Faqja kryesore‎ > ‎

STATUTI I UNIVERSITETIT TË TIRANËS

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS

UNIVERSITETI I TIRANËS


STATUTI

 

I UNIVERSITETIT TË TIRANËS

 

         MIRATUAR MË 16.12.2009

 

Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012

 

 

TIRANË 2009

                                              

 

 

Hyrje

 

Universiteti i Tiranës i krijuar në vitin 1957, është institucioni i parë gjithëpërfshirës  i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, i mbështetur në traditat dhe arritjet arsimore e shkencore më të përparuara të vendit dhe ato botërore. UT është vlerësuar dhe ka zënë një vend dinjitoz ndër institucionet arsimore e shkencore në vend.

 

Frut i veprimtarisë dhe niveleve të larta didaktike e shkencore të UT, është   një plejadë specialistësh, pedagogësh e shkencëtaresh të njohur e vlerësuar në Shqipëri dhe jashtë saj si dhe një brez i ri që ka kontribuar në zhvillimet demokratike të vendit e që është garanci për rritjen e niveleve të shkencës, kulturës, ekonomisë në proçesin e ndërtimit dhe konsolidimit të një shoqërie demokratike dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

 

Ky Statut, përmban norma që rregullojnë veprimtarinë e UT në përputhje me legjislacionin në fuqi e në garantim të autonomisë universitare dhe lirisë akademike, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

 

 


PJESA E PARË

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME DHE DREJTIMI

 

Kreu I

Objekti, Qëllimet dhe Parimet

e Organizimit  të Veprimtarisë

 

 

Neni 1

 

Universiteti i Tiranës, shkurt UT, është një institucion publik që synon arsimimin e lartë të studentëve vendës e të huaj, studimet dhe specializimet e mëtejshme,  kërkimet shkencore  dhe veprimtaritë mbështetëse  në fushat e shkencave shoqërore dhe natyrore.

                                                

Neni 2

 

UT është një institucion publik autonom me liri akademike, respekton detyrimet ligjore të përcaktuara shprehimisht në ligjin për arsimin e lartë si dhe ato që janë të detyrueshme përgjithësisht për institucionet publike.

 

Neni 3

 

UT ka për qëllim zhvillimin e arsimit, kulturës, shkencës dhe ekonomisë, në shërbim të lirisë e diversitetit të ideve, për ndërtimin dhe konsolidimin e shoqërisë demokratike dhe shtetit ligjor, për rritjen e mirëqënies e dinjitetit njerëzor, të realizuara me veprimtari të ligjshme e transparente.

 

Neni 4

 

UT përfshin në programet mësimore e studimore dhe garanton shprehjen e lirë të ideve shkencore, kulturore, politike, sindikale e fetare, duke mos lejuar hallka organizative e aktivitetete të partive politike e komuniteteve fetare, përveç atyre me karakter shkencor e përkujtimor.

 

Neni 5

 

Traditat më të mira morale, kulturore, historike, arsimore dhe  shkencore  të vendit, janë baza e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të ndërthurura me standartet dhe arritjet më të mira botërore përgjithesisht e ato europiane, në veçanti. 

 

Neni 6

 

Pedagogëve dhe punonjësve shkencore u garantohet autonomia dhe liria e mësimdhënies dhe kërkimit në harmoni e pa penguar realizimin e programeve e objektivave të miratuara në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat e këtij Statuti.

 

Mundësia e barabartë për kushtet materiale dhe financim të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, është kriteri themelor në veprimtarinë pedagogjike e kërkimore.

 

Mbështetja për diferencime individuale ose grupore, është përjashtim  që lejohet nga organi kompetent, në mënyrën e përcaktuar në ligj e në  Rregulloren e UT, për objektiva të një rëndësie të veçantë, për raste emergjente, për shkak të detyrimeve ndërkombetare  ose në mbështetje  të talenteve.

 

Neni 7

 

UT e zhvillon veprimtarinë e tij brenda sistemit universitar e të kërkimit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar në kuadër të detyrimeve me karakter integrues apo në realizim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

 

UT konsideron detyrë themelore të mësuarit, studimin dhe kërkimin shkencor në bashkëpunim me institucionet vendase dhe nëpërmjet shkëmbimit ndërkombëtar të pedagogëve e studentëve, në përmbushje të objektivave dhe programeve të tij.

 

UT anëtarësohet në organizma të përhershme si dhe aktivizohet në organizma dhe veprimtari të përkohshme të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në fushën përkatëse, brenda ose jashtë vendit.

 

Neni 8

 

UT u krijon studentëve kushtet për përvetësimin e dijeve, shprehjen e lirë të mendimit e të organizimit në respektim të kërkesave të bashkëjetesës, të ligjit dhe Rregullores së UT.

 

Veprimtaritë dhe aktivitetet në grup me karakter kulturor, shkencor e sportiv, realizohen në përputhje me Rregulloren e UT, duke respektuar kërkesat ligjore për veprimtari të tilla.

 

Neni 9

 

Përfundimi i çdo programi studimi, vërtetohet me diploma, dëshmi e çertifikata përkatëse në përputhje me llojin e nivelin e formimit sipas përcaktimeve  të ligjit dhe Rregullores së UT.

Përfundimi dhe vlerësimi i studimeve dhe kërkimeve shkencore bëhet nga organi përkatës sipas ligjit dhe Rregullores me dëshmi, tituj dhe grada shkencore, përmbajtja dhe formatet e të cilave miratohen nga Senati Akademik, në përputhje me udhëzimet e organit kompetent sipas ligjt.

 

 

Kreu II

 

Personaliteti  Juridik

 

Neni  10

 

Universiteti i Tiranës, është person juridik publik, i njohur me ligj i regjistruar si i tillë dhe me llogari bankare më vete. 

 

Veprimtaria e Universitetit bazohet në  Kushtetutë, në dispozitat ligjore të detyrueshme përgjithësisht për institucionet publike, në aktet ligjore për arsimin e lartë, aktet e dala në zbatim të tij, në këtë Statut, në Rregullore  dhe aktet që dalin në zbatim të tyre.

 

Njësitë kryesore, në kuadrin dhe brenda programit të tyre të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, kryejnë veprime juridike në kufijtë e fondeve të tyre buxhetore në emër dhe për llogari të UT mbi bazën e një autorizimi gjithëvjetor lëshuar nga Rektori. 

 

Neni  11

 

UT si person juridik merr pjesë në veprimtaritë publike e private dhe në qarkullimin civil, brenda ose jashtë vendit, në ushtrim të funksioneve dhe në realizim të qëllimeve të tij të ligjshme.

 

 

Neni 12

                                           

Pa penguar kompetencat  ligjore të  organeve shtetërore,  UT  me organizmat  e saj, kontrollon  efektivitetin dhe rregullsinë e përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit, të ardhurat nga veprimtarite e saj dhe donacionet në  tërësi.

 

Për shkeljet e dëmet eventuale si dhe personat përgjegjës, merren masat për rivendosjen e rregullit dhe parandalimin e shkeljeve në të ardhmen, kërkimin e dëmit dhe vënien para përgjegjësisë disiplinore e ligjore të shkaktarëve. 

 

                                          

Neni 13

 

Selia qendrore e Universitetit të Tiranës është në adresën: Rektorati i UT, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, ndërsa njësitë e tjera të universitetit kanë selitë e tyre, sikurse përcaktohen në rregulloret përkatëse.

 

Neni 14

Programimi i veprimtarisë

 

UT e zhvillon veprimtarinë e tij institucionale brenda sistemit universitar publik kombëtar dhe rajonal, me të cilët bashkëpunon dhe vetërregullon marrëdhëniet me qëllim përmbushjen e objektivave të tij.

 

UT në përputhje me misionin e tij të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor e  në respektim të lirisë së individit, harton programe dhe projekte specifike sipas nevojave të fushave të ndryshme. Konkuron me këto projekte në planin kombëtar dhe ndërkombëtar për financimin e kërkimit shkencor, teknologjik dhe kulturor.

 

Kreu III

 

Organizimi dhe Drejtimi

 

Neni 15

 

Veprimtaria e UT organizohet dhe realizohet me njësitë përbërëse dhe drejtohet e kontrollohet nga organet dhe autoritetet drejtuese që veprojnë me kompetenca të përcaktuara në ligj, në Statut e në Rregullore të cilat kanë mbështetjen e organizmave këshilluese.

 

Në raportet mes organeve, në bazë të ligjit u jepet përparësi:

Në aspektin horizontal, organeve drejtuese kolegjiale ndaj autoriteteve drejtuese.

Në aspektin vertikal, organeve dhe autoriteteve drejtuese të UT, ndaj organeve dhe autoriteve paralele të njësive përbërëse dhe organeve drejtuese të njësisë kryesore ndaj njësive përkatëse bazë dhe ndihmëse. 

 

Neni 16

 

Përparësitë e njërit organ ndaj tjetrit, qëndrojnë në rrethin e kompetencave dhe efektin detyrues të vendimeve e urdhërimeve në përputhje me ligjin, Statutin e Rregulloret dhe sipas kompetencës së secilit.

 

Përparësitë e njërit organ ndaj tjetrit nuk pasojnë cënimin apo spostimin e kompetencave të secilit.

 

Kontrolli, shfuqizimi ose ndryshimi i akteve e urdhërimeve ose ndalimi i veprimeve, mund të ushtrohet vetëm nga organi kompetent dhe në mënyrën e përcaktuar në ligj, Statut e Rregullore.

 

Neni 17

 

UT nëpërmjet organeve drejtuese, realizon marrëdhëniet me MASH dhe institucionet e tjera, duke respektuar autoritetin e saj si organ shtetëror. Zgjidhja e problemeve dhe mosmarrëveshjeve bëhet me mirëkuptim dhe në bazë të ligjit, në të kundërt, Rektori kërkon zgjidhjen e tyre  në gjykatë.

 

 

Kreu IV

Organet Drejtuese

 

 Senati Akademik

 

Neni 18

Senati akademik dhe përbërja e tij

1.     Senati akademik është organ i lartë drejtues i UT. Ai përbëhet nga anëtarë, personel akademik, personel joakademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institucionit.

2.     Anëtarët e Senatit që përfaqësojnë personelin mësimor shkencor duhet të gëzojnë së paku gradën shkencore “Doktor”. Anëtarët e Senatit Akademik përfaqësues të administratës dhe ata studentë zgjidhen përkatësisht, nga administrata dhe studentët, sipas një procedure të përcaktuar në Rregulloren e Zgjedhjeve.

3.      Senati përbëhet nga 41 anëtarë si më poshtë:

- Rektori i Universitetit, i cili është dhe Kryetari i Senatit;

- 4 përfaqësues të personelit mësimor shkencor të secilit fakultet të UT,

- 2 përfaqësues të stafit jo akademik të institucionit,

- 6 përfaqësues të studentëve,

Me propozim të Rektorit, Senati Akademik zgjedh nga anëtarët e tij Nënkryetarin.

 4.  Mandati i Senatit është 4 vjeçar. Mandati i anëtarit të Senatit Akademik merr fund:

         - me mbarimin e afatit;

         - me dorëheqje;

         - kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore apo të punës me UT;

          - kur mungon pa arsye në 6 seanca radhazi mbledhjesh të tij.

Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për Senatin Akademik. Kur nuk ka të tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të Senatit Akademik.

