ai që nga arti na paraqitet me shpatë, Fjala therëse e Hyjit. Tani mund të përfitojmë nga rasti e të lexojmë diçka nga ai e mbi të, gjatë pushimeve, mund të jetë rasti për t’i dhënë edhe shpirtit tonë e mendjes sonë pak ajër nga lartësitë.