 

 

Neni 19

 

Veç sa është parashikuar në ligj, Senati Akademik ka edhe këto kompetenca:

 

1.    I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen, riorganizimin, mbylljen e programeve të studimit, apo pjesë të tyre kur cënojnë objektivat bazë[1]

2.   I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës kriteret dhe kuotat e pranimeve në UT si dhe tarifat e regjistrimit dhe të shkollimit[2], sipas propozimeve të këshillave të njësive kryesore.

3.  Përcakton kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve për studentët e ciklit të parë, sipas propozimeve të këshillave të fakulteteve dhe ia paraqet ato për miratim MASH-it.

4.     Miraton projektet e marrëveshjeve apo kontratave te bashkëpunimit me të tretë, te cilat i nënshkruan Rektori në emër dhe për llogari të Universitetit.

5.     Me ankim, me kërkesë apo kryesisht, shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të këshillit të fakultetit. Kur konstaton se ato vijnë ndesh me ligjin për arsimin e lartë dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, ia kthen për shqyrtim edhe njëherë këshillit të fakultetit me sugjerimet përkatëse. Nëse këshilli i fakultetit përsëri merr vendim në kundërshtim me aktet normative në fuqi, Senati Akademik vendos ndryshimin ose shfuqizimin e tij.

6.     Miraton hapjen e filialeve, krijimin e qendrave apo kurseve të posaçme, si dhe projekteve të tjera të shërbimit, bazuar në propozimin e këshillit të fakultetit përkatës.

7.     Zgjidh mosmarrëveshjet mes dekanit dhe këshillit të fakultetit përkatës.

8.     Miraton rastet e trajtimit të posaçëm të pedagogëve, studiuesve dhe studentëve me aftësi e rezultate veçanërisht të larta e të rëndësishme.

9.      Përzgjedh anëtarët e Këshillit të Etikës.

10.  Me propozim të Rektorit ngre komisione të përhershme të tij, për të ndjekur drejtimet më të rëndësishme të veprimtarisë së institucionit[3].

11.   I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen, riorganizimin apo mbylljen e njësive të reja kryesore[4].

12.   Shqyrton dhe vlerëson kërkesat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për hapjen e   programeve të reja të studimit në fusha prioritare[5].

13.  Me propozim të këshillit të fakultetit, miraton përshtatjen e programeve/profileve të studimeve të miratuara, që nuk cënojnë objektivat bazë të tyre[6].

 

Neni 20

 

Në ushtrim të kompetencave, Senati akademik shpreh vullnetin e tij me vendime të cilat kanë fuqi të drejtpërdrejtë si dhe me dhënie mendimi kolegjial.

 

Këshilli i Administrimit

Neni 21

 

KADM-i është organ kolegjial vendimmarrës që mbikqyr dhe kontrollon, veprimtaritë e UT në aspektet administrative, financiare dhe ekonomike si dhe në ushtrimin e mbrojtjen e të drejtave të pronësisë publike të UT.

 

Neni 22

 

Përveç kritereve të përcaktuara posaçërisht në ligj, anëtarët e zgjedhur e të emëruar nuk duhet të kenë pengesa ligjore për të punuar në administratën shtetërore  dhe  konflikt interesi me funksionin e anëtarit të KADM-it.

 

Për funksionimin dhe shpërblimin e anëtarëve të tij, parashikohet zë i veçantë në buxhetin e UT.

 

 Tarifat për pjesëmarrje në mbledhje të anëtarëve të KADM-it përcaktohen me akt të veçantë.

 

Shpenzimet realizohen nga Kancelari me urdhër të Kryetarit të KADM-it.

 

 KADM-i informon Senatin Akademik dhe Rektorin për situatën financiare dhe projektet përkatëse për të gjithë Universitetin.                                     

                                           

Neni 23

KADM-i  i UT përbëhet gjithsej nga 17 anëtarë, respektivisht nga një anëtar për çdo njësi kryesore, një anëtar student dhe tetë anëtarë të caktuar nga Ministri i Arsimit dhe i Shkencës.

 

Anëtarët e KADM-it që përfaqësojnë personelin mësimor shkencor duhet të gëzojnë së paku gradën shkencore “Doktor”.

 

Anëtari student, zgjidhet nga Këshilli i Studentëve të institucionit.

Mandati i KADM-it është 4 vjeçar. Mandati i anëtarit të tij të zgjedhur,  merr fund:

       - me mbarimin e afatit;

       - me dorëheqje;

       - kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore  apo të punës me UT;

       - kur mungon pa arsye në 6 seanca radhazi mbledhjesh të KADM.

Përveç  rasteve të përgjithshme sipas ligjit e këtij Statuti, mandati i anëtarit të zgjedhur, mbaron me rivotim të kërkuar nga KADM-i, kur në ushtrimin e funksionit të anëtarit, shkel rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat e brendshme të këshillit ose pa shkak e në mënyrë të përsëritur nuk ka realizuar detyrat e ngarkuara nga KADM-i.

 

Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për anëtar të KADM-it. Kur nuk ka tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të tij.

Anëtarët e KADM-it të emëruar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, shkarkohen prej tij.

 

 

Neni 24

Kancelari i Universitetit përgatit propozimet për në KADM, dhe realizon aspektet  administrative  të veprimtarisë së tij.

 

Vendimet e KADM-it janë të vlefshme kur nënshkruhen nga Kryetari i tij.

 

Mënyra e thirrjes së mbledhjeve të KADM-it, e përcaktimit të rendit të ditës, pjesëmarrja, shumica për marrjen e vendimeve dhe çështjet e tjera, parashikohen në rregulloren e Universitetit dhe në rregulloren e brendshme të tij.

Kreu V

 

Autoritetet Drejtuese

 

Rektori

 Neni 25

 

Rektori, është autoriteti më i lartë drejtues, ekzekutiv e urdhërdhënës i UT-së, i cili veç sa është përcaktuar në ligj ka edhe këto detyra e kompetenca:

 

1.     Siguron zbatimin e vendimeve, masave dhe kërkesave të Senatit Akademik dhe KADM-it.

2.     Kur i kërkohet ose me inisiativën e tij, merr pjesë pa të drejtë vote  në mbledhjet e organeve dhe njësive përbërëse  të UT-së në të cilat nuk bën pjesë ligjërisht ose sipas këtij statuti.

3.     Kryeson mbledhjet e Senatit Akademik dhe përfaqëson Universitetin e Tiranës në marrëdhënie me organet e institucionet shtetërore  dhe  të tretët.

4.     Paraqet propozimet për aktet që janë në kompetencë te Senatit Akademik dhe KADM-it.

5.     I kërkon informacion KADM-it për çështje të kompetencës së  tij.

6.     Shfuqizon, kryesisht apo me kërkesë të të interesuarit, aktet e dekanit kur bien ndesh me legjislacionin në fuqi, këtë Statut dhe Rregullore.

7.     I paraqet për miratim KADM-it propozimin e Rektoratit për strukturën e përgjithshme dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet[7].

8.     Nënshkruan kontratat e punës për të gjithë personelin në UT.

9.     Nënshkruan kontratat kolektive të punës me organizatat sindikale.

10.  Nënshkruan diplomat e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë, pa të drejtë për ta deleguar nënshkrimin.

11.  Zgjidh çështjet e kompetencës mes organeve dhe drejtuesve të njësive, përveç atyre mes Senatit Akademik dhe KADM-it.

12.  Zgjidh mosmarrëveshjet midis dy dekanëve dhe midis dekanit dhe përgjegjësit të departamentit.

13.  Organizon ose ushtron kontrolle në fakultete, për cilësinë e mësimdhënies, administrimin e buxhetit, kërkimin shkencor, si dhe çdo çështje tjetër që kanë në kompetencë këto të fundit.

14.  Ngre komisione e grupe pune për çështje, studime dhe veprimtari të veçanta.

15.  Është autoriteti i vetëm kontraktues për UT, me përjashtim të rasteve kur me rregulloret përkatëse kjo kompetencë u është lënë dekanëve të fakulteteve apo kancelarit me autorizim.

16.  Marrëdhëniet e Rektorit me organet e tjera, mënyra dhe kushtet e ushtrimit të kompetencave të tij parashikohen në rregulloren e UT.

17.   Përcakton fushën e veprimit te zëvendësrektorëve dhe bën ndryshimin e tyre kur e gjen të nevojshme për nevoja të institucionit në rastet dhe mënyrën e parashikuar në Rregullore.

18.  Miraton listat e studentëve të regjistruar në të gjitha ciklet e studimeve, përveç ciklit të parë me kohë të plotë, dhe transferimet e tyre në të gjitha ciklet e studimit[8].

 

                                               Zëvendësrektori

Neni 26

 

Zëvendësrektori kryen detyra të përcaktuara nga  Rektori  dhe në mungesë, me porosi  e  në emër të tij, kryen  veprimet dhe nënshkruan aktet  përkatëse përveç aspekteve për të cilat sipas ligjit për arsimin e lartë dhe këtij statuti janë ekskluzivitet i Rektorit. 

 

Marrëdhëniet e zëvendësrektorit me organet e tjera në Rektorat dhe në të gjithë Universitetin, përcaktohen në rregulloren e UT-së.

 

Kancelari

Neni 27

 

Përzgjedhja dhe procedura për emërimin e Kancelarit, bëhet sipas përcaktimeve të ligjit për arsimin e lartë dhe aktit të veçantë  të Këshillit të Ministrave.

 

Kriteret që duhet të plotësojë kandidatura për Kancelar janë:

- të ketë kryer arsimin e lartë juridik apo ekonomik,

- të ketë së paku 5 vite eksperiencë pune,[9]

- të paraqesë një platformë për administrimin ekonomiko-financiar të Universitetit.

 

Të drejtat dhe detyrat e kancelarit, marrëdhëniet e tij me organet e tjera në Rektorat dhe brenda institucionit, si edhe detyrat që mund t’i delegohen, përcaktohen në rregulloren e UT-së dhe me akt të Këshillit të Ministrave.

 

KREU VI

Organe të tjera

 

Këshilli i Etikës

Neni 28

 

Është organ drejtues në UT dhe në rastet e parashikuara në Rregullore edhe në njësitë përbërëse të tij.

 

Këshilli ka të drejtë të  kërkojë dhe të marrë me inisiativë  informacione nga personeli akademik, ndihmës mësimor - shkencor dhe administrativ dhe njësitë përbërëse të UT, përveç Senatit Akademik, Rektorit dhe KADM-it si dhe hallkave paralelele dhe këshillat e studentëve lidhur me respektimin e kërkesave të moralit dhe të etikës në realizim të funksioneve e detyrave të secilit.

 

Për rastet dhe mënyrën e verifikimeve në organe drejtuese të UT dhe bashkëpunimit me  individë, organe dhe institucione jashtë tij, Këshilli i Etikës duhet të marrë pëlqimin e Senatit Akademik e në pamundësi, të  Rektorit i cili  kërkon miratimin për këtë në mbledhjen më të parë, në të kundërt, konstatimet janë të pavlefshme.

 

Këshilli i Etikës ia paraqet konstatimet e tij Rektorit me rekomandimet përkatëse.

 

Kur konstatimet lidhen me personelin akademik e kur është marrë pëlqim për verifikim, Rektori vë në dijeni Senatin Akademik.

 

Neni 29

 

Anëtarët e Këshillit të Etikës emërohen nga Senati Akademik prej personelit akademik, sipas propozimeve të Rektorit. Këshilli i Etikës përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët çdo gjini duhet të ketë të paktën nga 3 anëtarë. 8 anëtarë janë personel akademik në UT dhe 1 anëtar nga Rektorati. Secila njësi kryesore i propozon Rektorit nëpërmjet këshillit të fakultetit kandidaturën përkatëse[10].

 

Këshilli i Etikës zgjedh kryetarin e tij dhe i propozon Senatit Akademik për miratim Kodin e Etikës të UT.

 

Mënyra e shqyrtimit të ankesave, vendimet, sanksionet përkatëse dhe ekzekutimi i këtyre vendimeve, parashikohen në rregulloren e tij.

 

Neni 29/1  

Komisionet e Senatit Akademik[11]

Komisionet e Senatit Akademik janë organe kolegjiale të cilat shqyrtojnë paraprakisht dhe i japin atij mendime dhe bëjnë propozime për çështje që lidhen me fushat që ato mbulojnë.

 

Komisionet përbëhen nga anëtarë të Senatit Akademik ku përfshihen anëtarë nga personeli akademik, joakademik dhe studentë. Përbërja e tyre miratohet nga Senati me propozim të Rektorit.

 

Komisionet e Senatit Akademik të UT-së janë:

1.     Komisioni i Kurrikulave

2.     Komisioni i Kërkimit Shkencor dhe Projekteve

3.     Komisioni Juridik

4.     Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë

5.     Komisioni i Ekonomisë

 

Neni 29/2

Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë[12]

 

Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë është organ kolegjial. Ai përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të personelit akademik nga njësitë kryesore, një përfaqësues nga personeli akademik i filialeve, një përfaqësues i Këshillit Studentor të UT dhe një ekspert i jashtëm. Anëtarët e njësisë nga UT miratohen nga Senati Akademik me propozim të Rektorit.

 

Kompetencat e Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë janë:

1.     Të vlerësojë në mënyrë periodike efikasitetin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore në njësitë kryesore të UT në përputhje me standartet;

2.     Të vlerësojë në mënyrë periodike efikasitetin e veprimtarive administrative dhe financiare;

3.     Pas çdo vlerësimi të raportojë para Senatit Akademik rezultatet dhe propozimet përkatëse.

 

Njësitë përbërëse të UT, janë të detyruara të vënë në dispozicion të Njësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e funksioneve të saj.

 

Bordi i miqve të UT-së

Neni 30

Bordi i miqve të UT krijohet me personalitete që kanë mbaruar UT dhe personalitete të tjera që duan të kontribuojnë dhe të mbështesin zhvillimin e Universitetit.

 

 

PJESA E DYTË

ORGANIZIMI I BRENDSHËM

 

Njësitë Përbërëse

Kreu I

 

Njësitë Kryesore

Neni 31

 

UT ka këto këto njësi kryesore arsimore: 

 

Fakulteti i Drejtësisë

Fakulteti i Ekonomisë

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë

Fakulteti i Mjekësisë

Fakulteti i Shkencave Natyrore

Fakulteti i Shkencave Sociale

Fakulteti i Infermierisë

Instituti i Studimeve Evropiane

 

Në përbërje të njësive kryesore ka njësi bazë dhe njësi[13] të tjera sipas këtij Statuti dhe Rregullores në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore.

 

Shpërndarja ose krijimi i njësive të reja kryesore mund të bëhet vetëm me vendim të organit shtetëror kompetent sipas ligjit dhe këtij Statuti në rastet e ndryshimeve të mundshme.

 

Njësi të tjera

Neni 32

 

Përveç njësive bazë në përbërje të njësive kryesore, jashtë tyre dhe në varësi të Rektoratit janë Departamenti i Kulturës Fizike dhe Sporteve Universitare dhe Filialet.

 

Secila nga këto njësi ka strukturën e saj dhe autonomi normuese, vetëveprimi dhe financiare sipas përcaktimeve në këtë Statut dhe në rregulloren e UT-së.

 

Rektorati

Neni 33

 

Është organ kolegjial ekzekutiv i përbërë nga Rektori, Zv/Rektorët, dekanët e fakulteteve dhe Kancelari i UT.

 

Rektorati, përveç misionit, të drejtave dhe detyrave të përcaktuara nga ligji, ka edhe këto kompetenca:

 

1.     Ofron infrastrukturën dhe shërbimin administrativ për mbarëvajtjen e funksionimit të organeve dhe autoriteteve drejtuese të Universitetit.

2.     Ushtron në njësitë e UT-së kontrolle tematike ose për aspekte konkrete, të njoftuara paraprakisht ose jo, për përmbushjen e detyrave dhe qëllimeve të tyre, si dhe për zbatimin e akteve ligjore e nënligjore, të Statutit, Rregullores dhe akteve të organeve dhe autoriteteve drejtuese të Universitetit.

3.     Ka të drejtë të  lëshojë urdhra dhe udhëzime për të gjitha strukturat përbërëse të UT-së.

4.     Jep rekomandime dhe opinione për strukturat drejtuese të UT-së për probleme të cilat ai i vlerëson apo i kërkohet, në ushtrimin e funksioneve të këtyre strukturave.

5.     Jep opinionin e tij kur kjo kërkohet nga Rektori, për çështje që lidhen me konflikte midis strukturave të UT-së sipas kompetencave që ligji i njeh Rektorit.

 

Në varësi të strukturës dhe organikës së Rektoratit, miratohet rregullorja e Rektoratit, në të cilën përfshihen përshkrimet e punës të secilit punonjës, me përjashtim të atyre punonjësve që i kanë të përcaktuara ato në akte të tjera.

 

Veç sa parashikohet nga ligji dhe në këtë Statut, organizimi dhe funksionimi i Rektoratit kryhet në realizim të detyrave dhe objektivave që i njeh ligji për arsimin e lartë, në mënyrën që përcaktohet në Rregulloren e punës e cila propozohet nga Rektorati dhe miratohet nga Senati Akademik.

 

Neni 34

Funksionimi i Rektoratit

 

Rektorati si organ kolegjial funksionon me mbledhje. Vendimet merren në mbledhje të organizuara rregullisht me tematikë të paracaktuar e të njoftuar të paktën dy ditë para mbledhjes. Në raste urgjente, tematika komunikohet në fillim të mbledhjes.

 

Mbledhja e Rektoratit kryesohet nga Rektori dhe është e vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se tetë anëtarë të tij. Në mungesë të Rektorit dhe autorizim të posaçëm të tij, mbledhjen mund ta drejtojë njëri nga Zv/Rektorët e UT-së.

 

Fakulteti/Instituti[14]

Neni 35

 

Njësitë kryesore me emërtimet përkatëse të UT përcaktohen në rregulloren e UT-së, që miratohet në zbatim të këtij statuti. Fusha specifike e secilës njësi përcaktohet në rregulloren e fakultetit.

 

Organet dhe autoritetet drejtuese në njësinë kryesore janë: këshilli i fakultetit/institutit, dekani/drejtori, përgjegjësi i departamentit/shërbimit/ titullari i njësisë bazë në Fakultetin e Mjekësisë, zëvendësdekani dhe kancelari[15].

 

Këshilli i fakultetit

Neni 36

 

Është organ kolegjial vendimmarrës i fakultetit, i cili veç sa parashikohet në ligj, ushtron edhe këto kompetenca.

 

1.     Miraton rregulloren e fakultetit.

2.     I propozon Rektoratit për miratim, strukturën dhe numrin e punonjësve në fakultet.

3.     Miraton numrin e studentëve që do të punësohen gjatë kohës së studimeve në fakultet me pozicionet përkatëse, së bashku me pagesat e tyre.

4.     Miraton në parim marrëveshjet e fakultetit me të tretët, të cilat nënshkruhen nga Dekani me autorizim të Rektorit.

5.     Shpall projektet fituese, për t’u financuar nga fondet për kërkim shkencor nga buxheti i fakultetit, si dhe bursat për studime apo kërkime shkencore që administrohen nga vetë fakulteti.

6.     Miraton listën e periodikëve shkencorë ku do të pajtohet fakulteti si dhe titujt e librave që do të blihen për bibliotekën e fakultetit.

7.     Miraton mënyrën e përdorimit të dhurimeve që janë kryer në favor të një departamenti, duke marrë parasysh propozimin e departamentit përfitues.

8.     Me vlerësimin e vet, vendos për kooptimin në përbërje të tij, pa të drejtë vote, të personaliteteve të shquara të nevojshëm për funksionimin efiçent të tij, por jo më shumë se 10% të numrit të përgjithshëm të tij.

9.     Merr në analizë aktivitetin e fakultetit dhe autoriteteve të tij, Dekan, Zv/Dekan, Kancelar.

10.  Ushtron edhe kompetenca të tjera që përcaktohen në rregulloren e Universitetit apo të Fakultetit, bazuar në specifikën e secilit Fakultet.

 

Këshilli i fakultetit në ushtrimin e kompetencave të tij, shprehet me vendime.

 

Dekani

Neni 37

 

Është autoriteti drejtues, ekzekutiv e urdhërdhënës i fakultetit, i cili veç sa parashikohet në ligj ka këto kompetenca:

 

1.     Për çdo vendimmarrje të këshillit të fakultetit përgatit propozimin përkatës.

2.     Paraqet raportin vjetor ose raportime me kërkesë të organeve të fakultetit apo inisiativë të tij për çështjet që çmon, përpara Këshillit të Fakultetit për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në fakultet.

3.     Paraqet në Këshillin e Fakultetit me inisiativë të tij, ose me kërkesë të organeve të fakultetit (njësive bazë) propozimet për hapjen, mbylljen, reformimin e kurrikulave të departamenteve apo të njësive të veçanta në fakultet.

4.     I propozon këshillit të fakultetit hapjen e filialeve, qendrave, kurseve, ofrimin e shërbimeve të ndryshme për të tretë, pjesëmarrjen në projekte brenda apo jashtë vendit si dhe çdo çështje në lidhje me sa më sipër.

5.     Ushtron kontrolle për cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor, të zbatimit të kontratave të punës, si dhe të çdo detyrimi tjetër të marrë përsipër nga departamente apo personeli i fakultetit.

6.     Për shkelje të disiplinës në punë që konstaton, merr masat disiplinore sipas përcaktimeve të bëra në këtë statut.

7.     Vendos përjashtimin nga fakulteti apo programet akademike të studentëve të çdo cikli në rastet dhe mënyrën e parashikuar në rregullore.

8.     Lidh marrëveshje me njësi të tjera kryesore të vendit dhe të huaja që synojnë bashkëpunim reciprok, shkëmbime pedagogësh dhe studentësh, organizime të përbashkëta në nivel universitar dhe kualifikimi të mëtejshëm, pasi ka marrë miratim paraprak nga Rektori.

 

Dekani në ushtrim të kompetencave të tij shprehet me vendime, urdhëra dhe udhëzime.

 

Zëvendësdekani

Neni 38

 

Zëvendësdekani emërohet sikurse përcaktohet në ligj dhe plotëson kushtin që të jetë lektor i një lënde dhe në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar në atë fakultet.

 

Zëvendësdekani gëzon pozitën juridike, sipas përcaktimeve në nenin 34, të Kodit të Procedurave Administrative. Kompetenca dhe fusha e veprimit të secilit zëvendësdekan aty ku janë emëruar më shumë se një, përcaktohet me urdhër të dekanit.

 

Kancelari

Neni 39

 

Kancelari i fakultetit duhet të plotësojë këto kritere:

 

1.     Të ketë kryer arsimin e lartë juridik apo ekonomik.

2.     Të ketë të paktën 5 vite eksperiencë pune[16].

3.     Të paraqesë një platformë për administrimin ekonomik dhe financiar të fakultetit para këshillit të fakultetit.

 

Procedura e zgjedhjes për kancelar fakulteti fillon dhe përfundon me njoftim publik.

 

Kompetencat dhe detyrat e kancelarit janë të njëjta me ato të kancelarit të UT me përjashtim të atyre që janë ekskluzive ose që nuk i përshtaten nivelit të fakultetit, si dhe ato që përcaktohen në Rregullore.

 

Neni 40

Mbrojtësi i studentëve

 

Mbrojtësi i studentëve caktohet një prej pedagogëve të fakultetit, i cili zgjidhet nga këshilli i studentëve të fakultetit dhe miratohet nga dekani.

 

 Mbrojtësi i studentëve ka mandat 4-vjeçar dhe ka për mision përçimin e çdo problemi të studentëve tek dekani, këshilli i fakultetit apo kancelari, sipas kompetencës së tyre.

 

Nëse organi përkatës në fakultet nuk shprehet për këto probleme, mbrojtësi i studentëve i drejtohet Rektorit të Universitetit. Çdo student si verbalisht apo me shkrim, i identifikuar apo në mënyrë anonime, ka të drejtë të vërë në lëvizje mbrojtësin e studentëve, i cili detyrohet që të evidentojë në një regjistër, çdo shqetësim dhe zgjidhjen përkatëse që i është dhënë. 

 

Në rast se Këshilli i Studentëve të Fakultetit, konstaton se mbrojtësi i studentëve nuk zbaton si duhet detyrën e tij, i propozon Dekanit zëvendësimin e tij.

Veç kësaj dispozite, janë të aplikueshme të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë veprimtaritë e orientimit dhe të kujdestarisë.

 

Këshilli i profesorëve

 

Neni 41

Përbërja dhe funksionimi

Për organizimin dhe drejtimin e studimeve të doktoratës dhe të kualifikimit shkencor e pedagogjik pas doktoratës, në njësitë kryesore të UT-së ngrihet Këshilli i Profesorëve. Në të bëjnë pjesë të gjithë profesorët me kohë të plotë të fakultetit.

 

Numri minimal i anëtarëve të KP-së është 7 (shtatë) vetë, nga të cilët, së paku pesë janë ”Profesorë”.  Një ose dy anëtarë të KP-së janë ”Prof. Asoc.” të punësuar me kohë të plotë, në fakultetin në fjalë ose fakultete të tjera të universitetit, që janë në prag të promovimit për titullin ”Profesor”.

 

Në rast se numri i profesorëve të fakultetit është më i vogël se pesë, për të arritur këtë numër në KP mund të thirren deri dy profesorë, të ftuar nga fakultetet e tjera, brenda universitetit ose nga universitete të tjera brenda ose jashtë vendit.

                            

Drejtimi i KP-së bëhet me rotacion për një vit akademik. Drejtuesi i KP zgjidhet nga të gjithë anëtarët e KP-së duke siguruar 50%+1 të votave.

 

Funksionimi i KP bëhet sipas rregullores së miratuar prej tij[17].

         

                                                    Neni 42

Kompetencat e Këshillit të Profesorëve

 

     Kompetencat e KP janë:

1.     Jep mendim për kërkesën e kandidatëve që kanë aplikuar për të mbrojtur doktoraturën.

2.      Miraton propozimin e departamenteve për hapjen, mbylljen apo riorganizimin e programeve të studimit të doktoratës.

3.     Vëzhgon dhe këshillon veprimtarinë e departamenteve përkatës në procesin e organizimit dhe drejtimit të programeve të studimit të doktoratës.

4.     Bazuar edhe në vlerësimin e departamenteve përkatës miraton ose jo autoreferatin e disertacionit të një doktorate.

5.     Miraton kandidatin fitues të programit të studimit të doktoratës.

6.     Organizon dhe drejton kualifikimin shkencor pedagogjik pas doktoratës.

7.     Bën promovimin për titullin “Docent”, “Prof. Assoc.” dhe “Prof.” sipas kërkesave të departamenteve përkatës.

8.     Bazuar kryesisht në vlerësimin e departamentit përkatës si edhe në gjykimin e tij për veprimtarinë mësimore e kërkimore të kandidatit i propozon Dekanit, dhënien e titullit “Docent”.

9.     Mbështetur në propozimin e departamentit, ngre komisionin e vlerësimit për titullin “Prof.Assoc.”.

10.   Shfuqizohet[18].

11.   Merr vendim për dhënien e titullit “Prof. Assoc.” bazuar në rekomandimin e komisionit të vlerësimit të ngritur prej tij[19].

12.   Verifikon dosjen e kandidatit për  titullin “Profesor” nëse ajo është e plotë dhe ia përcjell atë Senatit Akademik bashkë me propozimin e departamentit për përbërjen e komisionit të vlerësimit.

 

Secili fakultet miraton rregulloren e tij, bazuar në natyrën e veçoritë e fushës që mbulon.

KP e shpreh vullnetin e tij me vendime.

 

Kreu II

 

Departamenti
Neni 43

 

Departamenti është njësia bazë për organizimin dhe realizimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në fusha të caktuara të programit të fakultetit.

 

Përjashtimisht dhe nisur nga fusha e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor e që përfshihet në programet e gjithë fakulteteve, Departamenti i Kulturës Fizike dhe Sporteve Universitare organizohet dhe vepron në mënyrë autonome, jashtë fakulteteve e në varësi të drejtpërdrejtë  nga Rektorati.

 

Fusha e kërkimit shkencor, disiplinat mësimore dhe struktura organizative e secilit departament përcaktohen në rregulloren e fakultetit.

 

Neni 44

Veprimtaria e departamentit

 

Veprimtaria e departamentit bazohet në ligj, në Statut, Rregulloren e UT dhe të fakultetit, përveç departamenteve autonome që kanë rregulloren e tyre.

 

Pozita juridike e përgjegjësit të departamentit, marrëdhëniet e tij me pedagogët e departamentit, me organet e tjera në fakultet si dhe me të tretët, përcaktohen në rregulloren e fakultetit ose rregulloren e veçantë.

 

Autoriteti drejtues i departamentit është përgjegjësi i cili zgjidhet në mënyrën e përcaktuar në ligj dhe në Rregulloren e Zgjedhjeve.

 

Kompetencat e departamentit

Neni 45

 

Departamenti ka këto kompetenca:

 

1.     Propozon ose jep mendim për të gjitha projektet e programeve te studimit e të kërkimit shkencor.

2.      Vlerëson paraprakisht temat studimore e kërkimore dhe jep mendim për dhënie të titujve e gradave shkencore të personelit akademik të departamentit.

3.      I propozon këshillit të fakultetit, hapjen, mbylljen apo riorganizimin e programeve të ciklit të parë dhe të dytë[20].

4.     I propozon këshillit të fakultetit dhe KP hapjen, mbylljen apo riorganizimin e programeve të doktoratës. Në Fakultetin e Mjekësisë departamenti dhe titullari i njësisë bazë i propozojnë Këshillit të Fakultetit hapjen, mbylljen apo riorganizimin e programeve të doktoratës dhe specializimeve afatgjata[21].

5.     Shpërndan ngarkesën mësimore.

6.     Miraton temat e kërkimit shkencor që kryhet vetëm nga departamenti, propozon ose jep mendim për të tjerat.

7.     Propozon kriteret per pranimin në punë të personelit akademik me kohë të plotë dhe propozon kandidaturat për personelin akademik me kohë të pjesshme.

8.     Merr pjesë në komisionin e vlerësimit për përzgjedhjen e të gjitha kandidaturave për punësim në departament, sipas rregullave të këtij statuti dhe Rregullores së UT-së[22].

9.      Merr pjesë në menaxhimin e të ardhurave për projektet shkencore.

10.   I propozon këshillit të njësisë kryesore përshtatjen e programeve/profileve të studimeve të miratuara, që nuk cënojnë objektivat bazë të tyre[23].

 

Mënyra e realizimit të kompetencave të mësipërme, përcaktohet në rregulloren e departamentit.

 

A) Shfuqizohet.[24]

B) Shfuqizohet.[25]

C) Shfuqizohet.[26]

Neni 45/1    

Shërbimet[27]

 

Në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë publik, që kanë qendra spitalore universitare, lëndët/disiplinat klinike organizohen në shërbime. Shërbimi është njësi bazë e fakultetit dhe bën pjesë në strukturën e spitaleve universitare. Ai realizon funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e fakultetit, si dhe funksione diagnostike e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e spitalit universitar. Numri i personelit dhe kapacitetet e njësisë së shërbimit përcaktohen në bazë të kritereve, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Përgjegjësi i shërbimit është titullari i shërbimit, me funksionet e njësisë bazë të fakultetit. Ai duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit, të ketë, së paku, gradën shkencore "Doktor" dhe përvojë pune në fushën përkatëse, si dhe të ketë kryer kërkime dhe botime shkencore, brenda dhe jashtë vendit.

 

Konkurrimi për përgjegjës shërbimi bëhet nëpërmjet vlerësimit të dosjes.

 

Kandidati duhet të plotësojë këto kërkesa të përgjithshme:

1.   të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

2.  të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkuron;

3.     të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale me dashje;

4.     të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore e largimit nga puna;

 

Për vlerësimin e kandidatëve, që konkurrojnë për përgjegjës shërbimi, ngrihet një komision vlerësimi, përbërja e të cilit propozohet nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit, miratohet nga Bordi i Qendrës Spitalore Universitare dhe shpallet nga Rektori. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga pesë personalitete, të vendit e të huaja, të njohura për kontributin akademik dhe shkencor në fushën e shërbimit në fjalë ose në fushat e klasifikuara nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit si të afërta me të (shërbimin).

 

Komisioni i vlerësimit përzgjedh dy nga kandidatët më të mirë konkurrues dhe ia përcjell ato Bordit të Qendrës Spitalore Universitare, i cili zgjedh një prej tyre dhe ia paraqet, për emërim, Rektorit të UT dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare.

 

Bordi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare vlerësojnë çdo pesë vjet veprimtarinë e njësisë së shërbimit dhe të përgjegjësit të saj.

 

Kur në një lëndë/disiplinë ka më shumë se një shërbim, Bordi i QSUT-së përzgjedh një nga përgjegjësit e shërbimeve që kanë përvojën më të gjatë kliniko-akademike si titullar të njësisë bazë dhe ia paraqet për emërim Rektorit. Ai është përgjegjës për drejtimin dhe koordinimin e veprimtarisë mësimore-kërkimore në fushën përkatëse. Titullari i njësisë bazë ka kompetencat e përgjegjësit të departamentit. Mandati i tij është i njëjtë me atë të përgjegjësit të shërbimit.

 

Neni 45/2    

Grupi mësimor kërkimor[28]

 

Departamenti organizohet në grupe mësimore kërkimore ose dhe vetëm kërkimor. Grupi mësimor/kërkimor krijohet me vendim të këshillit të fakultetit bazuar në propozimin e departamentit përkatës.

 

Grupi mësimor-kërkimor mund të ngrihet mbi bazë moduli, disipline ose moduli të integruar. Numri minimal i pedagogëve për ngritjen e grupit mësimor kërkimor është 3.

 

Modalitetet për ngritjen e grupit mësimor/kërkimor përcaktohen në rregulloren e brendshme të njësisë kryesore.

 

Përgjegjësi i grupit mësimor/kërkimor duhet të ketë të paktën gradën shkencore “Doktor”. Ai përzgjidhet me konkurs nga komisioni ad-hoc  i ngritur nga këshilli i profesorëve. Komisioni përbëhet nga jo më pak se 5 vetë nga të cilët dy propozohen anëtarë të këshillit të fakultetit, dy anëtarë caktohen nga departamenti përkatës dhe një anëtar caktohet nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore.

Komisioni ad-hoc  bën renditjen e kandidatëve sipas plotësimit të kërkesave të shpallura paraprakisht nga njësitë kryesore. Si rregull, komisioni përzgjedh kandidatin me titullin/gradën më të lartë shkencore.

 

Përgjegjësi i departamentit i propozon dekanit/drejtorit emërimin e kandidatit të renditur në vendin e parë të listës nga komisioni ad-hoc, për një periudhë 4-vjeçare.

 

Filialet

Neni 46

 

Filialet janë njësi të veçanta në varësi të Rektoratit të UT-së, të cilat ofrojnë programe të studimeve, kërkim shkencor dhe shërbime të ndryshme.

 

Filiali si njësi kryesore hapet me vendim të Këshillit të Ministrave mbi bazën e propozimit të Universitetit të Tiranës dhe ka në përbërje të tij të paktën tre njësi bazë, nga të cilat dy janë departamente.

 

Filiali si njësi bazë ose ndihmëse hapet me miratim të Senatit Akademik pas plotësimit të standarteve të kërkuara dhe kritereve të mëposhtme:

 

1.     të ketë në përbërje të tij të paktën shtatë anëtarë efektivë si personel akademik, ndër të cilët tre duhet të jenë të paktën me grada dhe tituj. Filialeve të cilat funksionojnë por nuk e plotësojnë këtë kriter, u lihet një afat 5-vjeçar;

2.      të ketë një infrastrukturë të përshtatshme dhe të mjaftueshme për shërbimin që do të ofrohet;

3.      të ketë fonde të mjaftueshme buxhetore për të përballuar kostot përkatëse.

 

Filiali si njësi bazë organizohet në grupe mësimore e kërkimore.

 

Mënyra e funksionimit të filialit në raport me Universitetin dhe fakultetin përkatës parashikohen në aktin e krijimit dhe në rregulloren e UT-së.

 

Qendrat e kërkimit dhe zhvillimit[29]

Neni 47

 

1. Qendrat[30] e kërkimit dhe zhvillimit kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore dhe zhvillimi dhe marrin pjesë në realizimin e programeve të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë.

Qendrat janë njësi bazë në varësi të Rektoratit ose në përbërje të fakulteteve. Përgjegjësi i qendrës së kërkimit dhe zhvillimit emërohet nga Rektori për qendrat në varësi të Rektoratit dhe nga Dekani për qendrat në përbërje të fakulteteve.

2.      Misioni i qendrave të[31] kërkimit dhe zhvillimit është:

- kërkimi shkencor, bazë dhe i aplikuar,

- formimi universitar i studentëve dhe shkencëtarëve,

- shërbime për të tretë si edhe transferimin e njohurive e teknologjisë në    fushat në të cilat veprojnë.

3.      Qendra e kërkimit dhe zhvillimit duhet të ketë në përbërje të paktën shtatë anëtarë efektivë si personel akademik, ndër të cilët tre duhet të jenë të paktën me grada dhe tituj. Qendrave të cilat funksionojnë por nuk e plotësojnë këtë kriter, u lihet një afat 5-vjeçar.

4.     Struktura dhe organika e tyre propozohen nga fakulteti përkatës dhe miratohen nga KADM-i.[32]

 

PJESA E TRETE

 

ORGANIZIMI I STUDIMEVE

 

Neni 48

Studimet universitare

Studimet universitare organizohen në këto forma:

·       studime me kohë të plotë;

·       studime me kohë të pjesshme;

·       studime në distancë.

Programet e studimeve në UT, qofshin ato me kohë të plotë, të pjesshme apo në distancë, organizohen në cikle sipas nenit 48 të këtij Statuti dhe përfundojnë me marrjen e diplomave të parashikuara në nenin 52 dhe 53 të tij. Ndërsa viti akademik dhe diploma përfundimtare mbeten të pandryshuara, organizimi i mësimdhënies dhe format e testimit për studimet me kohë të pjesshme ose në distancë, rregullohen me rregullore të veçantë të UT.

Programet e studimeve në UT propozohen nga departamentet e fakulteteve dhe këshilli i fakultetit ia paraqet ato për miratim Senatit Akademik.

Rektorati shpall publikisht programet e akredituara të studimeve që ofrojnë fakultetet e  UT, para fillimit të aplikimeve për pranime.

Neni 49

Ciklet e studimeve universitare në UT

Programet e studimeve në UT organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: 1. cikli i parë, 2. cikli i dytë dhe 3. cikli i tretë.

1. Programet e Studimeve të ciklit të parë:

Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një shumëllojshmëri të gjerë profesionesh e specialitetesh.

1.1 Hartimi dhe miratimi i programeve të studimit të ciklit të parë.

 

Në Universitetin e Tiranës, programet e studimeve të ciklit të parë konceptohen në radhë të parë nga Departamentet e Fakulteteve duke respektuar dhe kërkesat e dispozitave ligjore dhe nënligjore. Departamentet hartojnë programe studimore për çdo lëndë që përfshihet në sferën e Departamentit. Projekt-programet e përgatitura nga Departamentet, organizohen në module dhe përmbajnë informacionin e mëposhtëm:

 

-        Titullin e lëndës;

-        Objektivat e përgjithshëm të formimit në atë lëndë;

-        Objektivat specifikë të formimit në atë lëndë;

-        Nënndarjen në çështje të lëndës;

-        Raportin e leksioneve dhe seminareve për çdo lëndë;

-        Kohëzgjatjen e zhvillimit të lëndës;

-        Formën e kontrollit të dijeve;

-        Numrin e krediteve që propozohet t’i alokohen lëndës duke përllogaritur ngarkesën e studentit, rezultatet e procesit mësimor, aftësitë e përftuara dhe sasinë e orëve të mësimit;

-        Bibliografinë;

-        Emrat e pedagogëve.

 

Propozimet e departamenteve, shqyrtohen dhe marrin një miratim paraprak në Këshillin e Fakultetit. Këshilli i Fakultetit shqyrton në veçanti justifikimin e departamenteve per numrin e krediteve të propozuara për çdo lëndë. Këshilli i Fakultetit mund të rikthejë propozimin për përpunim të mëtejshëm në Departamente. Orientimet e Këshillit të Fakultetit në këtë rast janë të detyrueshme për Departamentin.

 

Në përfundim të procesit të shqyrtimit të programeve brenda Fakultetit, Këshilli i Fakultetit, përmes Dekanit, ia dërgon programin për miratim Senatit Akademik.

 

Senati Akademik mund ta kthejë programin e propozuar pranë Fakultetit propozues për rishikim të mëtejshëm. Orientimet e Senatit Akademik janë të detyrueshme për Fakultetin në këtë rast.

 

1.2 Kuotat e pranimit  në programet e studimit të ciklit të parë

 

Brenda muajit mars të çdo viti, Senati Akademik i UT finalizon propozimin e tij për kuotat e pranimit në secilin fakultet, duke evidentuar kuotat e pranimit në sistemin e studimeve me kohë të pjeshme ose në distancë.

 

Brenda muajit janar të çdo viti, secili fakultet i Universitetit të Tiranës, formulon propozimin paraprak për kuotat e pranimit të studentëve në ciklin e parë të studimeve për vitin akademik pasardhës.

 

Në formulimin e propozimit për kuotat e pranimit, Fakulteti propozues paraqet argumenta që lidhen me faktorët e mëposhtëm:

 

-        misioni dhe objektivat e fakultetit;

-        programi i studimit dhe organizimi i kurrikulës

-        hapësirat fizike në dispozicion të fakultetit;

-        disponueshmëria e stafit pedagogjik dhe atij mbështetës duke vënë theksin tek raporti pedagog-student (referenca bëhet tek numri i propozuar i studentëve), raporti i pedagogeve te brendshem me ata te jashtem, niveli i kualifikimit shkencor te stafit akademik;

-        disponueshmëria e mjeteve didaktike dhe burimeve të literaturës në funksion të metodave të mësimdhënies;

-        tendencat në kërkesat e kandidatëve për tre vitet e fundit;

-        analiza e kurseve të studimit dhe diplomave në dritën e kërkesave të tregut për specialistë të profilit përkatës;

-        veçoritë e programit mësimor, në veçanti raporti leksion-seminar dhe metodat e kontrollit të dijeve.

 

1.3 Kriteret  e  përzgjedhjes  së kandidatëve  për  t’u  pranuar  në     programet e studimeve të ciklit të parë

 

Kanë të drejtë të kandidojnë për pranim në studimet e ciklit të parë të Universitetit të Tiranës, kategoritë e mëposhtme:

 

-        shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar me sukses maturën shtetërore;

-        studentët shqiptarë që kanë një diplomë të shkollës së mesme ekuivalente të një vendi të huaj, që kanë dhënë provimet me zgjedhje;

-        në rastin e programeve të studimit me kohë të pjesshme, përveç kategorive të mësipërme, edhe ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm para vitit 2006;

-        shtetasit e huaj në kushtet dhe mënyrat e parashikuara nga marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe.

 

Brenda muajit janar të çdo viti, krahas propozimit të justifikuar për kuotat e pranimit, secili Fakultet përgatit edhe propozimin për kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga UT, të paktën një vit para fillimit të pranimeve tё rradhës në institucion, së bashku me informacionin e nevojshëm mbi fakultetin përkatës dhe programet që ofron.

 

1.4  Veçoritë akademike të programit të studimeve të ciklit të parë

 

Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe formimin e shprehive të veçanta në një llojshmëri[33] të gjerë profesionesh e specialitetesh.

 

1.5  Kohëzgjatja dhe kreditet e programit të studimeve të ciklit të parë

 

Programet e studimeve të ciklit të parë në Universitetin e Tiranë realizohen si rregull me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vjet. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare ”Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer[34].

2. Studimet e ciklit të dytë:

 2.1 Programet e studimit “Master i Shkencave”        

 Programet e studimeve të ciklit të dytë i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë, brenda një specialiteti. Ato realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite për projektin kërkimor dhe tezën dhe kohëzgjatja normale e tyre është dy vite akademike.

Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas përcaktimeve të bëra nga Senati Akademik.

Në përfundim të programit të studimeve të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.[35]

Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e dytë të studimeve individë që zotërojnë një diplomë të ciklit të parë, si në fakultetin në të cilin është kryer programi i ciklit të parë ose në një fakultet tjetër,  individë që zotërojnë diplomë studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të, si dhe plotësojnë standardet specifike akademike të kritereve të pranimit në ciklin e dytë të studimeve.

Rregulla më specifike në lidhje me hartimin e programeve, kuotat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, veçoritë akademike, kohëzgjatjen dhe kreditet si dhe diplomat e programeve “Master i Shkencave” përcaktohen ne rregulloret e fakulteteve në analogji, për aq sa është e mundur, me rregullimin e këtij Statuti për programet e studimit të ciklit të parë.

2.2 Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:

 

Universiteti i Tiranës në fusha të veçanta ofron programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku, të cilat realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite.

Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas përcaktimeve të bëra nga Senati Akademik.

Në përfundim të programeve te integruara të studimeve të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.[36]

 

Rregulla më specifike në lidhje me hartimin e programeve, kuotat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, veçoritë akademike, kohëzgjatjen dhe kreditet si dhe diplomat e programeve të studimeve të integruara të ciklit të dytë përcaktohen në rregulloret e fakulteteve në analogji, për aq sa është e mundur, me rregullimin e këtij Statuti për programet e studimit të ciklit të parë.

 

2.3 Programet e studimeve “Master profesional”[37]:

Programet e studimeve “Master  Profesional” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të ciklit të parë, arsimim dhe trajnim të mëtejshëm profesional, realizohen me jo më pak se 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1.5 (një vit e gjashtë muaj) vit akademik.[38]

Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas përcaktimeve të bëra nga Senati Akademik[39].

Në përfundim të programit të studimeve të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

 

Rregulla më specifike në lidhje me hartimin e programeve, kuotat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, veçoritë akademike, kohëzgjatjen dhe kreditet si dhe diplomat e programeve të studimeve “Master Profesional” përcaktohen në rregulloret e fakulteteve në analogji, për aq sa është e mundur, me rregullimin e këtij Statuti për programet e studimit të ciklit të parë.

2.4 Kriteret bazë të përzgjedhjes së kandidatëve në studimet e ciklit të dytë janë:

a) të zotërojë një diplomë të ciklit të parë ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të;

b) të ketë rezultate të larta në studimet e ciklit të parë;

3. Studimet e ciklit të tretë:

3.1. Programet e studimeve të doktoratës:

 

Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura, zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara.

 

Në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i Shkencave”.

Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas përcaktimeve të bëra nga Senati Akademik.

Në përfundim të programit të studimeve të doktoratës lëshohet diplomë për gradën shkencore “Doktor” (Dr.).[40]

 

Rregulla më specifike në lidhje me hartimin e programeve, kuotat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, veçoritë akademike, kohëzgjatjen dhe kreditet si dhe diplomat e programeve të studimeve të doktoraturës përcaktohen ne Rregulloren e shkollës doktorale në analogji, për aq sa është e mundur, me rregullimin e këtij Statuti për programet e studimit të ciklit të parë.

 

3.2 Shfuqizohet. [41]   

 

a.        Programet e studimeve specializuese afatgjata:

 

Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional, që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta si në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë, inxhinierisë, drejtësisë etj. Për kryerjen e tyre studenti duhet të grumbullojë jo më pak se 120 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është jo më pak se 2 vite akademike në përputhje me ligjin për profesionet e rregulluara.

Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas përcaktimeve të bëra nga Senati Akademik.[42]

Në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë universitare specializimi me titullin në fushën përkatëse.

 

Rregulla më specifike në lidhje me hartimin e programeve, kuotat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, veçoritë akademike, kohëzgjatjen dhe kreditet si dhe diplomat e programeve të studimeve specializuese afatgjata përcaktohen ne rregulloret e fakulteteve në analogji, për aq sa është e mundur, me rregullimin e këtij Statuti për programet e studimit të ciklit të parë.

3.4 Kriteret bazë të përzgjedhjes së kandidatëve në studimet e ciklit të tretë janë:

a.     të ketë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë ose një diplomë të integruar të nivelit të dytë ose një diplomë sipas sistemit të vjetër të pandarë në cikle studimi;

b.    të ketë rezultate të larta në studimet e ciklit të parë dhe të dytë;

c.     të ketë dëshmi zotërimi të një gjuhe të huaj lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

d.    të ketë dy rekomandime nga persona që gëzojnë titull shkencor të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit;

e.     të zbatojë standardet shkencore dhe etike.

 

4. Studimet jouniversitare të natyrës profesionale

 

Universiteti i Tiranës me vendim të organit kompetent  mund të ofrojë edhe programe të studimeve jouniversitare, të natyrës profesionale. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë.

 

Kriteret për pranimin në programet e studimeve jo universitare përcaktohen në Rregulloret e Fakulteteve të cilat ofrojnë këtë program studimesh.

 

Neni 50

Viti akademik dhe organizimi i mësimdhënies

Studimet në UT zhvillohen me bazë vitin akademik i cili organizohet në semestra me së paku 20 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë në javë.

Neni 51

Ndjekja e një programi të dytë studimi

Personat që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast pranohen për aplikim, si rregull kandidatët me diplomë të përafërt me programin e dytë në të cilin kërkojnë të studiojnë, nga të cilët përzgjidhen ata me mesatare më të lartë. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve.

 Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer sipas kritereve dhe procedurave që parashikon ligji për arsimin e lartë.

Kritere specifike për t’u pranuar në një program të dytë studimi përcaktohen në rregulloret e fakulteteve.

Neni 52 

Transferimet

UT ofron mundësi për transferime të studentëve në vite të ndërmjetme midis programeve të të njëjtit cikël, brenda vetë institucionit apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë.

Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon Fakultetit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e tij. Vendimin per kerkesen për transferim e merr Rektori. 

Si rregull, transferimet bëhen në vite të ndërmjetme dhe pranohen kandidatët me rezultatet më të larta.

Neni 53   

                                                    Pajisja me diplomë

Me përfundimin e studimeve universitare në UT fitohen këto diploma:

 

1.     Diplomë e ciklit të parë “Bachelor”;[43]

2.     Diplomë e ciklit të dytë “Master i Shkencave”; [44]

3.     Diplomë e ciklit të dytë “Master Profesional”;[45]

4.     Diplomë për gradën shkencore “Doktor”;[46]

5.     Diplomë specializimi;

6.     Diplomë profesionale.

Neni 54

Diploma suplement

Të gjitha diplomat e studimeve të ciklit të parë, të dytë apo të integruara[47],të lëshuara nga UT shoqërohen me Suplementin e Diplomës i cili përmban informacionin e mëposhtëm si dhe të tjera që parashikohen në aktet nënligjore përkatëse:

1                 INFORMACION MBI TË DIPLOMUARIN

Mbiemri;

Emri;

Datëlindja (dita/muaji/viti);

Numri i amzës i studentit;

2. INFORMACION MBI DIPLOMËN

2.1 Emri i diplomës dhe titulli që i jepet të diplomuarit;

2.2 Fusha(t) kryesore e studimeve;

2.3 Emri dhe statusi i institucionit që lëshon diplomën;

2.4 Emri dhe statusi i institucionit që administron procesin e studimeve nqse është i ndryshëm nga ai i parashikuar në 2.3;

2.5 Gjuha në të cilën janë zhvilluar studimet;

3. INFORMACION MBI CIKLIN (NIVELIN) E PROGRAMIT STUDIMOR

3.1 Cikli (niveli) i programit;

3.2 Kohëzgjatja e programit;

3.3 Kriteret e përzgjedhjes në hyrje.

4. INFORMACION MBI PËRMBAJTJEN E PROGRAMIT DHE REZULTATET

4.1 Sistemi (mënyra e studimit);

4.2 Veçoritë akademike të programit;

4.3 Detaje në lidhje me programin përfshirë lëndët e studiuara dhe notat e kreditet e marra nga i diplomuari;

4.4 Titulli i marrë në përfundim të programit.

5. INFORMACION MBI QËLLIMIN E PROGRAMIT

5.1 Mundësitë për arsimi të mëtejshëm;

5.2 Statusi profesional i të diplomuarit.

 

Neni 55

Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave dhe i periudhave të studimeve

UT bën ekuivalentim të pjesëve ose programeve të plota studimi të marra në institucione të tjera të vendit ose të diplomave të marra në institucione të huaja sipas përcaktimeve në ligj.

Procedura e ekuivalentimit nis dhe realizohet nga një komision Ad-Hoc i ngritur nga dekani i fakultetit përkatës. Ky komision shqyrton rastet kur studenti kandidon për transferim programi studimi në vite të ndërmjetme, kur pranohet në program të dytë studimi ose kur i kërkohet nga MASh-i në kuadër të procedurave të njohjes se diplomave të huaja.

Procedura iniciohet:

1)     nga MASh për njohje të diplomave të huaja

2)    nga IAL për transferim të studentëve në vite të ndërmjetme ose pranimin në program të dytë studimi.

Neni 56

Viti akademik sabatik

Personeli akademik i UT ka të drejtë që çdo 7 vjet, për periudha kohe deri në një vit, të punojë për ngritjen e tij akademiko-shkencore.

Kërkesat për leje sabatike miratohen nga këshilli i njësisë kryesore.[48]

 

Gjatë kësaj periudhe, personelit akademik nuk i ngarkohet detyrë mësimdhënieje. Personeli akademik mund të ndjekë gjatë këtij viti kurse specializimi jashtë institucionit.

 

Midis të interesuarit dhe Rektorit të UT, nënshkruhet një kontratë e posaçme.[49]

 

Neni 57

Vlerësimi moral për studentët

 

Studentët që, në përfundim të studimeve të plota tw çdo cikli, kanë të gjitha notat dhjeta, fitojnë “Medalje të Artë” me çertifikatën përkatëse; ata që kanë jo më pak se 80% të notave dhjeta e pjesën tjetër nënta, fitojnë Çertifikatën “Student i Shkëlqyer”.

 

Dorëzimi i diplomave bëhet me ceremoni në çdo fakultet; për studentët që fitojnë “Medalje të Artë” ose Çertifikatën “Student i Shkëlqyer”, ceremonia organizohet në shkallë universiteti dhe dorëzimi i diplomave bëhet personalisht nga Rektori, në prani të përfaqësuesve të Senatit, të profesoratit, administratës dhe studentëve.

Studentët me medalje ari kanë të drejtë që kur aplikojnë, të pranohen në nivelin e dytë të shkollimit pa konkurim dhe pa pagesë, ndërsa studentët e shkëlqyer me konkurrim por pa pagesë.

Neni 58

Norma mësimore dhe mbingarkesa

 

Mësimdhënia është detyrim, me së paku 6 orë mësim në javë në auditor për të gjithë personelin akademik dhe së paku 3 orë mësimi në javë në auditor për personelin akademik në Fakultetin e Mjekësisë.[50] Ngarkesa e plotë për personelin akademik përcaktohet me Udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës.

Personelit akademik i njihet e drejta e pagesës së orëve të realizuara mbi normën, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

PJESA E KATERT

KËRKIMI SHKENCOR

 

Financimi i kërkimit shkencor

Neni 59

 

Personeli akademik, studentët e ciklit të dytë dhe të tretë kanë të drejtë të aplikojnë pranë Rektoratit, për fondet e miratuara nga buxheti i UT-së, për kërkimin shkencor.

 

Financimet për kërkimin shkencor për çdo vit, miratohen nga Senati akademik dhe shpallen në Rektorat, fakultete dhe në faqet përkatëse të internetit.

 

Brenda muajit prill të çdo viti, shpallen fituesit që përfitojnë financim të plotë apo të pjesshëm për kërkimin shkencor.

 

Me përfituesit e këtyre financimeve lidhet një kontratë e posaçme, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet mes tyre dhe UT-së.

 

Kërkimi shkencor me ose për të tretët

Neni 60

 

UT nëpërmjet strukturave të tij, u ofron  të  tretëve ose pranon oferta për kërkim shkencor, ekspertizë shkencore, shërbime e të tjera, duke ndjekur procedurat e miratimit dhe kontribuar financiarisht sipas marrëveshjeve e në përputhje me Rregulloren.

 

Kur nga kërkimi shkencor apo shërbimet për të tretët krijohen të ardhura, ato ndahen mes institucionit që ofron shërbimin dhe personelit të përfshirë në të, sipas marrëveshjes e në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

 

Kreu II

 

Struktura dhe Organika Administrative

Neni 61

 

Struktura dhe organika e personelit të Universitetit të Tiranës për të gjitha nivelet miratohet nga Këshilli i Administrimit[51] brenda kufijve të buxhetit të UT dhe secilës njësi.

 

Struktura duhet të përmbajë aparatin administrativ dhe numrin e punonjësve të Rektoratit dhe të secilës njësi përbërëse. 

 

 

Personeli

Neni 62

 

Personeli akademik, personeli ndihmës mësimor-shkencor dhe personeli administrativ fillojnë e përfundojnë marrëdhëniet e punës në mënyrën e përcaktuar në Kodin e Punës, Ligjin për Arsimin e Lartë dhe kriteret e posaçme të parashikuara në këtë Statut e Rregulloren e UT.

 

Personeli akademik si dhe  specialistë të tjerë të jashtëm, lidhin e përfundojnë marrëdhëniet me marrëveshje  te veçanta që i nënshtrohen  legjislacionit juridiko-civil e së drejtës ndërkombëtare  në mënyrën e  format e parashikuara në Rregulloren e UT.

 

Personeli i Universitetit të Tiranës përbëhet nga:

 

1. Personeli akademik në përbërje të të cilit janë: 

 

Profesorët

Docentët 

Lektorët

 

2. Personeli ndihmës mësimor shkencor në përbërje të të cilit janë:

 

Laborant me arsim të lartë

Laborant me arsim të mesëm

 

 3. Personeli administrativ

 

Pjesë e personelit administrativ janë të gjithë drejtuesit dhe punonjësit tekniko - administrative që janë në marrëdhënie pune me UT.

 

Punësimi

Neni 63

 

Personat kandidatë për punësim të të tre kategorive, duhet të plotësojnë këto kërkesa të përgjithshme:

1.     të jenë shtetas shqiptarë me  zotësi të plotë për të vepruar.

2.     të zotërojnë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkurojnë,

3.     të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës për kryerjen vepre penale me dashje;[52]

4.      të mos jetë marrë ndaj tyre masa disiplinore e largimit nga puna.

 

Kërkesat e veçanta vendosen në njoftimin e konkurimit për vendin e lirë të punës mbështetur në pozicionin dhe përshkrimin e punës. Këto kërkesa përcaktohen nga njësitë përkatëse që kërkojnë para Rektorit plotësimin e vendit të lirë të punës.

 

Punësimi i Personelit me Kohë të Plotë

Neni 64

 

Punësimi në Universitetin e Tiranës bëhet në mbështetje të legjislacionit të punës në Republikën e Shqipërisë, akteve ligjore e nënligjore të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe të këtij statuti.

 

Punësimi realizohet me procedurë të konkurimit të hapur duke garantuar një proces transparent, të paanshëm dhe objektiv.

 

Të drejtat dhe detyrat e personelit të Universitetit përcaktohen në Rregulloren e UT-së dhe rregulloret e brendshme të njësive përkatëse.

                                                                

Procedura e konkurimit

Neni 65

 

Procedura e konkurimit përcaktohet me shpalljen e vendit të lirë të punës dhe për të zbatohen për aq sa janë të mundura, dispozitat e Kodit të Punës dhe ligjit për shërbimin civil.

 

Komisioni i Vlerësimit

Neni 66

 

Komisioni i vlerësimit për personelin akademik dhe ndihmës mësimor shkencor përbëhet nga:

- përgjegjësi i departamentit përkatës;

- një përfaqësues i zgjedhur nga departamenti përkatës (për Fakultetin e       Mjekësisë është shefi i shërbimit përkatës)

- dy përfaqësues të zgjedhur nga dekani, njëri prej të cilëve të jetë nga   departamenti përkatës

-  nje  përfaqësues i zgjedhur nga Rektori.

 

Për personelin administrativ të fakultetit kryesohet nga kancelari dhe veç tij, përbëhet nga:      

 -  dy përfaqësues të zgjedhur  nga dekani;

 - dy përfaqësues të zgjedhur nga Rektori;

 

Rektori vendos formimin e komisioneve për personelin administrativ dhe ndihmës mësimor-shkencor.

Dekani vendos formimin e komisioneve për personelin akademik.[53]

 

Për personelin administrativ të Rektoratit, komisioni kryesohet nga Kancelari i UT dhe përbëhet nga dy përfaqësues të tjerë të ngarkuar nga Rektori.

 

 

Vlerësimi dhe shpallja e fituesit

Neni 67

 

Komisioni i Vlerësimit bën renditjen e kandidatëve sipas plotësimit të kërkesave të publikuara dhe që i përgjigjen përshkrimit të vendit të punës.

 

Për personelin akademik, autoriteti drejtues i njësisë kryesore i paraqet për emërim Rektorit, kandidatin e renditur i pari në klasifikimin e bërë nga komisioni.

 

Për personelin administrativ dhe ndihmës mësimor-shkencor, Rektori merr vendim për shpalljen e kandidatit fitues, duke ju referuar si rregull, renditjes së propozuar nga Komisioni i Vlerësimit dhe bën emërimin e tij.[54]

 

 

Koha e provës për personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ

Neni 68

 

I punësuari në Universitetin e Tiranës i nënshtrohet një periudhë prove (jo domosdoshmërisht) e cila nuk mund të jetë më shumë se sa 3 muaj. Në mbarim të kësaj periudhe, vendoset në se marrëdhënia e punës do të vazhdojë apo do të ndërpritet. Në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, të punësuarit duhet ti bëhen të ditura arsyet që çojnë në marrjen e një vendimi të tillë.

 

Kontrata e punës për personelin akademik

Neni 69

 

Si rregull, personeli akademik i përzgjedhur pas konkurrimit merret në punë fillimisht me kontratë një vjeçare. Kjo kontratë me afat një-vjeçar mund të përsëritet edhe për një vit. Pas përfundimit të këtij afati dhe në rast se plotësohen kushtet e vëna në kontratë, Rektori lidh kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.

 

Sipas vlerësimit të Rektorit, për kandidatët që kanë eksperiencë në punë në profesion jo më pak se 5 vjet, kontrata e punës mund të lidhet me kohëzgjatje të pacaktuar.

 

Për personelin akademik me grada shkencore , kontrata e punës mund të lidhet me kohëzgjatje të pacaktuar.

Për personelin akademik me tituj shkencorë, kontrata e punës lidhet me kohëzgjatje të pacaktuar.

 

 

Përmbajtja e kontratës së punës

Neni 70

 

Kontratat e punës nënshkruhen nga Rektori.

 

Për disa kategori te caktuara punësh, Rektori mund t’ia delegojë këtë të drejtë një personi tjetër të autorizuar prej tij me akt përkatës.

 

Kontrata e punës duhet të përmbajë:

- identitetin e palëve;

- vendin e punës;

- përshkrimin e punës që do të kryejë individi;

- datën e fillimit;

- kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës;

- kohëzgjatjen e kohës së punës dhe të pushimit;

- pagën;

- normën mësimore (për personelin përkatës).

 

Kontrata e punës nënshkruhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e emërimit në punë.

 

Personeli Akademik i Ftuar

Neni 71

 

Personeli akademik i ftuar përzgjidhet nga lista e personave që propozohen nga departamentet përkatëse para këshillit të fakultetit, duke mbajtur parasysh formimin akademik të tyre apo eksperiencën profesionale në një fushë të caktuar, e cila i shërben nevojave konkrete të mësimdhënies ose kërkimit shkencor.

 

Kriteret për përzgjedhjen e këtij personeli, përcaktohen në Rregulloren e UT-së. 

 

Personeli Akademik me Kontratë të Përkohshme

Neni 72

 

Njësitë kryesore me propozim të njësive bazë, të cilat përcaktojnë nevojat e tyre për staf të jashtëm, i kërkojnë Senatit Akademik miratimin e personelit akademik me kontratë të përkohshme.

 

Senati Akademik duke u mbështetur në propozimet e njësive kryesore dhe në varësi të fondit financiar që ka në dispozicion, miraton çdo vit listën emërore të personelit akademik me kontratë të përkohshme.

 

Kjo kontratë do të nënshkruhet për një punë të caktuar ose për një periudhë kohe të caktuar.

 

Rregulla më të hollësishme për mënyrën e konkurimit për personelin akademik me kontratë përcaktohen në Rregulloren e UT-së.

 

Si rregull, ky personel duhet të përmbushë kriteret dhe kërkesat për punësimin me kohë të plotë. Njësitë kryesore dhe njësitë bazë në propozimet e tyre duhet të marrin për bazë eksperiencën profesionale dhe akademike të kandidatëve.

 

          Neni 72/1 [55] 

 

Autoriteti drejtues i njësisë kryesore, me propozimin e përgjegjësit të njësisë bazë dhe të titullarit të grupit mësimore kërkimor, për të plotësuar nevojat e njësisë, punësojnë personel akademik me kohë të plotë për veprimtari mësimore e kërkimore, për periudha semestrale ose njëvjeçare të përsëritshme, sipas kërkesave të vendit të punës.

 

Numri i tyre për çdo njësi bazë përcaktohet nga Rektori, bazuar në argumentimin e sjellë nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore për nevojën e punësimit të tyre.

 

Kandidatët për këto vende pune konkurojnë me dosje pranë njësive bazë. Vlerësimi i dosjes bëhet nga një komision vlerësimi ad-hoc, i ngritur nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore prej pesë anëtarë nga të cilët dy caktohen nga ky i fundit dhe tre nga njësia bazë.

 

Komisioni i Vlerësimit bën renditjen e kandidatëve sipas plotësimit të kërkesave të publikuara dhe që i përgjigjen përshkrimit të vendit të punës dhe i paraqet  për punësim autoritetit drejtues të njësisë kryesore, kandidatin e renditur i pari në klasifikim.

 

 

Koha e punës dhe e pushimit

Neni 73

Në Universitetin e Tiranës koha javore e punës është jo më pak se 40 orë; koha ditore e punës nuk është më shumë se 8 orë. Koha konkrete e punës caktohet me kontratën kolektive.

Pushimi vjetor për punonjësit mësimorë shkencorë është 12 ditë pushim i zakonshëm, plus 36 ditë pushim plotësues, sipas përcaktimeve me akte nënligjore.

 Problemet e tjera lidhur me kohën normale të punës, të punës tej kohës normale dhe të pushimit, zgjidhen sipas legjislacionit në fuqi dhe kontratës kolektive të nënshkruar sipas ligjit.

 

Masat Disiplinore

Neni 74

 

Llojet e masave disiplinore janë:

- Tërheqje vëmendje

- Vërejtje me shkrim

- Vërejtje me paralajmërim

- Pezullim nga detyra

- Largim nga puna

                                                                

Masat disiplinore jepen nga autoritetet drejtuese të universitetit respektivisht Rektori, Dekani, Përgjegjësi i departamentit/Qendrës së kërkimit dhe zhvillimit me përjashtim të largimit nga puna që është kompetencë vetëm e Rektorit.

 

Ndërprerja e marrëdhënieve të punës të personelit akademik bëhet vetëm pasi është marrë mendimi i titullarit të grupit mësimor kërkimor, përgjegjësit të njësisë bazë dhe autoritetit drejtues të njësisë kryesore, përjashtuar rastet flagrante të shkeljes së Kodit të Punës dhe të etikës akademike.[56] 

 

Rastet për të cilat merret masa disiplinore përcaktohen në Rregulloren e Universitetit.

 

Mbarimi i Marrëdhënies së Punës

Neni 75

 

Mbarimi i marrëdhënies së punës bëhet kur punonjësi:

 

- Jep dorëheqjen;

- Mbush moshën e pensionit;

- Mbaron afati i parashikuar në kontratën e punës;

- Bëhet i paaftë për kryerjen e detyrave për shkaqe fizike dhe mendore;

- Dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës me burgim;

- Konkludohet paaftësi për kryerjen e detyrave apo papërshtatshmëri me vendin e punës (në rastin e ndryshimit të kërkesave për vendin e punës apo ndryshim ose mbyllje të departamenteve dhe njësive të tjera);

- Merret masa disiplinore e largimit nga puna.

 

Konflikti i Interesave

Neni 76

 

Punonjësit e Universitetit dhe të emëruarit e jashtëm duhet të njohin rastet ligjore të konfliktit të interesit dhe të deklarojnë paraprakisht në organin që i emëron ose i zgjedh. 

 

Gjatë ushtrimit të funksionit ose të detyres duhet të parandalojnë raporte të tilla. Kur është e pamundur, i deklarojnë me shkrim para organit ose   autoritetit  përkatës drejtues dhe japin  dorëheqje.

 

 

PJESA E PESTE

 

STUDENTËT

 

Neni 77

Këshillat Studentorë

 

Këshillat studentorë janë organizime të pavarura të studentëve të UT. Këshillat studentorë janë organizime jopolitike dhe nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike.

 

Këshillat studentorë në UT, shprehin mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucionit të arsimit të lartë, për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, propozimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, bilancet vjetore paraprake të shpenzimeve ose ndarjen e burimeve financiare, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive etj.

 

Neni 78

 

Në UT, ushtrojnë veprimtarinë e tyre, Këshillat Studentorë të çdo fakulteti dhe Këshilli Studentor i UT.

 

Neni 79

Veprimtaria e Këshillave Studentorë

 

Veprimtaria e Këshillave Studentorë bazohet në ligj, në këtë statut si dhe në aktet për organizimin dhe funksionimin e vetë këshillave.

 

Këshilli i Studentëve të UT harton statutin për funksionimin e tij. Këshillat studentorë të fakulteteve hartojnë rregulloret për funksionimin e tyre në përputhje me statutin e Këshillit Studentor.

 

Miratimi i akteve të mësipërme është kompetencë e Rektorit të UT.

 

Neni 80

Financimi

 

Veprimtaria e Këshillit Studentor të UT, financohet dhe mbështetet nga buxheti i Rektoratit të UT.

 

Veprimtaria e Këshillave Studentorë të fakulteteve, financohet dhe mbështetet nga buxheti i fakulteteve përkatës.

 

 

Përfaqësuesi i Studentëve

Neni 81

 

Përfaqësuesit studentorë janë:

a)    Përfaqësuesi studentor në Këshillin Studentor,

b)   Përfaqësuesi studentor në Këshillin e Fakultetit,

c)    Përfaqësuesi studentor në Këshillin e Administrimit,

d)   Përfaqësuesi studentor në Senatin Akademik.

 

Të drejtat e studentëve

                                                       Neni 82

 

Studentët gjatë ndjekjes së studimeve në UT kanë këto të drejta:

 

1.     Të përfaqësohen në këshillat e fakulteteve, në Këshillin e Administrimit, në Senatin Akademik dhe këshillat studentorë.

2.     Të përfitojnë bursë studimi kur plotësojnë kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave si dhe shpërblime të veçanta që administrohen nga Universiteti i Tiranës;

3.     Të shprehin opinionin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit akademik të institucionit.

4.     Të ndjekin leksione, seminare dhe të gjitha veprimtaritë e tjera mësimore, të organizuara në përputhje me statusin e tyre;

5.     Të përdorin mjedise në biblioteka, salla kompjuterash dhe shërbime të tjera që ofrohen për studentët nga institucioni;

6.     Të organizohen në shoqata studentore jopolitike duke ju përmbajtur përcaktimeve të akteve ligjore e nënligjore përkatëse.

 

Neni 83

Detyrimet e studentëve

 

Studentët kanë këto detyrime:

1.     të zbatojnë Statutin dhe rregulloret në fuqi në UT dhe në fakultetin përkatës;

2.      t’u kushtojnë vëmendjen e duhur studimeve dhe të marrin pjesë në veprimtaritë akademike; 

3.     të paguajnë tarifat e shkollimeve dhe të shërbimeve që u ofrojnë institucionet;

4.     të respektojnë kodin e etikës, të përcaktuar në statutet ose rregulloret e institucioneve respektive të arsimit të lartë;

5.      të tregojnë vëmendjen e duhur ndaj të drejtave të personelit dhe të studentëve të tjerë.

 

PJESA E GJASHTË

AUTONOMIA FINANCIARE

 

Hartimi i buxhetit

Neni 84

 

Secili fakultet brenda datës 15 korrik, paraqet në Rektorat projektbuxhetin e tij për vitin pasardhës.

 

Projektbuxheti hartohet nga Rektorati, duke u mbështetur në programin buxhetor afatmesëm 3-vjeçar dhe në propozimet e ardhura nga fakultetet dhe njësitë e tjera, si dhe miratohet nga Senati Akademik, pasi miratohet prej KADM-it.

 

Raportet e autonomisë financiare

Neni 85

 

UT ka buxhetin  tij që krijohet nga burime të përcaktuara  dhe që realizohet në përputhje me rregulla ligjore të detyrueshme përgjithësisht në entet publike duke ruajtur autonominë  në përdorimin e të ardhurave.

 

Përgatitja e projekt buxhetit bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat ligjore dhe në rregullore duke marrë  mendimin dhe kërkesat e njësive përbërëse.

 

Ndërsa fondet buxhetore të njësive përbërëse përcaktohen në mënyrë të përqëndruar, përdorimi i tyre bëhet sipas rregullave përkatëse e në të mirë të programeve por me autonomi respektive të njësive kryesore dhe atyre bazë.

 

Mënyra e përdorimit të të ardhurave nga UT-ja, fakultetet e deri nga departamentet përcaktohen në rregulloren e brendshme për administrimin, financat dhe kontabilitetin.

 

 

Kontrolli i brendshëm financiar

Neni 86

 

Rektorati përfshin në strukturën e tij një njësi të vetën të auditit  të brendshëm financiar.

Kontrollet financiare kryhen të bazuara në programet e hartuara nga KADM-i apo Rektori, në bazë e në respektim të ligjit për arsimin e lartë, Rregullores së UT dhe dispozitave ligjore e nënligjore për buxhetin e shtetit dhe auditin e brendshëm.

 

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Vula zyrtare dhe Stema

Neni 87

          1. Universiteti i Tiranes ka vulen zyrtare sipas modelit te miratuar nga Keshilli i Ministrave. Vula ka diametrin 30 mm, me stemën shtetërore në qendër dhe rreth saj shënohet sipër: REPUBLIKA E SHQIPËRISE, poshtë: UNIVERSITETI I TIRANES (sipas modelit 1 ne faqet pasardhese).

          2. Universiteti i Tiranes ka për simbol të tij stemën e paraqitur nga modeli 2 në faqet pasardhëse. Fakultetet e veçanta miratojnë simbolet e tyre nisur nga ky model.

Miratimi i rregulloreve

Neni 88

 

Brenda dy muajve nga miratimi i këtij Statuti, Senati akademik miraton Rregulloren e UT-së.

 

Rregulloret e tjera të njohura në këtë Statut,   miratohen brenda një muaji nga miratimi i Rregullores së UT-së.

 

Hyrja në fuqi

Neni 89

 

Ky Statut hyn në fuqi me shpalljen e tij nga Rektori i UT-së pas miratimit nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës apo të nesërmen e mbarimit të afatit 2-mujor për t’u shprehur Ministri.

 

Nëse Ministri e kthen këtë Statut për ripunim në Senatin Akademik, për vërejtje nga pikëpamja e ligjshmërisë, atëherë brenda 5 ditëve nga kthimi i Statutit, Senati Akademik mblidhet për të shqyrtuar dhe miratuar ndryshimet e propozuara me 2/3 e votave dhe statuti i riparaqitet Ministrit për miratim. Nëse krijohet konflikt që nuk zgjidhet më mirëkuptim, UT rezervon të drejtën që me vendim të Senatit Akademik të kundërshtojë sipas rregullave ligjore për aktet administrative.

 

 

                                                                               KRYETARI I SENATIT

 

                                                                                 Prof. Dr. Dhori KULE



[1]  - Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[2] - Si më sipër

[3] - Si më sipër

 

4, 5, 6 - Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

 

 

[7] - Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[8]  - Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[9] - Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012, hiqen fjalët “në arsimin e lartë”.

 

[10] Ndryshuar dhe shtuar  me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[11] Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[12] Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[13] Ndryshuar  me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012, fjala “hallka” zëvendësohet me fjalën “njësi”.

 

[14] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[15] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[16] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012, hiqen fjalët “në arsimin e lartë”.

 

 

[17]  Ndryshuar  me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[18]  Shfuqizuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[19] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[20]  Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[21]  Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[22]  Si më sipër.

[23]  Si më sipër.

[24] Shfuqizuar  me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[25] Si më sipër.

[26] Si më sipër.

[27] Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[28] - Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[29] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[30] Si më sipër.

[31] Si më sipër.

[32] Si më sipër.

 

[33] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[34] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[35] Ndryshuar dhe shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[36] - Ndryshuar dhe shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[37]- Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012, fjalët “Master i Nivelit të Parë” zëvendësohen me fjalët “Master Profesional”.

[38] - Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[39] - Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[40] Ndryshuar dhe shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[41] Shfuqizuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[42] Ndryshuar dhe shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[43]- Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[44] - Si më sipër

[45]-  Si më sipër.

[46] - Si më sipër.

[47] Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[48] - Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[49] - Si më sipër..

[50] Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[51] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[52] Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[53] Ndryshuar dhe shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

[54] Ndryshuar dhe shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[55] - Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 

[56] Shtuar me Vendimin e Senatit Akademik nr. 10 datë 18.04.2012.

 




Comments